Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gjekë Gjonaj: Histori e vërtetë dashurie

| E diele, 22.09.2013, 06:39 PM |


Çifti Zagreda me djalin Kola

Çifti Ejll dhe Age Zagreda kremtoi 70-vjetorin e martesës

Histori e vërtetë dashurie

Nga Gjekë Gjonaj

Në muajin shtator të këtij viti u mbushën 70 vjet, prej kur Ejll Zagreda ( 88 vjeç) nga fshati Reç  dhe Age Palja ( 91 vjeç) nga fshati Kllezën të komunës së Ulqinit  deklaruan     “ po”  para priftit  Dom Nikollë Tusha në Kishën e Shëngjergjit.

O,  more bir, a  dëshiron të dish të vërtetën  e martesës sonë?  - më thanë  të buzëqeshur me  shumë dashuri   në fillim të bisedës  çifti shqiptar  i moshuar, ditën e vizitës sime në shtëpinë e tyre madhështore në vendlindje, një  ditë para  kthimit të tyre në Amerikë.

Po,   kam kënaqësi t’u dëgjoj - u  përgjigja.

Dhe siç  thotë Kanuni i Lekës i pari fillon bisedën Ejlli.

“  Babai e xhaxhai  më fejuan  sipas traditës në moshën 13 vjeçare, pa më pyetur  fare.  E fejuara  ime ishte tri vjet më e vjetër. Nuk e njihja. As ajo mua. Pesë vjet ndejta i   fejuar, dhe nuk arrita  asnjëherë, as ta shoh e lëre më të takohem me shokun  e jetës. Ndoshta   sot ju  duket e çuditshme, por e vërtetë. Herën e  parë u pamë ditën e kurorëzimit. Duhej respektuar zakonet e martesës së familjeve fshatare në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Kur isha adoleshent  nuk më ka shkuar ndërmend se mund të më plotësohet ëndrra e rinisë sime. Ishin prindërit ata që vendosnin dhe lidhnin krushqi për fëmijët e tyre.Rolin vendimtar e luanin interesat e shtëpisë e jo  dëshirat personale të të rinjve”,  thotë me seriozitet Ejjli, burrë i ndershëm  e  human.

Po , po,   - ndërhyn buzagaz bashkëshortja e tij  Ageja – as unë deri ditën e martesës  nuk dija se si duket burri im.  "Në atë kohë ishte marre  ( turp) me u takua me të fejuarin. Martesa e vajzave asokohe nuk varej nga dëshira e  tyre, por nga interesi i familjes”, shprehet Ageja, në praninë e djalit të saj  Kolës dhe kushëririt të burrit Nocit.

Edhe pse,  as Ejlli, as Ageja kurrë nuk pyetën zemrat e tyre kur është fjala  për martesë, por prindërit bënë si deshtën  vet, me shumë dashuri  e respekt e kanë pranuar jetesën e përbashkët. “ Më parë e kisha pranuar vdekjen se sa  e kisha thyer fjalën ( vullnetin)  e prindërve pa marrë parasysh se a jemi pëlqyer njëri me tjetrin. Deklarimi kundër vullnetit atëror  do të ishte krim për mua që nuk do ta bëja kurrë”, thotë me bindje të plotë Ejlli. ”

Ejll dhe Ege Zagreda   është një çift martesor model. Shembull se si duhet të jetojnë bashkë  burrë e grua  në harmoni dhe lumturi familjare.  Me shembullin e tyre dëshmuan se dashuria, për të cilën, siç thashë,  nuk i kanë pyetur zemrat, është më e fortë  se gjithçka tjetër, dhe se me durim  mund të jetohet edhe 70 vjet bashkë. Çifti Zagreda është modeli më i përkryer për t’u pasur një histori martese. Gjithmonë të pandarë, ata ngjallin admirim tek  fëmijët, farefisi dhe  miqtë e tyre.  Ejlli e Ageja po ashtu mund t’ju shërbejnë si shembull i shkëlqyer çifteve të reja   të sapormartuar, që për herë të parë  ballafaqohen  me probleme martesore.     Marrëdhënia që kanë mes tyre ngjall admirim.

Është e çuditshme që gjatë kësaj periudhe 70-vjeçare që njihen, gjithmonë kanë qenë bashkë dhe përherë  kanë pasur harmoni. Në çdo shaka, darkë, lëvizje, punë, në çdo moment, thonë ata, gjithmonë kanë pasur marrëveshje.

Gjatë jetës së gjatë e të lumtur bashkëshortore  sollën në jetë shtatë fëmijë: katër vajza dhe tre djemë, prej të cilëve dy u kanë vdekur pa i mbushur gjashtë muaj.  Gëzimi i tyre më i madh sot janë  djemtë:  Kola  e Gjergji, dhe  vajzat: Roza, Vitorja dhe Kusha , të gjithë të martuar dhe jetojnë  të gëzuar me familjet e tyre në Amerikë. Pjesë e familjes së këtij çifti të rrallë  janë afro 40 nipa e mbesa, disa prej të cilëve me shkollim  të lartë.

Çifti i moshuar Zagreda, i cili qysh në vitin 1968 jeton jashtë vendlindjes në Amerikë,   gëzon shëndet të mirë. Të dy janë vital, të shkathët, shohin dhe dëgjojnë mirë. Mendjen e kanë të kthjethtë. Ageja  edhe sot vetë e shtjen penin në gjilpërë . Ndërkaq, Ejlli   nget ( drejton) veturën, sikur në moshën e pjekurisë .  Pleqëria e tyre e thellë deri sivjet nuk i ka penguar të vijnë e të çmallen, të çlodhen dhe të kënaqen   çdo verë në vendlindjen e tyre, që e duan shumë. Dhe pas pak muajsh ku i merr malli për fëmijët kthehen  përsëri  në Amerikë.

Fëmijët prindërve të tyre sivjet  u kanë organizuar në Nju-Jork një gosti të madhe për nder të 70 vjetorit të martesës. Përvjetorin e martesës  e kanë shënuar edhe në Ulqin.

Për jubileun e tyre ka dëgjuar edhe Papa Françesku, në Selinë e Shenjtë në Vatikan. Shkëlqesia e tij,  çiftit Zagreda, u ka dhënë  Bekimin Apostolik, në të cilin thuhet: „ Shenjtëria e tij Papa Françesku me gjithë zemër u ka dhënë çiftit të moshuar Ejllit dhe Ages Zagreda Bekimin e Tij Apostolik duke thirrur plotësinë e hireve me rastin e 70-vjetorit të martesës“.

Nga biseda   kuptova se në mes të këtij çifti, që i kam miq familjar  të dëshmuar, ende ka dshuri, ka respekt, ka tolerancë,ka mirëkuptim. Të dy e duan dhe e nderojnë  njëri-tjetrin,tani në pleqëri edhe më shumë. Nuk munden njëri-pa tjetrin.Thonë se janë bërë një dhe se për asnjë çast nuk do të dëshironin të jetonin pa shoqin. Ka  gjëra shumë konkrete që bëjnë bashkëshortët për të  ndihmuar dhe mbrojtur shëndetin e njëri-tjetrit. Por ndoshta kontributi më i madh është emocional.

„  Fatlum është ai njeri , sidomos në pleqëri,  që ka dikë me të cilin bisedon, i shpreh emocionet. Kjo rezulton në përfitime reale fizike dhe emocionale“, thonë në ndarje  çifti Zagreda, të cilëve u uruam udhëtim të mbarë për në Amerikë dhe  jetë të shëndetshme edhe shumë vite të tjera.

Dhashtë  Zoti që së bashku të festojmë 75 vjetorin e martesës së  tyre në Ulqin.