E shtune, 20.04.2024, 04:30 AM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Skënder Buçpapaj

E hene, 30.09.2013, 07:42 PM


KURRË MË NË TROJË

 

SKËNDER BUÇPAPAJ

 

KORBAT QË LASHË ATJE, KORBAT QË GJETA KËTU

 

Korbat që lashë atje

Sykuqtë

Na krroknin

Drejt në sy

 

Korbat që lashë atje janë sykuq

Ngaqë rrinë duke ndukur stërvina

Korbave që lashë atje iu lëshojnë lëng sqepat

Për sytë e njerëzve

 

Korbat që gjeta këtu janë sykthjellët

Ata të shikojnë sy për sy

Dhe ta lëshojnë krrokun

Drejt e në vesh

 

Korbat që lashë atje janë të përlyer

Glasash të veta

Korbat që gjeta këtu e lëshojnë glasën atje ku duhet

Pa bërë kurrë pis kalimtarët e pispillosur

Veturat me dizajne marramendëse

Parkuar poshtë pemëve

 

Korbat që lashë atje janë të stërkequr

Të palarë, të pangrënë, të pagjumë

Korbat që gjeta këtu janë digitalë

Si të dizajnuar në mënyrë kompjuterike

Secili ka faqen e tij në internet

Ndonëse si korbat që lashë atje

Edhe këta nuk janë gjenetikisht të ndryshuar

 

Si të jetë vendi bëhet kuvendi

 

Pra

Korbat që lashë atje

I gjeta këtu?

 

Korba lashë atje,

Korba gjeta këtu.

 

 

PLEPAT

 

Te dritarja e dhomës sime të mësuesit në Ibër-Hasaj të Gashit

Plepat nuk rrinë thjeshtë për të fshirë yjet në prag të agimit

Ata qëndrojnë aty për të thënë

Aty po fle Skënder Buçpapaj

Prandaj mbani aq qetësi e aq zhurmë

Sa duhet për një gjumë të mirë.

 

Plepat ndanë Valbonës

Si matës të nivelit të kaltërsisë së lumit

Nuk rrinin gjithmonë për të treguar

Se gjithmonë lumi i kaltër do të kalojë aty

 

Poshtë Urës së Bujanit

Ata rrinin aty për të treguar

Se nëpër të përthimë të ditës së re

Këtu do të kalojë mësuesi i fshatit dhe poeti i Alpeve Skënder Buçpapaj

 

Plepat rrinë pranë brigjeve, urave, lumenjve

Dregëzohen, lëmohen, gjethohen, zhgjethohen

Gjysmëdrejtëza të hequr nga toka drejt pafundësisë

Për të treguar se nga pafundësia

Pasi të ketë lënë në pritje të gjithë plepat e botës

 

Do të rikthehet përsëri te plepat e vet

Skaj dritares së mësuesit në Ibër-Hasaj të Gashit,

Skaj lumit aty ku merr udhë për nën Urën e Bujanit

Gjithandej brigjeve, urave, lumenjve.

 

 

NDAL SOKOL FALU ME MUA

 

Shpendi

Sogjetar

Mbi prenë e vet

Përgjon nga hapësira

 

Plakat

Në dyer të tabaneve

Në Lug të Vrellës

Tellën e Pranverës

Balçinë të Luzhës

Lugun e Vocit

Gjarpër

Tëbanët e Hetës

Të baraslarguara

Nga shpendi sogjetar

Besojnë

Se një ditë tjetër të lume

Do t’u falë

Shpendi fatsjellës

 

Rrudhat e tyre

Apokaliptike

Palojnë flatrat

Si shpend të butë

Në fytyrat shekullore

 

Ato bien erë tambël vedrash

Njëqind vite larg

Deri këtu në fund të botës.

 

 

POEMA E TPLANIT

 

Tplani

Prej Moknit në Arvejë

Prej Ballfushës në Kryekand

Është metropoli botëror

I bretkosave.

 

I kam merak

Se ato, në miliarda,

Mos më mardhin

Në gjumin e tyre letargjik

Nën akull.

 

Pa muzikën e tyre

Nuk vë gjumë në sy

As këtu midis Alpeve të Evropës.

 

Druaj se mos më mardhin

Rrëshqanorët e bokave

Zhguallorët dhe jozhguallorët

Ata flenë çdo vit nga gjashtë muaj

 

Duke mos e ditur

Sa i kushton botës së çmendur

Ky gjumë i pafajshëm i tyre.

 

Druaj se më mardh

Fauna me gëzof në karma,

Prapshtia, shullëre

Druaj se mos më mardhin në shtëpitë e ftohta

Shkretanët, mbrapshtanët,

Gubanët, qurranët,

Zhelanët, breshkanët,

Gjenialët e Tplanit.

 

 

MOJ E MIRA NË ORTEK TË BORËS

 

Ajo ishte midis diellit

Dhe ortekut të borës

E bardha.

 

Dielli ishte midis

Së bardhës

Dhe ortekut të borës.

 

Orteku i borës

Ishte midis

Diellit

Dhe së bardhës.

 

Flokëbardhën

Sybardhë

Qerpik-bardhë

As me sy

As me të prekur

Por vetëm se kundërmonte zanë mali

E dallova

 

E bardha

Tamël deleje

Mjelë në ortek të borës

 

Isha i zanuari i zanës

 

O.

 

 

DRENUSHAT

 

Ato janë nisur nga natyra për florë

E kanë dalë faunë.

 

Drenushat dalin

Nga errësira e pyllit

Në dritën e lirishtës

 

Për ta parë veten

Në pasqyrat e pafundme

Të pikave të vesës

 

Drenushat frikësohen nga bukuria e tyre

Më shumë se nga egërsia e bishave

 

Vrapojnë nga drita e lirishtës

Për në errësirën e pyllit

Që ta fshehin bukurinë e tyre

 

Në pikat e vesës

Ka mbetur pamja e drenushave

 

Fërfëllojnë drenushat

Dhe dridhet pylli

 

Prej meje pse ikin drenushat

Unë kam dalë të shfletoj errësirën e pyllit

Dritën e lirishtave

Për të koleksionuar

Lotët e drenushave

 

Sepse drenushat janë

Më shumë florë se faunë.

 

 

RETË

 

Retë e bardha

Do të qajnë për mua

Me lotët e drenushave

Bjeshkët do të dënesin

Me ofshamat e pishnajave.

 

 

EMIGRANTI

 

Dalëngadalë

Dalëngadalë

Gjithnjë e më shumë

Emigranti e ndjen

Se kufijtë e Atdheut

Ngushtohen

Ngushtohen

Jo më larg

Se lëkura e trupit

Në të cilën

Emigranti rron.

 

 

EKZOTIKAT E BARDHA

 

Ekzotikat e verdha

Ekzotikat e zeza

Kanë hedhur rrënjë

Në anët tona

Kanë pushtuar

Shtretërit e burrave

Tashmë vendin e tyre e kanë zënë

Ekzotikat e bardha.

 

Dikur të hyje në orbitat e tyre

Ishte si të hyje në oribitat e orteqeve

Të linin pa frymë

Cung në rrah.

 

Çdo Saharë

Me një frymë

E bleronin.

 

Tash ato janë ekzotika të bardha

Janë hëna dite

Asnjëherë njëlloj

Herë të plota e herë fragmente

 

Gjithnjë e më shumë

Dekore të panevojshme

Tani ato

Janë Antarktida

Mardh deri në shndërrim në mermer

Planeti

 

Burrat e në shtretërit e tyre

Janë të rrallë

Sa eklipset e diellit

 

Ato mbushin faqet e rubrikave

Ku kërkohen partnerë shtrati

Të fshehura nën shifra, kode, pseudonime

 

 

EVOKIM

 

Sapo ka shtyrë tutje lëvozhgën nga ka dalë

Zogu i vogël ka vënë në sy një gjethe të sapoçelur ahu

 

Vë re se si ujëvarat e Valbonës

Krye Rrogamit të Shalës

Shpërbëhen në shpendni

Të pafundme ylberesh

 

E ëma

Ia jep një gjethe ahu në sqep

Ta ketë baraspeshë

Për fluturimin e parë.

 

Në sfond të linjave të tensionit të lartë

Në sfond të teleferikut të minierës

Nga oborri i një shtëpie

Vjen aroma e një buke të valë

Të sapodalë nga çerepi

 

Zogu mbush kraharorin

Me aromën e bukës

Në prag të fluturimit të parë

 

 

PYLLI NUK DURON PRISHJE QETËSIE

 

Pylli duron vetëm fëshfërimën e gjetheve të tij

Dhe shushurimën e lumit që i kalon pranë.

 

Kacafytjet midis të fortëve e të dobëtëve

Çarjet e pishave nga rrufetë

Rrëzimi i bredhave nga bora

Janë vetëm përjashtime nga rregulli.

 

Pasi është ngopur me prenë e vet

Gjithkush lëpihet, vetëkënaqet dhe fle

Në folenë e vet, apo shtrofullën e vet

Nëpër degë, zgurliqe, shpella, tunele nëntokësore

Dhe pylli e merr përsëri në dorë situatën.

 

 

DETET, OQEANET KANË FRIKË SE MOS SHKON LUMI T’I PËRPIJË

 

Detet

Oqeanet

Për më tepër oqeanet

Kanë frikë

Se mos shkon lumi

T’i përpijë.

 

Lumi lind

Në trajtën e një pike vese

Që rrëzohet nga një fije bari

Iu shpëton zogjve e insekteve

Që mund ta shuanin etjen me të.

 

Përfund brushtullave

Përfund zalleve

Lumi merr vrull të çajë shkëmbinjtë

Të arrijë detet dhe oqeanet

 

Detet

Oqeanet

Tranohen

Tremben

Vërtiten në qiell nga frika

Tmerrohen

Ç’trimërohen

Ikin nga brigjet

Rikthehen në brigje

 

 

QENTË E KËTYRE ANËVE

 

Qentë e këtyre anëve

E njohin të zonjën

Por nuk e njohin vetveten

 

Gjithnjë e më asocialë

Ata bëhen

Kur shohin veten të pasqyruar

Pranë zonjave të tyre

Gjithnjë e më xhelozë

Kur e shohin veten

Në foto shtrati

Me zonjat e tyre.

 

 

KUJTESA E LUMIT

 

Lumit i janë dashur shekuj

Për të skulpturuar

Këta zambakë në gurë

Në lartësitë e shkrepave.

 

Duke gërryer thellë e më thellë luginës

Lumi i është përmbajtur gjithnjë filozofisë

Se lumi nuk e harron shtratin e tij

 

Por tashmë është tepër vonë

Në skulpturat e lumit

Tashmë sfilon era

Bën pirueta era.

 

 

PËRKUFIZIM

 

Nëse harresa

Është proces i domosdoshëm e kujtesës

 

Atëherë nata

Është proces

I domosdoshëm

I ditës

 

Me gjuhën e Borhesit

Është i njëjti lumë

Që turbullohet

Për t’u kthjelluar.

 

 

ASTRONAUTËT

 

Të shikosh botën

Nga maja e qiellit

Është pak a shumë

Ta shikosh botën

Nga maja e lisit

Nga maja e kodrës

Nga maja e malit

 

Njeriu shkon më larg

Për të vështruar më gjerë botën

Që ashtu të depërtojë

Më thellë botës.

 

 

STINË DASMASH NË BERISHË

 

Prej Berajve

Në Mash dhe në Rushtë

Është stinë dasmash

Në Berishë.

 

Trungjet e mollëve

Mezi i mbajnë skelat pa u shqyer

Degët e mollëve

Mezi i mbajnë furkëzat pa u thyer.

Si çdo vit

Pemë pa masë ka falë Zoti.

 

Nga shtëpitë prej druri

Fshehur mes pyllit të pemëve

Në këtë stinë dasmash

Si farat e mollës në frut

Ndihen vekët e çikave

Që bëjnë pajën e nusërisë.

 

Sekush nga dhëndurët

Dallon zemrën e Nafijes së vet

Nga ritmet e vekëve.

 

Nga tunelet e pemëtoreve

Dalin një nga një taksitë e nuseve

Me ojme të bardha rrethuar

E flamur të kuq valvitur

Nëpër ajrin e dehur prej erës së mollëve.

 

Është ujë çikash

Thonë pleqtë.

 

 

PSE TË MOS

 

Pse të mos ishte qielli

Një perde e lëshuar

Deri në konturet e tokës.

 

Pas saj ne të zhdukeshim

Sapo t’iu sillnim mërzitje

Spektatorëve tanë.

 

Dhe të rishfaqeshim

Vetëm e vetëm

Me kërkesën

Padurueshëm ngulmuese

Të spektatorëve tanë.

 

 

KOHA E TRIMËRISË SË LEPUJVE

 

Koha e trimërisë së lepujve vjen kur dimri është në pikën e Marazit të Madh, kur bora shkon deri në krevetët e shtëpive deri në çatitë e plemeve mbi çarranikët e bulmetit koshat e drithit bunarët kur në fytyrë të tokës sundon e bardha absolute kur natyra është nën uniformën e kristaleve të borës deri tw sytë dhe qerpikët e saj kur hëna e plotë pingul në kupë të qiellit nuk lejon asnjë trup të natyrës të lëshojë hije kur zogjtë fshihen në puplat e tyre kur qentë bëhen kutullaç në koliba kur frymët e njerëzve vënë një gisht akull në xhama kur edhe ëndrrat kanë frikë të gjejnë gjumin e njerëzve në shtëpia e të gjësë së gjallë në ahure e pleme kur egërsirat struken në gëzofët e tyre nëpër strofulla kur era nuk guxon të prishë paktin e heshtjes dhe hapësira nën hënën llamburitëse po të të shpëtojë nga dora thërrmohet në thërrmoja e spirra të pafundme e të binte në borën llamburitëse atëherë vjen koha e trimërisë së çartur të lepujve të cilët në kohë jo trimërie kanë frikë edhe nga hija e tyre ata dalin nëpër cipën e hollë të krijuar sipër borës së ngrirë dhe mësyjnë pemët e reja në oborre nëpër pemëtore në grupe në çifte në tufa dhe fillojnë e brejnë lëvoret e njoma të fidanëve brejnë filizat njëvjeçarë të pemëve pastaj i lëshojnë në mënyrë sfidante kakërdhitë në rrëhe të oborreve në pragje të shtëpive mbi çati të plemeve kur dielli ia merr hënës kur hëna nis të lëbardhet si sy me shkëlli si sy me katarakt lepujt trima rikthehen në strofullat e tyre dhe ia këpusin kokrrës së gjumit të ngopur me lëvore të njoma pemësh dhe të ngopur me kënaqësinë e sfidës që ua kanë bërë njerëzve koha trimërisë së lepujve është koha e trimërisë së vdekur është koha kur pulsi i gjallë i trimërive nuk ndihet kurrkund në fytyrë të tokës. Atëherë lepujt haçkabanët e kohëve të tjera gjejnë kohën për të bërë sfidë ndaj gjithë trimërive zulmave bëmave të të tjerëve a po je trim kur trimërohen lepujt lind pyetja në shtëpitë e lyera me porcelan bore pranë vatrave, ku shpuza është bërë kallkan, ku gacat janë bërë thëngjij të frikshëm njerëzit hapin portat dhe shikojnë pemët e lëvoruara pemët që në pranverë nuk do të kenë më as gjethe, as lule as fruta dhe i mallkojnë lepujt, të cilëve atje në kokërr të gjumit iu bëhen shëndet mallkimet e dala prej së kopurit së plasuri të zemrave. Njerëzit mbyllin dyert dhe ngjeshën pranë njëri tjetrit, duke e ditur se nata e mbrëmshme ia lënë vendin natës së sotme dhe ata nuk mund të bëjnë asgjë për të ndalur trimërinë e lepujve të cilët në pikë të natës prapë do të fshijnë sytë në kulm të kënaqjes dhe do të vërshojnë drejt pemëtoreve e do të brejnë lëvoret që kanë mbetur e do të hidhen, duke ua lënë njerëzve për të nesërmen gjurmët përpikmërisht të çapërpikura simetrikisht të asimetruara mbi cipën e borës mbi cipën vajzërore të paprekshmërisë së borës dhe kakërdhitë në pragjet e shtëpive nën strehët në rrëhet në lëmenjtë ky është kijameti i kohës koha e kijametit e trimërisë së tërbuar të lepujve O Zot

 

 

POEZI KU TË GJITHË EMRAT, MBIEMRAT, FOLJET, PËREMRAT, NYJAT KËRKOHEN NË SHUMËS

 

Ashtu

Ne i zhdukëm të gjitha faunat

D.m.th

Faunat e pyjeve, faunat e ujërave,

Faunat katërkëmbëshe, rrëshqanorët,

Fluturuesit, notuesit, amfibët,

Mishngrënësit, barngrënësit

Ne

Ato

I zhdukëm.

 

Atëherë

Lindën pikëpyetjet

Me cilët do t’i zëvendësonim faunat

Pasi natyrat nuk mund të mbijetojnë

Pa ekuilibret natyrore

Natyrisht

Ne do t’i zëvendësonim faunat.

 

Nëpër ndërrime të kohëve

S’ishte çudi

Na hipnin në kokat instinktet

Për të ulëritur

Për të çarë stërvinat kënetave

Sytë na skuqeshin

Si të qenve, si të ujqërve

Nëpërmjet qafave

Kokat bashkë me vrimat e tyre

Na tërhiqeshin brenda zgoreve

Si të breshkave.

 

Na hipnin në koka dëshirat

Për të pasur pyje

Ku të fshiheshim

Dhe t’ua jepnim ulërimave

Me të gjitha barqet e të gjithë kraharorët

Gjer në kupat e qiejve

Meqë nuk kishim pyje

Zhyteshim në moçalet

Dhe herë pas here dilnim

Krejt të verdhë

Prej lëmashqeve të qelbura.

 

 

E SHITUARA E NATËS

 

Nga terri pus

Ra një ujk dhe çukërmimi

Në torishtën e deleve.

Jo ulërima e sharovit

Krisma e thatë e pushkës së bariut

E trembi ujkun

Dhe ai la vetëm duhamën e fytit

Dhe gacat e syve të ballit

Në sytë e një deleje

Të bardhë si qumështi.

Përkrye gardhit

Turr mbas ujkut

Shtegut pa shteg

Ngarendi delja

As pyll as terr

Nuk i panë sytë

Veç atij ujku

Që ikte më shpejt se plumbi

I hutës së bariut.

As frymë në shpirt

As të pame në sytë

Veç atë duhamë të fytit

Ato gaca të syve të ujkut

I kishin mbetur në botë asaj deleje.

 

Në fund të territ pus

Atje ku shkrepnin pyjet në dritë qumështi

Atje ku shuheshin në ditë yjet

Dhe humnerat rrafshiteshin nga mjegullat shterrzane

Shtangu atë ditë e sot delja

Dhe asgjë tjetër s’dëgjohet më

Veç trokitja e zemrës së saj

Në kraharor të ujkut

Që e përpiu veten.

 

 

LINDJA  E HËNËS NË PYLL

 

Sa shkrepi nata

Nën futën e saj zi të reve

Unë kisha rrugë për larg

Në çdo hap merrja në thua në vetëtimat

Bubullimat më shkonin përpjetë shtatit

Pylli si foshnjë e lebetitur

Më dridhej para syve

Mbaruan retë së shtrydhuri

Sipër fletëve të pyllit

Në horizontin si një pikë loti

Pylli lindi hënën e vet të përnatshme

Një erë te vona në mua

E shkundi shiun e fletëve të pyllit

Fauna gjitarë e shkundi në mua gëzofin duke ikur në jerm

Shpendët nëpër gjumë e shkundën në mua shiun e flatrave

Deri lakuriqët, minjtë dhe urithët

Rrëshqanorët i shkundën korracat

Në mua e shkundën shiun e natës.

 

Unë isha i vetmi që e pashë

Lindjen e hënës në pyll.

Ishte një natë gjumërëndë.

Asnjë shpirt faune

Asnjë dritare shtëpie

Nuk çeli sy për të parë

Ritualin e përnatshëm

Të lindjes së hënës në pyll

Unë isha i vetmi poet

Që dëshmoja lindjen e hënës

Unë kisha rrugë për larg në pyll

Futën e natës kisha në trup veshur.

 

 

PA

 

Dasmat bëjini pa mua

Unë kurrë s’kam qenë

Dasmori juaj kam qenë

Kam qenë udhëtari që më ka zënë udha

Në dasmat tuaja.

 

Vdekjet bëjini pa mua

Mos i vononi mbi dhè

Ata që shkojnë këso bote

Unë kurrë s’kam qenë

Përmortësi juaj. Kam qenë

Udhëtar që më ka zënë udha

Në mortjet tuaja.

 

Kam qenë udhëtar që s’kam pasur prehje

Sipër tyre duke shkuar

Kreshtat dhe luginat

I kam bërë lavra-lavra

Duke udhëtuar

 

Lavra lavra ma kanë bërë ballin

Mendimet e udhëve.

 

Askujt

Sytë nga dera

Të mos i mbeten për mua.

 

 

MBI MALE

 

Jemi bimë shpirti

E maleve

 

Kur shkojmë mbi male

Lumenj na vijnë

Deri te qerpikët

Pyjet na zbresin

Deri te qerpikët

 

Pyjet

Janë qerpikët tanë

Me gjelbërim të

Përjetshëm

 

Lumenjtë

Janë sytë tanë

Që mbajnë në fund të tyre

Qiellin

 

 

SAGA E KALLUKANXHËS

 

Në kohë të Kallukanxhës

Mjegullat s’të lënë të shohësh

As gishtin që të futet në sy.

 

Nga rudinat

Ndihen vetëm përçakët e barit

Që qajnë nëpër erë.

 

Shpendët i anulojnë fluturimet

Rrinë me flatrat ngjitur pas trupit

Dhe kanë uri e etje

Për qiellin që kishin pasur

 

Bishat që i zë në rrugë Kallukanxha

Nuk i gjejnë kurrë shtrofullat e tyre.

 

Ne i marrim të imtat dhe gjedhet

E i çojmë nëpër ashta

Ku Kallukanxha nuk arrin kurrë

Përmes gjetheve hermetikisht të kapura dorë për dorë

 

Delet hanë tërfojë rrotull drurëve

Lopët kampula të ashtave

Ne kullotim dritën

Që kullon e kaltër

Mes kolonave të drurëve

 

Pastaj vjen nata

Dhe ne e marrim përdore veten

Dhe e çojmë në atë pak dritë

Që ka mbetur në një kajz pishe

Diku në fund të shpirtit tonë.

 

 

ART NAIV

 

Herët në jetën time

Para moshës së shkollës

Para moshës së librave

Para moshës së artit racional

Duke luajtur me mellë të zezë

Me mellë të kaltër, me mellë të verdhë

Unë kam krijuar njerëz prej melle

 

Mbrëmjeve e kam ndërprerë lojën e i kam lënë skulpturat e mia vetëm.

 

Të nesërmeve nuk i kam gjetur më skulpturat e mia.

 

Kam menduar

Se deri në vazhdimin e lojës

Skulpturat janë plasaritur nga vapa

Janë zhdukur nga shiu

Pa dashur t’ia di për fatin e krijesave të mia

Me të njëjtin zell loje

Kam vazhduar artin tim të skulpturës

Ua kam hequr me duart e mia

Mellën e tepërt ku ishin ndryrë

Krijesave të mia

Të cilat kanë pësuar të njëjtin fat

Ndoshta në duart e erës, të ujërave dhe të avujve.

 

Tevonave

Njerëz me tiparet e skulpturave të mia

Ndoshta të tërbuar nga harresa ime totale ndaj tyre

Shpesh e më shpesh më janë vërsulur me hakmarrje

Ata kanë bërë gjithçka

Që unë në një pikë të caktuar të jetës sime

Të kujtohem për krijesat e mia

Për tiparet e papërfunduara

Për tiparet e reduktuara

Për tiparet e ekzagjeruara

Prej melle

Që i kishin pasur ata

Kur s’kishin qenë asgjë tjetër

Veçse skulpturat e mia prej melle.

 

Pasi iu kanë mbijetuar plasaritjeve prej vape

Pasi iu kanë mbijetuar thërrmimeve prej ere

Pasi i kanë mbijetuar shuarjes prej shiut

Njerëzit prej melle

Kanë bërë gjithfarë karrierash

Për të pasur një ditë, një minutë, një sekondë të vetme

Fatin tim në duart e tyre.

Por nëse fati im s’ka rënë asnjëherë në duart e tyre

Ata së paku kanë bërë që të kujtohem

Se ata janë të njëjtit njerëz prej melle

Të cilët edhe nëse s’kanë lënë të zezë pa e bërë në këtë botë

Nuk kanë ndryshuar dot asgjë

Në asimetrinë e pandreqshme

Të artit tim naiv

Që i krijoi

Në atë moshën time

Që përkon me moshën e pafajshme

Të çdo njeriu në botë.

 

I kisha lënë pa tiparin e të menduarit

Hajt nesër kisha menduar me vete.

 

 

UMBERTO EKOS

 

Njerëzimit me një Zot të vetëm

Për shumë shekuj

Me të drejtë

I është ndaluar

E qeshura.

 

Sepse njerëzimi

Ende ka qenë tepër i pa përkryer

I dobët

Për të përballuar

Të qeshurën.

 

Përderisa ende

Shumëkush

E quan majmunin njeri të përkryer

Vetëm pse e zotëron të qeshurën.

 

Njeriun

E dallon nga majmuni

E qara

Dhe jo e qeshura.

 

Këtë e ka harruar

Emri i Trëndafilit.

 

 

AKAPELLO   E   UJQËRVE   TË    FËMIJËRISË   SIME

 

Tani që s’ka më as pyje as shqerra,

S’ka më as ujqër-

Ndaj na duhet të hallisemi me ujqërit e fëmijërisë sonë.

 

Trishtimin dhe vetminë për herë të parë ata na e mësuan

Kur ulëronin a kapello anës së maleve

Dhe gjithçka poshtë këmbëve të tyre

Shndërrohej në hon kumbues

Instrument aerofon

Për zërin e tyre

Dhe hëna si gjethe e plakur

Dridhej prej thirrjes së tyre.

 

Bishat ulërinin sa u mbante koka

Trishtoheshim ne të vegjlit që pelenat na tereshin në gardh

Trishtoheshin shqerrat në torishtat buzë arave

Dhe përrallat për ujqër dhe qengja që u turbullojnë ujin ujqërve

Na tingëllonin një absurd.

 

Tani që s’ka më as pyje, aq shqerra,

S’ka më as ujqër.

Dhe mua më vjen keq për ata që lindën vonë

Dhe ëmbëlsinë e muzikës e mësuan nga radiot, televizorët,

Nga orkestra me instrumentistë, dirigjentë të shkolluar.

 

Më vjen keq-

Ata muzikën s’kanë për ta shijuar kurrë.

 

Sepse ata s’e kanë dëgjuar kurrë a kapellon e ujqërve

Që i shndërronte në instrument ujërat, drurët dhe gurët.

Ata s’e kanë provuar si ne

Të riprodhojnë menjëherë pas dëgjimit

Javë e muaj e vite nga shpirti

A kapellon e ujqërve.

 

Ata që lindën vonë

Pagjumësinë ndoshta do ta mësojnë nga zënkat banale të prindërve

 

Ne pagjumësinë e mësuam

Nga brenga pa shpjegim

E a kapellos së ujqërve të fëmijërisë sonë.

 

 

ALUSHANI, BALUSHANI, KËMBKANJUSHA, QAFËQURANI DHE TË TJERËT

 

Alushani kopilani bukë të thekur djathë prej stani sipër fotos

Së një nudoje ka shtruar, han, pshurret e përjarget Alushani

Bën thërrime, stërblak vendin por s’i mbledh me dorë virani

E shtrin gjuhën sipër nudos, mbledh thërrimet edhe dromcat.

 

Jashtë bumbllon e fryn murlani, dridhen pamjet e krejt botës

Bien muret si bukëvale mbas mbarimit të luftë-ftohtës

Borë në degë, akull në xham, bukë e thekur në shporet

Klaudia Shiferin, Sharon Stonin i lëpin Lushi mbi gazetë.

 

Balushani më poet, më kopuk dhe më alush se Alushani

Sipas ngjyrës që gjatë seksit marrin zhaba me zhabanin

Tek përfenden, tek përçiten, tek përcillen dhe përcallen,

Metaforat herë të gjelbra, herë azure, herë të bruzta i vërdallen.

 

E mëlmen hori kafjallin në shullë të Naomi Kempbellit,

Siç i thosh gjyshja në përralla, me bukë hini e mish mini,

Dhe balluket jele-jele si të mëzit të Eseninit

I tranohen midis ballit, për pllejmejtse i pëlcet cipa e dellit.

 

Dimër, verë, pranverë e vjeshtë ndërrohen, rihen, përtërihen prapa xhamit

Sipas ritmeve të bretkut mbi bretkosën dhe të breshkës mbi breshkanin

Sipas ritmeve khë e khë – e khë e khë të Zeqirit mbi Shkurtanin

Në moçalet kolkoziane, në ligatat torfiane të Fundtplanit.

 

Këmbkanjusha pi duhan, shkruan artikuj, kruan atë sendin,

Vithearushës, thonë, balusha s’ia lë çarën kurrkund shtrigës,

Nuk lë sensacion pa mbledhur në azhanset e Ilir Zhillës

Ua vërvit rivaleve që në fushë të Balushanit ia zënë vendin.

 

Një kafshë bukë mësyn, e merr vrik në gazetë të Alës,

Ja shikon gjuhën e bukur si iu bie rreth viseve të Madonës

Gjuhë rozë, pak e kaltër, e verenikur si e lopëve të Lorkës,

Këmbëkanjusha sy për sy e tradhton Balën me Alën.

 

S’ka si Ala, s’ka si Bala, s’ka si Zala, Tala, Mala,

As këndej, as andej Murit të Berlinit, paj qe besa, s’i ka kush

O Alë he Alush, o Balë he Balush, o Zalush, Talush, Malush,

Iu çon shëndete Dull Lugati, iu bën të fala:

 

Demokracia s’është vetëm ha e pi e rri e .i – e .i – ëhë,

Demokracia ka fut-mbrapje, ka ndërskamca, ka skërbishta,

Këmbëkanjusha, fund vetes ka dy bira, në formë V-je merr dy gishta,

Pikëçuditje marrin tjerët (!), marrin të mjerët veç nga një.

 

Qafë-qurani nëpër birën poshtë trupit e përdredh qafën si kulpër

E nxjerr kryet prapë mbi supe për t’i thënë bota qafëshkurtër

S’i dëgjon fjalët e popullit mjerë qafë-shkurtëri e lumë qafëgjati

Kozmopolit më shumë se tjerët paska qenë ky krahthati.

 

Hajt i shkreti, ka një zor, shtiret si me qenë verior

Lucatet e lucitet, mbythet, karambythet e belbon

Qafë-quran, je haçkaban, s’je Alushan as Balushan

Këmbkanjusha ty të tha ik andej, ti more Tan.

 

Qafë-quran ti ke veç zuzë, Këmbëkanjusha ka edhe fuzë,

Fytit të oxhakut tullug fuza i nxjerr flakë e shpuzë,

Je qyqan, vreman, shkulan, belban, shtremban, katran i zi,

Ta dish mirë, tha Balushani, bën partia edhe pa ty.

 

 

ANTIBIBIBLIKE

 

Pasardhëset e Evës

Janë bimë hijedashëse.

 

E para e tyre

Përvojën e parë e mori nga pema e mollës

E cila u vesh me gjethe në pranverë.

 

Gjarpri apo gjarpërushja

Kishte pjesën e vet në hije sikurse vetë Eva

Por nuk kishte pjesë

Në krimin biblik.

 

 

PËRROI

 

Ai rend gjithnjë drejt burimit të vet

Duke i ikur lumit dhe detit.

 

Rërën e ka prej syve të zogjve

Që u plasën

Nga mallkimi i foleve.

 

Merret vesh me Djallin për hesap të Zotit!

 

Vetëm ndonjëherë

Kur aty mbyten kopila

Ai i bën përrua lumin dhe detin.

 

Lëmashku u mbetet brigjeve

Si gëzof zhapinjsh.

 

Merret vesh me Djallin për hir të Zotit!

 

 

GJARPËRI I BOKAVE

 

Krojeve

U ka fluturuar trupi

Dhe u ka mbetur shpirti

 

Etjen time e shuaj

Veç me helmin tim

 

 

FAUNË TIRANASE

 

Gjoja metropoli, keshe metropoli, kinse metropoli

Për të dalë prej kënetës së origjinës së vet

Statujave të lavdisë i varen bretkosat zhabat

Lëmashku i qelbët i varet fasadave

Dikastereve, tregtoreve, diskove

Duke dalë që andej

Krokodilë me dhëmbë të krimbur, krokodilë me dhëmbë të prishur

Kërkojnë elektoratin e humbur kioskave

Krokodilëve iu merret goja, krokodilë të shkretën

Nuk e thonë dot fjalën kooperativë

Krokodilët natën bëjnë derzhurn sipër piedestaleve boshe

Krokodilët ditën i pëgërin piedestalet boshe

Krokodilët natën nusërojnë sipër piedestaleve boshe

Krokodilët ditën mallkojnë piedestalet boshe

Krokodilëve u merret goja

Krokodilëve u merret goja

Kur kërcënojnë përmes dhëmbëve të gërryer

Krimbat kur gjallërohen kur fërshëllejnë

 

Metropoli gjoja, metropoli keshe, metropoli kinse

Bën t’i vidhet kënetës së vet të origjinës

Në fund të kënetës, në llum të kënetës

Ai ka ëndërruar grataçela qerpiçi

 

Metropoli, metropoli, metropoli,

Gjoja, keshe, kinse

Zot bëje ëndërr kënetën

Ndërsa këneta i han vithet e rëna

Zot bëje ëndërr kënetën.

Lapraka, Shkoza, Brraka, Jalliasi

Imitojnë Harlemin, Bronxin, Manahatanin

Ëndërrojnë gjithsesi, gjithsesi kontinentin.

Bën të dalë e s’del dot nga Gropa e Ajdinit

Gjoja, keshe, kinse

Metropoli, metropoli, metropoli.

 

Metropoli i bie fyellit të vet vetëm në një vrimë

Ha në atë vrimë,

Pi në atë vrimë

Qet nevojën e hollë dhe nevojën e trashë

Nëpër atë vrimë

Përjeton orgazmën

Riprodhon vetveten

Nëpër atë vrimë

Ashtu metropoli i bie fyellit vetëm në një vrimë

 

Metropoli Ronxho

Metropoli Bonxho

Metropoli Ronxho Bonxho

 

Acidi klorhidrik

Kundërmon në fasadat e ndërtesave

Të firmave, të selive të partive,

Redaksive të gazetave

Nga mëngët e kamishave, të pantallonave

Të deputetëve, ministrave.

Me sytë e zgurdulluar

Njëra palë ia lëpin tjetrës

Acidin klorhidrik

Pastaj kthehen

Dhe lëpijnë vetveten

Deri në amortizim të skajm

Minjtë ndërzehen me macet

Macet ndërzehen me qentë

Qentë e rrugëve

Me qentë elitarë të vilave

Strebat e djathit me strebat e qumështit

Ndërzehen të majtët

Me të djathtët

Ish të burgosurit dhe të përndjekurit

Me ish-burgosësit dhe ish-përndjekësit

Pozitarët me opozitarët

Shkrimtarët realsocë me postrealsocët

Lypsarët me milionierët

Fondamentalistët me liberalët

Orientalët me oskidentalët

Ballistët me komunistët

Avionët supersonikë me zisët dhe me zilet e moçëm

Bensat me xinfutë

Karrocat me fiatet

Minipantollonat me maksifundet

Minifundet me maksipantollonat

Të kultivuarit me të pakultivuarit

Kryqat orientalë me kryqat perëndimorë

 

Metropoli bie

Erë mbathje të palara

Bie erë qyteti konviktorësh

Provinicialesh të shputuara

Njëzet herë në ditë

Për të grumbulluar shumën

E bursës mujore.

 

Fosfori i syve të maceve

Bie në acidin klorhidrik

Të rënë nga vegët

E bushtrave.

 

Ti ishe i vetmi kinsemetropol ateist në botë

Megjithatë

Emrat e objekteve të tua

Ishin tabu

 

Gjoja metropoli

Keshe metropoli

Kinse metropoli

Përpiqet t’i nxjerrë veshët mes plehut

Të kapë tinguj

Bretkosash dhe bretkësh

Të lashtësisë së vet moçalore.

 

 

KURRË MË NË TROJË

 

(Lekë Paridi)

 

Ju betohem si dardan

Në nderin e Lekë Paridit.

Kurrë më nuk do të shkoj në Trojë

Sepse tok me Helenën

Tashmë udhëtoj kudo nëpër botë.

 

Atë ditë, pikërisht atë ditë që unë do të shkoja në Trojë

U mblodh me urgjencë, jashtë sesionit parlamenti trojan të vendoste

Që unë të mos kthehem kurrë më në Trojë

Që mua të më përzënë përfundimisht

Nga Troja

Për këtë kanë votuar njëzëri

Deputetët trojanë

Pikthi dhe Qokthi, Doku dhe Shtogu,

Poli Nord dhe Poli Sud,

Lajthia dhe Kajsia dhe Qershia,

Bjeshka dhe Breshka, Oktapodi dhe Gaforja,

Iriqi, Besniku, Shkrepi dhe Lisi.

Madje edhe vetë Kali i Trojës.

Po atë ditë ata kanë vendosur

T’iu sajojnë helenëve një Helenë tjetër

Me të cilën të ngrysë pleqërinë

Menelau i gjorë.

 

Ndërsa unë isha në Smirnë tok me Helenën

Për t’i rrëfyer Homerit ngjarjen e vërtetë

Mirëpo Homeri parapëlqeu më mirë të gënjejë

Sesa të mos pushojë kurrë sherri

Mes trojanëve dhe grekëve.

 

Që atëherë unë s’kam shkuar më në Trojë

Ndonëse së toku me Helenën

Sipër airbusëve kemi shkuar

Në Smirna, në Kostadinopojë,

Në Atenë, Spartë, Aleksandria,

Në Luksor, Asean, Persi,

Në Moskë, Pekin.

Në botën e re postkolumbiane

Nëpër Sheratonët dhe Hiltonët

Por në Trojë…

Kurrë më s’kam për të shkuar në Trojë,

Sepse atje trojanët me rrasat e muranave nëpër kraharorë

Vazhdojnë të pinë për fitoren me helenët

 

Në Iliri

Në Mesopotami

Në Indi

Në aeroporte kemi parë

Bukuroshet kolkolziane të Lindjes

Që shkonin t’i shkrinin gjakun Perëndimit

Ku sapo kishte mbaruar Lufta e Ftohtë

 

Ndërsa Helena e sajuar prej trojanëve

Edhe në atë botë

Përdhunisht vazhdon të bëjë dashuri

Me Menelaun.

 

Ju betohem për këtë si dardan

Për nderin e Lekë Paridit.

 

 

RRUGA NË PYLL

 

RRUGA QË KA HUMBUR NË PYLL

RRUGA QË U KA HUMBUR NJERËZVE NË PYLL

 

Është fshehur

Nën palat e gjetheve të ahave

Nën myshqet e trungjeve

Nën gëzofët e arinjve

Është bërë hermetike

Si ëndrrat e letargjikëve

Është bërë e pakapshme

Si jermi i zogjve

Rruga në pyll

Ka humbur

Si fëmijët

Në lojën symbyllazi

E pafajshme

Si fëmijët.

 

 

VALBONA DHE ALPET

 

Nuk janë ujërat e saj

Nga ato ujëra

Që marrin trajtën

E enës së vet.

 

Valbona

Ua ka dhënë trajtën që ka dashur

Këtyre Alpeve

Dhe Alpet

Janë ato ujëra

Që kanë marrë

Trajtën e enës së vet

Valbonës.

 

 

MË PËLQEN TË DËGJOJ HESHTJEN E PYLLIT

 

Më pëlqen të dëgjoj heshtjen e pyllit

Të nënvizuar prej lumit

Më pëlqen të dëgjoj heshtjen e blertë të pyllit

Të nënvizuar kaltër prej lumit

Më pëlqen të dëgjoj heshtjen e zhurmshme të pyllit

Të nënvizuar bujshëm prej lumit.

 

 

AH GJON I GJERGJIT TË GJONIT

 

Ah Gjon

I Gjergjit të Gjonit

 

Kulmit të detit

Kulmit të tokës

 

Qiellin

Rrashtës së kokës

 

Dheun

Të plasur syve

 

Lotin

Të ngjeshur yjve

 

Njërrokësh

I rrokur rrufeje

Rrosh

Me ne je

 

Gjon pas Gjergji e Gjergj pas Gjoni

 

 

ERA NË PYLL

 

Midis humusit

Myshqeve

Bie në letargji

Mjafton një stekë pishe

T’i shpëtojë ketrit

Që ajo të zgjohet

Dhe pylli të valëvitet

Si xhubletë në qiell

 

 

MARATONË

 

Të parët

Arritën në breg të lumit

Shelgjet.

Pas tyre në rresht ishin mështeknat

Lajthitë, panjat, ahët

Të fundmet

Mbetën pishat.

Ato i mbajti për vete kaltërsia qiellore

Duke ua krehur halat

Duke ua larë trungjet

Me ajër të hollë

Të kthjellët.

Shelgjet panë në pasqyrë të lumit

Pishat në gjirin e qiellit

Sipër gurëve të bardhë të bregut

Shelgjet

Shpërthyen në lot.

 

 

FJALË TË GJETURA NË FERRA

 

Fjalë të gjetura në ferra

Kur ushkurët i kishin hapur sipër

Dhe shpinën

Ia kishin kthyer botës.

 

 

QYTETI PA POETË

 

Njerëzit

Në njëshkolona milingonash

Ndjekin njëri tjetrin

Duke i marrë erë

 

Sekush hedh hapin

Në vendin bosh që lë

Hapi i tjetrit

 

Në një ritual

Pa fillim dhe pa fund

 



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora