E premte, 19.04.2024, 09:12 PM (GMT+1)

Kulturë

Lamtumirë Drita Pelingu!

E hene, 07.10.2013, 06:59 PM


Flasin: Reshat Arbana, Tinka Kurti, Roza Anagnosti, Yllka Mujo, Luftar Paja, Skënder Sallaku,  Zhani Ciko, Mevlan Shanaj dhe Kliti Roshi

Lamtumirë Drita Pelingu, artiste e madhe me personalitet tepër unikal!

Nga Albert Zholi

Dje u përcoll për në banesën e fundit një tjetër ikonë e teatrit dhe filmit shqiptar “Mjeshtre e Madhe”, “Nderi i Kombit” Drita Pelingu. Në Teatrin Kombëtar, ku ishte vendosur trupi i pajetë i aktores së shquar, prej orës 12:00 deri në orën 13:00 u bënë homazhe nga aktorë, personalitete të artit dhe të kulturës, nga politikanë, shkencëtarë, akademikë, miq dhe shok të saj. Në fund të homazheve pjesëtarët e familjes dhe gjithë të pranishmit, bënë rrethrrotullimin simbolik  të arkivolit, në ambientet e jashtme të Teatrit Kombëtar, ku ajo dha gjithë shpirtin e saj aktorial. Gjatë kësaj ceremonie duartrokitjet për këtë figurë të shquara të artit skenik shqiptar nuk kishin të sosur. Duartrokisnin të gjithë në shenjë respekti, për punën e saj heroike, për rrolet e saj, për mirësinë e saj, për shkëlqimin që ajo i dha artit tonë për mëse 6 dekada. Në sytë e të gjithëve shihje lot. Ishin lot mirësie për një njeri të mirë, për një artiste të madhe. Në tërë ambientet e Teatrit Kombëtar, për ato minuta që trupi i saj bënte rrotullimin simbolik, vëreje lot dhe duartrokitje. Këto janë gjestet më kuptimplote, që shprehin respektin e thellë që ka njeriu ndaj veprës së aktores. Ajo e la këtë ambient fizikisht, por mbas la me qindra role, la shpirtin e saj aktorial, la zërin e saj karakteristik, la miqtë dhe shoqet që deri në sekondën e ndarjes, kanë lënë përshtypjet më sinjifikative. Lamtumirë Drita Pelingu, aktorja gjigande që i dhe aq shumë artit shqiptar.

Reshat Arbana, Nderi i Kombit

Nuk kam fjalë të flas sot. Nuk gjej dot ato që mund të shpreh respektin dhe konsideratën që kam për këtë ikonë të artit shqiptar. Kam aq shumë për të thënë, por që s’mund t’i artikuloj si duhet. Fjala më ngec nga dhimbja. Ajo për mua mbetet një aktore origjinale, plot temp, serioze, këmbëngulëse, e respektueshme. Ajo në skenë njohu vetëm fitore, arritje. Ishte një aktore shumë dimensionale, që me rolet e saj të qëndisura nuk do të vdesë kurrë në mendjet e spektatorit shqiptar. Kur dilte në skenë ajo ishte një Dritë tjetër, larg asaj qetësisë së zakonshme. Ajo kthehej në jetën e personazhit plot pathos, duke krijuar role të spikatur. Në jetën e përditshme ajo ishte një nënë e mirë, një shoqe e gjendur, një intelektuale surprizë. Drita do na mungojë shumë. Janë shumë të rralla personalitete si Drita në skenën shqiptare.

Mevlan Shanaj, regjisor, aktor

Ne sot po përcjellim për në banesën e fundit, një personalitet tepër unikal për shoqërinë shqiptare. Nuk po flas për madhështinë e saj si aktore, pasi ato i di gjithë publiku shqiptar, por do flas për dimensionet e saja si qytetare, si intelektuale. Drita ishte grua tipike, që mund të quhet me plot gojën qytetare e botës. Qysh në fillimet e jetës së saj, qysh në rininë e vështirë, ajo ka punuar për ta sfiduar, realitetin dhe për të triumfuar. Ajo vazhdoi me këtë mendësi gjatë gjithë jetës, shembull  jo vetëm në teatër (pasi një aktore nuk i përket vetëm teatrit), por për gjithë shoqërinë shqiptare. Ajo triumfoi në të gjitha nismat e jetës duke bërë dhe rolin më të spikatur në moshën 85-vjeçe duke u ngjitur në skenë me atë vrull, por dhe me një kujtesë fenomenale. Nuk thonë kot njerëzit që vera sa më e vjetër aq më e mirë bëhet. Në këtë rast shembulli i Drita Pelingut, është më unikali në botë. Ajo e sfidoi kohën, e sfidoi moshën, e sfidoi çdo rrethanë negative duke luajtur deri në fund të jetës. Për fat të keq ajo iku dhe ne nuk do ta kemi më afër emblemën e teatrit dhe të filmit, por emri i saj do të mbetet i artë.

Skënder Sallaku, “Artist i Popullit”

Sot është një ditë zie, një ditë, ku të gjithë artistët ndjejnë një peshë të madhe rëndese në zemër pasi po u ikën në përjetësi dhe një aktore gjigande. Disa herë fjalët nuk mund të shprehin atë që mund t’i takojnë një personaliteti të tillë. Por do flas me fjalë zemre, me fjalë të thjeshta, pasi ajo me veprën e saj flet shumë herë më mirë se sa mund të flas unë. Drita mbetet një shëmbëlltyrë e kurajos qytetare dhe e emancipimit të femrës shqiptare qysh në fillimet e saj. Ajo u ngrit mbi kohën, mbi paragjykimet dhe solli në skenë figurën e vërtetë të femrës shqiptare. Nuk ka rol që ajo të mos e ketë çuar në pikën kulmore, nuk ka rol që ajo nuk është veçuar. Drita s’do të jetë në takimet fizike me ne, por ajo ka lënë frymën e saj, veprën e saj që detyrimisht do përmendet çdo ditë në takimet e artistëve.

Luftar Paja, “Artist i Popullit”

Për një gjë më vjen keq që këta korifenj të teatrit shqiptar po rrallohen, por megjithatë ka një gjë që, pasi ata ikin fizikisht, por pas kanë lënë veprën e tyre, një vepër aq e madhe sa nuk besohet. Drita Pelingu ishte një artiste e madhe, e cila  ishte jo vetëm shumë cilësore në rolet që i ishin besuar, por kishte një veti shumë të madhe që mbështeste shumë talentet e reja. Kjo e veçon atë nga çdo aktor tjetër.  I donte artistët që mësonin me shpirt. Ato çka ka lënë ajo tek brezat e rinj jo vetëm si aktore, por edhe si pedagoge, janë të pashlyeshme, se ajo ishte një pedagoge e shkëlqyer, një nënë shembullore, një mike e sinqertë, një intelektuale me vizion. Kjo e bën atë hyjnore.

Zhani Ciko, “Mjeshtër i Madh”

Drita Pelingu ka një lidhje organike dhe me muzikën, sepse qysh në hapat e saj të para  ajo është lidhur me bas-baritonin Hysen Pelingu. Bashkëshorti i saj ka qenë një ndër këngëtarët e parë të operës, i cili ka qenë një nga personazhet e operës së parë që është shfaqur në TOB. Në ambientet e këtij teatri e kam njohur dhe unë. Drita ishte një grua jashtëzakonisht fine. Respektonte të madh dhe të vogël. E mbaj mend që në tavolinë me të do të bisedohej vetëm për gjëra serioze. Një nga vajzat e saj studioi për violinë, dhe unë u lidha dhe më shumë, pasi ajo ka qenë një grua e kujdesshme dhe që më ka uruar e para marrjen e detyrës në TOB.  Por ajo kishte një lidhje shumë të mirë me nënën time dhe me gjithë familjen time.  Në të gjitha njohjet kam vërejtur se ajo përveç vlerave aktoriale kishte dhe vlera të konsiderueshme humane, njerëzore, shpirtërore.

Kliti Rroshi, aktor

Të flasësh për Drita Pelingun nuk është e thjeshtë.  Sot është një ditë zie, pasi humbi një nga xhevahiret e gjerdanit të artë, një ndër aktoret e spikatura të Teatrit Kombëtar. Për mua nuk ka ikur Drita si Drit, por një yll që nuk do të venitet. Diku ajo ishte nëna, diku aktorja, diku pedagogia, diku  njeriu, diku mësuesja, pra ka ikur një gur i rëndë themeli i artit shqiptar.  Unë për të mund të flas shumë, se kushdo që ka ndenjur qoftë dhe 10 minuta me të, kanë arritur të kuptojnë  dhe mësojnë aq shumë gjëra sa mund të flasin me orë të tëra. Mbi të gjitha ajo ishte shumë njerëzore. Unë e kam pas pedagoge një semestër në vitin e parë të Akademisë së Arteve, ku ajo më ka mësuar A-në, e lëndës bazë të mjeshtërisë së aktorit. Për mua ajo do të mbetet e pavdekshme, një nënë e madhe dhe një aktore e fuqishme.

Roza Anagnosti, aktore

Të thuash dy fjalë, apo 2 mijë për Dritën është shumë pak. Ajo ishte një artiste me peshë të rëndë, qoftë në teatër që ka bazën, qoftë në film. Ajo ishte inteligjente dhe i ka dhënë shumë  artit shqiptar shumë dhe si aktore por edhe si pedagoge, ku ka nxjerrë gjenerata të tëra aktorësh të rinj. Nuk e harroj kur u festua në Vlorë 100-vjetori i Pavarësisë. Ajo ishte keq nga këmba. Por ajo gjeti një forcë të brendshme të jashtëzakonshme dhe erdhi në Vlorë, në Vlorën e saj. U habita! Gjithmonë më ka dhënë kurajo sikur të isha unë më e vjetër se ajo. Mos ndalo të ecësh para në art më thoshte. Madje, ajo në Vlorë edhe interpretoj, ku mund të them se ishte më e mira nga ne. Interpretoi shkëlqyeshëm. Ajo ka qenë e pakursyer në ndihmë. Nuk kishte xhelozi, thjesht kishte egon e saj profesionale, ego e ndershme që duhet ta ketë çdo artist. Ajo gëzohej me sukseset sidomos  të aktoreve femra. Ajo ishte peshë shumë e rëndë pasi dhe në moshë të thyer ka nxjerrë rrole të shkëlqyer. E kam pasur partnere në disa role dhe më ka befasuar.  Brezi i saj ishin një brez brilantesh që lanë shumë tek brezi i ri. Ishin një brez i artë. Një brez që ka lënë gjurmë. Ishte shumë korrekte. Kur e merrja në telefon dhe më dilte një kujdestare, ajo më pas më merrte menjëherë. Korrekte deri në detaj.  Donte të ishte rigoroze. Sot ndihem keq që s’i kam inçizuar shumë fjalë të saj. S’kam ku i gjej më. Falënderoj gjithë gazetarët shqiptarë që kanë nxjerrë në pah vlerat e saj.

Tinka Kurti, Artiste e Popullit

Eh, çfarë të të them? Një Dritë që sot po na lë. Edhe pse kemi disa vjet ndryshim moshe, unë e kam ndjerë miqësinë e saj. Një shoqe e shkëlqyer, një njeri i bekuar. Unë jam dy herë më e mërzitur, pasi ajo ishte një vajzë e shkëlqyer vlonjate që u martua me një djalë brilant shkodran. Pra e kam pasur nuse shkodrane. Lidhja jonë ishte dhe si nuse shkodrane, por dhe si aktore. Drita ka qenë e mirë me të gjithë. Ishte aktore duke e nderuar vendin tonë, ishte pedagoge, ku të gjithë studentët e kujtojnë me respekt. Gjithmonë, tek shtëpia e saj do të gjeje studentë pa fund. Iku me dhimbje të mëdha në shpirt që vetëm ajo dinte t’i përballonte. Ndjej një trishtim të madh. Njerëz të tillë i duhen shumë Shqipërisë.

Yllka Mujo, aktore

Emri nuk vihet rastësisht. Dhe ajo e kishte emrin dritë. Ç’është e vërteta, ajo ka përhapur dritë gjatë gjithë jetës së saj. Ka shpërndarë dritë në teatër, ka përhapur dritë në familje, ka shpërndarë dritë me studentët, me të rinjtë, gjithë jeta e saj  ka lidhje me dritën. Pastërtinë njerëzore. Unë kam kujtimet më të mira me të. Ajo ishte një artiste e madhe, një mikeshë e shtrenjtë, njeri shumë  dimensional me një zemër të madhe, me kulturë të padiskutueshme, me karakter të fortë, për përkushtimin e jashtëzakonshëm në profesion, për adhurimin ndaj artit. Ajo ishte tamam mjeshtre që  nga një gjë e vogël nxirrte një luan të madh. Të jepte çdo gjë me zemër. Këtë bënte me studentët me të rinjtë. Kishte  një dashuri të tejskajshme për çdo gjë të bukur dhe të mirë. Aq sa ishte e bukur si artiste aq ishte dhe e mirë si njeri. Këto janë vlera që jo çdo njeri i ka. Unë i jam shumë mirënjohëse për çdo gjë që më ka bërë qoftë  në anën shpirtërore qoftë në anën profesionale, pasi ajo më ka pasur nxënëse dhe mikeshë mua. Kam pasur relata të ngushta me të. Janë ca gjëra që nuk thuhen me zë të lartë, por janë ca gjëra kur zemra flet vetë. Kur flet zemra, fjala e thënë zë ulët përsëri ka vlerë më të madhe. Sot zemra ime është e plagosur.

Box

Drita Pelingu njohur edhe si Drita Pelingu (3 dhjetor 1926, Vlorë - 2 tetor 2013, Tiranë) ishte një nga aktoret më të shquara të skenës shqiptare, regjisore dhe pedagoge. Kreu shkollën e femrave “Nana Mbretneshe” në vitin 1944 dhe më pas vazhdoi shkollën e artit “Jordan Misja” për teatër, ku ishte e vetmja femër. Filloi punën si aktore profesioniste në Teatrin Kombëtar në vitin 1946. Nga viti 1976 ka dhënë mësim mbi artin skenik në Akademinë e Arteve.[1] Në vitin 1982 bëri debutimin në skenën e teatrit “Petro Marko” të Vlorës si regjisore me dramën “Pavdekësia”. Disa nga komeditë dhe dramat e para, ku ajo ka interpretuar në teatrin shqiptar. "Rrëshqitja", "Arturo Ui", "I çuditshmi", "Zonja e Bujtinës", "Gratë gazmore të Uindsorit", "Artani", etj.. Në kinematografi ajo u shfaq fillimisht me një rol të vogël tek "Tana" (1958), e më pas tek "Njeriu me top", "Kur hidheshin themelet", ku interpreton rolin e Budës, "Vajzat me kordele të kuqe", "Radiostacioni", "Përtej mureve të gurta", "Fjalë pa fund", "Shpresa", etj.. Si aktore e teatrit dhe kinematografisë numëron mbi 150 role, ndër të cilët më shumë se gjysma janë kryerole femërore të dramaturgjisë kombëtare dhe botërore. Si një nga themeluesit e Teatrit Kombëtar ajo ka dhënë një kontribut të rëndësishëm është si autore e shumë botimeve biografike për artistë të skenës shqiptare. Për kontributet e saj të veçanta Drita Pelingut iu akordua nga Presidenti i Republikës urdhri “Mjeshtre e madhe”, “Çmimi i Karrierës” dhe gjithashtu titulli “Artiste e Merituar” (1986), çmimi “Ismail Qemali” (1996), ndërsa Bordi Drejtues i Institutit Amerikan të Biografive ka zgjedhur ndër 500 udhëheqësit më me influencë në botë. Së fundmi, qyteti i lindjes e ka çmuar si “Qytetare Nderi të Vlorës” dhe Presidenti i Republikës i ka akorduar titullin më të lartë “Nder i Kombit”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora