Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhelal Zejneli: Vasa Çubriloviq - ''Dëbimi i shqiptarëve'’

| E merkure, 25.09.2013, 08:48 PM |


VASA ÇUBRILOVIQ, “DËBIMI I SHQIPTARËVE”, (1937)

(pjesë nga elaborati)

Nga Xhelal Zejneli

Historiani dhe akademiku serb Vasa Çubriloviqi (1897-1990), memorandumin Dëbimi i shqiptarëve (Iseljavanje Arnauta) e hartoi për qeverinë e Stojadinoviqit (Milan Stojadinoviq, Çaçak, Serbi 1888 – Buenos Aires, 1961; jurist dhe ekonomist, kryeministër i Mbretërisë së Jugosllavisë në vitet 1935-1939). Çubriloviqi ia propozoi kësaj qeverie mënyrat dhe metodat e zgjidhjes së “problemit shqiptar”. Ka lindur në Bosanska Gradishkë të BH-së. Emri i tij figuron në dy forma, si: Vasa dhe Vaso. Ka qenë një prej pjesëmarrësve më të rinj të atentatit në Sarajevë ndaj princit austriak dhe trashëgimtarit të fronit austro-hungarez Franc Ferdinandit (1863-1914). Ka qenë historian dhe anëtar i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve. Në memorandumin e vet për serbizimin e Kosovës e kritikon mënyrën joefektive të kolonizimit të kësaj hapësire pas Luftës së Parë Botërore, kur në to janë vendosur pjesëtarët e ish-ushtrisë serbe, me qëllim të shpërnguljes, d.m.th. dëbimit të popullsisë shqiptare. Në memorandumin të cilën më 7 mars 1937 ia dërgon qeverisë së Milan Stojadinoviqit, i propozon metodat e përndjekjes dhe të dëbimit fizik të shqiptarëve prej Kosove për në Turqi dhe në Shqipëri. Në të vërtetë, kemi të bëjmë me një pastrim etnik të përpunuar dhe të planifikuar në hollësi. Për shqiptarët, ky akademik serb përdor termin Arnauti.

Shqiptarët janë raca më ekspansive në Ballkan – thotë nacionalisti serbomadh Jovan Cvijiqi (1865-1927), gjeograf, rektor i Universitetit të Beogradit dhe kryetar i Akademisë Mbretërore Serbe të Shkencave.

Dëbimi i shqiptarëve nga trojet e tyre etnike, i planifikuar dhe i përpunuar nga Çubriloviqi:

*   *   *

“Problemi i shqiptarëve në jetën tonë kombëtare dhe shtetërore nuk ka lindur dje. Ai ka luajtur një rol të madh në jetën tonë në periudhën e mesjetës, por një vend tejet të rëndësishëm ka zënë nga fundi të shekullit XVII, kur popullata serbe, prej trojeve që dikur  kanë qenë vatra luftërash, shpërngulet drejt veriut dhe në vend të tyre vijnë malësorët shqiptarë. Dalëngadalë, prej kodrave të tyre ata vendosen në luginat pjellore të Metohisë dhe të Kosovës dhe duke depërtuar drejt veriut, shtrihen në drejtim të Moravës perëndimore dhe jugore; nëpër Malin Sharr bien në Pollog dhe që andej drejt Vardarit. Deri në shekullin XIX është krijuar në këtë mënyrë trekëndëshi shqiptar, pykë e cila, në saje të mbështetjes etnike të vijës Dobar-Rogoznë është ngulur thellë në trojet tona dhe ka arritur deri në Nish, duke i ndarë trojet tona të vjetra të Rashkës nga Maqedonia dhe nga lugina e Vardarit...

Këtë pykë shqiptare, Serbia filloi ta krasitë që nga kryengritja e parë (Kryengritja e Parë Serbe më 1804 – Xh. Z.), duke e dëbuar popullsinë shqiptare të viseve më veriore, që nga Jagodina”.

