E enjte, 28.03.2024, 11:18 PM (GMT)

Editorial » Entela

Entela Binjaku: Një mikroklimë politike në ZSH

E shtune, 28.09.2013, 08:15 PM


Një mikroklimë politike në ZSH

Nga Entela Binjaku

Në këto muaj fundpranvere,  fillimvere dhe vjeshte kanë ndodhur disa “ngjarje” të cilat nuk mund të anashkalohen pa  bërë një analizë të vogël.  Bëhet fjalë për politikë…

Për ne shqiptarët e kudogjendur,  nuk është një “domen” aq i preferuar veçanërisht kur kemi parasysh mënyrën sesi është trajtuar dhe zhvilluar në hapësirat tona mbarëshqiptare. Përkundrazi, çdo gjë e bërë në emër të saj, na ka dhënë një shije të hidhur punësh të mbrapshta, duke na krijuar dashje pa dashje një largim nga vlera e vërtetë që politika duhet të sjellë për një shoqëri.

Por në këtë periudhë të ngrohtë disa nga pjestarët e komunitetit të miqve të ZSH u gjendën jo vetëm të  përfshirë në politikë, por edhe në fushatë elektorale, herë si kandidatë, herë si votues.

Në fund të muajit maj, patëm mundësinë të përcillnim disa elemente nga fushata e z. Oroshi në Gjermani.  Kjo fushatë për Kielin ishte shumë e qetë, tipike gjermane, dhe kujtoj se të dielën e votimit z.Oroshi e priste i qetë rezultatin në shtëpi. Siç do të ma  pohonte dhe ai vetë:  “Sepse unë e kryeva punen time, ndërsa votuesi të vetën”.

Kjo fushatë  rezultoi jo vetëm e suksesshme por edhe shumë fatndjellëse për partinë ku ai aderon CDU-në e cila na impresionoi me rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme një javë më parë.

Më tej gjatë qershorit në fushatë u përfshiva unë për FRD, “Për shtetin dhe qytetarët”, një fushatë gjatë së cilës u mundova të nxirrja në pah elementë të urbanes, bashkëkohores dhe moralit politik si një ndërthurje e parimeve të sjelljes politike dhe aspiratës për ndryshim.  Por, kjo nuk rezultoi e suksesshme, pavarësisht simpatisë në njerëz të partisë ku aderoj  dhe besimit tek përfaqësimi i saj i ardhshëm.

Këtë të dielë në votime do të jetë Rilinda Rexhepi, me Partinë Popullore Austriake OVP.

Me Rilindën jemi njohur dhe e kemi admiruar si një sipërmarrëse të suksesshme, e cila siç ajo vetë e pohon  “ndjeu nevojën edhe të  përfaqësimit të komunitetit shqiptar në parlamentin austriak”.

Në këtë pragvotimi Rilinda  i vlerëson kontaktet dhe takimet me shqiptarët  si jashtëzakonisht mbresëlënëse, me frymë dhe mbështetje pozitive”, gjë për  për të cilën ajo angazhohet se do t’i përfaqësojë me kandidimin e saj.

Një pjesëmarrje e lartë e qytetarëve shqiptarë do ta ndihmonte shumë këtë aktiviste, misioni i së cilës në politikë është integrimi dhe këshillimi për më shumë shkollim në radhët e shqiptarëve në Austri.

Nesër edhe një tjetër shqiptare do të garojë për në parlamentin e Austrisë, Donjeta Krasniqi, kandidatja më e re në moshë në partinë e saj. Studente në fakultetin juridik në Linz ajo kandidon për SPO, ose ndryshe Partinë Socialiste të Austrisë duke aspiruar për një vend në Parlament.

Ndërkohë,  muajin që vjen zgjedhjet presin një tjetër mik shqiptar, i cili tashmë është deputeti  Asamblesë komunale të Sarpsborgut. Zoti Selim Nëngurra, në Norvegji, është  kandidat për deputet në rajonin e Ostfoldit për partinë e djathtë HEYRE, duke gëzuar edhe cilësinë e të parit shqiptar që ka arritur këtë në histori në Norvegji.

Në komunë ai hyri me vetëm  6 vota shqiptarësh, pjesa tjetër ishte shumicë dërrmuese votuesish norvegjezë.  Siç pohon ai “në rajonin  ku kandidon ka 3867 shqiptarë me te drejte vote,  dhe po e votuan ata,  do të jetë  kandidati  me më  shumë vota”.

Por për arsye që lidhen tërësisht me të, ky kandidat ka njoftuar tashmë tërheqjen nga kandidimi, por do të vazhdojë edhe për dy vitet  të tjera të mbajë pozicionin e deputetit në asamblene e Sarpsborgut.

Sikundër shihet kjo është një tablo e shkurtër e disa qyetarëve shqiptarë të angazhuar në politikë në vendet ku jetojnë dhe punojnë. Pavarësisht moshës, përvojës, origjinës, formimit, vendit ku zhvillojnë politikën, e përbashkëta tek të gjithë lidhet me nevojën për pjesëmarrje të qyetarëve shqiptarë në votime dhe shqetësimit për  pjesëmarrjen e tyre  të ulët.

Mishel Fuko mendonte se politika dhe pushteti që ajo të jep,  mund të studiohet si e shpërndarë në shoqëri përmes një larmishmërie praktikash dhe disiplinash kulturore. Në këtë kuptim  studime me vlerë nga fusha e sociologjisë dhe psikologjisë sociale nxjerrin në pah disa elementë të nevojshëm për të fituar besimin dhe mbështetjen e  simpatizantëve. Përvoja jonë ka treguar se në opinionin publik të shqiptarëve janë më të vlerësuara  ato figura që dallohen për përpjekjet dhe angazhimin në zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet masa më e madhe e qytetarëve shqiptarë. Në vija të përgjithshme,  përvoja perëndimore ka treguar se të gjithë ata që respektojnë aksin e përgjegjësisë, atë ideologjik, aksin psikologjik, sjelljen morale të vazhdimësisë ndaj mbështetësve, ata janë dhe më të përkrahurit.

Pra të gjitha këto cilësi do ta ftonin votuesin shqiptar  në votime, por të mos harrojmë edhe që votuesi ka nevojë për të disa cilësi që të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese.

Për këtë nevojitet që ai të jetë i informuar mbi programet, të jetë i motivuar për të ushtruar të drejtën e tij dhe mbi të gjitha të ndjejë vlerësimin për votën e tij.

Përvoja politike në hapësirat mbarëshqiptare ka treguar se jo në çdo rast është kështu dhe në një farë shkalle ka ndikuar edhe në mentalitetin e votuesit shqiptar, kudo që ai jeton.

Ndryshe nuk ka sesi të shpjegohet votimi tërësisht i qetë, nën kulturë i votuesve gjermanë javën e kaluar, për të cilët janë impëresionuar edhe vetë  shqiptarët që banojnë në atë shtet.

Me fjalë të tjera, ndërkohë që kemi figura tashmë të maturuara politikisht dhe të integruara në ato shtete ku jetojnë, kemi një nevojë të madhe kultivojmë këtë maturi edhe të votuesit shqiptarë, për të nxitur tek ata besimin tek vota e tyre dhe nevojën për të dhënë mbështetetje për përfaqësuesit e tyre në parlament,  kudo ku ata garojnë.

P.s. Këtu janë përmendur vetëm disa raste shqiptarësh anëtarë të Zemrës Shqiptare.



(Vota: 35 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora