E premte, 29.03.2024, 08:04 AM (GMT)

Kulturë

Kostaq Duka: Tavolina e madhe e rezervuar

E diele, 06.10.2013, 04:57 PM


Tavolina e madhe e rezervuar

Skicë

Nga Kostaq Duka

“Caribou Coffee” i ngjan një shtëpie të madhe mikrpitëse ku natyrshëm në kënde të ndryshme rehatohen të rinj e të reja, biznesmenë, të moshuar. Më të rinjtë preferojnë të ulen në pjesët anësore të kafenesë ku kanë mundësi të përdorin kompjuterat e tyre, të vendosin kufjet e të zhyten mes botës internetike, për studim, a thjesht për zbulim kuriozitetesh e argëtim. Pleqtë lakmojnë kolltuqet në anët e dy vatrave, në qoshet e kafenesë. Përgjithësisht i sheh me libra a gazeta në duar a thjesht duke pirë kafen në filxhane të mëdhenj porcelani kinez. Jo rrallë pas kafes i rrëmben një gjumë paqedashës që u nder në fytyrë një qeshje të lehtë, të ëmbël, miqësore. Edhe pse në shumë tavolina bisedohet me tone  zëri jo shumë të qeta, gjithçka duket e pranueshme e hamonizuar , ku gjithkush kënaq shijet dhe interesat e ardhjes në këtë shtëpi të të gjithve.

Edhe unë jam bërë pjestar i kësaj shtëpie duke kaluar gati çdo paradite rreth dy orë mes mjediseve të saj. Preferoj qoshen e një kthine, ku është vendosur një tavolinë me këmbëza të larta.  E dëshiroj gjithnjë këtë qoshe ku më duket se e kam më të lehtë të gjej formulën e krijimit mes fushës së bardhë të kompjuterit , ja ashtu si dikur në sobalkën e shtëpisë sime të vogël në vëndlindje kur përpara një makine “Olivet” kërkoja fjalën poetike a  monologun e nje heroi drame.

Sa herë zë vend në tavolinën e lartë të qoshes  i hedh një sy  tavolinës së madhe diku pak më në qëndër ku asnjëherë nuk mungon shënimi “E rezervuar” . Kur  e vura re së pari thashë  se mos ky shënim kish mbetur i harruar. Por më pas gjithçka m’u bë e qartë. Në një orë të caktuar të ditës aty rreth orës 11-të të paradites rreth tavolinës së madhe  me çanta të mëdha në duar ulet një tufë e madhe grash, me moshë mesatare e më shumë të moshuara. Nga çantat e mëdha me zhurmë, biseda e të qeshura nxjerrin lëmshinjtë e akrelikta, shtizat e punët e porsafilluara, të përgjysmuara a në mbarim e sipër. Hedhin fijen e lëmshit rreth qafës e me gështrinjtë e shkathët fillojnë lëvizjen e shtizave. Herë , herë me një ndjenjë të dukshme kënaqësie pushojnë lëvizjen e shtizave dhe i’u hedhin një shikim punëve në proces, bluza, shalle, dorashka, çorape, kapele e kuverta me ngjyra te ndezura per bebe etj. Së pari kur e konstatova këtë u befasova dhe sikur s’po u besoja syve  sikur të kisha  zbuluar gjënë më të çuditëshme në botë. A isha në Amerikë?! Në vendin ku në treg gjen gjithë larminë e krijimtarisë njerëzore, botërore?! Ç’kërkojnë këtu në  shtëpizën tonë të kompjuterave, të takimeve  të të rinjve studentë e biznesmenëve, këto shtëpijake me shtiza? Me siguri ndonjëra prej tyre e ka kapur shikimin tim disi të trembur, të hutuar e ka menduar po ky ç’na vështron kështu sikur s’ka parë ndonjëherë gra me shtiza?!

Më pas kjo gjë nuk më habiste aspak. Sikur nuk më çudisnin dhe bisedat që vinin copa, copa nga tavolina e madhe për politikën e madhe të qeverisë, krizën ekonomike, shëndetin , mbipeshën diabetin, dietën etj, etj. Sigurisht e kisha ndarë mendjen se ato gra që duke punuar me shtiza rrufisnin edhe kafe në filxhane të mëdhenj, ishin pensioniste që mblidheshin këtu për të kaluar kohën e për t’u bashkuar në artin e magjisë së shtizave.

Dhe ja një ditë në hyrje të shtëpisë” Caribou Coffee” pashë një kënd ku ishin ekspozuar pikërisht punët e tyre prej akreliku. Pranë kuvertave,bluzave, shalleve, çorapeve edhe emrat e fotot e tyre si të ishin artiste të mëdha. Buzëqesha tek po drejtohesha në qoshja ime e zakonshme. Deshiroja ti takoja  dhe pse jo ti uroja mikeshat e tavolinës së madhe. Por ajo ishte bosh. Mungonte dhe shënimi  “Rezervuar”. A thua  misioni ishte thjesht kjo ekspozitë?! Nuk m’u durua. Shkova ne banaku dhe pyeta zonjën  e gjatë, të hollë, bjonde : “Në tavolinën e madhe nuk po shoh zonjat që punojnë me shtiza. Nuk do të vijnë përsëri?” Ajo  disi e çuditur nga kurioziteti im më sqaroi se të gjitha kanë shkuar si grup me pushime në Florida por do rikthehen përsëri. “Pas dy javësh i ke aty në tavolina e madhe”

U riktheva në qoshja ime. Tek shikoja tavolinën e madhe mendja më shkoj  larg në rrugicën e gurtë të qytetit tim ku gratë e vajzat ulur në sofate  me shtiza të trasha e të holla thurrnin fanella  e çorape leshi, kuverta të ngrohta, ku me gjilpërën e hollë qëndisnin mbulesa tavolinash e këllëfe jastëkësh. Dhe ato  ja ashtu si gratë e tavolinës së madhe ulur në sofatet e gurtë tek lëviznin shtizat qanin edhe hallet  ato halle që vetëm ato e  dinin sa të mëdha ishin.




(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora