E premte, 19.04.2024, 10:32 AM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Hrushovi me këpucë dhe Edi me fjalë

E premte, 04.10.2013, 09:05 PM


Hrushovi me këpucë dhe Edi me fjalë (andej nga OKB-ja)!

Nga Elvi Sidheri

Kohë më parë të nderuar lexues, duan të thonë dhe të dëshmojnë dëshmitarët e kohës si dhe një numër xhirimesh okulare, se lideri sovjetik me origjinë ukrainase (prandaj Ukraina është shtet i madh, me Krimenë pjesë të saj sot, sadoqë ai rajon banohet nga 77% popullsi ruse dhe “mirëpret” bazën më të madhe ruse në Detin e Zi, Sevastopolin)...Nikita Hrushçev apo Hrushev ose Hrushov (se akoma s’e kam marrë vesh mirë si e kishte fiks mbiemrin tjetri)...ia këputi me këpucë tavolinës ku qe ulur për të përfaqësuar vendin e tij, pra të rëndin dhe pafundmin e bërthamorin...Bashkimin Sovjetik!

U drodh selia e OKB-së nga ky eveniment historik gjë?

U tundën me themel dritaret dhe fasadat e bukura dhe futuristike të Pallatit të Qelqtë të Nju Jorkut, kryeqytetit ekonomik dhe zhvillimor e modern të planetit tonë prej të paktën një shekulli?

Ç’arsye e fortë vallë, e pati shpënë të gjorin Nikita, këtë ukrainas kokërrumbullak-topolak paksa “babaxhan” siç do t’a quanim ne shqipo-turqisht, që të merrte atë mundim të padëgjuar dhe të hiqte me pahir këpucën nga këmba (me rrezikun e dukshëm eventual të ndonjë “patateje”, pra të çare ose të grisure tek zona e thembrës në çorapen e tij e cila tashmë do të shfaqej botërisht para publikut të gjerë botëror, sapo këpuca të qe hequr njëherë e mirë)...dhe t’a përplaste atë në formë proteste përmbi tavolinë?

Kishte menduar ky shoku Nikita Hrushovi nga Ukraina e fushave me grurë, lumit Dnjepër dhe minierave të Donetskut, që ku i dihet, ndoshta këmba e tij e zhveshur nga këpuca e “udhëheqësit” sovjetik, mund të qëllonte edhe që të binte ndopak erë të pakëndshme?

Erë këmbësh Hrushoviane, që do të ndoste pak nga pak, së pari shoqëruesit e tij, pra aparatçikët sovjetikë, sekretarucët, ambasadorët dhe “Da Çelovjek-ët” (supozoj që kështu i thonë “Yes Man” në rusisht)...të cilët në atë kohë vitesh të shkuara, do të kishin patur fatin të qenë ulur pranë liderit të madh të BRSS-së së madhërishme.

Më tej këmba e zbathur Hrushoviane, erën e saj të veçantë, të çorapes...të themi me origjinë dhe të fabrikuar andej nga stepat e Kazakistanit, me lesh ndoshta nga dhia e shkëmbinjve kirgizë, të punuar mëpastaj me kujdes dhe ëndje nga duart e arta të ndonjë “babushke” (gjysheje) sa të rudhur aq edhe të gëzueshme ruse, apostafat për Nikitën tonë, këtë “aromë” kutërbuese do t’a tejçonte nëpër sallën plenare të OKB-së, mespërmes tavolinave dhe karrikeve ku do të kishin zënë vend delegacionet e tërë vendeve anëtare të asaj organizate gjithëbotërore.

Se erë këmbësh ka kushdo, të mos ushqejmë iluzione të kota në këtë këndvështrim!

Këmba dhe këmbët e varfanjakut që qëmton centimetër për centimetër fundet e kazaneve të mbeturinave poshtë ndërtesave ku neve, të ashtëquajturit “të privilegjuar” për shkak se ushqimin tonë të përditshëm, Zoti dhe puna jonë, kombinuar edhe me një dozë të mirë fati dhe ylli të mirë aty në qiell, apo ndonjë ëngjëll që na ruan krahët çdo ditë, të ngrënën pra, e kemi sidoqoftë të siguruar dhe me bark thatë nuk mbetemi, gjithësesi këmbë të vobektësh apo presidentësh e kryeministrash, murgjërish, peshkopësh apo ajatollahësh, të pasurish e manjatësh me lekët lumë që u rrjedhin nga xhepat si Amazona në sezon shirash, të tërëve era e këmbëve, ja që njëlloj u vjen!

“Çorape-qelbur dhe djersëtarë të gjithë botës bashkohuni”...do të kishte qenë padyshim një shprehje dhe formulë internacionaliste tejet më realiste dhe më këmbë në tokë, sesa homologia e saj komuniste që dikur, e lëshuar nga qendrat moskovite të Kominternit socialist, përhapej si virus trushpëlarës anë e kënd botës.

Por Nikita Hrushovi, mbeti në histori për disa gjëra, kryesorja sepse vuri në provë durimin amerikan, kur dërgoi tinzash disa raketa bërthamore në Kubë, pak kilometra nga Miami emblematik dhe ishujt si Key Biscaine, po ashtu edhe për shkak të mohimit dhe dënimit tëpër të guximshëm nga ana e vet, të trashëgimisë Staliniste, pra kryesisht të “kultit të tij të individit” (sovjetikët e lanë pas, kurse neve sipas togfjalëshit patetik “Parti-Enver” e shenjtëruam edhe tej këtë blasfemi humane me prirje gati delirante që përfundoi në një skamje pranë bar-ngrënies për gjindjen e thjeshtë shqiptare, ndërsa Byroja dhe udhëheqja partiake, mumifikohej brenda Kullës së saj të Fildishtë aty në Bllok).

Hrushovi bëri edhe një “piknik” këtej nga anët tona, ca palo-dokumentarë të AQSHF-së, që nisin përherë me atë zërin e neveritshëm të spikerit të përzishëm të asaj kohe (me ton pompoz, sahanlëpirës në ekstazë dhe militarist, model “Instituto LUCE” i epokës fashiste)...na e tregojnë ende kur ndonjë televizoni i bie mendja të na i shfaqi ato pamje, itenerarin dhe përqafimet e “ngrohta”, shoqëruar nga një mori lulesh, britmash entuziazmi dhe buzëqeshjesh të shtirura (rasti tipik i “me të qeshme, me të ngjeshme”), të vizitës së liderit sovjetik në Shqipërinë thellësisht të pandarë nga fantazma staliniste, e përditësuar me një dozë të mirë sadizmi origjinal enverist.

Prapa gojëve dhe turinjve të zgërdhirë të udhëheqësisë së partisë sonë të lavdishme, mbas përkuljeve dhe përqafimeve me mikun e madh nga Moska, në të vërtetë fshihej së pari një alamet frike nga ariu i madh rus, që personifikohej perfektësisht nga “tovarish” Nikita, por më tej pasonin, vlonin dhe zhvilloheshin edhe ndjesi të tjera smire dhe prirje për t’u vetëofruar përdalësisht tek ofruesi tjetër më i mirë, pasi “tutorët” jugosllavë titistë më parë dhe këta rusët sovjetikë më pas, qenë bërë pak si shumë të mërzitshëm për 200 petritët, ilegalët e dikurshëm dhe ish debatikasit e Tiranës.

Sepse këta tanët, kishte vite që ja kishin nisur këngës së njohur gjysmë-legjendare që fliste si në rapsoditë më të zgjedhura të eposit të kreshnikëve, jo më për Gjergj Elezër me nëntë plagë në trup, por për një Parti syshqiponjë, vetullhark e shpatullgjerë, që përveçse falë njerëzve të saj më të mirë, nuk linte qoftë edhe një “fije pa e prerë” (çdo përkitje me titull real filmi të kinostudios Shqipëria e Re, është e qëllimshme), por po ashtu edhe për kuadro, bijë të denjë të socializmës dhe komunizmës, që ashtu si partizanët trima dikur andej nga majat, shkrepat, brinjët dhe gërxhet e maleve tona të paepura, nuk linin sikur edhe një armik të vetëm për be, pa i marrë edhe pikën e fundit të gjakut, drejt e në vetull!

Pra të mos harrojmë që në atë kohë “Ne në gojë të ujkut hidhnim vallen”!

Në rastin tonë me këpucë-përplasësin Nikita Hrushov, sigurisht që dilte të qemë duke hequr një valle sfiduese, brenda gojës së ariut sovjetik!

Por së shpejti, jo shumë vite më tutje, vallen do t’a kërcenim sërish edhe nëpër skutat e dhëmbëve të Dragoit Kinez!

Eh ç’gallatë paskemi bërë o njerëz, s’kemi lënë gojë armike pa e shkelur dhe tundur me vallen tonë, por në fund, siç thonë nga një zonë jugore e Shqipërisë, vetë përfunduam sido që të jetë, duke “kërcyer edhe me lajme”, për shkak se pasi u dhamë duart edhe shokëve kinezë, harruam përfundimisht Çu En Lain, atë kinezin që ra nga antena e Dajtit dhe “lejfenizmat” e shumta, ashtu si edhe “Timonierin e Madh” Mao, në fund na mbeti vetëm “bari i tokës amë” dhe lajmet e orës 20.00 tek TVSH-ja, ku domosdo nën ritmet e kolektivave punonjëse që pa pikë mëdyshje do kishin stërthyer çdo parashikim korrje-shirje dhe realizuar dërrmueshëm planin me 170 %, do kërcenim të gjithë nga e keqja, se tjetërgjë s’na mbetej si popull!

Kthehemi në ditët tona dhe pas shumëkujt përpara tij, kryeministri i ri dhe i gjatë i vendit tonë, vendos (e ka edhe detyrë, jo për gjë) që të vejë njëherë zyrtarisht aty në Amerikë dhe drejt e në OKB!

Ç’bëri dhe çfarë nuk bëri, kë takoi, me cilin buzëqeshi, kujt i dha dorën, e rregulloi edhe ndonjë foto të pamungueshme me “superstarët” Obama apo burra e gra liderë botërorë, mbretër, mbretëresha ose presidentër e kryeministra, këto janë fakte relative që nuk më kanë zgjuar asnjëherë ndonjë tip interesi sa herë që dikush, president a kryeministër i joni ka vajtur përtej oqeanit.

Ja kishim edhe presidentin Nishani që u mor eksluzivisht me komunitetin e nderuar shqiptar në SHBA, i gjëmoi me rradhë tërë kishat, teqetë e xhamitë shqiptare në Detroit dhe Boston dhe s’e mbajti dorën fare (o gënjejnë për kurnacërinë e trumbetuar të gjirokastritëve, ose këta libohovitët qenkan të ndryshëm nga fqinjët e tyre)...në lëvdata, fjalë të mira dhe mbi të gjitha dekorata, që fluturuan si copa bakllavaje për Vit të Ri, anembanë kudoqë presidenti ynë shkeli.

Kurse kryeministri u tregua më i fokusuar, me aq sa vura re të paktën, tek imazhi i vendit tonë në botë dhe kryesisht atje në Amerikë, ku do pranuar se Hollivudi na ka bërë siç i thotë populli “HELAQ”!

Në një film se kush president amerikan ka ca si çështje që i pengojnë rizgjedhjen dhe mbledh këshillëtarët e vendosin unanimisht, që duke pasur një gamë tejet të gjerë përzgjedhjesh të mundura, pikërisht në Shqipëri, të shpikin një lloj krize sa për t’u hedhur hi syve votuesve amerikanë.

Po si ore regjizorër hollivudianë, po nuk kishte shtete të tjera bota, vetëm neve kishim mbetur që të na merrnit nëpër gojë kështu juve?

Pse ç’u bënë më të mirë se ne, të themi Svazilendi, Gambia, Tonga, Bhutani, Brunei, San Marino në majë të malit Titan apo Monako 3 kilometra e gjysëm e gjatë në breg të Mesdheut, ose edhe ndonjë ishull në Karaibe apo cep i shkretëtirës së Saharasë, që t’a gjeni të udhës t’i bini në qafë atdheut tonë (apo mëmëdheut, sa për barazi absolute edhe në këtë fushë midis gjinive)?

Lëre që kishin futur edhe James Belushin në film, aq sa për t’i bërë të kuptojnë amerikanët e thjeshtë, që ai është shqiptar dhe jo italian a ndonjë gjë e ngjashme.

Puna është se tani ky amerikani i thjeshtë i sipërcituar (zakonisht tejet krenarisht dhe hundëpërpjetësisht i painformuar për punë që lidhen me nacionalitetet dhe vendet e tjera përtej SHBA-së), është tani edhe më i paditur se më parë lidhur me kombësinë e Jamesit tonë, për shkak se pandeh se Belushi i vogël (vëllai i tij, i madhi dhe i ndjeri John, na ka lënë shumë vite më parë tashmë), shqiptarin e ka luajtur si rol në film dhe i tillë mund të mos jetë nga gjaku ose origjina.

Sikur mos mjaftonte ky film, kanë shkuar dhe kanë vënë një aktor të respektuar si Liam Neeson-in, që të luajë dy herë, rolin e njeriut që me shqiptarët i ka punët keq dhe që pasi bashkëatdhetarët tanë imagjinarë çfarë nuk i kanë punuar, në fund gjithmonë hakmerret dhe të tanëve ua tregon vendin paq!

Mark dikushi i keqi dhe ngërthimi i portretit të shqiptarit trafikant, shpirtkazmë, shpirtgur apo i papajisur me shpirt fare!

Po pak “Mafie” italiane, ”Triada” kineze, ”Xhakuza” japoneze, rusë gjakatarë me sëpata në duar, trafikantë prej vërteti meksikanë e kolumbianë, terroristë arabë, kamikazë me breza dinamiti në trup e amerikanë të lajthitur që marrin “Shotgun-in” apo “Magnum 44” në duar dhe shfarosin shkolla të tëra ka, nuk dalin e teprojnë këta, me një vend me 3 milionë banorë të përherëshëm keni vajtur të merreni tani o njerëz Hollivudi?

Kështu edhe fjalimi i kryeministrit, që synonte të tregonte se imazhi i errësuar i Shqipërisë (ku meritë opozitare ka dhe ai vetë)...shkon përtej asaj çfarë përcjell kinemaja tek shikuesit, ishte sidoqoftë një gjest i drejtë, si edhe përplasja e këpucës së Hrushovit!



(Vota: 17 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora