Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: Një 69 vjetor i zymtë...

| E enjte, 03.10.2013, 05:00 PM |


NJË  69  VJETOR  I  ZYMTË...

4 Tetor 1944 – 4 Tetor ...

Nga Fritz RADOVANI

Një vit maparë shkembyem mesazhe urimi me mikun tim Daniel Gazulli...

Danieli kishte lé me 4 Tetor 1944, në Shkoder.

Iu dukshin shumë 69 vite që po kalonin! Unë nuk u pajtova me mendimin e Tij, mbasi kishe vue cakun e shumë viteve tek 70 vjetori... “Prit, Daniel, kalo 70 vjetët, mandej fillo me u ankue se vitet po kalojnë shpejtë!” Sigurisht, bajshe llogaritë me shifrat e mija...Qesheshim!

Diferenca e vogel e viteve mes nesh, na kujtonte shpesh të njajtat episode të jetës sonë!

Edhe Danieli kishte perfundue shkollen pedagogjike të Shkodres, dhe pothuej me ata mësues që e kishe perfundue edhe unë dy vjet para Tij. Kur pata shkrue një artikull per brezin e mësuesëve të Elbasanit, ishte knaqë per mendimin e mirë që kisha shpreh unë dhe që kishte edhe Ai për Ata mësues të nderuem, e kryesisht per të Ndjerin Gani Daiu, drejtor i asaj shkollë në vitin 1958 kur e kishte perfundue Danieli. Kujtimet lidheshin me një rasë të veçantë kur Danieli kishte marrë me vete në shkollë “Lahuten e Malcis” së At Fishtës...Dikush ia kishte pa. Tue kalue në korridor e kishte thirrë drejtori Gani Daiu, dhe i kishte thanë vetem këto fjalë: “Ti nuk besoj se e ke “Lahuten e Malcis”, prandej, edhe nuk ka mundsi ta keni sjellur në shkollë, shko!”

Me shpetoi, thonte Danieli, nga një perjashtim i sigurt nga shkolla drejtori Gani Daiu!

Aty nga vitet 1959 – 60 e njoha Danielin nga axha i Tij, Simon Gazulli, një mësues i nderuem dhe me shumë cilësi të mira, per të cilat kishte punue me i trashigue edhe tek Danieli. Nder to mund të permendi deshiren per kulturë e dije europjane, një thesar i njohun dhe i trashiguem i paraardhësëve Gazullorë! Nuk ishte e thjeshtë fjala me “dijtë”, kur persekucioni i Gazullorëve nuk po tham se kishte fillue që në kohen e turqëve, menjëherë mbas vdekjes së Gjergj Kastriotit, që me dijetarin Gazulli, por me siguri në vitin 1927 me Ahmet Zogun, kur vari Don Gjonin e vazhdoi me Enver Hoxhen kur vrau dijetarin tjeter Don Nikoll Gazulli...Këto janë të pamohueshme dhe tragjike per një Fis të nderuem si Gazullorët.

Nga kontaktet e Danielit me At Justin Rroten, At Marin Sirdanin, At Meshkallen, kur axha e Tij Simoni, komunikonte me Ata, Danieli ruente shume kujtime dhe porosi morale e edukative të Tyne, dhe madje ata rrelike ishin të nguluna në kujtesen e perditëshme të Danielit.

Koha i kishte ngulitë dhe ato ishin ngujue në kujtesen e Tij. Shumë vlera t’ asaj kohë i ruejti me kujdes dhe mbas vitit 1990. Danieli nuk vazhdoi me heshtë ma, po edhe filloi me shperthye në shtyp... Kumtesa dhe studime serioze e karakterizonin Danielin, që tashti ndodhej në Lezhë. Pasioni i Tij per letersi dhe fizikë, disi të “palidhuna”, nuk e shkëpusin asnjëherë nga dy figura të Mëdha të Shqipnisë Europjane të Shek. XX, At Gjergj Fishta e Don Nikollë Kaçorri, per të cilët ka lanë edhe materiale me vlerë per brezat e ardhëshme që mund të interesohen me “dijtë” në fushen e letersisë dhe historisë! Karakteristikë e punimeve të Tij asht saktësia!

Vështirsia ekonomike nuk e la me ba disa botime me vlerë që sot, nuk duhet të mbeten nder sirtarë, kur domosdoshmenia e Tyne asht e perditëshme. Fusha e prozës dhe e poezisë janë kenë me të vertetë me vlerë per Danielin, ku mundohej me ngulm me hy nder zemrat e rinisë me një stil të veçantë dhe terheqës, kryesisht per trajtim dhe zgjedhje motivi të ditës.

Unë nuk mund të flas me kompetencë per fushen e krijimtarisë së Tij. Diskutimet tona lidheshin ma shumë per çeshtjet gjuhsore, ku unë, perditë kishe dhe kam edhe sot nevojen e një kompetenti të asaj lamë, ku Daniel Gazulli ishte i persosun dhe i pagabueshem.

Njihte mirë fushen e gjuhsisë dhe simpatizonte thesaret e dijetarit Selman Riza, të cilat ishin edhe pika orjentuese e studimeve të Danielit në atë drejtim aq të domosdoshem per kohen.

Nuk pritonte me redaktue punimet e mija, prandej edhe më shtyni me dijtë edhe mue per çka kishe shumë deshirë të ishte e punueme nga ana e Danielit, në fushen e Gegnishtes Letrare. Kur më tregoi se kishte perfundue “Kodifikimin e Gegënishtes Letrare” dhe se, per atë punim aq me vlerë Ai kishte vue në dijeni edhe Prof. Kolec Topallin e Prof. Primo Shllakun, të cilët besoj, se edhe Ata janë poaq të knaqun sa unë per këte brilant që Danieli, i ka lanë shkencës së Gjuhsisë Shqiptare...dhe, kryesisht, Gegnishtes së Tij fort të dashtun e të dhimëshme...

Nga ajo kohë, unë e kam adhurue Mikun e shtrenjtë Daniel Gazulli...

Melbourne, Tetor 2013.