E enjte, 28.03.2024, 08:37 AM (GMT)

Mendime

Arbana Xharra: “Motra” e Erdoganit!

E hene, 30.09.2013, 06:54 PM


“Motra” e Erdoganit!

Nga Arbana Xharra

Investimeve strategjike të Ankarasë, të cilat kanë synim rritjen e prezencës ekonomike me qëllim të fuqizimit të influencës politike në Kosovë, tashmë u janë hapur dyert.

Ndikimi i frymës erdogane po shtrihet pa ndalur në Kosovë, me ndihmën e pushtetarëve “vëllezërve” të tij. Fillimisht duke e ditur terrenin e përshtatshëm, situatën e ndjeshme politike, dhe stagnimin në masë të madhe ekonomik, ata kanë zgjedhur format më efikase të shtrirjes së tyre në Kosovë.

E nga ana tjetër, Qeverisë së Kosovës nuk i mjaftoi t’i japë asetet kryesore: Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP) dhe Kompaninë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS) kompanisë “Limak”, dhëndrit të kryeministrit turk, Erdogan, por tashmë po i jep edhe tregun e Kosovës.

Ministrja në largim, Mimoza Kusari-Lila, nënshkroi Marrëveshjen për Tregti të Lirë me Turqinë, e cila liron mallrat e të dyja shteteve nga doganat, duke u lavdëruar se edhe “Kosova do të përfitojë” nga kjo marrëveshje.

Por, për ata që nuk e dinë, brenda vitit Turqia deri më tash ka eksportuar mallra në Kosovë në vlerë prej 200 milionë euro, kurse Kosova ka shitur në tregun e Turqisë vetëm 8 milionë euro. Për të mos harruar se një nga eksportuesit kryesorë të Kosovës në Turqi është ndërmarrja “Ballkan” nga Suhareka e privatizuar po ashtu nga biznesmeni turk.

Kështu që le të bëhen gati prodhuesit vendorë për një “termet” që i pret me vërshimin e mallrave nga Turqia, të cilat do t’u bëjnë konkurrencë marramendëse me çmime tashmë të liruara nga çdo ngarkesë doganore. E për detajet e pasojave që do t’i kenë bizneset vendore, s’ka nevojë për analizë kushedi se çfarë ekonomike.

Është matematikë e thjeshtë, e cila të sqaron se prezenca e një fuqie ekonomike botërore si Turqia në ambientin ku prodhuesit vendorë me mezi mbijetojnë, ata do të dalin nga tregu brenda natës pa fije problemi.

Prodhuesit vendorë nuk do ta kenë të lehtë të përballen me konkurrencën e produkteve turke, ato të tekstilit, ushqimit dhe të ndërtimit, pasi që Turqia është ekonomia e 17-të më e madhe në botë, ndërsa ekonomia e Kosovës është në fund të pusit.

Ky është veprimi i fundit më i dëmshmi ekonomik, që u është bërë prodhuesve vendorë, duke i “sakatuar” në palcë nga vetë Qeveria e Kosovës, e cila po thirret në kritere të barabarta për të dyja shtetet nga kjo marrëveshje. Por një pyetje duhet shtruar: Çfarë ka Kosova për të eksportuar në Turqi?

Degradimi i ekonomisë edhe ashtu të brishtë vendore padyshim se ka një prapavijë të fuqishme politike. Kjo garniturë politike na e ka dëshmuar se është në gjendje të bëjë gjithçka për vëllezërit e tyre turq, ndërsa kësaj radhe pa mëshirë po i vë lakun në fyt edhe prodhuesve vendorë.

Disa vjet më parë Rexhep Taip Erdogan kur u takua me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, e quajti vëlla, tash ka edhe një arsye të fortë ta bëjë motër ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari- Lila.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora