E premte, 19.04.2024, 01:10 AM (GMT+1)

Kulturë

Kujtim Mateli: Ç'duhet të bëhet për turizmin kulturor

E diele, 06.10.2013, 01:58 PM


Ç`ËSHTË BËRË DHE Ç`DUHET TË BËHET PËR TURIZMIN KULTUROR

Nga Kujtim Mateli

Në diversitetin e pasurisë kulturore europiane, një vend të rëndësishëm zë edhe Shqipëria. Qytetet e saj si: Butrinti, Durrësi, Bylysi etj. , datojnë që nga fundi i mijëvjecarit të dytë para lindjes së Krishtit. Mitologjia i lidh këto qytete me heronjtë e luftës së  Trojës apo heronj të mitologjisë, çka i bën tepër interesantë në sytë e vizitorit apo të turistit. Po edhe qytet e tjera kanë edhe ato mitologjinë e tyre të krijimit të cilat, herë përputhen me të dhënat arkeologjike dhe herë jo. Turisti në përgjithësi dhe veçanërisht turisti europian është i interesuar për këtë pjesë të Ballkanit perëndimor, i cili në antikitet quhej Iliri dhe që është trualli ku banojnë pasardhësit e tyre, shqiptarët e sotëm. Ndaj interesi për ekspozimin e këtyre vlerave të rralla që ruan hapësira shqiptare, nuk është vetëm e jona, por është interes europian, sepse aty janë gjurmët e kontinentit të vjetër, është historia e kontinentit tonë të përbashkët.

Dëshmi të kësaj historie janë qytetet historike apo qendrat arkeologjike të cilat dëshmojnë se Shqipëria ka qenë e banuar jo vetëm disa mijëvjeçarë para Krishtit siç e tregojnë varrezat tumulare, po ka patur qendrat e saj të banimit në këta mijëvjeçarë.   Objekt të këtij shkrimi dua të bëj hapësirat në jug të Shqipërisë, sidomos ato qendra arkeologjike që ndodhen në luginën e lumit Vjosa dhe luginës së Drinos.

Turistët që vijnë për pushime në bregdetin jugor të Shqipërisë, nuk do të largoheshin të kënaqur pa bërë disa vizita në këto Parqe arkeologjike siç janë: Parku Kombëtar i Butrintit, Parku Arkeologjik i Apolonisë, Parku Arkeologjik i Bylis, Parku Arkeologjik i Amantias, Parku Arkeologjik Orikum, Parku Arkeologjik i Antigonesë apo qyteti muze i Gjirokastrës, i përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2005. Ky qytet apo parqet arkeologjike kanë tërhequr dhe vazhdojnë të tërheqin një numër të konsiderueshëm turistësh dhe në  veçanti Parku Kombëtar i  Butrintit, Parku Arkeologjik i Apolonisë dhe qyteti-muze i Gjirokastrës.

Po me qendrat e tjera arkeologjike të këtyre trevave cfarë bëhet? Nuk po ndalem në bregdetin Jonian se, duke qenë më afër bregdetit, pushuesit e kanë më të lehtë t`i vizitojnë ato. Po le të flasim për ato qendra në brendësi të vendit, të cilat kërkojnë kohë për t`u vizituar dhe që ekspozimi i tyre duhet të jetë më i madh. Gjirokastra është një rreth që tërheq turistë nëpërmjet kalasë së saj dhe shtëpive karakteristike gjirokastrite. I njohur është dhe qyteti i Antigonesë. Po aty gjenden edhe mjaft qendra të tjera që dikur kanë qenë qytete të rëndësishme për kohën dhe që lidhen me periudha të rëndësishme të historisë së popullit tonë. Rrënojat e Shtëpëzës që lidhen me qytetin Fanote dhe që ishte qyteti i parë që ushtria romake e pushtoi në vitin 168 para Krishtit. Aty është Hadrianopoli, gjithashtu i famshëm dhe i ndërtuar në kohën e Perandorit romak Hadrian. Aty është kështjella e Kardhiqit, fortifikimet në Labovë të Madhe, në Selo, qyteti në Malçan etj. Të gjitha këto qendra dhe të tjera, duhet të ekspozohen, madje ekzpozimi i tyre i përbashkët, është i domosdoshëm.  Disa qendra të banuara, që në antikitet ishin qytete, flasin për shkallë të lartë qytetërimi për trevën në të cilën ato ndodhen. E tillë ka qenë lugina e Gjirokastrës që nga antikiteti deri në ditët tona. Po duke ekspozuar nga antikiteti Antigonenë, turistit i krijohet përshtypja sikur rastësisht në kohët e vjetra në këtë luginë paska patur një qytet.

Ndërsa rrethi i Përmeti apo Lugina e Sipërme e Vjosës ka qenë gati e përjashtuar për të ekspozuar para turistëve e vizitorëve perlat e saj.  Rrotull qytetit të sotëm të Këlcyrës gjenden tri kala që i përkasin antikitetit të mesëm (shek. III-II) para Krishtit. Po asnjëra prej tyre nuk e ka parë dorën e arkeologut. Kalaja antike e Këlcyrës, e Kuqarit dhe e Limarit,  formojnë një mozaik të antikitetit duke u kujtuar njerëzve se kjo hapësirë ka qenë tepër e rëndësishme. Kalaja antike e Këlcyrës, në shpat të malit të Trebeshinës, 400 metra lartësi mbi qytetin e Këlcyrës, ka qenë e banuar që nga antikiteti, përmendet nga  autorët bizantinë si një fortesë e rëndësishme ku mbahej një garnizon ushtarak dhe me këtë destinacion është përdorur edhe nga Ali Pashë Tepelena, kur sundonte Vilajetin e Janinës. Guri i qytetit (Përmet) me gjurmë nga antikiteti dhe i përmendur nga Stefan Bizantini, do të ishte një tjetër ndalesë e turistëve.

Përmeti i jep turistit dhe vizitorit dëshmi akoma më të vjetra: Tumat e Piskovës, Rapckës dhe Argovës, vendbanimi i Dedejanit (i datur shek XV para Krishtit) apo Shpella e Bënjës që nga mijëvjeçari i dytë para Krishtit etj., e bëjnë Luginën e Sipërme të Vjosës një vend tërheqës për këdo.

Lugina e Mesme e Vjosës dhe që i përket rrethit të Tepelenës është e pasur me vende arkeologjike, por edhe ky rreth nuk vizitohet për këtë pasuri. Kalaja e Tepelenës, e ndërtuar nga Ali Pasha, ka vetëm dy shekuj jetëgjatësi, por ajo është në gjendje të mjerueshme. Të lëna pas dore dhe në harresë janë kështjellat e Rabies dhe Matohasanajt, fortifikimi i Dukajt e kalaja e Leklit. Rrethi i Tepelenës mund të ishte një vend i vizitueshëm në të gjithë territorin e tij, sepse në territorin e këtij rrethi ka kaluar rruga romake: Apoloni-Hadrianopoli-Aktia Nikopoli. Për të gjetur trasenë e kasaj rruge është punuar pak. Mund të thuhet se për të, më shumë janë marrë të huajt si Hammond,N.G.L. se sa janë marrë shqiptarët. Gjetja e një segmenti të kësaj rruge, nisur nga Apolonia e duke përshkruar luginën e poshtme apo të mesme të Vjosës (dikur Aos)si dhe luginën e Drinos, kudo që të ndodhej ky segment apo disa segmente,  do të ishte me interes për t`u vizituar .

Disi më ndryshe paraqitet treva Apoloni-Bylys-Orik. Po edhe në këtë trevë ka mjaft vend për të punuar. Qendrat arkeologjike të Amantias, Olympe, Kaninë, Klos etj., nuk janë ekspozuar siç duhet. Në këtë hapësirë të Shqipërisë jug-perëndimore dhe sidomos gjatë rrjedhës së lumit Vjosë (Aos) dhe Drinos (Keldyns), ku në antikitet kishte më shumë qytete se sa ka sot, është e pafalshme që të punohet kaq pak për turizmin kulturor. Shumë prej tyre nuk dihet se cilit qyteti i përkasin dhe as bëhen përpjekje për identifikimin e tyre.

Po në këtë territor gjenden një numër vendbanimesh që u përkasin periudhave prehistorike, të cilat kanë interes për t`u vizituar. Një interes të veçantë paraqet edhe periudha e Bizantit, sidomos me kishat e saj që gjenden kudo të këtë hapësirë jug-perëndimore të Shqipërisë. Nëse do të listojmë të gjitha këto vepra, do të shohim se nuk vizitohet as një e dhjeta e tyre. Po pse?

Turisti i huaj nuk vjen në Shqipëri, nëse nuk gjen cilësinë e bregdetit ku do të pushojë, të harmonizuar edhe me vendet që ai do të vizitojë. Uji dhe rëra janë afërsisht të njëllojta kudo. Vetëm historia ndryshon. Kurioziteti është më shumë për të njohur historinë dhe në këtë pikë puna e deritanishme ka qenë mjaft e mangët. Mendoj se ka çaluar në dy drejtime.

E para: infrastruktura rrugore ka qenë një ndër arsyet që e ka katandisur në këtë shkallë të ulët turizmin kulturor. Sado e rëndësishme të jetë një qendër arkeologjike, ajo bëhet e pavizitueshme, nëse i mungon rruga për të shkuar atje. Shumë prej tyre nuk janë të lidhura me rrugë.

E dyta: guidat turistike janë mjaft të thata dhe si të tilla nuk depërtojnë në tregun turistik europian e më gjerë.  Në guidat tona reklamohen vetëm pak vende të cilat mund të vizitohen dhe, kush e ka vizituar një herë, e sheh të paarësyeshme të bëjë dhe një vizitë të dytë. Ato lënë mjaft për të dëshiruar në paraqitjen e tyre. Le ta ilustrojmë me një shembull, se si është reklamuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në faqen zyrtare të saj në këto 8 vite të qeverisjes së Sali Berishës, qyteti i Butrintit.

“Butrinti është përshkruar si mikrobota e historisë mesdhetare. Për shkak të vendndodhjes së vet strategjike, Butrinti figuron në historinë e Mesdheut që nga Lufta e Parë e Peloponezit gjer tek luftrat e Napoleonit në shek. 19.  Qendra arkeologjike është  pushtuar në mënyrë të vazhdueshme që prej shek 8 P.Kr.  monumentet e tij greke, romake, bizantine, anzhuine, veneciane, otomane – pasqyrojnë këtë histori të gjatë dhe komplekse”.( marrë nga faqja zyrtare e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve)

Po si qëndron e vërteta: Koha e themelimit të Butrintit i përket periudhës para Luftës së Trojës (Shek XII para lindjes së Krishtit), ose më saktë në këtë periudhë Butrinti ekzistonte.

Dionis Halikarnasi, Historia e vjetër e Romës, libri II (51, 1)

Ankisi me anijet, u nis nga Ambraqia dhe, duke lundruar pranë bregdetit, arriti në Buthrot, liman i Epirit. …. Ardhjen e trojanëve në Buthrot e tregon edhe një kodër e quajtur Troja, të cilët ata e përdorën atëhere për të ngritur lëmin…”

Stefan Bizantini, Mbi qytetet dhe popujt, Buthrotos.

Buthrotos, gadishull afër Kerkyrës. Është edhe qytet. Disa thonë se emrin e mori nga themeluesi; të tjerë tregojnë legjendën se emrin ia dha Heleni kur, duke lundruar nga Troja për në perëndim, bëri fli për zbritjen e tij në Epir. Kau që po përgatitej për fli, kur po e thernin, i shpëtoi thikës dhe iku me të shpejtë përmes detit, hyri në një gji dhe doli në breg në një tokë të pabanuar (kishte dhe një plagë në lëkurë) dhe atje ra dhe ngordhi. Atëhere Heleni e mori si orakull dhe i vuri emrin Buthrotos, siç thotë Teukri nga Kyziku”.

Siç shihet të dy historianët e antikitetit e vendosin Butrintin të themeluar para Luftës së Trojës (shek. XII para lindjes së Krishtit). Po edhe sikur të jetë e vërtetë legjenda me demin, themelimi i qytetit shkon në shekullin e XII para Krishtit. Pra koha e krijimit të këtij qyteti është shumë më e vjetër nga ajo që na paraqitet dhe mbi të gjitha ka dhe një veshje mitologjike që e bën tërheqës për turistët.

Përveç kësaj ka një pasaktësi shkencore ku thotë : “Qendra arkeologjike është  pushtuar në mënyrë të vazhdueshme që prej shek 8 P.Kr.  monumentet e tij greke, romake, bizantine, anzhuine, veneciane, otomane – pasqyrojnë këtë histori të gjatë dhe komplekse”.

Pra Butrinti në shekullin e VIII para Krishtit na qenka pushtuar dhe këta pushtues na qënkan grekët sipas renditjes.  Po cili është burimi që mund të jetë mbështetur kjo Ministri e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve? Fjalori Enciklopedik shqiptar, Botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, e përshkruan saktë këtë periudhë. Zëri Butrinti fq 345.

“ Nga burimet e shkruara përmendet për herë të parë nga Hekateu (fundi i shek VI para erës sonë). Bënte pjesë në bashkësinë e Kaonëve e më vonë në shtetin e Epirit. Pas pushtimit romak (167 para erës sonë) del në burimet epigrafike si kryeqendra e koinonit të Parasaibëve, që ruajti për një kohë formën tradicionale të administrimit autonom”.

Pra shihet qartë që në të  gjithë periudhën para Krishtit, Butrinti ishte nën zotërimin e Kaonëve dhe Parasaibëve. Nga del konkluzioni që ka qenë e pushtuar që nga shekulli i VIII para Krishtit?

Nga mënyra se si vendosen pushtuesit, radhë njëri pas tjetrit, krijohet përshtypja (veçanërisht te të huajt) se Butrinti nuk qenka banuar asnjëherë nga shqiptarët, por pushtuesit kanë zëvendësuar njëri-tjetrin, madje pushtim quajnë dhe periudhën e Bizantit.

Po kujt i ka shërbyer ky shtrëmbërim? Sigurisht që në këtë mënyrë kreditojmë padrejtësisht të tjerët dhe pasojat bien mbi kulturën shqiptare. Nuk i dimë motivet nga nisen disa individë për ta minimizuar kulturën shqiptare, për ta paraqitur atë si një çorbë ballkanike e më tej. Mbi bazën e saj janë hartuar guidat turistike dhe gjithë materiali tjetër me të cilën Shqipëria reklamon turizmin shqiptar në botë. Sa i ka shërbyer turizmit kulturor shqiptar dhe vetë Shqipërisë një institucion i rëndësishëm shtetëror që ndryshon realitetin, siç është Ministria përkatëse?

Ka edhe arsye të tjera që turizmi kulturor gjendet i paralizuar. Po le të bëhet pjesë e debatit nga institucionet dhe individët që i kanë të lidhura interesat e tyre në këtë fushë. Të bëhet një listim i plotë i tyre dhe për secilin objekt të grumbullohet i gjithë informacioni duke gjurmuar burimet historike që lidhen me secilin prej tyre. Kjo kërkon që të koordinohet puna e disa institucioneve, koordinim që i ka munguar qeverisë së mëparshme.  E rëndësishme është që ne kemi një pasuri të jashtëzakonshme që duhet të sjellë të ardhura për ekonominë shqiptare dhe, e trajtuar drejt historikisht, na vendos me dinjitet në bashkësinë europiane.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora