E premte, 19.04.2024, 12:38 AM (GMT+1)

Mendime

Selim Nëngurra: Portret i nji nane

E hene, 30.09.2013, 05:00 PM


PORTRET I NJI NANE (Skicë)

Nga Selim Nëngurra

Nanë, Loke, Mama sido që e quejm asht emni ma i shenjt dhe ma i dashtun për secilën krijesë njeri dhe krijesë të gjallë të kësaj toke.

Secili popull në planet ka perjetue lufta e katrahura dhe në secilën nga këto katrahura nana gjithmonë asht flijue për ta shpëtue fëmijën e saj. Ajo, edhe me jetën e vet ka mbrojt fëmijën. Ka pasë, dhe do të ketë gjithmonë raste, kur nana ven jetën e saj në rrezik për ta shpetue nji fëmijë cilido qoftë ai, pra edhe nëse nuk ishte i saj. Tek e fundit, shenjtoret lindin për tu flijue për të tjerët dhe sa ma shumë i përkushtohen flijimit aq ma te shenjtë bahen. Po ku ka ma shenjtore se NANA e cila na bart në barkun e saj, na lind, na rritë, na mëson e na edukon se si duhet me jetue. Populli ynë, i pushtuem dhe i sunduem me shekuj nga anmiqtë fqinjë, nga perandorit e mëdha te kohnave te shkueme, nga pushtues barbar të kohnave moderne, padyshim se mbijetoi falë nanave tona, të cilat, me lindje, rritje dhe edukim të brezave, i munden barbarët. Nana shqiptare ka qen gjithmonë ajo e cila ka pa djalin e sajë te premë e pa krye nga shpata turke, të vramë nga plumbi e të thrun nga bajoneta, te copëtuam nga sopatat e bajonetat serbe, ashtu sikur se ka bart barrën e qëndresës dhe vuajtjeve shpirtnore te vrasjeve për gjakmarrje. Nana ka dit të shpalos stoikisht burrnin e saj me nji stoicizëm te papam, me qëndrim vertikal edhe kur ka mbet me duer në gji pasi ia kanë vra të vetmin fëmijë. Nana ka qëndrue stoike dhe asht flijue para sulmusve sadiste e maniak seksual, pjesëtar të anmiqve tanë serbë kur ata kanë tentue të dhunojnë e çnjerëzojnë vajzën e saj apo ndonji vajzë tjetër. NANA asht mbi gjithçka sepse NANA jep jetën me ndihmën e Zotit.

Në vitin 1945, OZNA famëkeqe arreston dhe zhduk pa gjurmë Rrustë Sadri Rugovën me të birin Ukën. Nana Sofë Qerim Rugova, (bijë e fisit Muriq nga Rugova), duke e sakrifikuar rininë e saj, e rriti dhe e edukoj djalin e saj Ibrahim Ukë Rugovën, duke i dhënë popullit shqiptarë, themeluesin e Dardanisë së re. Kjo Nanë e madhe meriton të quhet LOKEMADHJA e Dardanisë.

Po këtë vit, kur OZNA zhduku Ukë Rugovën, në Lugposhtë (Lubozhdë) arreston e zhduk Rrustem Nimon Kadaj, kurse Nana Zojë (bashkshortja e Rrustemit) mbeti e ve në lule të rinisë, por me përkushtim e dinjitet i rriti dhe i edukoj tri vajzat dhe djalin e vetëm.

Në vitin 1949 pushteti komunist, nën udhëheqjen e çetnikëve serb, përmes dorës se zgjatur, e vret Kryetarin e komunës së Vrellës Rexhep Shaban Kadaj. Nana Zike, Rexhepin e kishte të vetmin djalë. Kjo burrneshë u rropat tanë për ti dalë krah nuses së Rexhepit, zonjës Nifë dhe katër jetimëve që i rritën me shumë mund e sakrifica duke i edukuar me dinjitet në tokën e vet të trashëguar brez pas brezi.

Ka me mija e mija raste te tilla qe dëshmojnë se si Nana asht ajo qe flijon e sakrifikon gjithçka për fëmijën dhe familjen e saj.

Ka raste kur Nana ka pa se si policia serbe ia torturon djalin, se si ia arreston dhe se si ia dënon me vite e dekada burg.

Këtë radhë do të shkruej pak ma shumë për nji nanë, që ka pa me dhjetëra herë, se si milicia ia bastisnin shtëpinë duke shkatrru e përmbysë ato pak gjasende që i kishte fitu me mund e sakrifica për ta rritë e shkollu Xhaferin, djalin e saj të vetëm. Sa e sa herë i kishte pa milicinë kur ia kishin vu prangat në duar djalit të saj të brishtë për fajin e vetëm se ai ishte shqiptar e bir shqiptari... se ai me kohë i kishte nuhatë padrejtësitë shekullore të pushtuesve serb që i banin mbi kurrizin e popullit shqiptar dhe kërkonte liri. Ja cila asht kjo Nanë dhe si e takova unë atë.

Ishte fund i gushtit i kësaj vere (2013). Isha në Hotel Restorantin TROFTA në Istog. Pasi kishim pi kafetë dhe po baheshim gati me shkue në shtëpi, në hymje të Restorantit shoh nga larg se si vjen tue ec me krenari dhe me qëndrim stoik nji grue e veshun me kostum kombëtar të anëve tona të Podgurit. Meqense janë të rralla gratë qe veshin këtë veshje të moçme, për nji copë herë, pamja e asaj zonje ma tërhoqi vëmendjen dhe shikimi me mbeti drejt saj. Për nji çast mu duk se para syve e kam Zyhran, nanën time të paharrueshme, që tani e tri vjet dergjet nën dhe. Nga vegimi i çastit sikur me zgjojë nji dorë e cila me kapi nga krahu dhe hapi duart të me përqafonte. Ishte miku im z. Xhafer Shatri dhe aty për aty mendova se kjo grue kaq e simpatike, kjo plakë kaq pedante perkunder moshes së saj, patjetër duhet të jetë Nana Timë... pra nana e Xhafer Shatrit. Kurrë në jetën time nuk e kisha parë krenarinë e kësaj nane.

“Prit pak! – i thash mikut tim Xhaferit – e sheh se asht dikush para teje qe meriton ta përqafoj?” Derisa ndodhesha i përhumbun në përqafimin e nanës plakë, me shpërthyen një valë lotësh. Ashtu i përlotun, mendja me iku të përqafimi i nanës time, përqafim që me ka mungue përgjatë gjithë jetës... sepse, kemi pas nji jetë skëterrë... u rrita te daja im në Lublanë tue e quejt gruen e dajës nana Ivanka.

Nuk muj ju besoja syve se përqafova nanë Timen, këtë zonjë që sado në moshën 93 vjeçare dukej si Amazone, si Ajkuna e Mujit. I kërkova falje që u ligështova para saj dhe pastaj e perqafova mikun tim Xhaferin. Pasi u përshëndeta me zonjën e Xhaferit dhe vajzen e tyne qe rrinin anash dhe na shikonin se si flisja unë e Nana Timë.

“Ti nuk më njef oj nanë, i thash unë.

“Jo loke, jo, por po e marr me mend se ti duhet të jesh i joni, dikush nga miqët e Xhaferit”.

“Po, ashtu asht dhe për me të tregue ma mirë, unë jam djali i vajzës së Mushak Bajramit nga dera e Kuklecve të Prekallës,” i them unë.

A djali i Zyhras je ti a?...” dhe ju mbushen syt me lotë Nanes Timë dhe vazhdojë; – “E ke pas at nanë te mirë oj loke, ishte puntore dhe shumë sojnike. Asht rritë jetime pa nanë e shkreta dhe besa edhe te burri jetojë ne skame se situata ishte ashtu ne ato kohna, por ju ka majt juve me thojë te duerve dhe ja tash ti ketu po flet me mu”. Me shikonte drejtë ne sy dhe unë u turpnova se nuk muj i mshefa lotet e permallimit. Më permalloj kjo Nanë me fjalët e saj për Nanën time, për gjithçka foli aty, ashtu, derisa u përshëndetem shkurt dhe ne kambë pa u ulë askund për ta pi nji kafe bashkë.

E përqafova edhe njiherë tue i urue natë të mirë. Pasi u përshëndeta me Xhaferin, u ndamë. Ecnim bashkë me bacin Sadri Kabashi. Nuk i fola asnji fjalë. Për çudi, as ai nuk foli. Ecnim e ecnim derisa shkuem te vendi ku duhej te ndaheshim edhe unë e ai per te shkue secili ne shtëpitë e veta. Kur me dha doren baci Sadri me tha, Selim ajo plaka që fole me të asht kusherinë e imja. E di i thash o bacë e di... i urova natë të mirë dhe u ndamë.

Derisa ashensori ngjitej kateve të ndertesës unë humba në kujtimet e mia të feminisë se hershme. Me këto kujtime u futa ne banesë dhe mu duk se isha i ulun në prehnin e gjyshit Mushak, në nji kafene në Gurrakoc, tue e ndigjue Brahim Ukë Kabashin kur i binte çiftelisë dhe këndonte me at za të mrekullueshëm... za që mbet në kujtimin tim të përjetshëm si kangëtari e rapsod ma i miri në historinë e Dukagjinit e të Dardanisë. Mu kujtue Brahim Uka sepse Nana Timë që e perqafova pak ma parë asht motra e rapsodit, patriotit, mikut te Selman Kadrisë, asht motra e Brahim Ukë Kabashit. Nuk me largohej nga mendja Brahim Uka kur unë isha vetem nji femijë i vogël dhe gjyshi me merrte me veti sa here qe shkonte në Gurrakoc, me barte ashtu ne qafë KALISTROK si i thonë nga Podguri dhe asesi nuk me hiqej nga mendja Nana Timë, nana e veprimtarit, atdhetarit, ministrit dhe njeriut të sakrificës, njeriut që kaloj vite e vite burgjeve e kazamateve serbokomuniste, Nana e mikut dhe idolit tim Xhafer Shatrit. Derisa mendimet fluturonin gjithandej, sepse ndjenja qe takova nji NANË, nji LOKE me kishte perbi dhe nuk me leshonte, lotet nuk ndaleshin, por as nuk me ndihmonin ti mbyll ato ndjenja emocionale, mu kujtue se vetem para disa ditve kjo Grue burrnore ishte musafire e radios lokale te istogut RADIO FONTANA së bashku me z. Mustafë Rugova dhe Prof. Nasir Kabashin për të fol me ndegjuesit për Rapsodin, patriotin dhe trimin Brahim Ukë Kabashin. Mu kujtuen fjalet e mikut tim Mustafë Rugova qe me tha; Selim, me dy ore e ma tepër program, sikur i lodhëm ndegjuesit, por nuk u lodhë Nana Timë. Ajo ishte ma e zoja se ne, ajo dinte ma shumë se ne dhe kishte memorje të hatashme, sado që tash ma moti ka hyp në dekaden e dhjet të jetës.

Me keto mendime me shkoj ajo natë dhe takimin me nanën Timë Shatri-Kabashi nuk do e harroj kurrë. Ta kam zili i dashtun Xhafer, djalë i kujt je. Lum ti për Nanën tande dhe e lumja ajo per ty.



(Vota: 16 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora