E enjte, 28.03.2024, 01:25 PM (GMT)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Populli im, nuk ke moshë për pikëllim

E shtune, 28.09.2013, 08:02 PM


E  S  E

Sejdi BERISHA:

POPULLI IM, KE ARSYE POR NUK KE MOSHË PËR T’U PIKËLLUAR...!

...Dhe, ky mik, gjithnjë, gjatë bisedës insistonte ta hapte “dosjen” e fotove dhe të m’i tregojë disa më të vjetra,... më të rëndësishme! Por, assesi nuk dëshiroja t’ia shoh lotët duke i rrëshqitur faqeve dhe duke i “lagur” njerëzit e asaj kohe në fotot e radhitura bukur dhe kujdesshëm.

...Librat ishin të “hallakatura” në atë vitrinë dhe veç që nuk lëshonin zë mallkimi. Çfarë nuk m’u rrotullua përbrenda mendjes, ndërgjegjes dhe shpirtit. Edhe kjo ishte histori në vete.

...Gjakmarrja,...Po më dridhet zemra dhe trupi, siç dridhen edhe ata fëmijët-filiza jete, të cilët në odën e errët, së paku njëherë në ditë trishtueshëm shfletojnë librat dhe fletoret, por trishtueshëm e shpalojnë edhe perden e dritares, a mos po vjen hija e mortit, që gjakun e bën droçkë, e prishë,... e derdhë!

...Dhe, duke kujtuar për rrjedhat dhe fenomenet e njeriut tim, gjatë këtij shkrimi sikur m’u imponua edhe diçka që më mundon e më therë në loçkë të zemrës, si idhca që tajit idhëcim e hidhërim: Populli im, ke arsye, por nuk ke moshë për pikëllim...!

Por, çfarë do të thotë kjo. Më tregoni edhe Ju. Mirëpo, kur të përplaseni, nëse përplaseni me këtë mendim, ta keni parasysh se sa rrugë të gjatë kemi kaluar, e sa pak kemi hapëruar!

___________________

1.

Tërë natën e bëra armik gjumin, duke dashur rrastë ta deshifroj mendimin, të cilin në mëngjes e kishte thënë miku im jo fortë i shtyrë në moshë: “Jam rritur jetim, e me babë”! Kjo ma kujtonte, por edhe ma detyronte deshifrimin e kësaj shprehjeje, duke e përkëdhelur historinë e njeriut dhe rrugëtimin e tij, pa hedhur mendim filozofie, sepse, kjo ka qenë dhe është histori në vete.

Dhe, tani më shkonte mendja, se jetim mund të rritët njeriu, kur prindi i vdes apo e braktisë fëmijën. Kështu edhe ma thoshte mendja, dhe kur mëson për “historinë” e këtij shkrumbi jetësor, doli se babai i tij ishte pedatur me burgjet e armikut. Andaj, dot nuk më lente të qetë pyetja e provokimit, dhe pyetja:

-E keni dashur shumë, babain? E keni shkrumb jete?!...

-Po. Kur në atë kohë isha i vogël, babain nuk kisha ide se si duket... –u ndal pakëz derisa fshehtas i largoi lotët e kujtimit dhe të moshës, që bashkë kishin marrë fuqinë e mallit, pastaj vazhdoi:

-Edhe kur ndonjëherë babai nga burgu vinte në “pushim”, nuk e ndjeja se ç’është afria me prindin!

Tani, po them se në natën e pagjumë, në tryezë më doli shtegtimi aq i ngatërruar i njeriut, sa që, e lash këtë çështje, aty ku e kisha nisur në mëngjes. Por, përkundër kësaj, ajo nisi vetë të zhvillohet në mendjen time, dhe mori formë rrjete merimangash, në të cilën, sikur çdo gjë kurthohet dhe ngelë si rrugë pa asnjë drejtim. Por, kështu mua më ngatërrohen gjërat, sepse, e pranoj, jam i përçudshëm...

Ky njeri me mall për babanë, e pjesëmarrës i luftës në Kosovë, tani kishte grumbulluar shumë foto të rralla, të cilat ishin histori e rrëfim periudhash. E kishte ndërmend të organizojë një ekspozitë të fotove të tilla. Në këtë mënyrë, ai mendonte se sado kudo të hedhë pakëz dritë për përplasjet e rrugëtimit të historisë, e bashkë me te, edhe të babait të tij.

Ishte interesant një jetë e nisjativë e tillë. Bile, ai ishte këmbëngulës që këtë ekspozitë ta hapë në qytetin buzë Bjeshkëve të Nemuna. Ndërsa, unë i propozova që një gjë të tillë ta bëjë edhe në Tropojë, në mënyrë që kjo ngjarje të shndërrohet në një hallkë bashkëpunimi për ndriçimin e historisë, por edhe për bashkimin dhe për shtrirjen e vlerave kulturore, të cilat me decenie janë ndaluar e mohuar, dhe ndoshta, pa dëshirë kanë krijuar ndasi mbase edhe jaz në mese vete.

U dakorduam. Dhe, ky mik e pëlqeu idenë time, por gjithnjë, gjatë bisedës insistonte ta hapte “dosjen” e fotove dhe të m’i tregojë disa më të vjetra,... më të rëndësishme! Por, assesi nuk dëshiroja t’ia shoh lotët duke i rrëshqitur faqeve dhe duke i “lagur” njerëzit e asaj kohe në fotot e radhitura bukur dhe kujdesshëm. Kështu që, u përshëndetëm me provokime kujtimesh dhe me mallkimin e gjërave të këqija. Kështu, ngeli ngjarja në rrugëtim,... si historia...!

2.

Ky rrëfim, si pezmatueshëm dhe zhagas më solli në një ngjarje tjetër. Kisha rastisur tek një mik miku, në të vërtetë, atypari isha duke kaluar, dhe më ra në sy garazhi i hapur i makinës së tij. Sigurisht se donte të fillonte ndonjë meremetim. Por, kur shikova edhe njëherë, brenda në garazhe vërejta një vitrinë plotë libra. Thash, more Zot, ndoshta nuk ka pasur vend në bibliotekën e vetë, dhe atë e ka “zgjeruar” edhe në garazhe! Por, nuk ishte ashtu. Sepse, librat ishin të “hallakatura” në atë vitrinë dhe veç që nuk lëshonin zë mallkimi. Çfarë nuk m’u rrotullua përbrenda mendjes, ndërgjegjes dhe shpirtit. Edhe kjo ishte histori në vete. E tërë kjo më shpiu tek bibliotekat e disa shkollave, të cilat i ka ngulfatur pluhuri, kurse librat, dot as nuk mund t’u ngjajnë librave...

Kjo më dhembte edhe për një arsye. Sepse, në shumë shkolla por edhe në qytete, kam dhuruar libra, me qëllim që të provokohet një grimë leximi dhe respekti ndaj librit. Por, jo...! Dhe, nga ky zemërim, thash, ndoshta më mirë që ai miku i ka “transferuar” në garazhe veturash, sesa të ngulfatën e mbulohen me pluhur në bibliotekat e shkollave, dyert dhe dritaret e të cilave, një Zot e di se kur janë hapur!... Ndoshta, atëherë kur nxënësit, duke lozur i kanë thyer xhamat e dritareve...

Por, kjo, kur kujtoj gjendjen e përgjithshme në disa shkolla në të gjitha trojet tona, nuk më duket edhe aq trishtuese...! Dhe, hajt, së bashku nëse dëshironi, ta pedatim këtë “fenomen” papërgjegjësie të shoqërisë, mbase edhe të vetë njeriut...!

Kthehem sërish tek garazhi. Po, mirë, librat së paku janë të robëruar në vitrinën e vjetër, e cila, ndoshta mburret me historinë dhe qëndresën e vetë! Por, ecim tutje. Kështu them unë me plotë mllef, kur më rebelohet shpirti dhe mendja. E, në këtë gjendje, nuk jam rrallë, por rrugëtimi gjithnjë më rri si roje kufiri...

3.

Tash, mendja më rrëshqet tek gjakmarrja, dhe para sysh më vizatohet truqi i vogëlushëve, të cilët, si kope qengjash, të grumbulluar në një dhomë-klasë mësimi(!), sepse në shkollë “gjaku” ua ndalon mbrumjen me dituri. Ndalem dhe meditoj. Po, pse mburremi me ecjen dhe me kalimin në shekullin e XXI-të?! Kaçapordhica janë të gjitha këto, ashtu siç janë edhe disa tubime që organizohen, kinse për të bërë diçka për shërimin e kësaj plage “maxhupe” të njeriut.

Ky virus jete, i cili me shekuj ka ngarkuar mendjen e shpirtin, ka ngarkuar dhe shtuar edhe okupimin dhe prangosjen e lirisë. Është ky brejtës, i cili edhe sot e ushqen edhe ndarjen edhe tradhtinë... Sa keq! Po më dridhet zemra dhe trupi, siç dridhen edhe ata fëmijët-filiza jete, të cilët në odën e errët, së paku njëherë në ditë trishtueshëm shfletojnë librat dhe fletoret, por trishtueshëm e shpalojnë edhe perden e dritares, a mos po vjen hija e mortit, që gjakun e bën droçkë, e prishë,... e derdhë!

Duke i parafytyruar të gjitha këto, në shenjë revolte, mendova ta ndërtoj një lapidar me gurë mezhdash, me copa toke, me vija uji, me prerje mali e me pisllëqe të tjera, dhe në te të shkruaj:

-Ja, këtu merrni hak e gjak, nëse kanë vlerë arnat dhe mbeturinat e tilla të jetës...!

Por, kot. Nganjëherë, edhe hëna bën dritë frikshëm dhe i tretë bukuritë e ëndrrave të dashurisë dhe të jetës. Keq!...

E po, ejani ta bëjmë mirë, sepse, ndoshta mu këta fëmijë, nesër do bëhen hënë e diell i atdheut dhe i botës, fëmijët që janë të ngujuar brenda katër mureve e me ëndrra të ndrydhura, e duke rënë e duke u zgjuar me trishtimin dhe me duhmën e gjakmarrjes. Mendja po ma merr, se aspak s’kemi bërë gjë të mirë në këtë drejtim. Nëse nuk është kështu, ani, më kritikoni, sepse, ma ngacmoni zërin e lumturisë.

Ndoshta, këtë kam të drejtë t’ia them vetëm vetvetes dhe shpirtit tim. Por, nuk kam dëshirë të jam i vetmuar në këtë rrugë kaq të gjatë e të rëndë mbase edhe patjetër trishtuese. Dhe, e di se nuk jam vetëm... E di...! E pra. Të shpejtojmë se shpirti më doli, se dielli mbi kokë m’u nxi...!

4.

Por, ndoshta të gjitha këto që i thash, nuk qëndrojnë edhe aq egër në tehun jetës, më të mprehtë se tehu i briskut. Ka kohë, që krijuesit nga Tropoja dhe Gjakova, kanë marrë nismën për të bërë një antologji për poetët e Malësisë së Gjakovës. Të përjetësohet një pasqyrë e dokument kulture e letërsie, që veç tjerash do të ndikojë në forcimin e bashkëpunimit dhe të afirmimit të vlerave krijuese, pa fenomenin-kufi. Dhe, nisma padyshim se ishte e zorshme, por përshkohej edhe me plotë vullnet dhe me shikim përtej shtatë bjeshkëve. Bukur me vështirësi ia filluam, por ia dolëm... E bëmë një hap me peshë, e besoj, një punë me shumë vlerë dhe me rëndësi historike.

Kjo është një pasqyrë që ndritë një rrugëtim të ri, të ngrohtë e me plotë formula jete. Jam i vetëdijshëm se shumëkush do të gëzohet me një vepër e punë të tillë... Ndoshta ka edhe të tjerë! Ani. Jam i bindur se edhe ata do ta gjejnë e hasin madhështinë e arsyes dhe të shpirtit në këtë vepër mbase kapitale, pse jo. Kjo i ngjanë, pothuaj se veprave si ajo, Rruga e Kombit, ose, bile të një pjesëze të saj...!

5.

Për të gjitha këto, e bëra dert edhe me mikun tim, Sh. B., i cili jeton në Londër, e që pas një pushimi në vendlindje, i është “shkurtuar” koha për ta “lëshuar” vendlindjen dhe për të vazhduar jetën në mërgim. Dhe, pas çdo rrëfimi, atë, pandërprerë e kaplon zjarrmia, kurse përbrenda bebëzave dhe qerpikëve të syrit i fshehë gacat e lotëve. Dhe, marrim llafin e historisë, llafin e së kaluarës. I kujtohet gjyshi i tij, një atdhetar i rrallë, Ramë Bllaca. Edhe në këtë rast, ai pezmatueshëm e me dhembje shpirti rrëfen për te dhe për historinë, e tash edhe për varrin e gjyshit të tij. Ai është edhe krijues. Kurbeti ia ka imponuar shkrimin dhe vargun. Ka të botuara dy vepra të “mbështjella” me plotë flakë e mall atdheu. Edhe kësaj radhe, ai e kishte vizituar varrin e gjyshit, dhe çfarë tjetër përveç se ishte zhgënjyer, ishte hidhëruar... sepse varrin e tij e kishin kapluar e “mbështjellë” therrat...

-Nuk bën kështu! - tha,... Pse nuk kemi kujdes ndaj këtyre gjërave,... Edhe varret janë histori!

Dhe, me këtë sertëllak, kishte shkruar edhe vargjet:”Varrin e Gjyshit shkova për ta vizituar/Përmendoren si e ka/Sa mrrolshëm ai më shikoi/Nuk vjen askush për të më parë/M’u ka mbushur varri me bar...”!

Kafshova buzën dhe me hidhërim por pa zë thash:

-Po, qenka mirë sipër varrit për t’ia hedhur edhe ndonjë therrë!...

Dhe, duke kujtuar për rrjedhat dhe fenomenet e njeriut tim, gjatë këtij shkrimi sikur m’u imponua edhe diçka që më mundon e më therë në loçkë të zemrës, si idhca që tajit idhëcim e hidhërim:

-Populli im, ke arsye, por nuk ke moshë për pikëllim...!

Por, çfarë do të thotë kjo. Më tregoni edhe Ju se çfarë mendoni. Mirëpo, kur të përplaseni, nëse përplaseni me këtë mendim, ta keni parasysh se sa rrugë të gjatë kemi kaluar, e sa pak kemi hapëruar! Dikush, ndoshta do të na akuzonte se jemi me sindromën e gjeneratave të fjetura!

O, sa mirë është t’i sulemi më njerëzisht shprushjes së këtyre çështjeve...!



(Vota: 17 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora