E enjte, 28.03.2024, 05:49 PM (GMT)

Mendime

Faton Abdullahu: Komunitet i ri mysliman?

E diele, 29.09.2013, 03:41 PM


A po krijohet një komb i ri shqiptar, apo një komunitet i ri mysliman?

Shkruan: Faton Abdullahu

Xhamia duhet ta ketë kupolën të bardhë, e cila duhet të simbolizojë plisin shqiptar, dhe ezani duhet të thirret vetëm në gjuhën shqipe. Në xhami duhet të shkruhen citate nga Kanuni i Lekë Dukagjinit. Në muret dhe hapësirat e xhamive duhet të vendosen, apo të gdhenden portretet dhe skulpturat e intelektualëve dhe patriotëve shqiptarë, dhe të gjitha xhamitë duhet të emërtohen me emra shqip. Në ytbe duhet të valojë flamuri kuqezi të cilën hoxha duhet ta puthë para se të fillojë të thotë çfarëdo fjale. Ky do të jetë vetëm fillimi i ndryshimeve të mëdha.

Mandej mund të vazhdohet edhe me interpretime të reja të Kuranit dhe haditheve, si dhe përshtatjen dhe shtrirjen e organizuar të të gjithë këtyre rirreshtimeve në krejt tokat shqiptare. Po të ndodhë kështu: a do të mbeteshin dhe a do të pranoheshin edhe më tutje si myslimanë të gjithë ata që i bëjnë dhe fillojnë t’i zbatojnë këto kërkesa dhe të gjithë ata që i përkrahin dhe i vazhdojnë këto ndryshime? Përgjigjen në këtë pyetje e gjejmë nëse mundohemi t’i përgjigjemi pyetjes që del nga konstatimi i filozofit të njohur gjerman E. Gelner, i cili thotë: “Dy persona i përkasin të njëjtit komb (e njëjta vlen edhe për fe) nëse dhe vetëm nëse ata të dy e pranojnë njëri-tjetrin se i përkasin të njëjtit komb (fe)”. Krejt e kuptueshme se të gjithë këta me këto kërkesa të reja për të bërë plotësime e ndryshime të tilla në fenë islame te shqiptarët, nuk do të konsiderohen e as nuk do të pranohen si myslimanë nga shumica e myslimanëve të botës. Në rastin tjetër, ky do të ishte themelim i një sekti të ri, nga jo të paktë që janë në botën islame, fenomen i pranishëm edhe te fetë e tjera monoteiste. Të tilla kërkesa rreth fesë islame së paku deri më sot nuk ka në Kosovë. Por një hyrje të tillë në këtë ese e bëra për ta kuptuar më mirë atë që do ta analizoj më poshtë. Në të vërtetë ka diçka tjetër në Kosovë, konkrete dhe reale. Ka kërkesa, refuzime, sulme e shpjegime të reja rreth kombit shqiptar, përkatësisht vlerave, ngjarjeve, figurave, trashëgimisë dhe aspiratës kombëtare shqiptare. Le ta shpjegojmë edhe këtë, por më gjerësisht.

Në disa qarqe, nga disa hoxhallarë, nga disa intelektualë, nga ndonjë deputet a parti politike, në disa rrethe e në disa xhami, në disa portale e në rrjete sociale, shtrohen pyetje, jepen konstatime e bëhen kërkesa edhe të kësaj natyre, si: Prania osmane në tokat shqiptare nuk ishte pushtim, por bashkësundim me shqiptarët vendas dhe periudhë lulëzimi për shqiptarët, konvertimi i shqiptarëve në myslimanë është bërë me vullnet të lirë e pa kurrfarë dhune apo shtrëngimi; Skënderbeu nuk është hero i shqiptarëve përkundrazi, në të vërtetë, ai është vetëm hero i shqiptarëve krishterë, lufta e tij ishte e gabueshme sepse ai vrau me dorën dhe ushtrinë e tij myslimanë; se sulltanët e Perandorisë Osmane, sidomos ata që erdhën në tokat shqiptare, duhet trajtuar si heronj të shqiptarëve dhe shpëtimtarë sepse kanë shpërndarë fenë islame në viset shqiptare; duhet të ndryshohet flamuri i shqiptarëve sepse fillet i ka te fiset krishtere, (apo së paku në të duhet të shkruhet me shkronja arabe “Allahu ekber”); se shkronjat latine nuk janë adekuate ato që duhet t’i ketë shqipja; se e drejta zakonore shqiptare është sajesë dekadente e kulturës malore të fiseve gjysmë të egra shqiptare; se mosmbulimi i femrës shqiptare është dekadencë; se Nënë Tereza e ka vendin në xhehenem; se nuk duhet të festohet Viti i Ri sepse është haram dhe shumë të tjera të kësaj natyre.

Krejt kësaj i shtohen edhe vërejtjet deri në refuzim të mënyrës së të jetuarit, të punuarit dhe të të vepruarit, si dhe koncepteve politike e kulturore liberal-demokratike të botës perëndimore. Këto konstatime, pyetje, por edhe kërkesa, në përpjekje për t’u përpunuar intelektualisht dhe politikisht, po prekin apo më saktë kontestojnë dhe sulmojnë shtyllat kruciale mbi të cilat është krijuar dhe mbi të cilat qëndron kombi shqiptar, që nga themelimi i tij. Për nga përmasa dhe intensiteti e gjithë kjo është risi. Kjo bëhet nga njerëzit që flasin shqip dhe që i thonë vetes myslimanë, por edhe shqiptarë, sado që këtë identitetin e dytë nuk e kanë të trashëguar shumë, as që e shquajnë theksueshëm. Kjo përcillet edhe me disa karakteristika tjera tipike për ideologjitë e ndryshme. Këta qytetarë përpiqen që edhe vizuelisht të dallohen, me veshmbathje, me mjekra, me stil jete e të tjera të kësaj natyre. Por tani një pyetje kruciale: a po mbesin edhe më tej këta qytetarë, ky grup njerëzish me këto kërkesa dhe qëllime ende shqiptarë? Nëse prapë e thërrasim filozofin Gelner për ndihmë, na del se dilema gjithsesi ka lindur dhe ka tregues të cilët shpejt mund të kthehen në fakte e realitete të reja dhe të na japin të drejtë të konstatojmë se në Kosovë, por edhe në disa pjesë të tjera të hapësirës shqiptare, nga kombi shqiptar po shkëputet dhe po lind një etni e re, një komunitet i ri, me karakteristika të reja, i cili tash për tash mund të quhet komuniteti mysliman apo mund të quhet ashtu sikundër mund të preferojnë ata, por zor se mund të mbesin edhe më shqiptarë, si shumica tjetër shqiptare në Ballkan. Me fe islame të ridefinuar e të riinterpretuar, shpesh në kundërshtim jo të vogël me atë të trashëguar e të aplikuar nga shqiptarët, me mohimin pothuajse total të vlerave e parimeve nacionale shqiptare, traditës, trashëgimisë, historisë e kulturës, por edhe me kontestim dhe refuzim të aspiratës politike e kulturore euro-perëndimore, goxha jomiqësor ndaj islamit jo-syni, të cilin gjithnjë e më shumë kanë rinisur ta kritikojnë ashpër për devijime, pa as më të voglën përpjekje për afrim e bashkim kombëtar të shqiptarëve, pa kokëçarje se me konceptet e tyre përjashtojnë krishterët shqiptarë nga kombi shqiptar, të përqendruar më shumë në Kosovë dhe më theksueshëm në Rrafshin e Kosovës, por me gjuhë të parë gjuhën shqipe, me veshje dhe paraqitje të panjohur për rrethanat dhe traditën shqiptare, këta qytetarë po i vënë fillet e një etnie të re ndër ne, e cila ndoshta mund të konsolidohet më qartë dhe më fort në të ardhmen, ndoshta jo, gjë që do të varet prej shumë faktorëve.

Thënë ndryshe këta, duke u munduar të ndryshojnë te të gjithë shqiptarët, pothuajse çdo gjë shqiptare, por duke mos qenë të njëjtë si asnjë komunitet tjetër, po tjetërsohen nga shqiptarët, duke u bërë diçka tjetër, ende jo krejt qartë çka, por gjithsesi se nuk po mbesin shqiptar. Çka i determinoi këto kërkesa të reja politike e kulturore në Kosovë, pse këto po bëhen tash dhe pse me këtë intensitet, kush po i strukturon e dizajnon dhe prej cilave shtresa vijnë ata qytetarë që i konceptojnë dhe i përshtatin për rrethanat shqiptare dhe prej nga rekrutohen ata të cilët i pranojnë ato? Konsideroj, së pari, se ato po bëhen në këtë fillimshekull në Kosovë sepse janë përgjigje, në variantin kosovar, rirreshtimeve kulturore e politike shumë të gjëra që po ndodhin në botën arabo-islame. Kjo është një frymë e re në botë, një rilindje ideologjike që për bazë përpiqet të marrë një fe, islamin, e për mbrojtje botën arabo-islame, për të cilën konsideroj se është e diskriminuar dhe e defaktorizuar sidomos në krahasim me shtrirjen dhe numrin që ka. Shqiptarët të njohur me identitet jo të qëndrueshëm, jo vetëm një herë në historinë e tyre kanë përqafuar më shpejt, më shumë, dhe më gjatë, se të tjerët ide dhe ideologji të shpërndara nëpër Evropë e botë. Komunizmi ishte shembull tipik. A nuk ishin jo pak shqiptarë që e përqafuan këtë ideologji, duke e bërë edhe mënyrë jetese e formë pushteti e sistemi politik, a nuk ishin disa nga ata të cilët në emër të kësaj ideologjie vdisnin stepave të Spanjës? A nuk po shkojnë edhe sot të rinj shqiptarë për një ideal e ideologji tjetër për të luftuar dhe vdekur në Siri?

Konsideroj, së dyti, gjithashtu se ato po bëhen në këtë fillimshekull në Kosovë për shkak se nacionalizmi shqiptar, forca kryesore shtytëse e konsoliduese e luftës së fundit te shqiptarët, (dhe në krejt shekullin e kaluar) ka përmbushur një mision të vet, krijimin e shtetit të Kosovës, me ç’rast është relaksuar dhe është bërë fleksibil, prandaj edhe më pak agresiv e efikas kundër ndikimeve e importeve të huaja kulturore e politike. Për më shumë, ky nacionalizëm, i cili në rrethana normale do të vepronte ashpër në rast se do të cenoheshin vlerat shqiptare, sikundër po cenohen sot, ka humbur jo pak nga morali për ta bërë këtë ashtu si duhet, sepse pushtetarëve, të cilët si përfaqësues së saj erdhën në pushtet, degraduan veten dhe konceptet për të cilat luftuan. Ndërkohë që gjendja e rëndë ekonomike, jostabiliteti juridiko-politik, korrupsioni dhe hajnia tash sa kohë në Kosovë bëhen pandalshëm ushqyes të majmë të ideologjive të reja, gjë që e bën Kosovën tokë shumë pjellore për farën e kësaj apo çfarëdo ideologjie tjetër. Por kjo nuk është e tëra.

Së treti, konsideroj se përveç këtyre faktorëve, është edhe një tjetër element shumë i rëndësishëm, i cili ndikon që te shqiptarët myslimanë, kjo ide dhe kjo ideologji apo ky projekt dhe ky koncept kulturor, fetar e politik të gjejë vend për shtrirje. Për aq sa është luftuar shqiptarizmi, apo për qa sa është diskriminuar dhe është sulmuar çdo gjë shqiptare në shekullin e fundit dhe në fillim të këtij shekulli, dhe për aq sa është dobësuar identiteti shqiptar, për aq te një pjesë e qytetarëve, te disa familje tona, kanë gjetur vend të përshtatshëm për të zënë farë e shtrirje identitetet e tjera fetare, kulturore e të tjera, joshqiptare. Të qëndruarit dhe të mbeturit si shqiptarë ka qenë posaçërisht e vështirë në njëqind vjetët e fundit për shumëkënd, prandaj jo pak në Kosovë, nëse nuk janë konvertuar në diçka tjetër, mosshquarja e identitetit shqiptar për ta ka qenë vazhdimisht premisë e mbijetesës dhe bërje lak dhunës e diskriminimit. Mu te këto shtresa njerëzish dhe te këto familje me identitet të zbehur shqiptar, është bërë më e lehtë mbjellja e farës së re sot, për një identitet të ri, sikundër është ai që unë po e quaj këtu identitet i komunitetit të ri mysliman. Tek këto shtresa shumë lehtë po kontestohet çdo gjë shqiptare, sepse shumë punë ka kryer vite më parë komunizmi jugosllav dhe pandalshëm shteti serb, sidomos represioni dhe diskriminimi i organizuar shtetëror e kulturor i këtij shteti. Për më shumë edhe në rrethanat aktuale në Kosovë, krejt kjo merr mbëltim dhe shtrirje më të kollajshme te këto shtresa, sepse shqiptarizmi sot është vlerë e pambrojtur me ligj, bile ai as që njihet me kushtetutë. Ai në Kosovë vazhdon të jetë vetëm vlerë gjysmëklandestine, e cila as nuk ushqehet, as përpunohet e për të cilën as nuk investohet. A po lind pra një komunitet i ri mysliman në Kosovë? Po, ai po krijohet pa pikë dyshimi. A do të konsolidohet ky proces për t’u theksuar dukshëm dhe bindshëm për t’u bërë edhe kategori kushtetuese si komunitet i ri, mbetet të shihet. Do të ishte më mirë që kjo të mos ndodhë dhe kjo të mbetet vetëm një ideologji si të tjerat dhe të davaritet ngadalë pa pasoja ashtu si erdhi. Por shteti i Kosovës është i brishtë dhe jo sa duhet shqiptarë për të qenë i fortë dhe efikas për ta parandaluar gjithë këtë me elegancë. Nëse lind ky komunitet, shqiptarët nuk do të mund të bëjnë shumë, veçse ta pranojnë këtë komunitet të ri ashtu si edhe atë ashkali, egjiptas, goran, torbesh dhe ta trajtojnë atë në mënyrën më demokratike të mundshme, por duke u munduar të mbajnë ekuilibrin, të brishtë, por jetik në Kosovë, për të siguruar që shqiptarizmi dhe aspirata euro-perëndimore të gërshetohen suksesshëm dhe përmbajtësisht.

Autori është ligjerues dhe dekan i Fakultetit Juridik në Kolegjin “Riinvest” dhe autor i librit “Dimensionet e identitetit qytetërues, feja - kultura - politika”



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora