E premte, 26.04.2024, 12:18 AM (GMT+1)

Editorial » Ukaj

Ndue Ukaj: Sevdaja turke

E enjte, 03.10.2013, 07:59 PM


Sevdaja turke

Nga Ndue Ukaj

Pasi shpallën vëllazërinë me pushtetarë turq, pasi provuan ta ndërrojnë historinë dhe perceptimin për të kaluarën osmane në trojet arbnore, qeveria e Kosovës bëri hapin tjetër, duke nënshkruar marrëveshje për tregti të lirë me Turqinë, e para e këtij lloji në historinë e Kosovës. Kjo marrëveshje, s’është marrëveshje për tregti të lirë, por kapitullim i bizneseve tona përballë mallrave turq, që tash e tutje do t’i ngufasin bizneset vendore. Nën anën tjetër, kjo marrëveshje, s’ka sesi të jetë veç ekonomike. Ajo ka një edhe një prapavijë politike, një ide të përtejme, që shpalos dozën e rëndë të orientimit proturk të qeverisë së vendit tonë.

Gjithë e dimë, se ëndrra e Kosovës për liri, u sendërtua fal një bashkëpunim pa ekuivokë me vendet e fuqishme të perëndimit. Mirëpo, e gjitha u përmbys, pas jetësimit të pavarësisë, kur qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Hashim Thaqi, filloi t’ia bëjë me sy Ankarasë zyrtare, drejt së cilës e ktheu shikimin. Në fillim, e gjitha u duk si një trill. Mirëpo, vitet në vazhdim me një servilizëm të paparë, shfaqeshin pushtetarë tanë, nëpër konferenca duke predikuar vëllazërinë shqiptaro-turke.  E kjo “vëllazëri” u sforcua me një sërë vizitash të njëpasnjëshme të ministrave tanë në Turqi dhe anasjelltas, rezultatet e së cilave, shtuan prezencën e panatyrshme turke në tregun kosovar, ndërkohë që ndër shqiptarë u shpalosën ambicie për ta amnistuar krejt të kaluarën osmane dhe pushtimin e tyre barbarë në tokat arbënore.

Të jemi të qartë: askush s’është kundër zhvillimit të marrëdhënieve të mira të Kosovës me shtetin turk, por askush s’mund ta kuptoj nënshtrimin e qeverisë së Kosovës karshi politikës turke ndaj shqiptarëve. Në kurthin e një miqësie me prapavija, qeveria e Kosovës, u gjend si peshku në rërë. Pasi shpallën vëllazërinë, duke u zgërdhi kryeministrat,  ministrat e zyrtarët e dy palëve, qeveria aktuale turke, pa kërkuar asnjëherë falje për krimet e panumërta që bën ndër ne, i kërkoi shqiptarëve ta ndërrojnë historinë dhe perceptimin për periudhën osmane. Madje, ministri i jashtëm turk, shqiptarë do t‘i quan  edhe si mbetje osmane në Ballkan. Përballë kësaj trysnie dhe poshtërimi të rrezikshëm që ju bë shqiptarëve, qeveria e Kosovës u nënshtrua, ndërkohë që refuzimi i opinionit publik u rrit. Për këtë, u organizua edhe një peticion i fuqishëm me intelektualë nga gjitha hapësirat shqiptare.

E ç’është e vërteta, yryshi turk s’u ndalë asnjëherë, edhe pse reagimet publike ishin të mëdha. E histeria me të cilën qeveria e Kosovës shpalli vëllazërinë me shtetin Turqinë, sigurisht duhet të ketë ndikuar fort në shumë vende të rëndësishme europiane, që të heqin dorë nga Kosova, duke e shndërruar këtë të fundit në arenë të mallrave dhe bizneseve turke. Qeveria e Kosovës, përkundër faktit se është përballë me kritika të ashpra nga opinioni publik, nga një pjesë e medias dhe inteligjencës, ajo s’e ka ndalur yryshin në dhënien e sektorëve me rëndësi ekonomike, kompanive turke.

E kulmi i gjithë dashnie për Turqinë, ngadhënjeu me një marrëveshje prej kusarësh për tregti të lirë, e para në historinë e Kosovës. Kosova ende s’e ka një marrëveshje të tillë me Shqipërinë, e me një nguti të paparë, shkon e bën marrëveshje me Turqinë. Çdo koment këtu është i tepërt.

Se Kosova s’është dashur që marrëveshjen e parë për tregti të lirë, ta nënshkruaj me Turqinë, këtë e di çdo kush që ja do të mirën këtij vendi.  Kjo nguti, me të cilën u nënshkrua kjo marrëveshje, përtej asaj që thuhet, nënkupton një dimension tjetër të qeverisë së Kosovës: orientimin e saj joevropian.

Këtë marrëveshje, e shoh në serinë e flirteve të disa qarqeve tona politike e qeveritare, me çdo kënd, vetëm e vetëm për të hequr dorë nga vetvetja. Kështu, po shpërfaqim qyqarllëkun tonë dhe përbuzjen ndaj së kaluarës. Kjo është dëshmia se Kosova është sulmuar rëndë nga sëmundja e amnezisë, karshi të kaluarës dhe historisë, një amnezi që s’na le të ecim krahas kombeve të përparuar.

E për kurtuazi, qeveria e Kosovës, në platformën saj ka një agjendë të shpalosur europiane. Madje, ka edhe një ministri që merret me këtë çështje. Mirëpo, mes diskursit të saj retorik dhe veprimeve që ajo bën çdo ditë, është një humnerë. Në këtë humnerë, kjo qeveri me orientim proturk, ka fundosur një popull të tërë.

E qytetarët e Kosovës, është dëshmuar se nuk e duan integrimin në Turqi, por  në BE. Skandali i ikjes masive të qytetarëve të Kosovës drejt BE-së, është dëshmia ma e fort për këtë.

A është ekonomia turke në lulëzim dhe pse shqiptarët nuk shkojnë kah sevdaja turke?-kjo është një pyetje që do shpjegim. Përkundër asaj që ju predikohet nga politikanët servil, qytetarët e këtij vendi preferojnë perëndimin. Ata e kanë të ngulitur në kujtesën tyre, atë që ju është thënë nga dijetarë e korifejt ma të mëdhenj, pa dallim feje e krahine, se lind dielli për ta lindë vetëm në perëndim?

Këtë mësim misionarik, atyre s’iu lëkund kush.

Orientimin proturk e mbështesin disa qarqe të futura në mjegullnaja identitare,  me disa pseudoparti, ku bëjnë pjesë edhe ato që bëjnë zhurmë patriotike. Këto grupe të interesit, duan t’i fusin edhe shqiptarët në një mjegullnajë identitare, ku janë katandis vetë. Mirëpo, qytetarët e Kosovës, përkundër kësaj, s’duan të shkojnë në parajsën turke, as të vëllezërit turq. Ata i ka ngopë tej mase sevdaja turke. Ata e duan  Europën, atje ku lind dielli për ta, e drejt së cilës ata nisen maleve, duke rrezikuar çdo gjë, madje edhe jetët e tyre. A domethënë gjë kjo për ata shtiracakë që po ju grabisin ëndrrën europiane Kosovës? Çka domethënë kjo për të yshturit nga sevdaja turke, që me veprimet e tyre jo europiane, po e pengojnë rrugën europane të Kosovës?

Kjo marrëveshje për tregti të lirë, e Mimoza Kusarit, s’ka sesi të jetë në dobi të Kosovës, kur dihet se kapacitet e ekonomisë sonë për të lëvizur drejt Turqisë, janë zero. E këtë peshqesh ndaj shtetit turke, e ka bërë një ministri që bllokon mallrat e Shqipërisë e Maqedonisë. Duke i parë e analizuar këto zhvillime politike, shohim sesi Kosova çdo ditë e ma shumë, me këtë klasë politike, po rrëshqet nga rruga europiane. Me ketë qeverisje dhe me këto parti pa identitet, rrëshqitja është e shpejt.

Koha është ta shpërfaqim vetveten, duke shpaluar të vërtetën tonë, sepse vetëm ajo na bën të lirë. Heqja e lëvozhgës, me të cilën mbështillemi për të mashtruar tjerët, s’na bën dobi. Madje as arsyetimet bajate se këtë na kërkojnë miqtë tanë, sepse gjithë e dimë se këto janë sajime të pabazë. Po nuk rishikuam pozicionin tonë, është rrezik që të vonohemi, siç jemi vonuar shpeshherë në histori.

Qeveria e Kosovës, përbetohet në tokë e qiell, në rrugën e europiane të Kosovës veçse çuditërisht marrëdhëniet ma të mira i ka me Turqinë. E kjo e fundit, pret para portave të BE-se që tash e disa dekada, pa pas mundësi me hy brenda. Kjo është amnezi historike, por edhe paaftësi m'u orientuar si duhet, e mbi te gjitha hipokrizi politike. Pune shtiracakes!



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora