E marte, 23.04.2024, 11:48 AM (GMT+1)

Kulturë

Isak Ahmeti: Gjeçovi dhe qytetërimi shqiptar

E premte, 20.09.2013, 07:59 PM


VIKTOR D. SOPI: GJEÇOVI TRADITA DHE QYTETËRIMI SHQIPTAR...

(Fragment studimi)

Shkruan: Prof. Isak Ahmeti

Kohë më parë, në botim të Institutit Albanologjik në Prishtinë, doli në dritë studimi monografik me titull: GJEÇOVI TRADITA DHE QYTETRIMI SHQIPTAR (botim i dytë i plotësuar), i autorit Viktor D. Sopi, të cilin po e marrim në shqyrtim. Kjo vepër, siç shkruan diku në fillim Dr.Don Mikel Sopi (fq.14), është në të vërtetë një përmbledhje shqyrtimesh dhe vezhgimesh analitike, një përpjekje gjithsesi serioze dhe e re, si për shfletimin e veprave të njohura e të panjohura të Gjeçovit, ashtu edhe për vlerësimin e tyre. Që këtej, prandaj, lirisht mund të themi se studiuesi në fjalë don Viktor D. Sopi, është mbase studiuesi i parë shqiptar që është përpjekur, jo vetem ta ndriçojë, por edhe ta vlerësojë dhë rivlerësojë, përmes një optike të re studimore, figuren dhe veprën e Gjeçovit.

Vepra në fjalë është një kontribut shumë i çmueshëm, ekzemplar, në ndriçimin e figurës së Gjeçovit dhe veprës së tij. Si e tillë, prandaj, kjo vepër e Sopit e begaton, madje në mënyrë të ndjeshme, shkencën shqiptare për Gjeçovin.

Nga studimi në fjalë del se Gjeçovi nuk është vetëm koodifikues i "KANUNIT TË LEKË DUKAGJINIT", patriot dhe martir i kombit, por edhe poet, i kohëve rinore rilindëse, i një kthese të madhe në letërsinë shqiptare, madje edhe në letërsinë kishtare, i cili besonte në kulturën e folklorit të letrarizuar; një shqipërues ambicioz, i cili, vepren e shqipëruar e vinte në shërbim të nevojave të popullit; një autor i një manifesti apo programi të ngjeshur të propagandës rilindëse, që duke i artikuluar shtyllat kryesore të qytetërimit kombëtar, përvijon vizionin e një shoqërie të re, të re e demokratike dhe moderne, ku do të zotëroje liria, përgjegjesia, drejtësia, toleranca, kultura dhe kudo të jetojnë, të gjithë shqiptarët, të bashkuar, pa dallim feje dhe krahine, në një atdhe dinjitoz.

Ndërsa autori i këtij studimi monografik, ndonëse i ballafaquar me shkrime dhe teksture të rrafsheve e të semantikave të ndryshme, ka arritur që, përmes kësaj vepre, përmes një stili të lëhtë, të kuptueshëm, të bukur e preciz, përmes një gjuhe gjithsesi të rrjedhshme, të hedhë dritë te re, me një optikë të re studimore, mbi shumë aspekte të veprimtarisë së Gjeçovit.

 

Biografia

Don Viktor D. Sopi, i lindur më 25 tetor 1957 në Binçë të Vitisë, vjen nga një familje e njohur bamirëse SOPI. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse gjimnazin klasik në Suboticë.

Në prag të maturës, policia ushtarake e dërgon detyrimisht në shërbim ushtarak në kazermën e të dënuarve në Gospiç të Kroacisë. Pas këtij përjetimi, në gjimnazin klasik themelohet një komision, i cili e liron don Viktorin nga provimi i maturës, në mungesë të tij.

Pas shërbimit ushtarak, regjistron studimet filozogike-teologjike, në Kaptol të Zagrebit, të cilat i përfundon me notën më të lartë, në vitin 1983. Gjatë studimeve në Kaptol, për një mandat ishte kryetar i Unionit të Studentëve, gjë që ishte privilegj i madh për një student shqiptar.

Pas përfundimit të studimeve, regjistroi studimet postuniversitare dhe njëkohësisht ishte në shërbim të komunitetit shqiptar në Kroaci. Në këtë periudhë, Imzot Nikë Prela përjetoi një aksident të rënd komunikacioni dhe Don Viktori me kërkesën e tij u kthye në Kosovë për ta shoqëruar atë nëpër qendrat rehabilituese dhe njëkohësisht për të shërbyer në Ferizaj.

Në mars të vitit 1987, Ipeshkvi Ordinar Imzot Joakim Herbut, me seli në Shkup, e emëroi famullitar në Kishën e „Zojës Rruzare“ në Bistazhin, famullia më e madhe Dioqezane.

Këtu, Don Viktori bëri punë të rëndësishme në aspektin shpirtëror dhe material, në dobi të besimtarëve, duke organizuar pjesët më të largëta të famullisë dhe duke ndërtuar objekte sakrale,si: Kishën e Shën Jozefit dhe shtëpinë e famullisë në Pjetërshan si dhe Kishën e Shëlbuemit në Bardasan.

Bistazhini mori formën e një qendre edukative-kulturore, me një infrastrukturë të kompletuar. Prirjet e tija artistike, pasqyrohen në rregullimin e objekteve të shumta të ndërtuara nga ai, duke bërë që kjo famulli të merr një pamje përveç funksionale, edhe artistike. Në kushte shumë të vështira dhe sfida të mëdha, i ndihmuar nga bashkëpuntorët, Don Viktori arriti të realizoj projekte të mëdha. Gjithashtu, në bashkëpunim me aktivistët e arsimit, ai ka luajtur një rol të rëdnësishëm në emancipimin kulturor, sidomos me angazhimin e pa kursyer që Bistazhini të bëhet me shkollën e mesme, e cila bart emrin „At Gjergj Fishta“.

Tani e disa vite, është famullitar në Ferizaj dhe njëkohësisht Drejtor i Caritasit të Kosovës. Edhe këtu, me punën e tij, arriti të krijoj një ambient krejtësisht të ri, duke rritur përkushtimin dhe aktivitetet dhe duke i dhënë vendit një pamje të re.

Caritasi i Kosovës, me përkushtimin e tij, gëzon një reputacion dhe respekt të madh si institucion bamirësie në tërë territorin e Kosovës. Nën drejtimin e tij, Caritas Kosova, është shndërruar në një institucion të respektuar kudo në Europë dhe krijoi ura bashkëpunimi reciprok me Caritasin Europian, me seli në Bruksel.

Përveç tjerash, Don Viktori ishte themelues dhe botues i revistës „Rrezja“, po ashtu pjesë e redaksisë së Revistës „Drita“, në të cilat botoi shkrime të shumta nga këndvështrime të ndryshme.

Përkundër punës dhe përgjegjësive të mëdha, Don Viktori asnjëherë nuk është shkëputur nga shkrimet dhe kërkimet studimore. I frymëzuar nga vlerat universale të veprës së Dpstojevskit, i motivuar nga atdhedashuria e Fishtës dhe guximi trimëror, deri në sakrificë i Gjeqovit, Don Viktori posedon një numër të madh të dorëshkrimeve që presin botimin, dorëshkrime këto që kultivojnë dhe shpalosin vlerat universale që i posedon populli ynë.

(Don Fran Sopi)



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora