E diele, 15.12.2019, 03:09 PM (GMT)

Sporti » Sporti

Majk Tajson: Alkool, drogë dhe festa. Kjo është jeta ime

E shtune, 24.05.2008, 07:44 PM


"Nëse, siç ka shkruar Joyce Carol Oates, boksi është bërë teatri tragjik i Amerikës", atëherë Majk Tajson, ish-kampioni i botës në peshat e rënda, "njeriu më i keq në botë", sipas përcaktimit të tij, mund të ishte punësuar në rolin e protagonistit. Është ende gjallë, plot 41 vjeç, me një borxh miliona dollarësh ndaj policisë tatimore amerikane dhe prej tre muajsh jeton në rrethinat e Las Vegasit. Pas shumë vitesh abuzime, prej 15 muajsh, thotë ai, "kam hequr përfundimisht dorë nga droga dhe alkooli". Por shumë vjet më parë askush nuk do të kishte qenë gati të hidhte bast për një përfundim të tillë, sidomos nëse citojmë fjalët e thëna nga vetë Tajson: "Nuk e kam menduar kurrë se do të arrija deri në këtë moshë". Por, tani që ia ka dalë mbanë, duket se do të përshkruajë një rrugë që ndoshta do të ndryshojë rrjedhën e fatit të tij. Javën e kaluar Tajson dhe asistentët e tij fluturuan drejt Kanës për të prezantuar një dokumentar mbi jetën e tij, me titullin e thjeshtë "Tajson". Në filmin e drejtuar nga Xhejms Toback, shfaqen intervista me boksierin, të bëra vitet e kaluar, në kohën kur ndiqte një program rehabilitimi. Në film tregohen edhe pjesë nga e kaluara e tij ekstreme, që e kanë detyruar ish-kampionin të jetojë një jetë për të cilën sot i vjen turp. "Shoh imazhet dhe ndihem shumë në siklet", ka thënë kohët e fundit në një intervistë. Filmi, bashkë me librin e kujtimeve, që është akoma në fazën fillestare, janë dy hajmali që ndoshta do të shërbejnë për të rindërtuar imazhin e kampionit të madh të boksit, duke treguar edhe për karrierën e tij pas largimit nga ky sport. Toback thotë se është i bindur që dokumentari do t‘i kthejë publikut dëshirën për ta parë ish-boksierin e dënuar për përdhunim dhe të famshëm për bëmat e tij në ring, në një aspekt ndryshe, më pak negativ. Megjithatë protagonisti duket se vazhdon të ushqejë ende ndjenja të dyfishta për disa prej bëmave për të cilat nuk di as të japë një përgjigje. "Nuk e di se kush jam. Mund t‘u duket e çuditshme, por vërtet nuk e kam idenë. Gjithë jetën, kam pirë, jam droguar, kam bërë festa dhe papritur gjithçka ka përfunduar. Nuk e mendoja kurrë se do të arrija të isha gjallë me atë jetë që kam bërë", thotë, duke folur nga shtëpia e tij në Los Anxhelos, në një nga ato pak intervistat e dhëna këto kohët e fundit. Vërtet tani nuk përbën më asnjë rrezik ta përshkruajë të kaluarën e tij si një seri filmash horror. Është e thjeshtë, tani mund të qëndrosh ulur përkrah tij e të harrosh atë që ka ndodhur rreth 22 vjet më parë, një të shtunë në mbrëmje në "Las Vegas Hilton", kur 20-vjeçari Tajson do të fitonte edhe titullin e parë kampion bote. "Ditën që fitova titullin, jeta ime mori një kthesë të çuditshme", thotë ai duke ndezur një cigare. Ishte pikërisht kjo dita e parë kur do të niste kthesa në jetën e Majk Tajsonit. Më parë ishte thjesht askush. Ishte thjesht një djalosh me ngjyrë, 13 vjeç, i rritur në geto, që Cus D‘Amato, trajneri legjendar i boksit në Nju Jork, e shndërroi në kampin botëror të peshave të rënda. Pas kësaj vjen edhe vulgariteti: tigra nga Bengali në kopsht, burg, borxhe, përdhunime. "I adhuroj drogaxhinjtë. Janë pikërisht këta njerëzit që dua të kem përreth, ata që përdorin drogë dhe alkool", pati thënë dikur. Tajson thotë se organizmi i tij është i tillë që mund të krijojë varësi shumë shpejt ndaj alkoolit dhe drogës, ndaj nuk ia vë shumë fajin jetës që ka ndjekur. Zakonisht ai nuk preferon të flasë për karrierën e tij si boksier. Përveç "njeriut" të ulur në divan në shtëpi, nuk ka asgjë tjetër që të tregojë se banori i saj është një ish-kampion bote në peshat super të rënda: asnjë trofe, asnjë foto, asnjë objekt që të kujton atë kohë. "Nuk më duhet t‘i kujtoj", vazhdon. Megjithatë tregon se ende është i pasionuar pas historisë së boksit, një dashuri që ka lindur duke parë filmat e vjetër në shtëpinë e Cus D‘Amamto, në qytezën e Catskill, kur ishte adoleshent. Nëse i citoni ndonjë emër të ndonjë boksieri të kohëve të shkuara, atëherë nis: "Gene Tunney, Jack Johnson, Jack Dempsey, e kështu me radhë. "Për Gene Tunneyn thonë se në fund u bë një i alkoolizuar, por pati një martesë të lumtur. Ia kaloi mirë. Ishte shumë i zgjuar", përfundon.

Dokumentari dhe libri

Toback e takoi Tajsonin në vitin 1985, në xhirimet e një filmi. "I tregova për një eksperiencë me LSD-në që kisha pasur kur ndiqja vitin e dytë në Harvard. Folëm për humbjen e ndërgjegjes dhe ndryshimin mes terrorit dhe frikës". Pas atij takimi regjisori bëri që Tajson të shfaqej në dy filma të tij: "Black and White" në vitin 1999 dhe "When I will be loved" në 2004-ën. Dokumentari u xhirua vitin e shkuar në një shtëpi të marrë me qira në "Beverly Hills" dhe në plazhet e Malibusë, me Tajsonin që dilte me leje të përditshme nga "Wonderland center", qendër rehabilitimi. Sipas asaj që thotë Taback, ndërsa vuante dënimin për përdhunim, në vitet ‘90-të, ish-kampioni kalonte orë të tëra në izolim, duke lexuar veprat e filozofëve të mëdhenj. Të preferuarit e tij ishin Makiaveli dhe Tolstoi. "Njerëz shumë të zotë", shprehet Tajson për ta. "Njerëz të mëdhenj, por të fiksuar pas diçkaje. Makiaveli donte vetëm pushtetin, pushtetin dhe kontrollin. Tolsoti fliste gjithmonë për të ndihmuar të varfrit. Ai ishte një komunist, ndërsa gruaja një kapitaliste dhe për këtë ziheshin shumë keq. Pikërisht gjatë periudhës së kaluar në "Wonderland Center" lindi edhe projekti i librit. Në vitin 1986 Tajson, që ishte 19 vjeç, i kishte thënë një gazetari kanadez se objektivat e tij në jetë ishin: arritja e paqes në mendje, të kishte shumë para dhe të ishte një person i respektuar, gjë që nuk e arriti kurrë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT