E premte, 24.09.2021, 12:45 PM (GMT+1)

Kulturë

Kopi Kyçyku: Një vepër e mbamendshme

E premte, 20.09.2013, 07:50 PM


NJË VEPËR E MBAMENDSHME

Remzi Limani "Etja e lumit", roman (Shtëpia Botuese ARSA, Prishtinë, 2013)

Nuk mund të këqyret si krijim i denjë një morì a tufë fletësh të mbyllura brenda dy mbulesash a kopertinash, që na servir në tavë në vend të ushqimit të shëndetshëm, të freskët e vitaminoz, një turli thartëtirash.

Nga Kopi Kyçyku

Nuk mund të quhet roman i mirëfilltë ai qindrafaqësh që stis ngjarje të paqena e të pabesueshme - pjella të dëshirës për të bërë efekte e sensacione.

Nuk mund të quhet vepër letrare-artistike ai grumbull fletësh trishifrore (zakonisht) që derdhin jo ngjyra, por njolla gjatë vizatimit të portreteve të personazheve anemikë dhe jashtënjerëzorë, për hir të manisë për të qenë origjinalë ( me demek, do të thoshte turku).

Nuk mund të zerë vendth në raftin e librave që rrezatojnë kulturë e dije një stok fletësh të shkruara me një shqipe (i thënçin!) që huazon me vend e pa vend dhjetra fjalë, stilema, sintagma, madje edhe tema të marra shabllon nga një gjuhë tjetër, të cilën "huamarrësi" zhvatës, në shumicën dërrmuese të rasteve, i kumton tjetër për tjetër përderisa nuk zotëron mekanizmat e gjuhës amtare - kusht i domosdoshëm për të përvehtësuar me themel një gjuhë tjetër.

Nuk mund të këqyret si krijim i denjë një morì a tufë fletësh të mbyllura brenda dy mbulesash a kopertinash, që na servir në tavë në vend të ushqimit të shëndetshëm, të freskët e vitaminoz, një turli thartëtirash.

Meqë, mjerisht, llojlloj sajesash të tilla na vrasin sytë gjithnjë e më dendur e gjithnjë e më paturpësisht nga vitrinat e librarive, nga interneti etj etj, është më se e kuptueshme kënaqësia që ndjejmë kur, më në fund, gjejmë një vepër me vlera të mirëfillta, si në formë, ashtu edhe në përmbajtje.

Një vepër e tillë është romani i Remzi Limanit "Etja e lumit" (Shtëpia Botuese ARSA, Prishtinë, 2013).

I shkruar me stil të rrjedshëm e tërheqës, në një gjuhë të pastër, të thjeshtë, të kuptueshme e komunikuese, romani i sapopërmendur shtjellon një temë, e cila, - sa dendur e hasur në ditët e sotme, aq edhe rrallë e trajtuar kaq mjeshtërisht, - na ngjall kënaqësi estetike të epërme.

Një dashuri, - midis Fisit dhe Hanës, artiste e njohur - që dukej se nuk do të zbehej kurrë, u pa se mbahej në një fije peri. Në vend të saj hyri natyrshëm lidhja e Fisit me Nitën, grua e ve, së cilës në udhën e vështirë të jetës i bëhet krah e bija, një e re pa paragjykime.

Nuk dua të hyj më thellë në zbërthimin e subjektit ngaqë nuk dëshiroj t'ia shuaj kurreshtjen lexuesit.

Urime të përzemërta dhe arritje të reja, Remzi! I ankorofsh anijet edhe në limane të tjera, po kaq me siguri sa në "Etjen e lumit"!



(Vota: 18 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora