E premte, 19.04.2024, 02:38 PM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: "Zhorzh Simenoni" nga Qeparoi

E hene, 23.09.2013, 06:26 PM


"Zhorzh  Simenoni" nga  Qeparoi

Romani  "Patkoi" i Petraq   Palit

( esse)

Nga Përparim Hysi

Sekush është Zhorzh Simenoni, çdo lexues i mirëfilltë e di. Është ai shkrimtari i dëgjuar francez që është fokusuar tek lexuesit përmjet një personazhi shumë intrigues: Komisarit Megre. Ku kish krime apo shkelje të ligjit, atje do gjeje dhe komisarin Megre. Komisari Megre është ai "vëllai siamez" i të shquarit Sherlok Holmës.

Ky, Holmësi, është bërë mitik përmjet Konan Dojlit. Përgjithësisht, romane ku personazhe janë Holmsi apo Megreja janë nga më interesantët. Kur shkruaj kështu, natyrisht që nuk jam unë që po "thyej vezën e  Kolombit", se, siç mendoj unë, ky është një mendim që nuk ka nevojë për komente. Është si ai fshati që duket, që nuk ka nevojë për  kallauz. Atëherë, vetvetiu, lind  e menjëherëshme pyetja: - Kush qenka ky "ZHorzh Simenoni" nga  Qeparoi?  Pa e shtyrë në mëdyshje cilindo që do marrë mundimin që të lexojë këto  rreshta modeste, po ia shuaj kurreshtjen: ZHorzh Simenoni nga Qeparoi, është shkrimtari Petraq Janko Pali nga Qeparoi që sa jeton në  Virgjinia të Amerikës, aq dhe në Qeparoin e tij të bukur e të pandërrueshëm me asnjë vënd tjetër.

*    *    *

Jo çdo lexues mund të jetë i kënaqur me përgjigjen time dhe ca më shumë me  nominimin tim për Petraq Palin. Disa do ta marrin këtë nominim si një ngutje timen apo si një hamendësi të qëllimshme. Por nuk është  kështu aspak. Në arrita te ky nominim për shkrimtarin dhe poetin Petraq Pali, kam se ku mbështetem. Mbështetem tek hulumtimi  i thellë i tij në bëma e ngjarje, ku një krijues do si do ( ta zëmë si puna ime, për mos lakuar ndonjë tjetër ), kurrë nuk do të arrinte që  të  jepte  para lexuesëve një roman  si "Patkoi". Po e them që në fillim: të çuditë fakti se si autori di që të futet mu "nën lëkurë" të personazheve dhe, si eksploron si me një "lupë" çdo qelizë, vjen dhe na sjellë ca të vërteta që të trondisin. Çudi tjetër me këtë shkrimtar është dhe një fakt tjetër: Petraq Pali asnjë ditë nuk ka punuar në ato organe (zbulimi) ku t'i jepet mundësia që, përmjet arshivës, të na servirë këto të vërteta. Ai vërtet nuk mban në gojë atë "llullën mitike" të Simenonit, që,tek tymoste me nge, mbushte faqe e faqe me të njëjtin personazh: Megrenë. Jo. Petraq Pali ka një "nuhatje" tjetër. Dikur  kur bëja historinë e lashtë, profesori i ndjerë Shaban Demiraj, thoshte: " Demosteni ka  patur një hundë që nuhaste larg". Më duket se dhe Petraq Pali si shkrimtar që trajton të tillë tema, ka "hundën e Demostenit". Ja dhe një atribut tjetër. NJë tjetër, por që i shkon,ama. Nuk është prova e parë e tij.

Ai e ka kaluar Rubikonin që në vitin 2010 me romanin "ZHdukja misterioze  e Besnik  Memës". Veç ata që e kanë lexuar atë roman, mund  të më japin të drejtë.

Si një nga ata që e çmova atë roman me temë të "tejkaluar" pak nga koha, mendova se me kaq dhe  Petraq Pali o do t'i kthehej gjinisë së tregimit, o do na dhuronte ndonjë libër me poezi lirike, ku natyra aq e bukur e bregdetit do ishte si një vello nuseje, për vargjet të mbushura edhe me sharmin e nurin  e vajzave e grave të atyre trevave.  Vjershërimi e ka si në  vënd të tespijeve: po t'i referohem Nolit, do të thosha: " I shkruan poezitë me aq lehtësi, sa zë burri vesh'n  e tij". Por ja  tek vjen befasisht, me një roman të tillë,si "Patkoi".

*    *    *

Romani "Patkoi" është krijim i tij, po nuk është "shpikje" e tij. Ngjarjet që zënë fill në roman, ai i ka mësuar "rastësisht". Rastësisht, por rasti a nuk është "mbreti i botës". Në  qendër të romanit është ukrainase e bukur, Elena Mihaillova. Petraq Pali nuk qe ai "kavalieri galant" që ra preh e kësaj bukurie. Dhe në se ka ndodhur ( njerëzit e letërsisë e artit janë vlerësues të së bukurës), kjo jo vetëm që nuk ia prish vlerat, por ia rrit dhe më shumë karizmën prej krijuesi. Duke njohur këtë ukrainase të bukur, ai nuk i ngjau atij oficerit holandez që, obsesuar nga bukuria e të famshmes Matta Hari, ra në rrjetën e saj të zbulimit. Pastaj më keq e pati ai ,rusi Vandim dhe "peshqit që ranë në rrjetë të Mata Harit"  qenë të shumtë. Petraq Pali jo vetëm ruajti gjakftohtësinë, por me një kthiellësi proverbiale arriti që të na japë, si  në një sini ku serviren "gatime të ndryshme kulinare". Është një "kuzhinë" ku "gatuhet" nnjë lloj gjelle tjetër.

Duke u njohur me një personazh mitik,tanimë, si Elena Mihajllova, lexuesi mer  vesh gjithë "gatim special" të shkollës ruse made in Xherxhinsk dhe më tej. MIhajllova e Petraq Palit është  më tepër se  një Mata Hari. Mihajllova dhe ish shokët e shoqet e saj të shkollës,janë si një "klon",i njëjtë me atë delen "Dolli" në Angli. Tej kësaj historie, Mihajllova, të kujton jeniçerët e dikurshëm të sulltanit. Nënë e baba kishin sulltanin, kurse Mihajllova dhe "disa" si ajo: Bashkimin Sovjetik. Të gatitur kështu, ata qenë gati të flijoheshin për atdheun e tyre. Sa  më tepër të lexosh, aq më i plotë bëhet portreti i saj. Duke na sjellë një personazh të tillë, Petraq Pali, na thotë: - Shpesh fatet e njerëzve, ndonjëherë dhe të shteteve, vendosen në "surdinë". Personazhet që veprojnë, pas skenës, vërtet janë të padukshëm, por pesha e tyre, është e madhe dhe, ndonjëherë, e pakompensueshme. Mendoni, vetëm një çast, "si vëllain e MIhajllovës", Kim Filbin.  Ca  kohë para Filbit, Sorgen apo dhe ndonjë tjetër të këtyre përmasave.

*      *      *

Për mos u bërë  i mërzitshëm dhe të bezdisë lexuesin me këtë ligjëratë modeste, dua të theksoj: Mihajllova qe një zbuluese e shquar sovjetike. Kur "fryjtën erërat e perëndimit" dhe vdiq  Bashkimi Sovjetik, ajo emigroi në Greqi. Populli ynë ka një fjalë të bukur:" Sumbullën e artë nuk e lë njeri të bjerë për tokë". Asfalia greke  e mori këtë "sumbull të artë" dhe pati përfitime të mëdha. Më tej Mihajllova "shtegton" për në USA. Edhe këtu e bëri beli. "Shërbeu" në atë "zanatin made in Xherxhinsk" duke dhënë një kontrbut me vlerë në luftën e  Irakut. Tani ajo jeton diku në afërsi të Uashingtonit dhe, në se nesër do të duhet andej nga Arabia ku "fryn era e pranverës arabe", ajo prapë do japë kontributin e saj. Mihajllova është kozmopolite dhe tani  mbron popujt që luftojnë për liri e demokraci.

E, sa për Petraq Palin që e ka "gjitoni", jam i sigurt që me të mbrritur në Amerikë, do t'i "ngrejë prapë ambasadat me të" dhe, në se ajo niset me "shëbim", ZHorzh Simenoni nga Qeparoi do shkruaj një roman tjetër. Po a ka më bukur se  kaq? Nuk besoj. Jam i ndërgjegjshëm që kështu do ndodhë. Ai e ka kaluar Rubikonin dhe ne, lexuesit e shumtë të tij, (unë jam një  nga ata ) mezi po presim. O burra, Petraq!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora