E enjte, 23.09.2021, 07:07 AM (GMT+1)

Lajme

Përgjigje ndaj të “vërtetave” të Oana Manolescut

E merkure, 25.09.2013, 09:01 PM


REMEMBER

Përgjigje ndaj të “vërtetave” të zonjushes Oana Manolescu

(Reagime të dikurshme, aktuale sot e kësaj dite)

Padrejtësia e bërë ndaj minoritetit shqiptar u është bërë e njohur të gjitha forumeve (Drejtuesve të Dhomës së Deputetëve, Presidencës së Rumanisë, Qeverisë së Rumanisë), përfshirë edhe ato të Drejtësisë, pa u marrë parasysh akti i falsifikimit të dokumentave publike, për faktin se duke patur mandat deputeti, ajo gëzonte imunitet parlamentar. Shtypi i Rumanisë dhe Shqipërisë e ka vënë në dukje këtë padrejtësi, madje Oana Manolesku është prezantuar në një nga organet qëndrore të shtypit rumun, (gazeta Adevarul) në rubrikën “Personi më i diskutuar”. Në vendin e një përfaqësuesi autentik të etnisë shqiptare u validua në Parlament “një surrogat”, pa asnjë lloj përkatësie në atë etni. Anëtaret e etnisë shqiptare kanë reaguar në shumicën e tyre dërrmuese, por më kot. Drejtuesit e BKSHR-së i kanë bërë tashmë të gjitha përpjekjet ligjore, me përjashtim të sinjalizimit të ketij rasti pranë Këshillit të Europës.

 

***

Në kuadrin e artikullit “E vërteta e shqiptarëve të Rumanisë”, kuptojmë nga “Koha Jonë” se deputetja Oana Manolescu përpiqet t’u bëjë replikë disa vëzhgimeve të spikatura dhe shumë të përmbledhura të Shkëlqesisë së Tij, zt. Leonidha Mërtiri, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Bukuresht, në lidhje me situatën e rëndë në të cilën ndodhet organizata përfaqësuese e Bashkësisë Kulturore të Rumanisë. Kjo si pasojë e faktit se etnia shqiptare përfaqësohet në Parlamentin e Rumanisë nga një person që nuk i përket kësaj të fundit, por që përdor subvencionet financiare të Qeverisë vetëm në dobinë e një grupimi të themeluar në mënyrë të dyshimtë nga Oana Manolescu, disa muaj përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2000, i përbëre nga rreth 15 persona, të cilët as nuk janë të gjithë me etni shqiptare. Në këtë situatë jemi të detyruar të bëjmë saktësimet e mëposhtme:

Vlerësojmë se është i justifikuar shqetësimi i shfaqur nga përfaqësuesi diplomatik i Shqipërisë në Bukuresht, ndaj ekzistencës së Bashkësisë së Shqiptarëve të Rumanisë. Kujtojmë se kjo është Bashkësia e një tradite mbi 400 vjeçare, e cila në momentin e tanishëm gjendet në pragun e shpërbërjes për shkak të vështirësive financiare që po përjeton prej vitit 2001, kur të gjitha subvencionet e shtetit rumun që i takonin minoritetit shqiptar, iu kaluan një personi të huaj për këtë etni, që nuk i njeh as historinë, as anëtarët e saj, duke i provokuar dëme të pallogaritshme në drejtim të vazhdimësisë. Kështu, selia qëndrore e Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, organizatë përfaqësuese e minoritetit shqiptar, e themeluar në vitin 1990, anëtare themeluese e Këshillit të Minoriteteve Kombëtare të Rumanisë, u desh të braktisej, gjë që i solli dëme patrimonit tonë, ndërkohe që degët e saj, madje edhe më të mirat, si për shembull në Braila, Kraiovë, Turnu Severin, Konstancë, nuk e kanë më mundësinë e një veprimtarie sadopak normale. Nuk botohet më Vjetari “Albanezul” (Shqiptari), i ndërprerë që nga viti 2000, dhe as librat mbi Historinë e Komunitetit Shqiptar të Rumanisë, të cilat ishin në përpunim e sipër.

Revista “Albanezul” nuk doli disa vjet rregullisht, por vetëm çdo tre muaj, edhe kjo në funksion të mundësive të kolegjiumit të redaksise, i cili punon në mënyrë vullnetare. Sigurisht që nuk mund të renditen të gjitha vështirësitë, por thjesht dëshirojmë të konkretizojmë me shembuj të përmbledhur shqetësimin e ligjshëm, jo vetëm të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Bukuresht, që na është gjendur përherë afër, të shtetit dhe autoriteteve shqiptare që e njohin në vazhdimësi thellësinë e problemit, por edhe të shumicës së anëtarëve të Bashkësisë Shqiptare. Zonja Oana Manolescu, me vetë deklaratën e saj pranë Ligës së Shqiptarëve të Rumanisë, e themeluar si fondacion në vitin 1997, ka pranuar se është me kombësi rumune, duke mos respektuar Kushtetutën  për përfaqësimit e komunitetit të shqiptarëve në Paralamentin e Rumanisë, aq më tepër që askush nuk e ka njohur këtë person me përkatësi të huaj në etninë shqiptare, as të paktën kolegët e saj.

Organizata me emërtim tautologjik Shoqata Liga, (që nga pikëpamja gramatikore është e njëjta gjë) e Shqiptarëve të Rumanisë doli me këtë cilësim të çuditshëm pas hyrjes së saj si deputete në Paralment në bazë të listës së Ligës së Shqiptarëve të Rumanisë, në vijim të kontestimit që iu bë nga ana e drejtuesve të Ligës respective që u themelua si fondacion në vitin 1997 dhe u shndërrua në shoqatë në vitin 1999. Pra afirmimi se e paska prejardhjen nga një familje shqiptare përbën një gënjeshtër me bisht dhe një fantazi e pastër që nuk mund të justifikohet kurrsesi. Sigurisht, të jesh “mik i shqiptarëve” nuk barazohet me përkatësinë pranë kësaj etnie, në një kohë kur në Bukuresht ka një Shoqatë të Miqësisë Rumuno-Shqiptare, në të cilën bëjnë pjesë miq të vërtetë të shqiptarëve.

Oana Manolesku flet për “arritje shembullore” të Shoqatës Liga e Shqiptarëve të Rumanisë dhe botimin e revistës “Prietenul Albanezului” (Miku i Shqiptarit), por nuk thot asnjë fjalë të vetme se këto realizohen me subvencionet e Qeverisë rumune të parashikuara për minoritetin shqiptar, dhe se në këtë mënyrë dëmet i sillen pikërisht minoritetit shqiptar, i cili tashmë ndodhet në proces të shthurjes si pasojë e vështirësive financiare që nuk i japin mundësinë e zhvillimit të një veprimtarie normale. Ç’lloj miku është ai që e shpall veten si përfaqësues të shqiptarëve kur ua bllokon atyre veprimtarinë për ruajtjen e Bashkësisë në vazhdimësinë e vet historike? Kur shqiptarët etnikë marshonin në rrugët e Bukureshtit për “Paqë në Kosovë” dhe ndërprerjen e gjenocidit serb kundër shqiptarëvet, ku ndodhej deputetja apo “mikja e shqiptarëve”? Si “përfaqësuese e etnisë” a ka parashtruar ndonjeherë në Parlament mendimet e tyre?

Prania e Oana Manoleskut në Parlamentin e Rumanisë është kontestuar që prej periudhës së zgjedhjeve nga ana e Ligës së Shqiptarëve të Rumanisë në emrin e së cilës kandidoi, dhe vetëkuptohet edhe nga organizata përfaqësuese e etnisë Bashkësia Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë. Grupi Parlamentar i Minoriteteve Kombëtare të Parlamentit të Rumanisë e mohoi si perfaqësuese të etnisë shqiptare. Komisioni i Validimit të Mandateve u ndryshua disa herë, ndërkohe që validimi i saj si deputet zgjati nga Nëntori i vitit 2000 deri në Mars të vitit 2001, dhe për këtë drejtuesit e Dhomës së Deputetëve sollën motivacionin se nuk kishte më asnjë mundësi të rekuperoheshin lekët e përfituara nga Oana Manolescu si deputete, për aq kohë sa qëndroi e pavaliduar. Me të drejtë, përfaqësuesi i etnisë ukrainase deklaroi se në vendin e një përfaqësuesi autentik të etnisë shqiptare u validua “një surrogat”, pa asnjë lloj përkatësie në atë etni. Ish-Ambasadori i mirënjohur i Rumanise në Tiranë, zt. Gheorghe Miku sinjalizon në një intervistë dhënë gazetës “Shekulli” (Shkurt, 2001) se “Znj. Oana Manolesku nuk ka marre votat e shqiptarëve të Rumanisë”.

Padrejtësia e bërë ndaj minoritetit shqiptar u është bërë e njohur të gjitha forumeve, (Drejtuesve të Dhomës së Deputetëve, Presidencës së Rumanisë, Qeverisë së Rumanisë), përfshirë edhe faktorëve të Drejtësisë, pa u marrë parasysh akti i fallcifikimit të dokumentave publike, për faktin se duke patur mandat deputeti, ajo gëzonte imunitet parlamentar. Shtypi i Rumanisë dhe Shqipërisë e ka vënë në dukje këtë padrejtësi, madje Oana Manolescu është prezantuar në një nga organet qëndrore të shtypit rumun (Gazeta “Adevarul”) në rubrikën “Personi më i diskutuar”. Anëtarët e etnisë shqiptare kanë reaguar në shumicën e tyre dërmuese, por më kot. Drejtuesit e BKSHR-së i kanë bërë të gjitha përpjekjet ligjore, me përjashtim të sinjalizimit të këtij rasti pranë Këshillit të Europës. Të gjitha fjalët mbi “dashurinë për shqiptarët” shpërbëhen përballë realiteteve të dhimbshme që po përjeton Bashkësia e Shqiptarëve të Rumanisë, gjë që ndikoi edhe në rezultatin e regjistrimit të popullsisë gjatë vitit 2001, kur disa anëtarë nuk e deklaruan më përkatësinë shqiptare, duke menduar se kësisoj do të validonin praninë në Parlament të një deputeti që nuk u përket.

Në mbyllje, Oana Manolesku shkruan: “Të premtoj se nuk do të zgjidhem më?”. A di zonja Manolesku se këtej e tutje do të përjetësojë praninë e vet si deputet në Paralmentin e Rumanisë, në emër të rreth 520 personave që vazhdojnë ta deklarojnë përkatësinë shqiptare? Nëse situata nuk do të kishte qenë kaq e trishtë, do ta merrnim thjesht si një shaka. A mund të justifikohen me të tilla argumente “të vërtetat” mbi shqiptarët e Rumanisë? Na vjen keq që hapsira tipografike nuk na lejon një përshkrim më të thellë të situatës, sepse vetëm atëherë opinioni publik do të mund të konstatonte “të vertetat” e rradhitura si replikë ndaj disa vëzhgimeve të spikatura, d.m.th ndaj faktit se Oana Manolesku nuk do të arrije kurrë t’i përfaqësojë shqiptarët e Rumanisë. (Dr. Xhelku Maksuti, Kryetar Themelues dhe Kryetar Nderi i BKSHR-se, Dr. Xhemile Aliu-Susli, Kryetare e BKSHR-së, Dr. Luan Topçiu, Zv. Kryetar i BKSHR-së, Kryeredaktor i revistës “Shqiptari”. (Albanezul, Nr. 106, 2003).



(Vota: 11 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora