E enjte, 25.04.2024, 03:52 PM (GMT+1)

Mendime

Çlirim Hoxha: Thot-i Boreal, iliro-shqiptar, i dha botes kumtin e pare te lirise dhe drites

E premte, 23.05.2008, 01:26 AM


THOT-i BOREAL, ILIRO-SHQIPTAR, I DHA BOTËS KUMTIN E PARË TË LIRISË DHE TË DRITËS

Shkruan: Çlirim Hoxha

Libri i Katapanos është një shuplakë e fortë shkencore ndaj atyre që kanë shtrembëruar të vërtetat historike të pellazgo-ilirëve në shekuj

Ditët e fundit më ra në dorë një nga kryeveprat shkencore albanologjike, libri i Prof. Xhuzepe Katapano "Thot-i fliste shqip", botime enciklopedike, të cilin ma rekomandoi i famshmi studiues vlonjate Dr. Bardhosh Gaçe.

Do të ishte në interes të lexuesve për të dhënë pak informacion mbi profesorin e nderuar të racës sonë, si dhe zbulimin e tij të jashtëzakonshëm, i cili ka të bëjë me etnogjenezën e pellazgo-ilirëve qysh në agimin e epokës njerëzore.

Profesor Xhuzepe Katapano ishte dhe mbetet i vetmi albanolog që studioj në themel prejardhjen e racës ilire, duke bërë të drithërohen nëpër dekada shumë shkencëtar që janë marrë apo merren me studimin e antikitetit. Katapano u nis vet drejt Egjiptit për të parë dhe prekur piramidat, një nga mrekullitë e botës së lashtë, dhe u befasua kur ndeshi në shenja apo hieroglifë të çuditshme që linin hije dyshimi mbi prejardhjen e tyre. Jo pak por mbi 40 vjet iu deshën profesorit të nderuar për të bërë këtë zbulim të jashtëzakonshëm, i cili vjen i përkthyer në gjuhën shqipe me mjeshtëri nga Qemal Velija.

Për të bërë këtë zbulim të jashtëzakonshëm dhe për të vërtetuar se hieroglifët e piramidave të Egjiptit e kishin bazën tek gjuha ilirishte, Prof. Katapano përdori gjatë hulumtimit të tij të gjatë, siç shprehet edhe vet, sistemin kritik të krahasimit shkencor të rrënjëve të shumë gjuhëve tepër të lashta, si "ESKUERA" baske (E-SHKUARA do të thotë, në shqip, pikërisht: gjuha e së shkuarës); shqipes; gjuhëve hitite, hebraike, arabe, aramaike dhe të tjerave, veçanërisht të gjuhës kopte - gjuhës liturgjike të të krishterëve të Egjyptit; si dhe studimet shumëvjeçare të rendit filozofik, etnografik, mitologjik, historik dhe arkeologjik, natyralist etj. Prof. Katapano hedh poshtë apo përmbys traditën shkencore, që e paraqet qytetërimin nilotik si një fryt kryqëzimesh mes 4 racave. Duke u ndalur tek etimologjia e emrit të Thot-it Prof. Katapano shpjegon, se emri përkon me kuptimin e vet burimor: thot, veta e tretë e të tashmes dëftore të foljes shqipe thom, thua, thot'. Thot-i, sipas Prof. Katapanos është krijuesi i hieroglifëve. Ai e ka ndërtuar alfabetin hieroglifik fonetik duke pasur si çelës gjuhën shqipe. Në këtë aspekt zanafilla e ilirishtes zbret në kohë mjaft më të hershme se ato që Historia ka përcaktuar; të dhëna që duhet të rikthehen në neolitik dhe ndoshta edhe në kohë të mëparshme, të afërta me origjinën e qytetërimit të Nilit, i cili, sipas rezultateve më të kujdesshme të hulumtimeve të fundit dhe studimeve të kryera, fillon me zhdukjen e Atlantidës (rreth 12.000 vjet më parë); epokë në të cilën duhet të vendoset pashmangshmërisht shfaqja e parë e vërtetuar e Thotit në Egjypt.

Pikërisht, kjo e bënë të pashmangshme korrigjimin e të dhënave historike, korologjike, etnologjike, filologjike, me shumë rëndësi.
 
Thot-i fliste shqip

Të rizbulosh Thotin, këmbëngul Prof. Katapano, do të thotë të zgjerosh kufijtë e shkencës që, me dashje apo pa dashje, shpien pashmangshmërisht në metafizikë; dhe kjo është tepër e rëndësishme për njerëzimin. Sepse, duke rifituar pas shqyrtimit të çështjes kuptimin e vërtetë të jetës , që është në thelb me natyrë shpirtërore, njeriu do të jetë në gjendje të shijojë sërish gëzimet e shijes, aromave dhe kundërmimeve të papërlyera, brenda vezullimit të lavdishëm të Dritës Fillestare. Filozofia e Thotit, na mëson Prof. Xhuzepe Katapano, ngrihet mbi shtatë parime.

1.Parimi i mendorësisë (Il Principio del Mentalismo)

"Gjithçka është shpirtërore, gjithësia është mendore".

.Parimi i Përkitshmërisë (Il Principio della Corrispondenza)

"Ajo që është Lart është si ajo që është Poshtë; ajo që është Poshtë është si ajo që është Lart".

3.Parimi i Vibrimit (Il Principio di Vibrazione)

"Asgjë nuk është në gjendje pushimi; gjithçka lëviz; gjithçka regëtin".

4.Parimi i Polaritetit (Il Principio di Polarità)

" Gjithçka është dyshe; çdo gjë ka dy pole; gjithçka ka dy skaje; e ngjashmja dhe e pangjashmja kanë të njëjtin kuptim; polet e kundërt kanë natyrë të njëjtë, por shkallë të ndryshme; skajet takohen; të gjitha të vërtetat, në relativitet, janë gjysmë-të vërteta; të gjithë paradokset mund të pajtohen".

5.Parimi i Ritmit (Il Principio del Ritmo)

" Gjithçka rrjedh, brenda dhe jashtë; çdo gjë ka kohëzgjatjen e vet; gjithçka zhvillohet dhe pastaj degradon; lëkundjet e lavjerrësit shfaqen në gjithçka; masa e një lëkundje në të djathtë përgjason me atë të lëkundjes në të majtë; ritmi është konstant (i përhershëm)".

6.Parimi i shkakut dhe pasojës (Il Principio di Causa e d'Efetto)

" Çdo shkak ka pasojën e vet; gjithçka ndodh dhe realizohet në përputhje me ligjin; ka shfaqje të shumta rastësie, por asgjë nuk i shpëton Ligjit".

7.Parimi i Gjinisë ( Il Principio del Genere)

" Ka një gjini në të gjitha gjërat; gjithçka përmban qoftë parimin mashkullor qoftë atë femëror; Gjinia shfaqet në të gjitha rrafshet; në botën Fizike, Qiellore apo Shpirtërore". Profesor Katapano na mëson, se mbi këto shtatë parime mbështetet e gjithë shkenca moderne. Duke studiuar aktivitetin e tri herë të madhit Thot (Hermes), Prof. Katapano parashtron, përtej zbulimeve gjuhësore, filologjike, një të vërtetë të rendit sipëror: Siç tregon edhe vet, ai i heq Thotit maskën shumëvjeçare të ibisit dhe i kthen fytyrën e vërtetë: fytyrën boreale të Ilirit, shëmbëlltyrën e tij të njëmendtë të udhërrëfyesit më të lartë, të themeluesit të shkencës së lashtë, që përfshinte të gjitha degët e shkencës moderne, madje edhe të tjera, ende të parizbuluara nga kjo e fundit.

Profesor Katapano mendon se, titulli "Thot-i fliste shqip" mund të zëvendësohej nga një tjetër, i njëvleftshëm por më i qartë:

-THOT-i BOREAL, ILIRO-SHQIPTAR, I DHA BOTËS KUMTIN E PARË TË LIRISË DHE TË DRITËS -

Prof. Xhuzepe Katapano, më i ndritshmi albanolog arbëresh i Italisë, mbajti premtimin që kishte bërë përpara vëllezërve të tij arbëresh, për të bërë të njohur publikisht zbulimin e tij të rendit filologjik, korologjik, etnografik, historik dhe filozofik, fryt i më shumë se 40 vjetëve studimesh këmbëngulëse dhe kërkimesh të shtjelluara në të gjitha drejtimet e dijes. Katapano shqyrtoi me kujdes të gjitha provat e mbledhura në 40 vjet kërkimesh dhe studimi në drejtime të ndryshme, nëpërmjet kodit të shkencës së lashtë dhe të mistershme-tekstet fetare egjyptiane dhe ndërtoi vizionin e tij, me ndihmën edhe të veprës së kolegut bashkëkohor Xhejms Kashvard "Kontinenti i Humbur", se prania e Ilirishtes në Egjypt mund të vendoset deri në kohëra shumë të hershme: rreth 12.000 vjet më parë, duke përkuar me zhdukjen e Atlantidës së përshkruar nga Platoni në dialogët "Timeu" dhe "Kricia".

Katapano argumenton, se Thoti, të cilit i atribuohet e gjithë shkenca e lashtë, e cila që nga Nili u përhap plot dritë në mbarë botën, përshkruar kjo në mëse 1000 vepra antike dhe bashkëkohore, - çoi në Egjypt, nga një Vend i huaj, një qytetërim të zhvilluar. Sipas studiuesit dhe shkrimtarit të mrekullueshëm Endrju Tomas (australian), duke u nisur nga titujt që i janë atribuar Thotit tek "Libri i të Vdekurve" dhe në disa mbishkrime faraonike (Kryezot i ardhur nga deti" dhe " Kryezot i dy Tokave"), na lind e drejta të mendojmë se ai ishte një Prijës i Atlantidës. Në fakt, shprehet Katapano, sipas një legjende tepër kuptimplotë, Ai i mbarti mbi krahë perënditë e tjera që nga ana tjetër e Liqenit Qa (nga folja shqip qaj, vajtoj). E interpretuar sipas kodit të shkencës së fshehtë, kjo legjendë do të thotë se ka ndodhur një shpërngulje e elitës kulturore, nga një rajon tjetër i rruzullit për në Egjypt.

Sipas Katapanos, Thoti është themeluesi i besimit të DRITËS dhe shkencës kulte të mistereve, është gjithashtu botërisht i njohur si shpikës i shkrimit.

Pikërisht, duke studiuar me shumë kujdes këtë autorësi të fundit, Profesor Katapano zbuloi se Thoti Fliste Shqip dhe se, në hartimin e hieroglifëve të alfabetit fonetik, ai u mbështet gjithherët nga fjalët e kësaj gjuhe.

Përfundimet e studimeve të Profesor Katapanos të kryera në të gjitha drejtimet për 40 vjet, konkludojnë se në tokat e Nilit dhe jo vetëm atje, flitej shqip 12.000 vjet më parë. Kjo do të thotë se ILIRISHTJA është shumë më e vjetër se sa besohet zakonisht.

Rreth 70 vjet më parë albanologut të shquar Prof. Xhuzepe Katapano iu desh të shkonte vet në Egjypt për të parë dhe vizituar nga afër piramidat e famshme.

Mbas studimeve të vazhdueshme mbi 40 vjeçare Katapano iu drejtua vëllezërve të tij arbëresh, i mahnitur edhe vet nga zbulimi i jashtëzakonshëm që kishte bërë:

"Të dashur miq lexues dhe vëllezër Arbëreshë, Egjypti i lashtë është plot me fjalë shqipe, duke filluar nga emri i Kreut të Shtetit: Faraon, që do të thotë "fisi jonë" (fara = farë, soj, fis, prejardhje; onë = e jona), pra njerëzore".

Katapano ishte i vetëdijshëm, se kishte bërë një zbulim të madh. Ai zbuloi, se alfabeti hieroglifik egjiptian u hartua nga Thoti nëpërmjet kodit shqip. Duke zotëruar dije të shumta, duke studiuar dhe hulumtuar në shumë drejtime viteve dhe dekadave, Profesor Katapano mundi të përcaktoi emrat e frymorëve, sendeve dhe koncepteve që paraqiten nga hieroglifët e alfabetit egjiptian të zbuluar nga Shampolioni; dhe provoi në mënyrë të sigurt, se ata emra janë shqip, ashtu siç ishte shqiptar vetë autori i atyre hieroglifëve: THOTI...

Libri i Profesor Katapanos "Thot-i Fliste Shqip" është një dokument shkencor me mjaftë vlera për etnogjenezën e popullit tonë ndër shekujt e historisë njerëzore. Ai dëshmon lashtësinë e shqiptarëve dhe kontributin e tyre në zhvillimin e pandalshëm të historisë botërore, gjurmët që të parët tanë lanë në shumë pjesë të rruzullit.

Libri i Katapanos është një shuplakë e fortë shkencore ndaj të gjithë atyre historianëve të huaj, të cilët me mjaftë marifet kanë shtrembëruar të vërtetat historike të pellazgo-ilirëve në shekuj dhe ia kanë atribuuar popujve të tyre bëmat e heronjve të kombit tonë të stërlashtë.

Pas gjithë këtyre dokumenteve që ne kemi sot në dorë, pas viteve 90 të Shekullit të XX dhe dekadës së parë të Shekullit të XXI, mbi etnogjenezën e popullit tonë, i takon Akademisë së Shkencave dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës që të hartojnë tekste të reja të historisë antike të shqiptarëve, me qëllim që në shkollat tona të mësohet e vërteta e pamohueshme historike e lindjes së pellazgo-iliro-shqiptarëve, kundrejt shtrembërimeve dhe falsifikimeve që historianët e vendeve fqinje i kanë bërë historisë në kurriz të kombit shqiptar.

Një nderim i veçantë shkon për albanologun e shquar, Prof. Xhuzepe Katapano, i cili me dritën e së vërtetës në dorë diti të çaj nëpër terin e shekujve, për të ndriçuar ndjeshëm disa prej "mistereve" të lashtësisë sonë.

Megjithëse libri, "Thot-i Fliste Shqip" sheh dritën e botimit në Shqipëri pas 24 vjetësh nga botimi i tij në Itali, është një kontribut me vlerë që Shtëpia Botuese "Botimet Enciklopedike" vë në dispozicion të lexuesit shqiptar, të qarqeve akademike gjithashtu, si një dokument shkencor që flet me gjuhën e fakteve.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora