Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gani Mehmeti: Një vit pa Kadri Manin

| E marte, 08.10.2013, 05:59 PM |


NJE VIT PA KADRI MANIN

- Në shenjë përkujtimi e respekti ndaj tij, që shumë na mungon -

Nga Gani Mehmeti

Me kalimin e ditëve, kalojnë edhe vitet. Shumë shpejt kaloi një vit pa të Madhin, Kombëtarin, Letrarin, Gjuhëtarin, Enciklopedistin, babin e barcoletave shqipe… Një vit pa familjarin, shokun, mikun. Një vit pa luftëtarin e madh kundër padrejtësisë, pa luftëtarin e lirisë, pa të burgosurin politik për çlirimin e Kosovës nga zgjedha serbe,  pa reaguesin e menjëhershëm kundër pseudoshkencëtarëve, kundër të gjithë atyre që e meritonin. Kadri Mani nuk ia falte as sekondin asnjërit. Ai nuk e shikonte fare se kush ishte në kokë, ia kthente edhe shokut më të ngushtë kur e meritonte, i mbetej në fyt për çështjen kombëtare, për njerëzoren, për të drejtën. Ai mbante mend gjithçka dhe nuk harronte asgjë.

Ia kisha për lakmi se sa shumë barcoletat i mbante mend. Ai vetëm e zgjedhte  sipas muhabetit, dhe dukej, sikur i kishte ne grusht apo ne xhep, që sikur vetëm i nxirrte, apo sikur ua zgjidhte grykën e i derdhte, ashtu dukej, sikur pa fije mundi i radhiste e i thoshte. Karakteristikë e tij ishte se për secilën moshë kishte mjaft barcoleta.

Kadriu nuk e di sot për bisedimet, dhe për  lëshimet ndaj Serbisë pa asnjë kushtëzim. Krejt çka i ka kërkuar deri sot Serbia – i janë dhënë. Serbia sot është më shumë e pranishme në Kosovë se me Kushtetutën e 1974-ës. Serbia imponoi amnistinë, Sertbia caktoi zgjedhjet në Kosovë, dhe sërish kërkon edhe të hyjnë deri thellë në Kosovë zyrtarët e saj, kryetari, kryeministri, zëvendës kryeministrat e kryetarë partishë të Serbisë. Nuk është dëgjuar deri sot që, në fushata parazgjedhore, të marrin pjesë nga shtete të tjera, ndërsa Serbia kërcënon me ndërprerje bisedimesh, me mospjesëmarrje në zgjedhje, po qe se nuk lejohen të marrin pjesë në fushatë parazgjedhore edhe serbët e Serbisë!!!

Serbia ka zgjedhur pjesëtarët serbë në policinë e Kosovës, jo Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës. Serbia ka emëruar komandantin e policisë në Mitrovicë. Serbia bllokon rrugën për në kufi me Serbinë sa herë të dojë, Serbia financon serbët në Kosovë, pse ata punojnë për Serbinë nëKosovë.

I shkrova këto, se Kadri Mani, të paktën me shkrimet e tij, do ta denonconte këtë të quajturën Qeveri të Republikës së Kosovës. Se, me këto lëshime ndaj Serbisë, në fakt po na del një republikë prej kartoni, siç kishin thënë disa në Serbi menjëherë pas shpalljes së Republikës së Kosovës, më 17 shkurt 2008. Aso kohe nuk u kishim besuar, por tani po duket sheshit.

Kadri Mani ishte kundër ekstremizmit fetar islam në Kosovë dhe e luftonte atë.

Më poshtë, për ta përkujtuar Kadriun, sjellim  tri  foto  të Kadri Manit me shokë të tij, që shihet se ai ishte dashamirës i shkencës shqiptare, me të cilën merrej.

 

13 Gusht 2012, me rastin e hapjes të Seminarit 31 ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë. Nga e djathta: i pari Kadri Mani, në mes Akademik Idriz Ajeti dhe në të majtë, autori i shkrimit, Gani Mehmeti.

 

Kadri Mani, i dyti nga e djathta, 13 Gusht 2012, me rastin e hapjes të Seminari 31 ndërkombëtr për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë

 

Kadri Mani nuk përtonte të bënte vizita edhe ndër shokë. Këtu është në shtëpi të  Prof. Dr. Shefki Sejdiut, duke biseduar, gusht 2012.

Lexoni: Gani Mehmeti: Kadri Mani - Zemra e Zemrës Shqiptare dhe Shqipërisë Etnike