* * *

“Pjesën tjetër të trekëndëshit shqiptar kishte për detyrë ta shkatërronte shteti ynë i sotëm, prej vitit 1918 e këndej. Një gjë të tillë ai nuk e bëri. Për këtë ka shumë arsye, e ne këtu do t’i theksojmë vetëm ato më të rëndësishmet:

1) Gabimi kryesor i faktorëve tanë përgjegjës të asaj kohe qëndron në faktin se, për t’i zgjidhur problemet e mëdha etnike kanë tentuar t’i zbatojnë metodat perëndimore, duke harruar se ndodhen në Ballkanin e trazuar dhe të përgjakshëm. Turqia e solli në Ballkan parimin që e kishte marrë nga Sheriati, sipas të cilit, pas luftës së fituar dhe pushtimit të një vendi, fitohet edhe e drejta mbi jetën dhe mbi pasuritë e shtetasve të nënshtruar. Edhe popujt e krishterë të Ballkanit kishin mësuar prej tyre se me shpatë fitohen apo humben, jo vetëm pushteti dhe sundimi, por edhe shtëpia dhe prona. Ky koncept për marrëdhëniet juridiko-private në Ballkan, deri diku është zbutur me ligje, me dekretligje dhe me konventa ndërkombëtare të hartuara nën trysninë e Evropës; megjithëkëtë ai (ky parim i sheriatit – Xh. Z.), deri në ditët tona ka qenë metoda kryesore, edhe e Turqisë, edhe e shteteve ballkanike. Për ta ilustruar një gjë të tillë, nuk na duhet t’i kthehemi një të kaluare të largët. Do t’i përmendim vetëm rastet e paradokohshme: shpërngulja e grekëve nga Azia e Vogël për në Greqi dhe e turqve nga Greqia për në Azi të Vogël; shpërngulja më e re e turqve nga Bullgaria dhe nga Rumania për në Turqi. Derisa të gjitha shtetet ballkanike, prej vitit 1912 e këndej, çështjen e pakicave kombëtare, ose e kanë zgjidhur tashmë, ose janë duke e zgjidhur - duke i shpërngulur ata, ne ndërkaq i kemi zbatuar metodat kontestuese dhe të ngadalshme të kolonizimit gradual. Rezultatet e kësaj metode kanë qenë negative... Duke qenë se shqiptarët janë të egër, kanë shkallë të lartë të shtimit  dhe duke qenë se kushte e kolonizimit sipas metodave të vjetra janë gjithnjë më të vështira, ngecja jonë në shpërnguljen e shqiptarëve, në krahasim me vendet e tjera, me kalimin e kohës do të rritet gjithnjë më tepër; për pasojë, do të vihet në dyshim edhe kolonizimi pak a shumë i suksesshëm që e kemi kryer prej vitit 1918 e deri më sot”.

* * *

4) S’ka dyshim se shkaku kryesor i dështimit të kolonizimit tonë në ato vise qëndron në faktin se tokat më të mira kanë mbetur në duart e shqiptarëve. Për ta vendosur elementin tonë në përmasa të mëdha në ato rajone, ka pasur vetëm një mundësi: shqiptarëve t’u merreshin tokat. Një gjë e tillë ka qenë e mundshme të bëhej më lehtë pas luftës (Luftës së Parë Botërore – Xh. Z.): duke e dëbuar një pjesë të shqiptarëve për në Shqipëri gjatë rebelimeve dhe aksioneve të kaçakëve, duke mos i legalizuar uzurpimet e tyre dhe duke i blerë çifligjet e tyre.

Përsëri duhet t’i rikthehemi me këtë rast gabimit katastrofik të konceptit tonë juridik të periudhës së pasluftës lidhur me pronësinë mbi tokën. Në vend që ta shfrytëzonim konceptin e vetë shqiptarëve për tokat e uzurpuara prej tyre, rrallëkush prej tyre ka pasur edhe tapi turke, madje vetëm për pronat e blera – ne, në dëm tonin të madh kombëtar dhe shtetëror, jo vetëm që i kemi legalizuar të gjitha këto uzurpime, por, që është edhe më e keqe, ua kemi vënë në dijeni shqiptarëve konceptet euro-perëndimore mbi pronën private. Para kësaj kohe, ata nuk kanë ditur për një gjë të tillë. Në këtë mënyrë ne vetë ua dhamë në dorë armët me të cilat do të mbrohen, do t’i mbajnë tokat më të mira dhe do të bëhet i pamundur nacionalizimi i një prej rajoneve më të rëndësishme për ne”.

* * *

“Ky bllok shqiptar përgjatë Stara Planinës (Mali i Vjetër, term bullgar për Ballkanin – Xh.Z.) për shtetin tonë ka një rëndësi të jashtëzakonshme, edhe kombëtare-shtetërore edhe strategjike. Më lartë e treguam mënyrën e krijimit të tij dhe rëndësinë e tij për lidhjen e fuqishme të viseve përgjatë luginës së Vardarit me territoret tona të vjetra. Forca më e madhe e ekspansionit serb, që nga fillimi i krijimit të shtetit të parë serb e këndej, që nga shekulli IX, gjithmonë është mbështetur në kontinuitetin e këtij ekspansioni dhe të territoreve të vjetra të Rashkës, në të gjitha drejtimet, po edhe kah jugu...

Në shekullin XX mund të jetë i sigurt vetëm ai vend që është i banuar me popullin vetanak, ndaj është detyrë mbi detyra e çdo njërit prej nesh të mos lejojmë që pozicionet e tilla me rëndësi strategjike kaq të madhe t’i zotërojë elementi, i cili për ne është i huaj dhe armiqësor.  Aq më tepër kur ky element ka mbështetje në shtetin kombëtar amë. Ky shtet sot ende është i pafuqishëm, por edhe si i tillë është shndërruar në bazë të imperializmit italian, nëpërmjet të cilit ai synon të depërtojë në zemër të shtetit tonë. Kundër këtij depërtimi, mjet më i sigurt është elementi ynë i cili do të dojë dhe do të mund ta mbrojë pronën e vet dhe shtetin e vet.

Përpos në këtë bllok prej 18 rrethesh ku janë kompakt, shqiptarët dhe pakicat e tjera kombëtare në zonat jugore jetojnë edhe të shpërndarë. Si të tillë, nuk janë aq të rrezikshëm për jetën tonë kombëtare shtetërore. T’i nacionalizosh rajonet përgjatë Stara Planinës do të thotë ta vrasësh përgjithmonë çfarëdo irredentizmi dhe përgjithmonë ta sigurosh shtetësinë mbi këto vende”.

* * *

“Shqiptarët është e pamundur të luftohen vetëm me anë të kolonizimit shkallëzor; ky është i vetmi popull që ka arritur në një mijë vitet e fundit, jo vetëm të qëndrojë përballë bërthamës së shtetit tonë Rashkës dhe Zetës, por edhe në dëm tonin t’i shtyjë kufijtë tonë etnikë në veri dhe në lindje. Derisa kufiri ynë etnik, në një mijë vitet e fundit, në veri ka lëvizur deri në Suboticë, ndërsa në veriperëndim - deri në Kupë, shqiptarët ndërkaq, na kanë dëbuar nga lugina e Shkodrës, kryeqendrës së dikurshme të Bodinit, nga Metohia dhe nga Kosova (Sipas burimeve sllave: Konstantin Bodin, një prej sundimtarëve në historinë kombëtare të malazezëve; prej vitit 1082-1108 ka sunduar në Mbretërinë e Duklës,– Xh. Z.).

E vetmja mënyrë dhe i vetmi mjet për ta zgjidhur problemin shqiptar është forca brutale e një pushteti shtetëror të organizuar, e në këtë pikëpamje ne kemi qenë gjithmonë mbi ta. Fakti se prej vitit 1912 e këndej nuk kemi pasur sukses në luftën ndaj tyre, faji është yni, për arsye se këtë pushtet nuk e kemi shfrytëzuar si duhet.

Për një nacionalizim (asimilim – Xh. Z.) të tyre në favor tonin as që mund të flitet. Përkundrazi, duke iu mbështetur Shqipërisë, zgjohet vetëdija kombëtare e tyre dhe po qe se punët nuk do t’i pastrojmë në kohë, për 20-30 vjet do të kemi një forcë irredentiste të hatashme, gjurmët e së cilës tanimë vërehen dhe kjo, pa asnjë dyshim, do të vë në pikëpyetje të gjitha zotërimet tona në Jug”.

“Siç thash dhe më sipër, për ne është efektive vetëm shpërngulja masive e shqiptarëve nga trekëndëshi i tyre. Për t’u zbatuar një shpërngulje masive, kusht i parë është krijimi i një psikoze të përshtatshme. Kjo mund të bëhet në disa mënyra.

Të gjithë e dimë se popullata myslimane në përgjithësi, duke qenë naive, por edhe fanatike, shumë lehtë i nënshtrohet ndikimit, sidomos atij fetar. Me fjalë të tjera, për t’i shpërngulur shqiptarët, në radhë të parë duhet ta bëjmë për vete klerin dhe parinë e tyre që kanë ndikim, qoftë duke u dhënë para, qoftë duke iu kanosur. Sa më parë duhet gjetur agjitatorë të cilët do të agjitojnë për shpërngulje, e sidomos po qe se vetë Turqia do të pajtohej të na i dërgonte”.

(Detyrë e agjitatorëve ka qenë ta lëvdojnë Turqinë, jetën e atjeshme, të thonë se atje është parajsë, se ky këtu është vend i shkaut, i kryqit, se këtu do të bëhen shkie, do ta humbin fenë. Ata që do të shpërngulen për në Turqi dokumentet e udhëtimit do t’i nxjerrin për një ditë, pa asnjë procedurë, biletat do të jenë me çmime të lira, madje edhe falas, transporti i valixheve deri te stacionet e trenave do të jetë falas...)

* * *

“Mjet tjetër do të kishte qenë trysnia e aparatit shtetëror. Ai duhet deri në skajshmëri t’i vërë në zbatim ligjet, në mënyrë që sa më tepër t’ua nxijë jetën shqiptarëve: gjobitje, arrestime, zbatimi i pamëshirshëm i të gjitha rregullave policore, dënimi i kontrabandës, i prerjes së pyjeve,  ndjekja e njerëzve, lëshimi i qenve, angazhimi në punë angarie dhe çdo metodë tjetër që mund ta zbatojë në praktikë një polici.

Në lëmin e ekonomisë të merren masat vijuese: të mos njihen tapitë e vjetra; puna në kadastra në të gjitha zonat duhet të ndërpritet menjëherë; tatimet dhe të gjitha borxhet publike e private të grumbullohen pa mëshirë; të ndalohet shfrytëzimi i kullotave shtetërore dhe i kullotave komunale; të hiqen  koncesionet; të merren lejet e lëshuara të punës për kafenetë, për dyqanet dhe për zanatet; të merren lejet e monopolit; të dëbohen nga shërbimet shtetërore, private dhe të vetadministrimit, etj. Me masat e lartpërmendura shpërnguljet do të përshpejtoheshin.

Të zbatohen në mënyrë praktike dhe efektive edhe masat sanitare, si p.sh.: të përmbarohet me dhunë çdo aktvendim edhe ndaj shtëpive; të rrënohen muret dhe rrethojat e mëdha përreth shtëpive; të zbatohen me përpikëri masat veterinere me të cilat do të ndalohet nxjerrja e bagëtisë në tregje, etj.

Në çështjet fetare shqiptarët janë më të ndjeshëm, ndaj edhe në këtë sferë duhet të goditen mirë. Kjo mund të arrihet duke i shkaktuar probleme të ndryshme klerit, duke hapur rrugica nëpër varreza me qëllim përdhosjeje të tyre, duke e ndaluar poligaminë, e sidomos e duke zbatuar në mënyrë të pamëshirshme ligjin që edhe vajzat të detyrohen ta ndjekin shkollimin fillor, kudo që ka shkolla.

Në këtë drejtim mund të bëjë shumë edhe iniciativa private. Kolonëve tanë, varësisht nga nevoja, duhet dhënë armë. Në ato rajone duhet të ndërmerren aksionet e vjetra të çetnikëve, ndërsa gjatë realizimit të aksionit, ai të mbështetet në mënyrë sekrete. Për të shkaktuar konflikt masiv me shqiptarët në Metohi,  prej kodrave duhet lëshuar një valë malazezësh.  Konflikti duhet të përgatitet me njerëz të besueshëm: sa më shumë që të ngrenë krye shqiptarët, aq më lehtë do të mund të shtrihet konflikti dhe ngjarja, në mënyrë të qetë, të prezantohet si konflikt i vëllazërisë dhe fisit dhe në rast nevoje t’i jepet karakter ekonomik. Në instancë të fundit, mund të nxiten edhe kryengritje lokale në mënyrë që të shuhen në gjak me mjete më efektive, por jo aq me ushtrinë sa me koloniatët (kolonizuesit – Xh. Z.), me fiset malazeze dhe me çetnikët.

Ekziston edhe një mjet të cilin Serbia në mënyrë tejet praktike e ka përdorur pas vitit 1878 - djegia sekrete e fshatrave dhe e lagjeve të shqiptarëve nëpër qytete.”

* * *

Kolonëve pra duhet t’u sigurohen të gjitha kushtet jetësore për disa vjet, po qe se dëshirojmë që ata të mbeten atje. Pamëshirshëm duhet të shuhet çdo spekulim me shtëpitë dhe me pronat e shqiptarëve të shpërngulur. (Çdo pretendim për të dëshmuar të drejtën e trashëgimisë ndaj shtëpive dhe pronave të shqiptarëve të shpërngulur, përnjëherë të hedhet poshtë - Xh. Z.). Shteti duhet të ketë të drejtë të pakufizuar për të vënë në dispozicion edhe pasuritë e luajtshme, edhe pasuritë e paluajtshme të pronarëve dhe pas vajtjes së tyre, menjëherë t’i sjellë aty kolonët e vet. Duhet vepruar në këtë mënyrë për arsye se rrallë mund të ndodhë që përnjëherë të shpërngulet i tërë fshati. Në ato fshatra, si njerëz të pacipë, agresivë dhe të vrazhdët, në fillim duhet të vendosen malazezët, të cilët duke shkaktuar incidente do t’i detyrojnë shqiptarët që ende nuk janë shpërngul, të ikin sa më parë. Pas kësaj, të sillen edhe kolonë prej anëve të tjera.

* * *

“Duke i pasur parasysh të gjitha këto që u thanë më sipër, nuk është e rastit që ne, gjatë shqyrtimit të çështjes së kolonizimit në jug, nisemi nga fakti se e vetmja mënyrë efektive e zgjidhjes së kësaj çështjeje është çatdhesimi masiv i shqiptarëve. Kolonizimi gradual nuk është kryer me sukses, as te ne, as në ndonjë vend tjetër. Në luftën për tokë, organet shtetërore  që punojnë në favor të elementit të vet, mund të arrijnë sukses vetëm atëherë kur ndërmarrin masa brutale. Përndryshe, vendasi që është rrënjosur në vatrën e vet dhe që u është përshtatur kushteve klimatike të mjedisit, gjithmonë është më i fortë se kolonizuesi. Këtë duhet pasur parasysh, sidomos kur kemi të bëjmë me një racë të egër, vitale dhe me prirje të madhe shtimi (sirova, žilava i plodna rasa) për të cilën i ndjeri Cvijiq ka thënë se është raca më ekspansive në Ballkan”.

Memorandumin e Çubrilloviqit, për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike dhe rrethanave ndërkombëtare të pafavorshme, Qeveria e Stojadinoviqit nuk arriti ta implementojë në tërësi. Pas sulmit gjerman mbi Jugosllavinë më 6 prill 1941 dhe shkatërrimit të Mbretërisë së Jugosllavisë, jetësimi i tij u ndërpre. Ai mbeti në arkiva dhe për të, përpos një numri të vogël studiuesish, vite të tëra s’ka ditur kush.

Për këtë elaborat opinioni ndërkombëtar për herë të parë mësoi në vitet ’60 të shekullit XX, kur ai ra në duart e autoriteteve më të larta të Shqipërisë. Duke u bazuar në këtë projekt famëkeq, autoritetet e Tiranës e demaskuan botërisht ideologjinë serbomadhe dhe planet për pastrimin etnik të trojeve shqiptare në Jugosllavi. Autoritetet zyrtare të Jugosllavisë e kanë mohuar ekzistimin e këtij elaborati, por ai filloi të qarkullonte ndër historianë.

Për elaboratin “Dëbimi i shqiptarëve” publiku jugosllav mësoi për herë të parë në janar të vitit 1988 kur disa pjesë të tij u botuan në vazhdime në të përditshmen “Borba” të Beogradit, e pak më vonë edhe në revistën “Start” të Zagrebit. Gazeta Borba në atë kohë ishte pjesërisht e pavarur nga politika nacionaliste e Sllobodan Millosheviqit. Publikimi i këtij elaborati shkaktoi skandal për arsye se me këtë u cenua, jo vetëm reputacioni i historianit prestigjioz, por edhe i laureatit të Çmimit Nobel, shkrimtarit serb Ivo Andriq (1892-1975), i cili në vitet ’30 të shekullit XX i mbështeti planet antishqiptare të Çubrilloviqit.

Më vonë ky tekst shpesh është cituar dhe është theksuar nga publicistë të ndryshëm shqiptarë dhe kroatë, si një nga dokumentet themelore të ideologjisë serbomadhe të shekullit XX, përkatësisht si bazë e metodave që i përdorën gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë autoritetet serbe, për pastrimin etnik të territoreve të shqiptarëve, të myslimanëve dhe të kroatëve.

Manuskripti i elaboratit të Çubrilloviqit “Dëbimi i shqiptarëve” ndodhet në Institutin Ushtarak-Historik të APJ-së, Arkivi i ish-ushtrisë jugosllave, Beograd, 7 mars 1937, No. 2, Fasc. 4, Box 69, 19 pp.

* * *

Ide të ngjashme Çubrilloviqi ka paraqitur edhe në memorandumin tjetër të tij që mban titullin “Çështja e pakicave në Jugosllavinë e re”. Më 3 nëntor të vitit 1944, d.m.th. menjëherë pas çlirimit të Beogradit, memorandumin ua propozoi autoriteteve të reja komuniste. Në të i kishte përfshirë të gjithë popujt josllavë të Jugosllavisë. Zyrtarisht, plani u hodh poshtë si jokompatibil me ideologjinë komuniste. Megjithëkëtë, Çubrilloviqi u pranua në Partinë Komuniste të Jugosllavisë. Me këtë rast, elaborati “Dëbimi i shqiptarëve” nuk figuroi në biografinë zyrtare të tij.

Edhe në këtë memorandum propozohen mënyrat e zgjidhjes së “problemit të pakicave”, duke bërë pastrimin etnik të Jugosllavisë nga të gjitha pakicat josllave.

Çubrilloviqi thotë se të gjitha minoritetet në Jugosllavi, si: shqiptarët, gjermanët, hungarezët, italianët dhe rumunët, duke manifestuar “haptas qëndrim armiqësor ndaj shtetit ku jetojnë”, vetvetiu e kanë privuar veten nga të drejtat qytetare. Për këtë arsye, ata duhet “të dëbohen nga shteti ynë, ngase një gjë të tillë edhe e kanë merituar”.

Dr. Çubrilloviqi i propozon kreut ushtarak dhe shtetëror çatdhesimin (ekspatriacionin) e miliona njerëzve, me çka sipas tij, çështja e pakicave në Jugosllavi do të zgjidhej përgjithmonë. Ai thotë se në Jugosllavinë Demokratike  Federative do të kishte paqe dhe prosperitet vetëm atëherë kur të ishte etnikisht e pastër dhe kur të zgjidhte çështjen e pakicave “një herë e mirë”; pas kësaj nuk do të kishte më fërkime ndëretnike dhe as përplasje me shtetet fqinje.

Në memorandumin e sipërthënë - të mbajtur sekret, midis tjerash Çubrilloviqi thotë: “Me rastin e zgjidhjes së problemit të pakicave, me çdo kusht duhet ta pushtojmë etnikisht Baçkën, Kosovën dhe Metohinë, duke dëbuar me këtë rast qindra mijë hungarezë dhe shqiptarë nga shteti ynë”.

Çubrilloviqi thotë se “këto luftëra janë momente më të përshtatshme për zgjidhjen e këtyre problemeve”, për arsye se “atë që në paqe nuk mund ta realizosh me dekada dhe shekuj, në kohë luftërash e realizon vetëm për disa muaj apo vetëm për pak vite”. Prandaj propozon që Ushtria Popullore Çlirimtare e Jugosllavisë (UPÇJ), qysh gjatë operacioneve luftarake “me plan dhe në mënyrë të pamëshirshme” t’i pastrojë këto vise prej pakicave kombëtare, në mënyrë që në to të vendoset “elementi kombëtar”.

*   *   *

Në vitin 1953 e kemi Marrëveshjen xhentëlmene midis Turqisë dhe Jugosllavisë për shpërnguljen e shqiptarëve nga vatrat e tyre. Kjo marrëveshje përmban 10 pika. Në përputhje me këtë të,  grupet e përbashkëta parlamentare vizituan Turqinë dhe Jugosllavinë.

Për t’i çatdhesuar (ekspatricionuar) shqiptarët nga Kosova dhe viset e tjera, Beogradi synonte të vendosë lidhje sa më të ngushta me Turqinë. Me fjalë të tjera, ai synonte ta ripërtërijë Konventën jugosllavo-turke të vitit 1938 për çatdhesimin (ekspatriimin) e shqiptarëve nga trojet e tyre dhe deportimin për në Turqi. Së pari, Jugosllavia duhej të përmbushte detyrime financiare të caktuara, të parashikuara me konventën e vitit 1938, që kapnin një shumë prej 90 milionë dollarësh.

Për riaktivizimin e konventës ishte e interesuar edhe Turqia. Ajo synonte t’i përdorë shqiptarët në luftën kundër kurdëve, ndaj planifikonte t’i vendosë në zonat kurde.

*   *   *

Pas Luftës së Dytë Botërore, në Jugosllavinë e AVNOJ-it (KAÇKJ), Çubrilloviqi bëri karrierë politike. Menjëherë pas çlirimit, u emërua dekan i Fakultetit filozofik të Universitetit të Beogradit. Pas themelimit të qeverisë së parë të përkohshme të Jugosllavisë Demokratike Federative, në vitet 1945-1946 u emërua ministër i Bujqësisë, ndërsa në vitet 1946-1950 – ministër i Pylltarisë. Është dekoruar me “Çmimin e Tetorit” dhe me “Çmimin e 7 Korrikut. Ka qenë një nga personat më kompetentë për kolonizimin e viseve veriore të Jugosllavisë, kur janë dëbuar nga Vojvodina gjermanët nëndanubianë.