E merkure, 24.04.2024, 05:28 PM (GMT+1)

Shtesë » Shoqëria

Do ta eksplorojmë dot Marsin?

E shtune, 24.05.2008, 08:51 PM


Përpjekjet e dështuara për të eksploruar planetin e kuq

Për dekada shkencëtarët e hapësirës janë përpjekur (dhe shpesh kanë dështuar) të projektojnë mjete për t‘u ulur në sipërfaqen e planetit të kuq. Sa shanse kanë që ta bëjnë me sukses kësaj here? Gazetari britanik, Stiv Kurtis, tregon se diku atje larg fshihet një krijesë që shqyen robotët e dërguar nga Toka për ta eksploruar.

Një krijesë e padukshme për gjithçka, përveç imagjinatës. Ekzistenca e saj veç mund të merret me mend pa pasur shans të konfirmohet. Sigurisht që jemi përpara një miti, por edhe brenda komunitetit shkencor mitet mund të lindin nga faktet. Dhe fakti që dihet në këtë çast është që më shumë se gjysma e mjeteve hapësinore që janë drejtuar për në Mars kanë dështuar. Dhe askush nuk di të thotë përse.

"Bisha" tani ka edhe një emër. Pak kohë më parë, një shkencëtar i NASA-s vendosi ta quante Varrmihësi i Madh Galaktik. Nëpër korridoret e laboratorit të propulsorëve xhet, vizatime të krijesës vërehen nëpër tabelat e njoftimeve, të konceptuara nga mendjet e inxhinierëve më të mëdhenj të kohëve tona. Varrmihësi konsiderohet fajtor për dështimin e një numri shumë të madh fluturimesh dhe për të gjithë ata që besojnë tek eksplorimi hapësinor. Frika është më se e justifikueshme. Dhe kjo sidomos ngaqë tani krijesa e fundit e NASA-s, e quajtur "Phoenix", po udhëton drejt planetit të kuq me 13 mijë milje në orë.

Mjeti fluturues hapësinor, "Phoenix", u shkëput nga sipërfaqja e tokës në gushtin e vitit të kaluar dhe pritet të ulet në sipërfaqen veriore të Marsit të dielën. Në rast se do i mbijetojë kalimit përmes atmosferës së planetit do të përpiqet të ulet falë disa prapashtytësve, të cilët e shtyjnë në drejtim të kundër të lëvizjes, në mënyrë që kontakti me sipërfaqen të jetë sa më i butë. Kjo teknikë është përdorur me sukses nga kapsulat "Viking" të NASA-s, por është larg të qenit e sigurt dhe e parrezikshme. Në vitin 1999, NASA u përpoq ta përdorte këtë teknikë për t‘u ulur në Mars, por gjithçka panë ishte zhdukja pa asnjë shenjë e mjetit që do të prekte sipërfaqen. Shanset që diçka të shkonte keq me "Phoenix" nuk janë të pakta. Siç thotë edhe Dag MekKuston i NASA-s: "Që nga viti 1970 nuk kemi pasur asnjë mision të suksesshëm uljeje në sipërfaqen e këtij planeti të paharrueshëm".

Një pjesë e problemeve vijnë nga fakti që robotët në Mars gjenden shumë larg nga Toka dhe është shumë e vështirë që procesi i uljes të kontrollohet nga shkencëtarët përmes komandave në distancë. Për këtë projektohen në mënyrë të atillë që të jenë inteligjentë, por jo aq të zgjuar sa të shmangin problemet që nuk mund të merren me mend në Tokë. Zona ku është llogaritur të ulet "Phoenix" është rreth 90 kilometra e gjatë dhe 16 e gjerë, dhe në rast se një nga tre këmbët e kapsulës qëllon të bjerë mbi ndonjë gur apo shkëmb (gjenden rreth 5 milionë gurë të mëdhenj në atë zonë), pajisja disa milionë dollarëshe do të humbasë e do shtohet edhe një tjetër përpjekje e pafat në këtë kuadër.

Gjatë muajve të fundit në NASA është punuar pafund për të minimizuar rrezikun, në kërkim të një zone pa gurë, por as kjo nuk është në gjendje të garantojë uljen pa problem. Diçka të tillë e pohon edhe Deivid Spenser, i laboratorit të propulsorëve xhet: "Shkëmbinjtë dhe gropat përbëjnë kërcënimin më të rëndësishëm për suksesin e misionit".

Në fakt, gjatë disa prej përpjekjeve të mëparshme, prapashtytësit as që kanë arritur të ndizeshin. Robotët janë shumë më të fortë nga ç‘mund të mendohen dhe inxhinierët kanë arritur të ulin tre prej tyre mbi sipërfaqen e Marsit, duke përdorur jastëkë ajri. Kur metoda e jastëkëve të ajrit u propozua për herë të parë, shkaktoi të qeshura. Por ideja fitoi mbështetje dhe u përdor me sukses në vitin 1997 në një demonstrim. Një sukses i tillë u arrit edhe gjatë testimeve të tjera të realizuara në vitin 2004.

Të frymëzuar nga këta dy shembuj, Britania vendosi të përdorë jastëkët e ajrit në misionin e vet "Beagle 2". Por nga "Beagle 2" nuk u lëshua kurrfarë sinjali dhe pajisja prej 30 milionë dollarësh konsiderohet e humbur.

Merret si i mirëqenë fakti se "Phoenix" do të arrijë të ulet në sipërfaqe, do të përpiqet të analizojë akullin, gurët e shkëmbinjtë përreth. Është pranuar prej kohësh që në Mars gjendet "akull i thatë", i cili është në të vërtetë dyoksid karboni në gjendje të ngrirë, por të dhëna të dërguara së fundmi nga satelitë që tashmë orbitojnë përreth tij, bëjnë të mendohet se gjendet gjithashtu edhe ujë në gjendje të ngrirë. E vetmja mënyrë për ta mësuar me saktësi këtë është ekzaminimi në vend dhe "Phoenix" ka me vete një laborator për përmbushjen e kësaj detyre.

Ekzistenca e ujit vërehet si një nevojë e detyrueshme për praninë e jetës në planet, dhe ndërsa tani zbulimi i ndonjë forme jete konsiderohet pa gjasa, pajisjet e mëpasshme eksploruese nga Toka mund ta kenë edhe qëllim në vete. Shanset që qeniet njerëzore të jenë në gjendje të kolonizojnë me sukses Marsin, do të bien ndjeshëm nëse aty nuk gjendet ujë. Formula kimike e ujit është H2O. Uji nuk është i nevojshëm vetëm për t‘u pirë e për të rritur bimët, por lipsen edhe komponentët që e përbëjnë, hidrogjeni dhe oksigjeni, të cilët mund të përftohen veçmas falë elektrolizës. Hidrogjeni dhe oksigjeni janë lënda bazë e karburantit të anijeve hapësinore.

Gjatë ditëve të Bashkimit Sovjetik komunistëve u pëlqente së tepërmi të vinin në siklet amerikanët, duke dërguar njerëz e makina në hapësirë përpara se këtë ta bënte NASA. Përveç sukseseve mbresëlënëse, siç qe ai i Sputnik-ut apo Juri Gagarinit, arritën të uleshin në mënyrë të përsëritur në sipërfaqen prej ferri të Venusit. E megjithatë, asnjë përpjekje sovjetike për t‘u ulur në Mars nuk pati sukses. Dhe kjo nuk vinte për shkak të mungesës së tentativave. Në vitin 1971, mjeti hapësinor "Mars 3" arriti madje edhe të prekte sipërfaqen e planetit të kuq, por nuk dha më asnjë shenjë jete vetëm 20 sekonda pas uljes. Mendohet të jetë ulur gjatë një stuhie rëre. Gjithsesi amerikanëve nuk u erdhi mirë që rusët kishin arritur në planet të parët.

Inxhinierët amerikanë qenë të bindur se superioriteti i teknologjive kompjuterike u jepte shanse më të mëdha se rusëve për të arritur suksesin, dhe kështu nisën të dërgonin mjetet e tyre në platin e Kuq, por pa sukses. Në vitin 1999 e shumëpritura "Mars Climate Orbiter" u përplas në atmosferën marsiane pasi njëra nga skuadrat e saj i kishte bërë llogaritë në inç, ndërsa të tjerët në centimetra e metra. Përveç budallallëkut trashanik, ky dështim qe ndër të paktët që u njihet shkaku i problemeve.

Në të kundërt, dështimi i shumicës së përpjekjeve njerëzore për t‘u ulur në Mars mbeti mister. Një makinë që hyn në atmosferën e Marsit duhet të përballet fillimisht me nxehtësinë përcëlluese që shkaktohet nga fërkimi dhe në këtë pikë të gjitha komunikimet në distancë ndalin së funksionuari. Asnjë prej robotëve të dërguar në planetin e kuq nuk ka qenë pajisur me kuti të zezë, nga ato që përdoren në industrinë ajrore në Tokë. Kur ato përplasen apo shkatërrohen, nuk kemi si të dimë përse ndodhi dhe për disa punonjës të NASA-s, Varrmirësi mund të shërbejë për shpjegim aq mirë sa gjithë të tjerët.

Në këtë pikë askush nuk ka arsye të ndihet keq përse habitet. Teknologjia po përparon pandërprerë dhe që nga viti 1960 ka kaluar shumë kohë. Mund të marrim me mend se po ecim përpara në eksplorimin e hapësirës. Dhe në disa aspekte këtë mund ta themi me siguri.

Është e vërtetë që Marsi gjendet në largësi të konsiderueshme, por dimë që NASA ka arritur të dërgojë në tokë imazhe nga planet shumë më të largëta nga Marsi, siç janë Jupiteri, Saturni apo Urani. Në mënyrë të pabesueshme ia kemi dalë edhe të ulim një kapsulë në Titan. Këto pika ndihen rreth 10 herë më larg nga ç‘është Marsi e megjithatë duket se janë shumë më të sjellshëm karshi vizitorëve.

Ndoshta këtë patën parasysh amerikanët në çastin kur vendosën të ndryshonin taktikat e ndërtimit të anijeve hapësinore. Në vend që të shpenzonin 1 milion dollarë për krijimin e një kapsule të vetme, siç ndodhte dikur, tashmë shpenzojnë 250 mijë dollarë për katër njësi të tilla. Përse? Që në rast se Varrmihësi "shqyen" dy prej tyre, të tjerët të kenë shanse ta kryejnë misionin. Jemi përpara një taktike disi cinike, por duket se po jep rezultate. Si për t‘i shpërblyer për zhgënjimet e panumërta, tani shkencëtarët kanë arritur të dërgojnë një nga kapsulat përreth apo mbi planet dhe të dhënat janë të pabesueshme.

Nëse kapsula e "Phoenix" ia del me sukses, imazhet që do dërgojë në Tokë mund të jenë ndër më fantastiket në historinë e shkencës. Por nuk duket të emocionohemi shumë deri në çastin kur t‘i shohim me sytë tanë në televizor. Varrmihësi i Madh Galaktik është ende aty dhe si gjithnjë i uritur.


Marsi dhe njeriu

Marsi është planeti më i vizituar i sistemit diellor


Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dërguar 20 misione (gjashtë prej tyre kanë humbur)


Bashkimi Sovjetik ka dërguar 18 misione (vetëm dy patën sukses)


Japonia ka dërguar 1 mision


Evropa ka dërguar dy misione (kapsula "Beagle 2" u shkatërrua, ndërsa anija orbituese funksionoi siç duhet)


Sukseset


* "Mariner 9" - 1974 (USA)

* "Viking 1 dhe 2" - 1976 (USA)

* "Spirit and Opportunity" - 2004 (USA)

* "Pathfinder" - 1997 (USA)

* "Mars Express Orbiter" (Evropa) - 2003


Dështimet më të rëndësishme


* "Mariner 8" - ra në det (USA)

* "Nozomi" (Japoni) - humbi gjatë udhëtimit

* "Mars Polar Lander" - 1998/99 (USA) e arriti planetin, u ul mbi sipërfaqe, por nuk transmetoi asnjë të dhënë



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora