Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Demir Krasniqi: Mihanja bëhet Mejhane

| E merkure, 09.10.2013, 08:14 PM |


Paradokset në këngët tona popullore :

MIHANJA BËHET MEJHANE

Shkruan: Demir KRASNIQI

Sot , kur jetojmë në shekullin e 21-të , kur mbi trojet tona ditë e më shumë lëshojnë shtat fakultete e universitete të reja , kur kemi institucionet tona të pavarura kulturore dhe kur çdo ditë lindin mediume të reja elektronike mu si kërpudhat pas shiut , mund të krenohemi lirisht se analfabetizmi në trojet tona i takon një të kaluare të largët dhe të harruar !

Mirëpo, po bëre e ndave pakës kohë sa për të pushuar dhe për t’u relaksuar duke dëgjuar programet e muzikës popullore qoftë përmes mediumeve elektronike, qoftë përmes kompakt disqeve , qoftë përmes internetit , atëherë shumë shpejt do të irritohesh dhe do të nervozohesh , kur do të dëgjosh se si disa “yje” të këngës popullore i sakatojnë ato vlera , duke ua ndërruar meloditë , ritmet e sidomos tekstet deri në atë masë sa edhe ua humbin kuptimin deri në paradoks !

Këto shëmtime, sakatime dhe përdhosje fatale ndodhin më së tepërmi me këngët tona të vjetra tradicionale , nga se askush nga interpretuesit e tyre nuk e lodhin kokën , as mendjen , që të lexojnë më shumë literaturë nga folklori ynë, të konsultohen me njerëz ekspert të profesionit dhe ta realizojnë incizimin e këngës ashtu si që i ka hije dhe si është origjinaliteti i saj !

Nga këto shkelje dhe bastardime deri në pakuptimësi , vijmë deri tek përfundimi se shumë interpretues të këngës sonë popullore tradicionale , nga dëshira për të bërë karrierë, emër dhe përfitime materiale – shqip flasin, shqip këndojnë , por kurrë nuk logjikojnë  se çfarë po këndojnë ?!

Nga shumë paradokse të kësaj natyre , kësaj radhe do të ndalemi tek njëra prej perlave të këngëve tona popullore të ciklit të dashurisë , e cila këndohet me shekuj nëpër të gjitha trojet etnike shqiptare dhe dëgjohet me ëndje edhe sot e kësaj dite .

Fjala është për “Këngën e Mihanës” dhe do të shohim se si disa interpretues të vetëquajtur “Yje të Estradës” , na e shndërruan këtë këngë, duke ia ndërruar emrin e Mihanës – në Mejhane ?!

Para se të kalojmë në analiza detaje të tekstit të kësaj kënge , do t’ua shpjegojmë lexuesve të nderuar se çfarë kuptimi ka emërtimi Mejhane ?

Mejhane është një emërtim në gjuhën turke , që do të thotë : Pijetore, ose lokal ku shiten dhe konsumohen pijet alkoolike . Në fakt, Mejhanja ka kuptimin e një kafeneje , apo pijetoreje  të mbajtur keq , ku venë lloj – lloj njerëzish , bëhet zhurmë e madhe dhe ka shumë tym . Kurse pronari i kësaj pijetoreje , quhet Mejhanexhi !

Të shikojmë tani paradokset se çfarë devijimesh dhe çfarë deformimesh do të na paraqiten në tekstin e kësaj kënge , në rastet kur këtë e interpretojnë këngëtarët e pa përgjegjësi dhe jo profesionist :

 

Oh, banëm Zot, o , bylbyl n’ qatë dardhë –

Sa ta shoh Mihanën , lala, n’ këmishë të bardhë!

Refreni:

Oh, Mihane bre , oj dado, oj,

Oh, ku ma le mori , besën –o ?!

 

Oh, banëm Zot, o ,bylbyl n’ qatë mollë –

Sa ta shoh Mihanën, lala , n’ këmishë të hollë !

Refreni:

Oh, Mihane bre , oj dado, oj,

Oh, ku ma le mori , besën –o ?!

 

Oh, banëm Zot, o , bylbyl n’ qatë lis –

Sa ta shoh Mihanën , lala, tuj qëndisë!

Refreni:

Oh, Mihane bre , oj dado, oj,

Oh, ku ma le mori , besën –o ?!

 

Oh, banëm Zot, o, rrasë në kru’ –

Le të vjen Mihanja , t’ lanë tesha mbi mu’!

Refreni:

Oh, Mihane bre , oj dado, oj,

Oh, ku ma le mori , besën –o ?!

 

Kur këtë këngë të bukur me këtë tekst origjinal , do ta dëgjojmë nga disa këngëtarë që këndojnë shqip pa kurrfarë logjike , duke e bërë Mihanën – Mejhane , atëherë do të dëgjojmë se si Mejhanja ( Pijetorja) po u veshka  në këmishë të  bardhë , si Mejhanja (Pijetorja) po u veshka në këmishë të hollë, si Mejhanja (Pijetorja ) po qëndiska oja me grep, si Mejhanja (Pijetorja) po lajka tesha mbi rrasa të kroit dhe si Mejhanja (Pijetorja) nuk po e mbajka besën e dhënë për dashuri ?!

Mendoj se çdo koment tjetër lidhur me bastardimin dhe përdhosjen e vlerave të kësaj kënge është i tepërt !Kush nuk ka pasur rast që ta dëgjojë këtë këngë në variantin e deformuar , le ta dëgjojë dhe do të bindet në analizat e mia !

Paradokse të këtilla , na paraqiten edhe në shumë këngë tjera të vjetra tradicionale, por kësaj radhe po i marrim në shembull edhe disa prej të cilave janë shumë karakteristike në traditat e folklorit tonë muzikor :

Njëra ndër perlat e këngëve tona të nizamisë , pa dyshim se është kënga shumë e popullarizuar me titull:”Shkojnë vaporat rrethit detit”, këngë kjo që përshkruan mobilizimin e djemurisë shqiptare me dhunë nga pushtetarët osmanë për t’i dërguar në luftë në Jemen, ku i mbanin nga 12 vjet dhe ma rrallë kush mund të kthehej i gjallë në vendin dhe familjet e tyre !

Mirëpo, disa interpretues të palogjikshëm të kësaj kënge , duke mos e ditur historinë e kësaj kënge , duke mos e ditur se çka është vapori , a shkon vapori nëpër deti , apo nëpër breg të detit dhe duke mos e ditur se vaporët i kanë marrë djemurinë shqiptare dhe po shkojnë detit për në Jemen  - ata e këndojnë këtë këngë kështu:

 

“Vinë vaporat , moj nane, bregut detit –

Oh, dil e shihi, moj nanë , asqerët e mretit!”

 

Pra, sipas logjikës së tyre, vaporët po vijnë dhe po i bien djemtë shqiptarë nëpër breg të detit, kurse nënat duhet të dalin e t’i shohin asqerët e mbretit???!!!

Në njërën nga perlat e këngëve popullore ulqinake , këndohet kështu:

“Oh, po na vinë kalajt  me dru –

Oh, dil moj nuse me i shkarku’!”...

 

Mirëpo , disa këngëtarë që këndojnë shqip e pa logjikë , e këndojnë kështu:

 

“Oh , po na vinë kalamajtë me dru –

Oh, dil moj nuse me i shkarku’!”...etj.

 

Në këtë rast , këngëtarët e kësaj kategorie , nuk e dinë fare se çka janë kalajtë dhe çka janë kalamajtë ?!

Ata nuk e dinë se kalajt  janë kuajt me të cilët mund të barten drutë nga mali, sikur që nuk e dinë as çka janë kalamajtë (fëmijët e vegjël) me të cilët nuk mund të bartën drutë nga mali dhe nga këto deformime ia humbin kuptimin dhe shijen  këngës deri në pakuptimësi!

Në një këngë të vjetër rapsodike , që i këndohet Rrustë Kabashit të Prizrenit , përveç tjerash , në një varg të saj thuhet :

 

“Dy- tre plumba në shtat t’i lash ,

Qeku asht pazari i gajtanit!”...

 

Rapsodët e pa logjikshëm , këtë varg e këndojnë kështu :

 

“Dy – tre plumba në shtrat t’i lash ,

Qeku asht pazari i gajtanit!”...

 

Rapsodët e këtillë , nuk e dinë dallimin se çka është shtati dhe çka është shtrati , prandaj motivin e vrasjes luftarake e shndërrojnë në konotacion banal duke i dhënë plumba viktimës në shtrat???!!!...

 

Gjilan, më 07.10.2013.