Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: Import plehërash Jo, po vendit gjithë plehëra si t’ia bëjmë ndërkohë?

| E premte, 27.09.2013, 05:00 PM |


Import plehërash JO,  po vendit gjithë plehëra si t’ia bëjmë ndërkohë?

Nga Elvi Sidheri

Një nga tre vendimet e qeverisë së re, përveç punës së koklavitur dhe tejet të cekët me çështjen “madhore”...”t’a vëmë apo t’a heqim presidentin” nëpër zyra shteti, lidhej pra edhe me çështjen vërtetë të ndjeshme të importit të plehërave.

Ideja bazë e këtij diskutimi duket të jetë gjithësesi, mosdëshira e shumëkujt, ambientalistë, qeveritarë rioshë në pushtetin e sapozënë dhe qytetarë të thjeshtë, për të importuar brenda kufinjve tanë, sasi të mëdha tonelatash me mbetje, ose siç i quan populli, PLEHËRA!

Kush mund t’a kundërshtojë një iniciativë të tillë vallë?

Askush besoj dhe kjo nuk do shumë mend që të pohohet.

Neve sigurisht që nuk jemi për shembull sa për t’u thënë...Danimarka që siç kam dëgjuar dhe parë, importon me shumicë plehëra nga tërë Europa...edhe të Italisë dhe mjaft qyteteve jugore të saj si Napoli i mrekullueshëm, i bukur, historik, mëmëdheu i picës, mandolinës, ”O sole mio-s”, makaronave dhe Enriko Karuzos, por edhe një qytet i ndotur gjer në palcë për shkak të një mbledhje dhe mosriciklimi e mosgroposje të rregullt të mbetjeve urbane të një qyteti rreth dymilonësh.

Puna e plehërave napoletane lidhet me korrupsionin tipik italian (se mos jemi edhe ne të vetmit aman, se si shumë kemi cazë qejf t’a shajmë vetveten me një mazokizëm ekstrem shpesh)...me infiltrimin e thellë të Camorra-s nëpër tërë labirintet e institucioneve lokale në zonën e Kampanias (krahina italiane me “capoluogo”...kryeqëndër Napolin)...dhe me marrjen në dorë nga “malavita”...kriminaliteti lokal napolitan, i gjithë proçesit të mbledhjes dhe groposjes së mbeturinave urbane të atij rajoni.

Aq keq dhe larg kanë vajtur gjërat atje, sa edhe gropat apo “Landfill-ët” ku supozohet të venë plehërat e Napolit, i përcakton dhe menaxhon Camorra, organizatë që nxjerr miliarda me këtë biznes të veçantë dhe tejet fitimprurës (plehëra ka dhe do ketë gjithmonë, aq kohë sa ky planet i bukur, do të banohet dhe dominohet nga rraca jonë njerëzore, se mbetjet organike të kafshëve, siç e dimë shërbejnë si ushqim për tokën, në ndryshim nga qeset, hekurishtet apo deri tek ndotjet bërthamore që lë pas kur nuk i nevojiten më specia jonë).

Situata e mësipërme napoletane nuk është gjë e re dhe në Itali ka vite që flitet dhe nuk zgjidhet gjë në këtë drejtim!

Duke u kthyer në vendin tonë ndërkohë, këto ditë po thuhet ndoshta me të drejtë, se janë mjaft firma ose ndërmarrje (me shumë të punësuar në një kohë krize si kjo që po kalojmë)...të cilat po ngrenë zërin se me një ndalim të tillë të importit të plehërave, puna e tyre praktikisht është shuar njëherë e mirë.

Kontekst që do pasur sigurisht parasysh edhe ky.

Por mes dy të këqijave, zgjedhim më të voglën zakonisht dhe kur peshohen dy versionet, në shikim të parë të paktën, i bie mjaft më e pranueshme që të mos marrim edhe plehërat e botës (se kemi mjaftueshëm të tonat) dhe t’a bëjmë këtë edhe duke rrezikuar mbarëvajtjen e një lloj industrie riciklimi që ekziston në vendin tonë.

Hipotezat në rast të vazhdimit apo edhe kanalizimit në ndonjë drejtim të veçantë të importit dhe përpunimit apo riciklimit të plehërave të huaja në vendin tonë, do të ishin realisht të shumta.

Dhe duke e njohur Shqipërinë, pikëpyetjet që lindin në të tilla raste, nuk janë fare të pakta!

Kush na siguron dhe do të na garantonte për një mirëpërdorje, pikërisht për atë qëllim (ligjor dhe të parrezikshëm për mjedisin e vuajtur dhe të dëmtuar thellësisht shqiptar)...që do të importoheshin, të këtyre plehërave të huaja?

Ku e dimë dhe ç’garanci kemi (garanci prej vërteti, se me llogje në ajër dhe ligje që s’zbatohen nga askush, na ka ardhur jo në majë të hundës, po deri mbi vetulla rrezik)...që këto mbetje nuk do i plaste dikush nëpër lumenj, gropa të pambyllura mirë e ku di unë më tepër?

Se të bëjmë sikur nuk e dimë si funksionojnë gjërat në vendin tonë, do të thotë të fshihemi pas gishtit dhe një gjë e tillë nuk tingëllon aspak normale.

Pra ky ligj ka “pro dhe kundër” të tij si çdo vendim tjetër madhor dhe me efekte të forta, që merr një qeveri, aq më tepër një qeveri dhe mazhorancë e re në hapat e para të pushtetit, si kjo që kemi ne.

Mendoj se i takon specialistëve që t’a diskutojnë një vendim të tillë dhe shkaqet apo të mirat e të këqijat eventuale që sollën deri këtu e që më pas burojnë nga kjo vendim-marrje e qeverisë.

Ndjeshmëria publike më duket se është e mirë dhe mbështetëse lidhur me këtë vendim ndërkohë.

Plehërat (aq më tepër ato të botës)...nuk i preferon e as honeps askush!

Po me të tonat si i bëhet?

Se mirë që të huajat nuk i duam, lidhur me importin e tyre protestojmë, marrim iniciativa, na organizohet shoqëria civile etj, po këto të tonat se na janë bërë male anë e kënd dhe për pak do na mbysin fare?

Se të vjen habi e madhe që i njëjti popull dhe e njëjta shoqëri civile që kundërshton me mjaft të drejtë importimin e plehërave të botës, ndërkohë është mësuar të bashkëjetojë në një “harmoni” të vyer, jo vetëm me religjionet e ndryshme që përbëjnë thesarin e kombit tonë, me mendimet divergjente politike të shqiptarëve, me ndonjë diferencë rajonale, por edhe mbi të gjitha...me plehërizimin masiv të gjithë ambientit të shtetit shqiptar!

Jo rrallë edhe ballkonet e ndokujt në kat të dytë, janë arritur nga kodrat me plehëra të qelbura dhe të kalbura nga mosmbledhja, por ky nuk përbën problem akut për ndokënd (përveç pikërisht banorëve të katit dhe ballkoneve në fjalë e padyshim kolegëve të tyre në kat të parë që tashmë do jenë mësuar me kalimin si në tunel mes mbeturinave, me erën e kërrmëzuar dhe me mizat e insektet që me plehërat zakonisht për arsye të kuptueshme “bëjnë dasëm”).

Puna është se ndërkohë, ata që banojnë dhe kanë fatin t’a kenë shtëpinë një kat më lart sesa pika maksimale ku arrin pirgu erëqelbur i plehërave (pra që si struci me kokën ngulur në rërë, e ndjejnë të pasmen të qetë dhe larg rrezikut), nuk e çajnë as edhe më lehtësisht kokën (dhe jo vetëm atë)...për katastrofën mjedisore në mes të së cilës jetojnë ata vetë dhe ku po ashtu po u rriten fëmijët e tyre!

E kur diçka e tillë, një ndotje e përmasave gjiganteske ndodh ditën për diell dhe natën për hënë, në qytete, aty ku supozohet të lulëzojë kultura dhe sjellja e quajtur jo rastësisht “qytetare” (term alien ky shumë shpesh dhe tejet i pamerituar po të gjykohet nga sjelljet dhe përgjegjshmëria sikur edhe vetëm mjedisore e shqiptarëve me banim në qytet), atëherë çfarë presim të shohim tjetërkund?

Në qytete, në Tiranë, Vlorë, Shkodër, Elbasan, Korçë, Berat, Kukës, ka kosha nëpër cepa rrugësh e lagje, ka edhe landfille ose thjesht fusha plehërash ku pasi mblidhen nga ndërmarrjet bashkiake të pastrimit, plehërat dhe ndotjet e shumta urbane, hidhen në fushë të hapur (për gëzimin e shumë të varfërve jo vetëm romë të ngratë, që ashtu gjejnë mundësinë e vetme për të mbushur sadopak dhe modestisht barkun, mbledhur kanoçe apo qelq e fituar ndonjë lek, me mbeturinat e flakura tej nga bashkëqytetarët e tyre që për fat e kanë barkun të mbushur dhe që kanë “luksin” që ndonjë gjë t’a hedhin)...ose groposen direkt.

Po në fshatra që as kosha përgjithësisht nuk ka?

Atje i flakim anës rrugës se çfarë do bëjmë tjetër!

Aty ndënë rrugës nacionale ose katundare, plehërat bëhen si fillim kapicë, qelbin ajrin aq shumë sa edhe lopa e jo më njerëzit sëmuren seriozisht, ndotin deri në thellësi tokën dhe burimet ujore, kanale ujitëse e përrenj dhe krijojnë kështu mijëra katastrofa të vockëla “në dukje” mjedisore, që e kanë bërë Shqipërinë tonë një konglomerat pikash të kuqe në hartë, nga ato që duan të thonë se kudo kanë plasur e shpërthyer alarme të panumrueshme që natyrën dikur të virgjër shqiptare (tashmë të dhunuar shtazërisht), po e rrënojnë dita-ditës më tepër.

Të mos harrojmë se normalisht, në ato toka fshatare, banorët për t’u ushqyer vetë apo për të dalë sa për të shitur ndonjë gjë poshtë në qytet, mbjellin edhe frutat, perimet e nganjëherë edhe drithin që pastaj të gjithë ne, do i përdorim si ushqim.

Ushqim që ka përthithur gjatë rritjes nga “farë” e gjer në frut, perime apo grurë e misër, tërë pasojat e plehërave që kanë pushtuar anembanë tokat tona dhe që sigurisht janë ujitur me ujin e ndotur prej së njëjtës arsye tashmë tejet të njohur fatkeqësisht!

Nuk nevojitet fare që njeriu të jetë ndonjë specialist mjedisi kushedi se çfarë, që të kuptohet se dëmi që ne vetë, banorët e këtij vendi, po i bëjmë “qëllimisht” ambientit dhe natyrës, pyjeve, lumenjve apo bregdetit shqiptar, është i parekuperueshëm, i turpshëm dhe kriminal!

Nuk erdhën as serbët, turqit apo grekët, meqë këta i kemi armiqtë parësorë në imagjinatën tonë kolektive, që të na hanë bregdetin, që të na ndërtojnë idiotësi megallomane pesë hapa nga bregu, që të presin gjithë kurorën me pemë të plazhit të vjetër të Durrësit dhe të natyrës së gjelbër të Golemit.

Në vitet 80-të, mbaj mend që për t’u nisur për tek deti, nga dhomat me qera që ndodheshin pas shinave të trenit dhe matanë një kanali me ujë të ndenjur, tërhiqnim ombrellat e plazhit dhe këmbët tona, nëpër rërën e pafund dhe brezin me pemë, midis hijes, ajrit të pastër dhe këngëve të zogjve përzjerë me zhurma gjinkallash që dukej sikur nuk mbaronin kurrë, kurse sot se ç’bëhet në plazhin e Durrësit dhe ish brezin e tij të pemëve dhe rërës (iu ndrittë shpiriti në parajsë, se janë bërë për t’u quajtur “të ndjerë”)...e dimë të gjithë.

Po ashtu nuk ka qenë asnjë armik shekullor i jashtëm apo katastrofë natyrore (se neve që i bëjmë dëm me papërgjegjshmëri gati vdekjeprurëse vetes, na mbron Zoti dhe nuk na dënon me ndonjë mënxyrë të tillë)...që ka gërryer një për një çdo lumë në vendin tonë, nuk kanë qenë të huajt që kanë prerë tërë masivin drusor të ish zonës së mrekullueshme të Liqeneve të Lurës dhe nuk po na e zhdukin të huajt, por ne vetë “Koranin” e shijshëm dhe unik të liqenit në Pogradec (se në anën tjetër, 11 muaj në vit sllavët nuk i lejon kush t’a gjuajnë me asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë “Pastërmkën” siç i thonë ata koranit).

As andej nga aeroporti ynë i vetëm ndërkombëtar i Rinasit (i vogël, por modern dhe dinjitoz)...të huajt (se ne jemi mësuar, prandaj s’ka asgjë, sado e shpifur të jetë, që të na vrasi sytë).., nuk kanë as kohën e duhur që të krijojnë përshtypjen e parë për atdheun tonë të dashur, të vlerësojnë bustin e Nënë Terezës, kësaj gruaje dhe figure që na zbardh faqen botërisht me jetën dhe veprën e saj, sepse sapo të nisin rrugën gjarpëruese drejt autostradës Tiranë-Durrës, përveçse do kalojnë mes një gjelbërimi të respektueshëm, do të vënë re domosdo, në skarpatet e çdo përroi të zonës, vargmale plehërash, grupe qensh rrugaçë që enden mes tyre në kërkim kockash dhe një ndotje që nuk kursen asnjë cep!

Pra...import plehërash jo, por edhe një ndërgjegjësim të brendshëm anti-plehrë, PO!