E marte, 19.03.2024, 04:39 AM (GMT)

Mendime

Benedikti XVI: Pas natës së errët të komunizmit, shqiptarët po rilindin

E shtune, 24.05.2008, 10:25 AM


Benedikti XVI
Nga Gazeta 55

Pas natës së errët të diktaturës komuniste, Kisha në Shqipëri lindi falë impenjimit të Papës Gjon Pali II. Këtë deshi të kujtojë sot paradite Benedikti XVI duke u folur ipeshkvijve shqiptarë në vizitë “ad Limina Apostolorum”, të cilët i priti në audiencë në Vatikan në orën 11. “Të gjithë e njohin trashëgiminë e trishtuar të lënë në Shqipëri nga regjimi i kaluar diktatorial, i cili e pati shpallur ateizmin si ideologji të shtetit – theksoi Papa Racinger. Është e qartë se një orientim i tillë antidemokratik i marrëdhënieve ndërmjet qytetarëve ju ka lënë një detyrë jo të lehtë, duke filluar nga plani njerëzor: atë të rizbuloni një gramatikë të përbashkët, që të mbështesë sërish ndërtesën e shoqërisë”. “Por ju - shtoi - pasardhës të apostujve, jeni të thirrur sidomos të jeni dëshmitarë të një trashëgimie tjetër, veçanërisht të dobishme e konstruktive: asaj të mesazhit të shpëtimit sjellë nga Krishti në botë. Në atë kuptim, pas natës së errët të dikaturës komuniste, e paaftë ta kuptojë popullin shqiptar në traditat e tij të lashta, Kisha mundi të lindë për hir të Provanisë Hyjnore, falë edhe forcës apostolike të Paraardhësit tim të nderuar, Shërbëtorit të Zotit, Gjon Pali II, i cili ju bëri një vizitë në vitin 1993, duke rithemeluar në mënyrë të qëndrueshme Hjerarkinë katolike, për të mirën e besimtarëve dhe të krejt popullit shqiptar”. “Një nga aktet e para të Papës së madh - vazhdoi të kujtonte Benedikti XVI - ishte njohja e heronjve të fesë: kujtoj këtu, në veçanti, dëshminë e shkëlqyer të kardinal Koliqit, korife i një shpure të ngjeshur martirësh. Rikrijimi i hierarkisë katolike ishte njohja e drejtë e bashkimit intim, që lidh popullin tuaj me Krishtin dhe kontribuoi në zgjerimin e hapësirës së forcave të reja të katolicizmit në tokën e Shqipërisë. Ju jeni rojtarët e kësaj lidhjeje, dhe ju takon sidomos juve detyra për ta nxitur me veprime e inciativa këtë unitet, që duhet të shfaqë misterin bazë dhe jetëdhënës të Korpit të vetëm të Krishtit, në bashkim me ministerin e Pasardhësit të Pjetrit”.

Fjalimi i plotë i Atit të Shenjtë drejtuar Ipeshkvijve të Shqipërisë

Të nderuar e të dashur Vëllezër! Me gëzim të madh ju pres të gjithë së bashku, ndërsa jeni duke kryer shtegtimin tuaj ad Limina. Ky është rast i përshtatshëm që Pasardhësi i Shën Pjetrit t’i njohë nga afër vështirësitë që duhet të përballoni në tokën e dashur të Shqipërisë. Ju përshëndes përzemërsisht dhe ju falënderoj që më folët me zemër të hapur për realitetin e ndërlikuar të Kishës në Shqipëri, ngarkuar me vështirësi, por jo më pak edhe me shpresa. Ju shpreh mirënjohjen time posaçërisht për fjalët që më drejtoi Kryetari i Konferencës suaj Ipeshkvnore në emër të të gjithëve, duke më shprehur kështu ndjenjat tuaja. Ju falënderoj, të dashur Sivëllezër në Ipeshkvni! E mirë se erdhët!? E njohim të gjithë tashmë trashëgiminë e trishtuar që i la Shqipërisë regjimi i kaluar diktatorial, i cili e pati shpallur ateizmin si ideologji të Shtetit. Është e qartë se një orientim i tillë antidemokratik i marrëdhënive ndërmjet qytetarëve, ju la trashëgim vështirësi jo të pakta në planin njerëzor e ju ngarkon me detyrën për të zbuluar një gramatikë të përbashkët, që mund ta mbështesë përsëri ndërtesën e shoqërisë. Por ju, pasardhës të Apostujve, jeni të thirrur të jeni, mbi të gjitha, dëshmitarë të një trashëgimie tjetër, mirëbërëse e ndërtimtare: asaj të mesazhit të shëlbimit që solli Krishti në botë. Në këtë kuptim, pas natës së errët të diktaturës komuniste, e cila nuk qe e aftë ta kuptonte popullin shqiptar e traditat e tij stërgjyshore, Kisha mundi të rilindë për virtyt të Provanisë hyjnore, falë edhe forcës apostolike të Paraardhësit tim të nderuar, Shërbëtorit të Hyjit, Gjon Palit II, që erdhi mes jush për vizitë në vitin 1993, duke rindërtuar hierarkinë e qëndrueshme katolike, për të mirën e besimtarëve dhe për dobinë e popullit shqiptar. Një nga aktet e para të Papës së madh, qe njohja e heronjve të fesë: kujtoj këtu, posaçërisht, dëshminë e shkëlqyer të kardinalit Koliqi, korife i një grupi të madh martirësh. Rikrijimi i Hierakisë katolike ishte njëkohësisht edhe njohje e lidhjes së ngushtë të popullit tuaj me Krishtin si dhe ndihmesë për t’u krijuar hapësirën e duhur forcave të reja të katolicizmit në trojet e Shqipërisë. Ju jeni rojtarë të kësaj lidhjeje, e ju takon posaçërisht juve detyra ta promovoni në veprimtaritë tuaja e në nismat tuaja, këtë unitet, që duhet të shprehë misterin themelor e jetëdhënës të Korpit të Krishtit, në bashkim me shërbimin e Pasardhësit të Pjetrit. Në këtë perspektivë, nuk mund të mos shikojmë sa themelor është bashkëpunimi i ngushtë i ipeshkvijve, pikërisht për t’u bërë ballë me sukses problemeve dhe vështirësive të Kishës në Shqipëri. Si mund të mendohet që njëra dioqezë do të mund ta zhvillojë me sukses veprimtarinë e saj, nëse nuk e ka parasysh edhe mendimin e Ipeshkvijve të tjerë, bashkëpunimi me të cilët është i domosdoshëm për t’iu përgjigjur si duhet shpresave të një populli të vetëm, të cilit i drejtohet Kisha? Vetëm bashkëpunimi i përzemërt e vëllazëror ndërmjet Barinjve, mund t’i sjellë dobi të madhe popullit të dashur shqiptar, si në planin shoqëror, ashtu edhe në atë ekumenik e ndërfetar. Prandaj, të nderuar Sivëllezër, duhet të jeni një gjë e vetme në Krishtin në shpalljen e Ungjillit e në kremtimin e Mistereve hyjnore; shpreheni bashkimin me Kishën universale me vëllazërim të thellë e të vërtetë ipeshkvnor. Do të ishte e pakonceptueshme nisma e një Bariu i cili, në përpjekjen për të përballuar situata konkrete, nuk do të shqetësohej për ta koordinuar veprimtarinë personale me atë të Sivëllezërve Ipeshkvij. Ka çështje të veçanta, që lidhen me probleme të veçanta, të cilat duhen zgjidhur me ndihmesën e të gjithëve e me një frymë dashurie e durimi baritor. Ju porosis të gjithëve të punoni me maturi ungjillore, me dashuri të vërtetë të krishterë, duke kujtuar se kanunet kishtare janë mjete që shërbejnë për të promovuar në mënyrë të rregullt bashkimin në Krishtin dhe veprimtarinë për të mirën e grigjës së Shëlbuesit. Kjo ka të bëjë edhe me veprimtaritë ungjillëzuese e katekistike dhe gjen shprehjen e vet edhe në veprimtarinë shoqërore. Kam parasysh sidomos fushën e shëndetësisë, të arsimit, të përpjekjes për t’i paqëtuar shpirtërat dhe për gjithçka nxit bashkëpunimin ndërmjet përfaqësuesve të ndryshëm të shoqërisë e të traditave përkatëse fetare. Fenomeni i emigracionit, si brenda, ashtu edhe jashë vendit, ju krijon probleme të vështira baritore, që duhen përballuar me zemër Ipeshkvi, jo vetëm për besimtarët që jetojnë në trojet tuaja, por edhe për ata të diasporës. Kjo kërkon nga ju bashkëpunimin me Sivëllezërit në vendet e tjera, që të mundni kështu, të jepni ndihmesën baritore të nevojshme e urgjente. I njoh vështirësitë, që kanë të bëjnë me mungesën e klerit. Jam në dijeni edhe se shumë meshtarë, ndonëse punojnë në kushte të vështira, i ndihmojnë pa kursim besimtarët katolikë me origjinë shqiptare në dhe të huaj. Kjo ju nderon, të dashur Sivëllezër, që tregoni kujdes, sipas zemrës së Krishtit, për jetën shpirtërore të njerëzve tuaj edhe jashtë kufijve të Atdheut. E kjo nderon edhe meshtarët, që ndajnë me ju shqetësimet baritore. Ka edhe shumë probleme të natyrës praktike, për të cilat duhet të ndihmojnë edhe instancat civile, përmes propozimeve, që nuk kanë të bëjnë vetëm me shqetësime të natyrës politike, por edhe me situata konkrete shoqërore. Në këndvështrimin katolik, si në Atdhe, ashtu edhe në rrethanat e mërgimit, është e nevojshme t’i ndiqni me vëmendje njerëzit tuaj në mënyrë që, duke ua ruajtur identitetin e veçantë, të mos lihet pas dore edhe përfshirja e tyre në gjirin e shoqërisë ku jetojnë. Në këtë këndvështrim, është e nevojshme që, posaçërisht meshtarët e caktuar për kujdesin baritor të emigrantëve, të mos harrojnë se të gjithë u përkasin Korpit të vetëm të Krishtit, që është i njëjtë në të katër anët e tokës. Të shprehesh kështu, të nderuar vëllezër, do të thotë të pohosh se duhen ndjekur me kujdes të madh të gjithë ata, të cilët Zoti i thërret të ecin pas Tij. Prandaj theksoj se problemi i thirrjeve për rrugën e meshtarisë, duhet të jetë gjithnjë shqetësimi juaj kryesor: nga kjo varet ardhmëria e Kishës.
Dëshiroj, së fundi, t’ju shpreh kënaqësinë për marrëveshjet e nënshkruara pak kohë më parë me autoritetet e Republikës: besoj se këto masa do të ndihmojnë për rindërtimin shpirtëror të vendit, duke pasur parasysh rolin pozitiv që luan Kisha në shoqëri. Nga ana ime, ju jap zemër të vijoni shërbimin tuaj, për të realizuar programet që keni hartuar së bashku. Ndërsa ia besoj mbrojtjen tuaj ndërmjetësimit qiellor të Marisë, Nënës së Këshillit të Mirë, ju jap, me kënaqësi, juve, priftërinjve e rregulltarëve, rregulltareve dhe të gjithë besimtarëve që i janë besuar kujdesit tuaj baritor, një Bekim të posaçëm Apostolik. 

Rrok Mirdita
Mirënjohës për nisjen e procesit kanonik të lumnimit të martirëve shqiptarë
     
Përshëndetja e kryeipeshkvit, Imzot Rrok Mirditës drejtuar Atit të Shenjtë gjatë audiencës së djeshme

Atë i Shenjtë, takimi ynë i sotëm me Ju, është rast që na gëzon pa masë të gjithëve. Në të vërtetë vizita jonë ad Limina ka një domethënie tepër të veçantë për ne të gjithë, për tri arsye kryesore: së pari, sepse ky është takimi i parë me Ju si episkopat shqiptar. Së dyti, sepse pas shembjes së komunizmit dhe rindërtimit të hierarkisë në Shqipëri, kjo është vizita e parë ad Limina, në të cilën është i pranishëm i gjithë episkopati shqiptar. E, së fundi, sepse këtë vit përkujtojmë pesëmbëdhjetë vjetorin e vizitës në Shqipëri të Paraardhësit tuaj, Shërbëtorit të Zotit, Papës Gjon Pali II, që me këtë rast shuguroi katër ipeshkvij, ndërmjet të cilëve isha edhe unë. Gjatë këtyre pesëmbëdhjetë vjetëve, Kisha katolike në Shqipëri ka ecur shumë përpara në veprimtarinë për të ungillëzuar, për të shenjtëruar e për t’i udhëhequr besimtarët në trojet tona. Kisha katolike në Shqipëri provoi një Kalvar të vërtetë. Toka shqiptare u vadit me gjakun e shumë dëshmitarëve të guximshëm të fesë gjatë regjimit që, sipas shprehjes së një historiografi, ‘deshi ta vriste Zotin’. Por ne patëm fatin ta shikojmë me sytë tanë atë mrekulli, që Tertuliani e shprehu në thënien e famshme e të pavdekshme: Sanguis martyrum est semen Christianorum” (Gjaku i martirëve është fara e të krishterëve të rinj). E sot i jemi mirënjohës Zotit për procesin kanonik të lumnimit të martirëve shqiptarë, proces që nisi zyrtarisht më 10 nëntor 2002. Shenjtëri, ndërsa Ju siguroj për besnikërinë tonë ndaj Pasardhësit të Pjetrit, të cilit i takon misioni për të përforcuar vëllezërit në fe (Le 22, 323), në emër të sivëllezërve të mi ipeshkvij, dëshiroj t’ju shpreh edhe mirënjohjen tonë. Ju falënderojmë Shenjtëri, për Enciklikën tuaj të parë ‘Deus Caritas est’. Shqipëria paskomuniste e preku me dorë bamirësinë e Kishës katolike, që dha një ndihmesë të shquar në situatat e ndryshme të emergjencës. Kjo Enciklikë na nxiti të reflektojmë thellë për kuptimin e bamirësisë së krishterë, e cila nuk është thjeshtë filantropi. Ju falënderojmë, Shenjtëri, për Enciklikën tuaj të re, Spe salvi. Shqipëria ishte e indoktrinuar nga ideologjia marksiste-leniniste, që nuk krijoi shpresë, por dëshpërim. Sot Shqipëria po kërkon një rrugë tjetër, rrugë shprese për të gjithë, që nuk e shkëput njeriun nga impenjimi për ndërtimin e qytetit tokësor dhe të një bote më të denjë për të.
E, së fundi, ju falënderojmë Shenjtëri, për nismën Tuaj lidhur me Vitin kushtuar Shën Palit Apostull. Në Letrën drejtuar Romakëve, Apostulli i madh i popujve tregon se ka folur për Krishtin deri në kufijtë e Ilirisë (15, 19), dmth, deri në trojet e Shqipërisë së sotme. Prandaj Shën Pali lidhet në mënyrë të veçantë me popullin shqiptar e ju jemi posaçërisht mirënjohës, Juve, Atë i Shenjtë, sepse i krijuat popullit tonë mundësitë për ta njohur nga afër personalitetin, shenjtërinë dhe doktrinën e këtij apostulli i cili, sipas fjalëve të Akuinit “e kishte gjithnjë emrin e Krishtit në korpin e vet, në gjuhën e vet e në shkrimet e veta” (Prologo del Commentarium in Litteram ad Romanos). I jemi tepër mirënjohës Zotit, që na ka dhënë kënaqësi të mëdha. Jemi mirënjohës, në radhë të parë, për misionarët që, me flijime të mëdha e bujari të madhe, pranuan sfidën misionare në Shqipëri, gjatë këtyre tetëmbëdhjetë vjetëve pas rënies së komunizmit. E, mbi të gjitha, i shprehim mirënjohjen tonë të pakufishme Zotit, që na i bekoi përpjekjet me thirrje të reja meshtarake e rregulltare në vendin tonë.
Ndësa kërkojmë bekimin tuaj, Ju sigurojmë se lutemi që Hyji t’ju japë shëndet, urti e shenjtëri për të vijuar shërbimin tuaj si pasardhës i Shën Pjetrit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora