Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Baki Ymeri: Xhevat Muqaku dhe kuptimi i përjetshëm

| E hene, 07.10.2013, 07:58 PM |


XHEVAT MUQAKU DHE KUPTIMI I PËRJETSHËM I TË VËRTETËS

Nga Baki Ymeri

Alternativa letrare e diasporës shqiptare ka nevojë për vepra që e bëjnë historinë. Historia e diasporës sonë ka vlera magjike, jo vetëm në aspektin patriotik. Kontributi i diasporës për çrobërimin e Kosovës nga kthetrat e kolonializmit serb, është një kontribut fantastik dhe fenomenal. Diaspora ka qenë e fuqishme edhe në kohën e rilindësve tanë, sidomos në kohën e Asdrenit, Lasgushit dhe Mitrush Kutelit, pa e harruar edhe periudhën paraprake të Jeronim de Radës, Josip Bagerit, Zef Jubanit etj. Në këtë kontekst, sot zë vend elementar në historinë e diasporës sonë, inspirimi lirik i sivëllezërve tanë në Gjermani, me do emra si Arif Molliqi e Neki Lulaj, Martin Çuni e Hasan Qyqalla, Sadik Krasniqi e Pal Sokoli, Liman Zogaj e Xhevat Muqaku, pa e harruar edhe Alma Papamihalin së bashku me disa poetë e poetesha tjera.

Xhevat Muqaku është i mirëseardhur në letrat tona me vargje të shkurta dhe strofa të pasura me ndjenja, ide, impresione dhe mendime. Për këtë njeri kemi theksuar paraprakisht se është një poet interesant që kultivon një spektër motivesh të ndryshme që reflektojnë aktualitetin e një bote të mbrujtur me dinamikën optimiste të ditëve tona. Edhepse ushtron profesionin e mjeksisë, autorin e impresion çdo eveniment që reflekton të bukurën, njerëzoren, altruizmin, humanizmin, duke qenë vazhdimisht i prekur nga dashuria ndaj njeriut dhe vendlindjes. Herë pas here lirikën e tij e karakterizon imagjinata dhe fluturimi në shtjellat e paprekshme të një bote magjike me valenca familiare dhe kombëtare.

Libri më i ri i Xhevat Muqakut mban titullin “Bërthama e fjalës” (SHKKK “Anton Pashku”, Prishtinë 2013). Para nesh kemi një serë buzëqeshjesh lirike nga mërgimi. Në vargun e tij të frymëzuar zotëron veprimi, përshkrimi, qartësia e mendimit,  ëndërrimi dhe ngazëllimi. Në vëllimin e tij të parë, autori e konsideron dasmën shqiptare si një mrekulli kur kënga fluturon deri në qiell. Në tre përmbledhjet e para të tij reflektohet integrimi në mërgim me subjekte moralizuese, me respekt ndaj punës dhe familjes, ndaj miqve dhe farefisit, duke bredhur gjithmonë rrugëve të jetës me melankoli në zemër. Për lirikën e tij është shkruar pak e për merak, duke parashtruar pyetjen mahnitëse: Mund të thotë kush se s’ka talent autori, apo se i mungojnë metaforat lirikës së tij!

Xhevat Muqaku inkorprohet në kategorinë e intelektuialëve tanë që jetën dhe punën e tij ia kushton të shkuarës, aktualitetit dhe ardhmërisë së popullit të cilit i takon. Në kuadrin e vëllimit të tretë, autori lexon recetën e një ”emër/jete” me historinë e kohës së kaluar ”që ishte dëshirë në tranzicion”: ”Edhe sot e ndjekin nëntë ngjyra/ mukozën e lënduar të belit/ që i fituam si aromë të huaj” (Nëntë ngjyra). Parajsën tokësore nuk mund ta prëvetësojmë veçse duke vuajtur, dhe kjo vuajtje është e vetmja gjë që na se Kopshti i humbur i Adamit ekziston. Zoti e përzuri femrën nga ky kopsht për mëkatet e saj, por mëkatet e femrës janë shije të ëmbla për perptuimin e jetës. Autori nuk bie pre e lirikës erotike me konotacione pornografike, por ai shkruan për hijet e kopshtit ”në oborrin e pallatit të ri”, kur përvoja e lëviz botën karshi poleve, dhe zotërimit të së vërtetës.

”Përjetimi i Pavarësisë” është nja nga lirikat e tij më të frymëzuara, melodramë e përditshmërisë, me lëmshin abstrakt që qartëson, në të dy anët e medaljes: ”Nga piramida e brezeve/ Në 100 vjetorin e shtetit shqiptar/ vrojtohet dimensioni i tretë”. Pasojnë vargje ”moralizuese” kur ndërkohë, turpi ëndërron vdekjen, në dollapin e furnizuar, me euforinë kulturore në vatrën e arteve.  Autori militon për kuptimin e përjetshëm të së vërtetës. Ai i beson Zotit konform besës shqiptare dhe filozofisë gjermane që në Kierkegaard lutet për njeriun që jeton në shtratin e përkohshmërisë dhe u beson lutjeve, ngase qëllimi i tyre është që Zoti të dëgjojë pëshpëritjet e atij që lutet. Pse? Sepse, në Ndërkohë, siç thekson autori: "Zemra ime është bërë mal/ përjetova vite në këtë ditë/ dhe rrugë të mbarë".

Xhevat Muqaku është një poet inteligjent që bën fjalë për rëniet dhe ngritjet tona kombëtare. Ai na ofron buzëqeshje lirike nga mërgimi me do bërthama të ekzistencës sonë ku ”bregu dhe hendeku” e regjistrojnë në histori ”të vërtetën si në shesh.”  Sipas tij, në vendin e të parëve tanë, edhe në kohë të liga, nga e ëma lind bërthama. Titulli na duket i justifikuar, së bashku me do cikle të gërshtuara me një lëndë të pasur, lirike, mendimtare, apo filozofike: Bërthama e paprekur, Fisnikëri ilire, Ironi e jetës, dhe Dalldisje. Poezia është një gjendje përjetimesh të përjetshme. Vuajtje, ngazëllime e dhembje me dimensionet e emrit të Zotit. Pozia lshtë simboli i dashurisë së përjteshme. Ku janë ëndërrimtarët tanë që shkruajnë dhe ende nuk kanë guxim t’i bëjnë publike krijimet e tyre? Autori i fshikullon korbat e kombit që kanë fyer lirinë e paprekshme: ”Llavë ujqërish në emër të engjëve/ Anatemojnë dhe likuidojnë” (Pas shpinës).

Një zë i hatashëm me shpirt fëmije na duket ky njeri. Sipas tij, arti është një shpirt që dhuron ”Fytyrën e emrit të mollës/ dhe shtëpinë ku ekspozohet.” Vetë titujt, si Luginë freskie, Vullkani, Vapori turistik, Përflakërim, Plaku i luleve të jetës, e shumë tjerë, dëshmojnë se autori shkon duke e perfeksionuar teknikën e teorisë së letërsisë dhe problemet e stilistikës letrare, për të krijuar vargje që mbeten të paharruara në memorjen tonë. ”Edhe sot koha e han kashtën/ dhe dardhat shkunden pa u pjekur/ së bashku me peshkun e mrekullisë së shtatë” (Llugë konfidenciale). Jeta e poetit duket si një film që lundron nëpër oqeanet e harresës së paharruar. Jeta e tij duket si një ”rilindje e dhëmbjeve të këndshme”. Bota ka nevojë për forma të reja të komunikimit, ndërsa Xhevat Muqaku ëndërron të jetojë në një botë më të mençur dhe më të ndershme, në një gjëndje të dialogut permanent ndërmjet njeriut dhe natyrës. Kaq sa për sot, për t’ua lënë vendin edhe mendimtarëve tjerë që e njohin botën magjike të poezisë. 

alban.voka@gmail.com