Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ramiz Dërmaku: Neki Lulaj dhe zhvillimi i poezisë

| E diele, 06.10.2013, 05:59 PM |


Neki Lulaj dhe zhvillimi i poezisë shqipe në diasporë

(Vargjet e poetit Neki Lulaj ta  shërojnë shpirtin dhe e kënaqin veshin e lexuesit)

Nga: Ramiz DËRMAKU

Në Gjermani me mjaftë sukses vepron atdhetari, intelektuali, profesori, autori i pesë librave, poeti dhe analisti e “rilindësi” i poezisë sonë bashkëkohore”, apo, siç e quaj unë, Ambasadori i Kulturës Shqipëtare në Gjermani, zt. Neki Lulaj. Kur flitet për poezinë shqiptare, kurrsesi nuk duhet harruar se krahas asaj që zhvillohet në Shqipëri, Kosovë dhe trojet tjera etnike, ajo zhvillohet e vazhdon të mbijetojë edhe në diasporë. Në mërgim zhvillohet një poezi, e brishtë që lind nga zemra e rritet me shumë vështirësi e sakrifica. Në të gjitha vendet e botës ku kanë emigruar dhe vazhdojnë të emigrojnë breza të tërë mërgimtarësh  tanë,  ata kanë bërë e po bëjnë akoma edhe sot, përpjekje titanike për zhvillimin  e letërsisë dhe poezisë shqipe. Nuk duhet harruar se edhe ata janë pjesë e gjenit apo trashigimisë sonë kombëtare. Nuk duhet harruar se midis tyre ka edhe intelektualë të shquar, talentë të vërtetë, krijues të palodhur, pasardhës të denjë të Bardhit, Budit e Bogdanit, De Radës e Serembes, Fishtës, Konicës e Xhaferrit, të cilët përfaqësojnë atë pjesë krijimtarie që quhet poezia shqiptare në diasporë. Është koha jo vetëm të flitet për poezinë por edhe të investohet dhe ajo të zë vendin e duhur me poezitë e shteteve tjera.

Pavarësisht nga zhvillimet që po përjeton poezia jonë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Çamëri etj., ajo po zhvillohet edhe në Diasporë. Të lexosh me vemendje të madhe shkrimet, analizat, reçenzionet, esetë, reportazhet  apo komentet e profesorit dhe poetit Neki Lulaj, ndjen një kënaqësi të pakrahasueshme, dhe është vështirë të ndahesh prej mendimit apo frymëzimit të tij. Shkrimet e nekiut e shoqërojnë lexuesin duke e njohur me botën sentimentale, me zakonet e traditat tona, me aspiratat dhe mendimet e atdhetarëve tanë. Ato reflektojnë dashurinë ndaj çështjes e historisë sonë kombëtare. Falë veprave të tij, Neki Lulaj tashmë është bërë një emër i njohur i poezisë shqipe. Ky njeri, padyshim është sot një nga zërat më të spikatur të poezisë shqipe në Diasporë, por edhe në Kosovë.

Neki Lulaj  jeton dhe vepron në Gjermani, i zhytur në shtjellën e përbujshme të jetës së tij, duke i dhënë prioritet familjes, atdheut e kombit. Por edhe krijimtarisë së gjithëpushtetshme, duke i dhënë statusin e të qënit një nga flamurtarët e rrugëtimit multimilenar të frymëzimit shqiptar. Autori perms kësaj rruge të bekuar i inauguron ditët, i qetë, i urtë, fjalë ëmbël. Mërgimtarët tanë që jetojnë afër tij, që e njohin dhe që e shoqërojnë, e dinë se çfarë kënaqësie është të komunikosh me të. Neki Lulaj është një meteor i poezisë shqipe, i cili zbriti nga piedestali i burimeve të një jete që kurrë nuk u shua, ndonëse regjimi barbar serbo-çetnik, u munduan të errësojë e ta zhdukë racën e atdhetarëve dhe poetëve që kanë lindur dhe shkruar në tokën e ngopur me gjak dhe me eshtra të pavdeksisë. Ata e kanë ngjyer penën në luleborët e Alpeve shqiptare, të shpatijeve të bjeshkëve të Sharit e Pashtrikut, të Belles e Gjeravicës. Neki Lulaj  është poet meditativ, i thellë dhe i qartë në mendime. Ai e njeh për mrekulli psikologjinë e njeriut tonë. Autori në jetë duket njeri i tërhequr dhe jo i zëshëm, paksa i ndrydhur. Kjo është veçori e karakterit të njerëzve të aftë e të urtë.

Vargjet poetike  të Neki Lulaj, kur i lexon, ato ta  shërojnë shpirtin dhe e kënaqin lexuesin dhe e bejnë për vete. Kur i lexon ato, ndjen këndellje mendjeje e freski dhe lehtësi në shpirti. Me një fjalë, pas leximit të poezive të tij, lexuesi e ndjen vetvetën të qetësuar shpirtërisht e fizikisht. Së paku pë një cast, njeriu ynë lirohet nga stërngarkesat dhe preokupimet e përditëshmërisë sonë, në Kosovë dhe Diasporë. Kështu pra, Neki Lulaj, gjatë tërë kohës bëri orvatje titanike për të luftuar kundër të keqes në jetën tonë, për t’i shpluar e zhveshur fytyrat e idhujve të rrejshëm, për t’i treguar rëniet e ngritjet dhe zhgënjimet; ëndërrat dhe shpresat tona për të prekur në dhimbjet e zgjimit tonë madhështor. Siç duket, Zoti e natyra disa njerëzve u jep aftësinë e jashtëzakonshme krijuse. Këtë dhuratë e ka privilegj edhe zt. Neki Lulaj. Për të na ligjëruar neve, për të na ngrohur dhe qetësuar shpirtin me vargjet e bukura që na i dhuron si testament i traditës. Zoti e solli tek ne, për të na dhënë forcë e shpresë nëpër kohëra, për t’i jetësuar aspiratat tona të ëndërruara me shekuj, për t’u bërë realitet historik, çfarë edhe u bënë.

Nga viti ne vit po shtohet numri i revistave, romaneve, veprave letrare, por edhe i krijuesve që i përkushtohen krijimtarisë letrare dhe mendimit kritik për letërsinë shqipe. Intelektualët tanë të cilët emigruan në diasporë aktivitetin atdhetar e patriotik ndaj çështjes kombëtare kurrë nuk e ndërprenë. Ata me guximin, vendosmërinë, e dashurinë e madhe që kanë ndaj çështjes kombëtare, së bashku me rëndësinë e shkrimit, vazhduan edhe në kohën kur njeriu për një fjalë goje dënohej me vite. Këto vargje flasin qartë për nivelin intelektual e poetik të Neki Lulajt, i cili i takon grupit të krijuesve të mirëfilltë, duke qenë inkurajues i vazhdueshem i formave të reja të shprehjes emancipuese e kulturore të jetës në të gjitha segmentet e saj. Poeti ka shkruar për ta informuar opinionin shqiptar dhe ndërkombëtar me realitetin në të cilin kalonte Kosova. Fjala e tij e ushqen shpirtërisht lexuesin. Dëshira për lirinë është ndjenja më e fuqishme që rrjedh nga fëmijëria e tij, kur babai i spjegonte për historinë e popullit shqiptar.  Nga këto vargje të shkrura nga dora e zemra e tij, kuptojmë qartë se poeti shpirtërishtë e ka përjetuar luftën, dhe së bashku me popullin ka ndarë tragjedinë e dhimbjen qe një shekull.

Poeti e kuptoi herët se situata për çdo ditë vinte duke u keqësuar në Kosovë, dhe ky vendosi t'i bëjë një rezistencë mediatike pushtuesit serb. Ky motiv në vargjet e tij metaforike tingëllon fuqishëm edhe atëherë kur në mënyra realiste dhe tronditëse, e përjeton shpirtërisht robërinë, dhe nga tërë kjo mund të konkludojmë se “Pa lirinë njeriu s'rron.” Neki Lulaj është vargërues i lirisë së atdheut dhe lirisë së njeriut. Pra, me plotë të drejtë themi se intelektuali, krijuesi dhe poeti Neki Lulaj, është ndër penat  më të zgjuara, jo vetëm në Diasporë por edhe në Kosovë, apo, siç shprehet Bubullima e Bukureshtit: “Një burim i pashterrshëm energjishë krijuese, një vullkan i pa shuar sentimentesh morale dhe  patriotike.” Në një artikull paraprak, përmenda të vërtetën se poeti Neki Lulaj, tashmë e ka konsoliduar personalitetin e tij si krijues publicist dhe poet. Poezia ka qenë dhe mbetet brumi i tij artistik.

Në krijimet e poetit Neki Lulaj zotërojnë temat historike, përkatësisht personazhet që kanë hyrë në historinë tonë më të re. Zënë vend meritor emrat që bënë e lanë histori, si: Gjergj Kastrioti, Budi, Bogdani, Gjeçovi, Hasan Prishtina, Ismail Qemali, Isa Boletini, Sylejman Vokshi, Sefë Kosharja. Pastaj u vjershëroi gazetarëve e dëshmoreve të Kosovës, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha, Sali Çeku, Agim Ramadani. I vargëroi Prekazit të Jasharajve, të Gjevë e Fehmi Lladrovcit, dëshmorëve të Haradinajve e Ahmet Krasniqit dhe Tahir Zemës, Smajl Hajdarit, Ukë Bytyqit, Ali Ukës, Xhemajl Mustafës e të gjithë atyre që fituan pavdeksinëpër në altarinë e lirisë. Poeti Lulaj vargëzoi vargje edhe për Nënë Terezën, por në veçanti krijoi medalione lirike për Presidentin e parë historik të Dardanisë sonë, Dr. Ibrahim Rugova. Nekiu  shkroi edhe për kriminelët, bajraktaristët, karrieristët, tradhëtarët, gënjeshtarët, kuislingët. Shkroi edhe për krimin, dhunën, korrupcionin, helmimet e vrasjet. Por nuk harroi të shkruajë edhe për anët pozitive dhe sukseset të cilat na shpien drejt çlirimit e ndërtmit dhe konsolidimit të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.