| E enjte, 03.10.2013, 07:59 PM |
Sevdaja turke
Nga Ndue Ukaj
Pasi shpallën
vëllazërinë me pushtetarë turq, pasi provuan ta ndërrojnë historinë dhe
perceptimin për të kaluarën osmane në trojet arbnore, qeveria e Kosovës bëri
hapin tjetër, duke nënshkruar marrëveshje për tregti të lirë me Turqinë, e para
e këtij lloji në historinë e Kosovës. Kjo marrëveshje, s’është marrëveshje për
tregti të lirë, por kapitullim i bizneseve tona përballë mallrave turq, që tash
e tutje do t’i ngufasin bizneset vendore. Nën anën tjetër, kjo marrëveshje,
s’ka sesi të jetë veç ekonomike. Ajo ka një edhe një prapavijë politike, një
ide të përtejme, që shpalos dozën e rëndë të orientimit proturk të qeverisë së
vendit tonë.
Gjithë e dimë,
se ëndrra e Kosovës për liri, u sendërtua fal një bashkëpunim pa ekuivokë me
vendet e fuqishme të perëndimit. Mirëpo, e gjitha u përmbys, pas jetësimit të
pavarësisë, kur qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Hashim Thaqi, filloi t’ia
bëjë me sy Ankarasë zyrtare, drejt së cilës e ktheu shikimin. Në fillim, e
gjitha u duk si një trill. Mirëpo, vitet në vazhdim me një servilizëm të
paparë, shfaqeshin pushtetarë tanë, nëpër konferenca duke predikuar vëllazërinë
shqiptaro-turke. E kjo “vëllazëri” u
sforcua me një sërë vizitash të njëpasnjëshme të ministrave tanë në Turqi dhe
anasjelltas, rezultatet e së cilave, shtuan prezencën e panatyrshme turke në
tregun kosovar, ndërkohë që ndër shqiptarë u shpalosën ambicie për ta amnistuar
krejt të kaluarën osmane dhe pushtimin e tyre barbarë në tokat arbënore.
Të jemi të
qartë: askush s’është kundër zhvillimit të marrëdhënieve të mira të Kosovës me
shtetin turk, por askush s’mund ta kuptoj nënshtrimin e qeverisë së Kosovës
karshi politikës turke ndaj shqiptarëve. Në kurthin e një miqësie me prapavija,
qeveria e Kosovës, u gjend si peshku në rërë. Pasi shpallën vëllazërinë, duke u
zgërdhi kryeministrat, ministrat e
zyrtarët e dy palëve, qeveria aktuale turke, pa kërkuar asnjëherë falje për
krimet e panumërta që bën ndër ne, i kërkoi shqiptarëve ta ndërrojnë historinë
dhe perceptimin për periudhën osmane. Madje, ministri i jashtëm turk, shqiptarë
do t‘i quan edhe si mbetje osmane në
Ballkan. Përballë kësaj trysnie dhe poshtërimi të rrezikshëm që ju bë
shqiptarëve, qeveria e Kosovës u nënshtrua, ndërkohë që refuzimi i opinionit
publik u rrit. Për këtë, u organizua edhe një peticion i fuqishëm me
intelektualë nga gjitha hapësirat shqiptare.
E ç’është e
vërteta, yryshi turk s’u ndalë asnjëherë, edhe pse reagimet publike ishin të
mëdha. E histeria me të cilën qeveria e Kosovës shpalli vëllazërinë me shtetin
Turqinë, sigurisht duhet të ketë ndikuar fort në shumë vende të rëndësishme
europiane, që të heqin dorë nga Kosova, duke e shndërruar këtë të fundit në
arenë të mallrave dhe bizneseve turke. Qeveria e Kosovës, përkundër faktit se
është përballë me kritika të ashpra nga opinioni publik, nga një pjesë e medias
dhe inteligjencës, ajo s’e ka ndalur yryshin në dhënien e sektorëve me rëndësi
ekonomike, kompanive turke.
E kulmi i gjithë
dashnie për Turqinë, ngadhënjeu me një marrëveshje prej kusarësh për tregti të
lirë, e para në historinë e Kosovës. Kosova ende s’e ka një marrëveshje të
tillë me Shqipërinë, e me një nguti të paparë, shkon e bën marrëveshje me
Turqinë. Çdo koment këtu është i tepërt.
Se Kosova
s’është dashur që marrëveshjen e parë për tregti të lirë, ta nënshkruaj me
Turqinë, këtë e di çdo kush që ja do të mirën këtij vendi. Kjo nguti, me të cilën u nënshkrua kjo
marrëveshje, përtej asaj që thuhet, nënkupton një dimension tjetër të qeverisë
së Kosovës: orientimin e saj joevropian.
Këtë
marrëveshje, e shoh në serinë e flirteve të disa qarqeve tona politike e
qeveritare, me çdo kënd, vetëm e vetëm për të hequr dorë nga vetvetja. Kështu,
po shpërfaqim qyqarllëkun tonë dhe përbuzjen ndaj së kaluarës. Kjo është
dëshmia se Kosova është sulmuar rëndë nga sëmundja e amnezisë, karshi të
kaluarës dhe historisë, një amnezi që s’na le të ecim krahas kombeve të
përparuar.
E për kurtuazi,
qeveria e Kosovës, në platformën saj ka një agjendë të shpalosur europiane.
Madje, ka edhe një ministri që merret me këtë çështje. Mirëpo, mes diskursit të
saj retorik dhe veprimeve që ajo bën çdo ditë, është një humnerë. Në këtë
humnerë, kjo qeveri me orientim proturk, ka fundosur një popull të tërë.
E qytetarët e
Kosovës, është dëshmuar se nuk e duan integrimin në Turqi, por në BE. Skandali i ikjes masive të qytetarëve
të Kosovës drejt BE-së, është dëshmia ma e fort për këtë.
A është ekonomia
turke në lulëzim dhe pse shqiptarët nuk shkojnë kah sevdaja turke?-kjo është
një pyetje që do shpjegim. Përkundër asaj që ju predikohet nga politikanët
servil, qytetarët e këtij vendi preferojnë perëndimin. Ata e kanë të ngulitur
në kujtesën tyre, atë që ju është thënë nga dijetarë e korifejt ma të mëdhenj,
pa dallim feje e krahine, se lind dielli për ta lindë vetëm në perëndim?
Këtë mësim
misionarik, atyre s’iu lëkund kush.
Orientimin
proturk e mbështesin disa qarqe të futura në mjegullnaja identitare, me disa pseudoparti, ku bëjnë pjesë edhe ato
që bëjnë zhurmë patriotike. Këto grupe të interesit, duan t’i fusin edhe
shqiptarët në një mjegullnajë identitare, ku janë katandis vetë. Mirëpo,
qytetarët e Kosovës, përkundër kësaj, s’duan të shkojnë në parajsën turke, as
të vëllezërit turq. Ata i ka ngopë tej mase sevdaja turke. Ata e duan Europën, atje ku lind dielli për ta, e drejt
së cilës ata nisen maleve, duke rrezikuar çdo gjë, madje edhe jetët e tyre. A
domethënë gjë kjo për ata shtiracakë që po ju grabisin ëndrrën europiane
Kosovës? Çka domethënë kjo për të yshturit nga sevdaja turke, që me veprimet e
tyre jo europiane, po e pengojnë rrugën europane të Kosovës?
Kjo marrëveshje
për tregti të lirë, e Mimoza Kusarit, s’ka sesi të jetë në dobi të Kosovës, kur
dihet se kapacitet e ekonomisë sonë për të lëvizur drejt Turqisë, janë zero. E
këtë peshqesh ndaj shtetit turke, e ka bërë një ministri që bllokon mallrat e
Shqipërisë e Maqedonisë. Duke i parë e analizuar këto zhvillime politike,
shohim sesi Kosova çdo ditë e ma shumë, me këtë klasë politike, po rrëshqet nga
rruga europiane. Me ketë qeverisje dhe me këto parti pa identitet, rrëshqitja
është e shpejt.
Koha është ta shpërfaqim
vetveten, duke shpaluar të vërtetën tonë, sepse vetëm ajo na bën të lirë. Heqja
e lëvozhgës, me të cilën mbështillemi për të mashtruar tjerët, s’na bën dobi.
Madje as arsyetimet bajate se këtë na kërkojnë miqtë tanë, sepse gjithë e dimë
se këto janë sajime të pabazë. Po nuk rishikuam pozicionin tonë, është rrezik
që të vonohemi, siç jemi vonuar shpeshherë në histori.
Qeveria e
Kosovës, përbetohet në tokë e qiell, në rrugën e europiane të Kosovës veçse
çuditërisht marrëdhëniet ma të mira i ka me Turqinë. E kjo e fundit, pret para
portave të BE-se që tash e disa dekada, pa pas mundësi me hy brenda. Kjo është
amnezi historike, por edhe paaftësi m'u orientuar si duhet, e mbi te gjitha
hipokrizi politike. Pune shtiracakes!