Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Qazim Shehu: Gjatë kohës që të desha

| E shtune, 05.10.2013, 12:53 PM |


GJATË KOHËS QË TË DESHA

 

QAZIM SHEHU

 

Gjatë Kohës që të desha,

Ti ishe tempulli, perëndesha.

 

M`u desh të ngre atë tempull,

Kurorë mbi vetull.

 

E mbajta gjatë gjer ra,

Rrënojë u shkërmoq, u tha.

 

Tani vjen i shuar pasioni demoniak,

Po pse duke shkruar për ty,

Zemra rreh pa shkak?...

 

GURI

 

Tek ky gur në cep rruge,

Ndaluan qindra udhëtarë,

Zheg e fresk, në prag furtune,

Pas udhe të gjatë.

 

Një botë u dhuroi,

Me durimin prej guri,

Kufi i ëmbël, i përkorë,

Gjer në dremitje gjumi.

Ç`fjalë u thanë mbi të, të gjitha,

I regjistroi në kujtesë,

Nuk ia shplanë shirat,

Stuhitë në rrebesh.

 

Fjalët vetë i mbylli,

Me kod të montuar,

Heshtja e një drite ylli,

Duke e përgjuar.

 

Nga kjo filloi të plasë,

Të rrudhet me dhimbje

Fjalën s`mund ta flasë,

Nëpër kohë të thinjur…

 

MBRËMJA

 

Mbrëmja shpohet me telet e një kitare.

Mungon një serenatë korçare.

 

Vajton kitara me stil lorkian,

Thërret trokth kuajsh prej flake.

 

Me të dorën ngre e shkon

Një hije idhnake.

 

Ngadhënjimi tutje,të përzerë..

Ajo me kast afron,

Hije ferri të zjerë…

 

MUZGJE

 

Gjymtyrët e mia,

Në fshikuj ditësh.

I ziej,

Në avuj kujtimesh.

 

Në sa duar,

U përcëllua dora,

Këmba në stërkëmbsha,

Si u vodh,

E tëra?!...

 

Degë që tranden, s`u thyen,

Degë të zhvoshkura shelgjesh.

Në mjaltë muzgjesh u ngjyen,

Të ecnin…

 

FALEMINDERIT PATA…

 

Patat ,motiv i njohur poetësh,

Lartësive u nisen larg,

Të ndezin yjet netëve,

Në zë agimesh varg.

 

Hapësirave që ato dinë,

Ndizen-shuhen-ndizen,

Shkojnë të ngjallin dashurinë,

Ku boshësitë dridhen.

 

Faleminderit pata për këtë,

Për çfarë s`bën një tjetër,

Dhe syri nuk u lë,

Në fluturimin tuaj të gjelbër.

 

Me zjarr të bardhë, ndezur larg,

Qiejve, sipër, re mbi re,

Kur hapësirat na dredhojnë si lak,

Ju na i sillni nga sipër reshë…

Dhe kjo s`është pak…