E enjte, 18.04.2024, 08:40 PM (GMT+1)

Editorial » Entela

Entela Binjaku: Dhuna ndaj gruas, nevojë ndërhyrjeje

E merkure, 02.10.2013, 08:36 PM


Dhuna ndaj gruas, nevojë ndërhyrjeje nga shteti dhe shoqëria

Nga Entela Binjaku

Familja për individin duhet të jetë vatra, streha e sigurtë, mbështetësja e padiskutueshme dhe e palëkundur, burimi i vetëbesimit dhe pikënisja e afirmimit si individ.

Por, jo çdo herë është kështu! Jo çdo herë individi si pjesëtar i një familjeje ndjehet i mbrojtur, vlerësuar, mbështetur apo inkurajuar brenda saj. Përkundrazi, herë-herë individi bëhet objekt dhe subjekt i dhunës verbale, presionit psikologjik të vazhdueshëm dhe në rritje, deri edhe në ushtrim të dhunës fizike.

Shkaqet e dhunës

Numri më i lartë i rasteve të denoncuara, në vendin tonë, flet për dhunë ndaj bashkëshortes, më tej për dhunë  që ushtrohet nga babai  mbi  vajzën, e më pas vëllai mbi motrën. Burimet e dhunës brenda familjes mund të jenë disa: papunësia, varfëria, përdorimi i alkoolit, i substancave narkotike, pakënaqësitë nga jeta bashkëshortore etj.

Një ndikim të rëndësishëm në këtë gjenerim të saj ka edhe transmetimi i  modeleve të një mendësie që nuk e përjashton dhunën nga normat e sjelljes brenda familjes. Në mendësinë tradicionale shqiptare, nuk përjashtohen fjalët lënduese apo fyese, trajtimi përçmues apo me inferioritet i gruas  duke  e rritur mundësinë që ky model i sjelljes të jetë  udhërrëfyes për familjet që krijojnë individët.

Duke mbetur brenda kësaj mendësie që shpreh një panoramë të kulturës sonë tradicionale, ende mbizotëron ideja se burrë është ai që e dominon dhe posedon gruan e vetë. Por mbetemi po brenda kësaj mendësie kur pohojmë se, gruaja duhet të jetë agresive që të mos duket e dobët, sepse gratë  të tilla duhet të jenë, që të gëzojnë respektin e pjestarëve të tjerë… Kështu i kemi dhënë udhë gjenerimit të dhunës brenda familjes.

Një nënë e dhunuar, çfarë modeli??

Modeli i sjelljes brenda strehës familjare ndikon shumë tek procesi i rritjes dhe ndërgjegjësimit të individit. Për aq kohë sa ka një rol kyç në çuarjen e individit drejt atij procesi të brishtë të cilin sociologët dhe psikologët shoqërorë e quajnë shoqërizimi parësor, familja padyshim merr një rëndësi të madhe dhe përbën grupimin më të rëndësishëm. Nëna është aktori i parë në jetën e fëmijës dhe si e tillë figura e saj mbetet qëndrore në jetën e individit. Një figurë saj e pavlerësuar, e dhunuar apo e keqtrajtuar ndikon shumë në psikologjinë e fëmijës.

Ky proces i ndërveprimit me nënën fillon në muajt e parë të jetës dhe përbën fazën e parë të zhvillimit të ndërveprimit shoqëror. Nëpërmjet këtij ndërveprimi ai formon aftësitë shoqërore-bazë.  Që më shkëmbimet e para ndërpersonale formohen modelet e ardhshme të sjelljes që do të shërbejnë si filtër i përvojave të mëvonshme. Kur në këto shkëmbime fëmija sheh figurën e dhunuar të nënës, ai përcjell në botëkuptimin e tij dhunën si një model të natyrshëm që mund të ushtrohet ndaj saj.

Një nënë e dhunuar është ai i një gruaje me personalitet të fyer e me vlerësim të ulët për veten, gjë e cila ndikon edhe tek modeli që ajo i përcjell fëmijës ai i nënshtrimit ose i përuljes ndaj “më të fortit”.

Edukimi dhe rregullat në komunitet

Shtimi i rasteve ka njohur shifra rekord në Shqipëri. Dukuria mund të “zbutet” falë edukimit mbarëshoqëror me rregullat e bashkëjetesës në komunitet, respektit për tjetrin, dhe harmoninë në raportet ndëpersonale. Ky edukim duhet të vijë bashkë me ngritjen kulturore të shoqërisë sonë ku respekti ndaj gruas është parësor, sepse duke respektuar një grua ke treguar kujdes për mbarë shoqërinë. Edukimi duhet te kryhet prej secilës nga agjencitë shoqërizuese ku kalon individi gjatë jetës, familja, shkolla, media, grupet e bashkëmoshatarve, organizimet vullnetare, institucionet e kultit etj.  Ky proces duhet të nisë që në familje, bërthama e shoqërisë dhe duhet të vahzhdojë përgjatë gjithë jetës dhe në  të gjitha institucionet që ndërton njeriu.   Shoqëria shqiptare ka nevojë të kuptojë se modeli i shoqëerive të emancipuara është ai  të jetuarit larg dhunës dhe pa dhunë. Shoqëria jonë ka nevojë të njohë modelin paqësor dhe të jetesës në harmoni në komunitet si të vetmin model që duhet ta orientojë atë dhe brezat në vazhdim.

Shoqëria jonë ka nevojë të ngulisë mirë në mendësine e vetë se  ndëshkueshmëria e ligjit për atë që dhunon është normë e panegociueshme. Shoqëria jonë  ka nevojë të shohë se çdokush ndjehet sigurtë brenda territorit të vetë dhe se dhuna me bazë gjinore është një realitet për të cilin ka një strategji veprimi dhe ndërhyrjeje nga shteti dhe shoqëria.

Studimet

Studimet sa i takon dhunës në familje janë kryer nga organizma të shoqërisë civile, si përpjekje për të sjellë më shumë të dhëna për këtë  dramë shoqërore. Në vite mund të ketë pasur edhe të tilla që kanë devijuar nga synimi dhe objektivi i punës së tyre në favor të përfitimeve dhe në dëm të misionit apo aspiratës fillestare.

Por,  nuk mund të mos përmendim edhe organizma seriozë siç është  Instituti “Data Centrum”  p.sh. që ka treguar seriozitet dhe përkushtim, apo “Në dobi të gruas shqiptare”, “Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza”, edhe Fondacioni  “Harriet Martineau”  është duke punuar në drejtim të afirmimit të gruas dhe trajtimit të dukurisë së dhunës ndaj saj.  etj.

Një ndihmë e madhe  në këtë drejtim ka qenë edhe mbështetja  e dhënë nga qeveritë e huaja si suedeze p.sh.

M.A. Entela Binjaku

Sociologe & Drejtuese e Fondacionit “Harriet Martineau”



(Vota: 6 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora