E marte, 19.03.2024, 07:21 AM (GMT)

Mendime

Mark Bregu: Ali Pashë Tepelena, në “optikën” e Tajar Zavalanit

E premte, 23.05.2008, 06:02 PM


Pa asnjë koment 

Ali Pashë Tepelena, në “optikën” e Tajar Zavalanit

Nga Mark Bregu

...Vlen të bëhet një krahasim në mes karaktereve të Skënderbeut dhe të Ali Pashës. Aty duket se sa poshtë kishin rënë konceptet morale nga shekulli XV në shekullin XIX, mbas katër shekujve sundimi otoman.

Në çdo veprim të këtyre dy burrave që u prinë shqiptarëve në dy faza vendimtare të historisë së tyre, gjejmë një kontrast të plotë në mes të idealizmit vetëmohues dhe egoizmit primitiv dhe gati shtazarak; në mes të dashurisë për kombin e për atdheun dhe lakmisë së pangopur për para e pasuri materiale; në mes të mishërimit të mirësisë bujare dhe furisë gjakpirëse të një bishe në trajtë njeriu; në mes të një jete kushtuar idealit liridashës dhe adhurimit për pushtetin, për të kënaqur epshet primitive duke përdorur fuqinë për të shtypur nipin dhe për të munduar të tjerët.

Gjergj Kastrioti, u tregua aq shpirtmadh sa të falte nipin që e kishte tradhëtuar në kulmin e luftës kundër një armiku të fuqishëm që nuk dinte se ç’është mëshira. Ali Pasha masakroi burra të çarmatosur që e kishin luftuar trimërisht dhe që i kishin rënë në dorë në besë të fjalës së tij solemne! Për të çuar në vend ambicjen e tij për të pushtuar e për të grumbulluar pasuri, Ali Pasha bëri një politikë të paskrupull dhe plot dredhira, duke manovruar në mes të turqve, francezëve dhe anglezëve. Skënderbeu i qëndroi besnik aleatit të tij, Mbretit të Napolit dhe kur punët nuk i shkonin mirë Ferdinandit të Aragonës. Kur Princi i Tarantos, Giovanni Orsini, i shkroi për t’i mbushur mendjen të mos i shkonte në ndihmë Mbretit Ferdinand të Napolit, duke i treguar fitimet që do të kishte po të mos bashkohej me partinë e Angjevinëve, Skënderbeu i dha një përgjigje krenare, ku i thoshte se miku i mirë është ai që të vjen në ndihmë në një ditë të keqe. Skënderbeu ishte një hero kombëtar i frymëzuar nga parimet morale të krishtërimit; Ali Pasha kishte mendësinë e një satrapi oriental që nxitej për të vepruar vetëm nga lakmia për të mirat materiale të kësaj bote.

Prandaj Gjergj Kastrioti vdiq i varfër, kurse Ali Tepelena la një pasuri kolosale, të cilën e kishte grumbulluar së paku pjesërisht me anë të grabitjeve. Sikur Vezir i Janinës të kishte luftuar për bashkimin dhe lirimin e shqiptarëve, ashtu si Mehmet Aliu bëri në Egjipt, Shqipëria do të kishte qenë e para në Ballkan që do të kishte fituar pavarësinë nga sundimi otoman. Për të qenë fare të paanshëm duhet të shtojmë se njeriu tregon virtyte morale më të larta, kur është duke luftuar kundër sulmeve të një armiku të huaj, se sa kur orvatet të formojë një shtet të centralizuar mbi gërmadhat e një shoqërie feudale. Të gjithë sundimtarët e plotfuqishëm të historisë që janë munduar të krijojnë një pushtet të fortë duke shkatërruar kapedanatat krahinore që kanë qenë të detyruar të tregohen të pamëshirshëm kundër atyre që nuk u shtroheshin.

Ndoshta Ali Pasha e teproi, mbasi kishte të bënte me rrethana edhe më të vështira dhe me një popull më të dhënë pas lirisë personale dhe vetë qeverimit lokal. Pa synuar të bëhej prijës i lëvizjes për çlirim kombëtar, Ali Pashë Tepelena bëri edhe disa gjëra të dobishme. Hobhonsen-i, që cituam më lart, e përmbledh kështu rolin historik të Vezirit të Janinës: “Ai ishte dhe ndërtoi ura për të kaluar lumenjtë dhe bëri rrugë përmes moçaleve, ose nëpër luginat e malësive; qytetet e zbukuruara me ndërtesa të reja, të gjitha mbas udhëzimeve të tij. Duke vënë në zbatim një tok rregullore të urta, Ali Pasha luajti rolin e një princi të madh dhe dashamirës, megjithëse i vetmi merak i tij ishte të bëhej i pasur e sa më i fuqishëm”. “Me sa duket, Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha nuk janë asgjë tjetër veçse vazhdim i Ali Pashës në kushtet dhe mundësitë që u ofroi koha”. Dhashtë Zoti që ata që drejtojnë shtetin dhe qeverinë dhe që kanë në dorë fatet e këtij kombi, të ngjasojnë më shumë me Gjergj Kastriotin dhe aspak me Ali Pashën” (Autori).
Kjo duhet kuptuar si thirrje dhe jo si koment.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora