E enjte, 25.04.2024, 11:22 PM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Përse e vdiqën Sofie Qëndron?

E merkure, 09.10.2013, 09:22 PM


Përse e vdiqën Sofie Qëndron?

Nga Elvi Sidheri

Ndoshta po ose do të shkruaj me nerva, por njëherë të paktën edhe më lejohet o njerëz.

Si është puna, përse më djeg miza (gjithmonë sipas shprehjeve të të nderuarit dhe tejet respektuarit popull), apo për çfarë arsye më kanë kërcyer rëndshëm kacabujtë?

Një arsye ka përherë dhe më duhet të pranoj, se kësaj rradhe një dhe më shumë se kaq arsye, i kam me shumicë dhe momenti e do që për këtë temë dhe ngjarje të flitet, të flitet dhe flitet sa më tepër që të jetë mundësia.

Pak ditë më parë, në mes të heshtjes së përgjithshme tipike shqiptare (se kur nuk ka mitingje apo protesta politike, zgjedhje ose ndeshje futbolli europian në TV, shqiptari s’e lëviz të pasmen nga kolltuku i ngrohtë shtëpiak)...në një atmosferë të tillë, një vije të mesme debile midis groteskes dhe absurdit më të thellë, një e moshuar më duket mbi të 80-tat në Durrës, humbi jetën në mes të vajit, i plasi zemra nga marazi dhe vdiq poshtë disa kartonave të meremetuar shkel e shko, në një lulishte thonë përballë bashkisë hijerëndë të portit tonë më të madh.

Përse kjo grua në moshë, ky individ, kjo qytetare shqiptare me të drejta të plota (pra edhe me të drejtën universale PËR TË JETUAR, mundësisht në kushte dinjitoze, që përfshijnë doemos duke parë edhe moshën e saj, së paku një palo kulm mbi kokë)...qëlloi të vdiste në atë mënyrë tepër rrënqethëse, për të mos thënë pa mëdyshje, edhe makabre?

Ajo vdiq ashtu, e vetme, e ftohur në palcë ndoshta nga netët e athta të Durrësit.

E prerë nga thëllima që në atë qytet bregdetar, orëve të vona të natës, niset drejt e nga valët e Adriatikut dhe arrin gjer nëpër rrugët e qytetit, si për shembull mespërmes bulevardit Taulantia apo Rrugës Tregtare, deri tek sheshi i Bashkisë, ku edhe kjo plakë tashmë e ndjerë, kishte ngritur “fushimin” e saj të detyruar, aty ku siç tashmë e dimë, la edhe kockat në një mënyrë aspak dinjitoze apo për më tepër njerëzore, një fund jete që çdokush nga ne, nuk do t’ia uronte as edhe armikut më të keq dhe të betuar!

Si i bëhet që në Shqipëri, edhe duke jetuar “figurativisht” ne të tërë banorët e këtij vendi, në shekullin e 21-të, në vitin e 2013-të pas kryqëzimit dhe ngjalljes nga të vdekurit të Krishtit (apo Erës së Re për ish komunistët, laikët dhe ata të ndonjë feje tjetër të respektuar), ”realisht” dhe “mendërisht” ky vendi jonë i përbashkët, ngjan shpesh sikur nuk ka dalë akoma nga humbëtirat e të kaluarës më të errët?

E them këtë, edhe duke qenë i bindur se shumëkush mund të vejë edhe me ndonjëfarë të drejte të mendojë se po ia këpus kot ose se po flas cazë rëndë për atdheun tim të cilin e dua vërtetë shumë, edhe më tepër se ç’e meriton ndoshta, por gjithësesi nuk nguroj të pohoj një afirmim të tillë me plot gojën, sepse që të ndodhë nën diellin apo shiun e rrebeshin e ditës dhe nën hënën apo reshjet e natës, që një grua të lihet e vetme dhe pa strehë e mbështetje, derisa të vdesë si qyqare, si njeri pa njeri, si kufomë e pakallur, megjithëse ishte e gjallë dhe e tillë mund të mbeste po qe se ndonjë gisht do të kishte lëvizur për t’a ndihmuar, që të shohim ngjarje të tilla në një të ashtëquajtur vend modern dhe demokratik, atëherë këtu “PO RRIMË SHTREMBËR DHE FLASIM DREJT.”..ose e kundërta.

Shumë gjëra ndodhin në Shqipëri dhe i lemë të na kalojnë shkitazi përpara “në dukje” pa na cakitur, sikur të qenë ndodhi të një bote tjetër, të një universi të largët, të një jete paralele me atë të tonën, të një dimensioni që nga neve e ndan vetëm një shtresë e hollë qelqi, shtresë që ndonjëherë domosdo edhe do të kriset, në mos thyhet dhe atëherë ky realitet shqiptar, ku edhe vetë bëjmë pjesë, do na prekë nga afër edhe ne.

Këtë realitet skadent do t’a takojmë personalisht sado t’i shmangemi, sadoqë të hiqemi apo shtiremi (kokën në rërë gjithnjë, struci do ketë qenë shpend shqiptar në origjinë, më pas ndoshta ia ka “mallar” për në Afrikën e nxehtë)...sikur ana jonë e Shqipërisë, të jetë më e mirë, qytetëruar apo mbi të gjitha më “NJERËZORE” sesa ajo tjetra ku gjindja vritet për asgjë (vija uji, sharje banale, gërvishtje makinash), ku gruaja dhunohet, përdhunohet e shkelet me këmbë e ku pleqtë rrihen barbarisht (dy vëllezërit e moshuar në Tepelenë së fundi) apo edhe i lenë të vdesin rrugëve ose lulishteve bashkiake.

Zonjën e moshuar Sofie, me ç’mora vesh, si një i interesuar i thjeshtë për fatkqesinë e saj “Post mortem”, e kishin nxjerrë nga shtëpia, për shkak të një vendimi, do pranuar sadoqë jam mjaftueshëm i djathtë për nga bindjet politike, sidoqoftë minimalisht të diskutueshëm!

Të diskutueshëm përse?

A nuk kanë vallë të drejtë PRONARËT e ligjshëm, se termi “ish pronarë” është aq joadekuat dhe anormal sa edhe t’i thuash dikujt që ndonjë regjim e ka privuar pa të drejtë nga liria (plasur në burg)...t’a quash pra atë si njeri “ish të lirë”, gjithësesi po thoja se pronarët që Shoku Enver dhe Nëna Parti u sekuestroi tokat me përdhunë, pa të drejtë dhe duke shkelur me prapanicë çdo të drejtë normale dhe demokratike pronësie, ata pra duhej dhe duhet të gëzojnë pronat e tyre.

Arsyet dhe shkaqet përse në vendin tonë, ku ndër të tjera e djathta ka qeverisur me tre mandate të plota (12 vjet rrumbullak, se një vit mes revolucionit dhe gati luftës civile nuk ka sesi të llogaritet), toka dhe pronat, janë më lëmsh tani se ç’ishin në 91-shin kur zyrtarisht u ndërrua sistemi që pronat i kishte fshirë dhe pati bërë tokën e katandinë “pasuri të të gjithëve dhe njëkohësisht të askujt” (përveç Byrosë dhe sharavidheve që i shërbenin dhe lëpiheshin partisë dhe pushtetit popullor me anë të Luftës së Kllasave), akoma mbeten ende të ngatërruara dhe vështirësisht të shkartisëshme e aq më pak të sqarueshme brenda një shkrimi.

Po qe se regjimi “rrënues” monist (meqë kjo fjalë ka ridalë në modë...ai po që ishte rrënim epokal, unik në çmendurinë e tij dhe i papërsëritshëm) nga 1945 e gjer në 90-ën, pronarëve u vodhi dhe shtetëzoi pa pikë të drejte pronën dhe pasurinë, ata vetë i nxorri nga shtëpitë, sarajet dhe vilat e tyre me plaçka në krah dhe i degdisi katundeve të humbura, i internoi, pushkatoi, vrau e poshtëroi për afër 50 vjet me rradhë, sido që të jetë edhe pas 91-shit apo 22 marsit të 92-shit, mrekullitë apo edhe thjesht larja e mëkateve kundrejt kësaj shtrese të vuajtur, nuk ndodhën e ende nuk kanë ndodhur.

Nuk do shumë mend që kur një tragjedie të tillë, përveç 50 vjetëve enveriste, u shton edhe 23 vjet demokraci ku prona akoma nuk ka takuar e as është përshëndetur së largu të paktën me pronarin e ligjshëm, atëherë normal që gjërat do ecin si rëndom në Shqipëri, mbrapsh!

Dhe kur jo njeriu si individ, por kur ndërkohë vetë shteti ecën më tepër së prapthi sesa përpara, atëherë punët venë e ngatërrohen e koklaviten aq shumë sa në fund paevitueshmërisht, më falni që po e them në gjuhë të huaj...”Ci scappa il morto”, pra “Dikush si pasojë e pashmangshme e rrethanave të tilla, vdes”!

U deshte gjë domosdoshmërisht që të prisnim derisa edhe në këtë aspekt, ndokush të vdiste, në mënyrë që kjo plagë e shumtë e shoqërisë sonë thellësisht letargjike dhe të sëmure, shpesh të papajisur me ndjeshmëri njerëzore dhe të imunizuar ndaj së keqes e derëmbyllur (me lloz, shul dhe bravë të blinduar)...ndaj së mirës (populli i Nënë Terezës ne pastaj), ky turp pra të na godiste me tërë forcën e peshës së fajit që nuk i takon vetëm një vendimi (në mos të gabuar, të shpejtuar dhe elektoral) qeveritar, vetë shtetit, por edhe atij, popullit që lejon që mënxyra të tilla të patregueshme të ndodhin në pafundësi, të ripërsëriten rregullisht me doza gjithnjë e më të rënduara teksa askush nuk e vë ujin as në zjarr, korent apo qoftë edhe gaz (kemi edhe TAP-in tani, gaz me shumicë dhe pakicë)!

Zonja Sofie tashmë nuk jeton më.

Një e moshuar, pa patur bërë asnjë faj (vdektar kurrësesi), pa i bërë keq askujt, pa e shtrirë dorën, pa u ankuar, pa bërtitur, pa ulurirë (kur ulurijnë shqiptarët ndërkohë?...Në stadium, në miting zgjedhor, nëpër protesta partiake, ndaj gruas në shtëpi dhe në kazino kur pasi kanë humbur milionat dhe mbetur letrarisht “me brekë”...fitojnë nja 20 mijë lekë të vjetra, por kur ka nevojë vërtetë për ulurima dhe britma alarmi apo proteste, nuk gjendet kush t’a çjerri zërin dhe të kërkojë zgjidhje e përgjegjësi tek ndokush)...një grua e nderuar vdiq sepse e nxorrën nga shtëpia (me pronar)...si leckë pa vlerë, si objekt dhe kurrësesi jo si një qënie njerëzore me të drejta dhe dinjitet, atë të mjerën e flakën përjashta dhe e lanë të vdiste (të më falin animalistët)...SI QEN!

Dhe miq të dashur, si qen nuk do të duhej të vdiste askush, jo më një njeri në moshë që nuk ka bërë asgjë për të merituar një fund të tillë të tmerrshëm!

Është e vërtetë, pronarët kanë të drejtë të ankohen deri në Gjykatën e Strasburgut, çështja e pronave, sadoqë bëjmë sikur nuk e dimë, është nga ato kushtet e pashkruara, por vendimtare, që na mbajnë akoma tepër larg BE-së, sepse në Europën ku synojmë ende vetëm me fjalë aq të mëdha sa edhe të zbrazëta nga çfarëdolloj kuptimi real, që të hyjmë dhe integrohemi, aty prona është një “must” një detyrim dhe vlerë e patjetërsueshme.

Neve me ligjet e “tokës për të gjithë” të 45-ës, me shtetëzimin edhe të pulave dhe gjelave shtëpiakë të shokut Ramiz, me famëkeqin ligj 7501, me legalizimet e çmendura të “favelave” tiranase dhe të çdo qyteti të madh (ku janë zënë pa asnjë lloj kriteri dhe të drejte ligjore jo vetëm prona shtetërore, por edhe toka me pronar të ligjshëm), me këto budallëqe me brirë, kemi bërë që një bombë me orar dhe afat, të jetë vendosur mes banorëve të këtij vendi.

Kjo sepse tashmë konflikti për pronën, ka dalë nga binarët e një përplasje ekskluzive “shtet-ish pronarë të shpronësuar forcërisht dhe arbitrarisht”.

Tani në konflikt janë futur gjer në grykë vetë njerëzit, të ngatërruar siç janë mes ish pronarësh, migrantësh të brendshëm, uzurpues dhe “të legalizuar” nëpër periferi urbane, në përfitues të “ligjit 7501”, në mashtrues ordinerë dhe të pushtetshëm që kanë përlarë apo mbivendosur pronësi fiktive trojesh, një “mish-mash” pafund pra, ku edhe e ngrata dhe pafata zonjë Sofie u gjend e pambrojtur, e bënë pjesë të kësaj vorbulle dhe ajo doemos që u mbyt!

E hodhën si mall pa zot jashtë një shtëpie që e saja për hir të së vërtetës nuk ishte, por ku shteti monist e pati futur pa e pyetur aspak (shtëpi që ndonjë të ngrati tjetër, ish pronari i ishte sekuestruar pa të drejtë).

Tashmë shteti demokratik i tha pa u menduar gjatë:”O gruje, e di ça, dil içik ti tashi jasht, se ashtu osht i muhabet”!

Jashtë në mes të jo katër, por njëqind rrugëve, e nxorën dhe aty e lanë të dergjej poshtë ca kartonave derisa nuk mori më frymë, e vdekur, viktimë e monstruozitetit të një demokracie të papjekur!



(Vota: 18 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora