E hene, 20.09.2021, 01:05 PM (GMT+1)

Kulturë

Shefik Shkodra: Përfytyrime e realitete

E premte, 20.09.2013, 07:57 PM


Përfytyrime e realitete

Nga Shefik Shkodra

(Njeriu, kafshët dhe fantazmat:

Lexues i nderuar, pranoni këtë letër si të tillë! Krejt me qëllim që të shihet se ka shumë tipa njerëzish në kasaba që shëmbëllejnë në diversitetin katërkëmbësh, por edhe në figura të tutshme e të rrezikshme. Këta tipa si gjithnjë janë të gatshëm të futen në secilën vrimë që (s)mund të gjendet në tokat e Kosovës...më shumë për të sunduar ndonjë kohë për interesa personale, familjare, mëhalle pa zgjedhur mjete njerëzore...Ju lutemi të mos hidhërohet askush, veç atyre që e gjejnë vetën si të tillë!)

Një zhurmë prej dhome në dhomë dëgjohet si ndonjë përdhunim. Nuk dihet se për çfarë bisedohet, sepse përzihen shumë zëra. Gjithfarësh. Dhe përnjiherë duket se duan të shfarosen në mes veti. Nga një herë ulet tensioni dhe kuptoj se bëjnë, si zakonisht, “politikë”! KQZ thuhet se paskan certifikuar deri më tash mbi 90 subjekte të ndryshme. Njerëzit duken sikur janë transformuar në diçka të pabesueshme. E çka dëshirojnë kaq subjekte në këtë vend kaq të vogël?! Do t’ishte afër mendjes për tri, katër parti më serioze dhe nja katër pesë më të vogla, nja pesë gjashtë individ të pavarur. Që të gjithë me programe konkrete.

Njerëzit duan përparim, jo pështjellime e ngecje...

***

Kemi shkruar do vite më parë për urithin që bart gjithë frytet e të lashtave verore, pa e pas pa askush nëpër labirintet e nëntokës. Edhe palaços jemi munduar t’ia shndrisim portretin, po ashtu dhelprës, dhisë, langoit etj. Por, kemi shkruar edhe për qenin e llojet e tij me ngjashmëritë e një soji të njeriut. Edhe pse nuk mund t’i njoh cikërrimat e tij si qenie, gjithsesi bie fjala ia shohim, ngjyrën e qimes, tiparet, sjelljen, “inteligjencën” e forcën fizike, dhe më mban uzdaja se, deri diku kemi mundur ta perceptojmë këtë kafshë shtëpiake. Duke ia shikuar formën dhe pjesët e jashtme të trupit të tij, shihet se të gjithë qenët kanë turinj të njëllojtë. Kanë gjithashtu dhëmbë që ka njeriu dhe të tjerët, gjuhën, lehjen...veç ngjyra e zërit mund t’u ndryshojë prej njëri tjetrit. Kokën e kanë, përafërsisht si kafshët tjera me disa specifika. Veshët, kush të gjatë e të gjerë, e kush prej tyre më të shkurtër...sytë të gjithë njësoj, veç përreth mund të ketë ndonjëri ndonjë shenjë, larë. Për disa (me larë) thuhet se janë qenë me dy palë sy. Sipas bestytënive popullore, ata shohin edhe natën, e i shohin edhe fantazmat dhe qeniet tjera të padukshme. Shpeshherë njerëzit i përziejnë figurat e tutshme me ato reale të kafshëve. Dhe po del se, qeni është më i mirë se njeriu. Pak kujt i shkon ndërmend se, njeriu është ndër kafshët më të përsosura.

Sojet e qenit janë të shumtë. Do i thërrasin qen shtëpie, qen stani, qen mali, zagar gjuetie, langua rruge si nomad e pa strehë dhe grumbuj të shumtë të lënë pa kurrfarë përkujdesje. Këta të fundit kudo i fusin turinjtë. Kudo e çka do hanë, pinë e rrinë mbi të fëlliqtë flenë. Kështu i qel  pranvera disa qen të zgjebosur, kur i sheh sikur lëkura do t’u bie aty për aty, përnjëherë...nëse qëllon në kërma e plehra menjëherë ngjallet e qërohet. Në këtë kontekst duhet t’i dallojmë edhe gjinitë. Për femrën mund të themi se kanë këta emra, kudra, bushtra, zagarica. Dhe kjo gjini tregohet më e shkathët, më përbiruese, e shpejtë dhe më tinëzare. Rastin e kemi shumë ilustrues e praktik (të ndonjërës në kasabanë tonë, mjerisht! Thash, jo të gjitha. Vetëm ndonjëra, e zgjebosur. E kemi dëgjuar nga populli: “Kudër kudra!” Të shtojmë, “për ta njoftë njeriun, duhet me hangër ni thes kryp!” Dhe po bindemi në kohën e sotme me këtë thënie. Vetëm praktika mund ta përkujtojë teorinë. Për këtë çështje e dëgjon njeriun rrëfimtar, se si ankohet për të njëjtat punë sa herë që takohesh me të. Madje, ai të referohet si njeriu më i këndshëm e më i përpiktë. Shtiret se është shumë i drejtë. E po, “i drejtë si konopi në thes”, thoshin dikur.

***

Një kafshë e gërditshme është edhe çakalli, vëllai si qeni. Del nga strofulli i fëlliqtë. I tillë është edhe vetë, si do njerëz të kërleshur, të përçyrravtë, pehlivanë të mashtruar si zalloga

që janë e plehra, matuf si në rini si në pleqëri të lënë...mendojnë se janë politikanë, kangjallozë e çka jo tjetër. Jo të gjithë janë të ngjashëm me çakallin. Grabitës e jargë-fëlliqtë.

***

Fëmijët nga përrallat për shtrigat shumë frikësohen. Përshkrimi i tyre bëhet ngjashëm me ndonjë plakë të shëmtuar, jo nga vitet jetës dhe jo prej atyre plakave të mira, po më shumë ato plakat që harxhojnë energji për keqbërje e shkatërrime në njerëzi. Ato punojnë, sidomos në rrethin të ngushta, nga xhelozia tej mase...Çdo gjë të mirë e të tjerëve është lakmi për to dhe shprehin urrejtje ndaj personave posedues. Ka edhe të rinj e të reja që trajnohen njësoj dhe bëhen si “zorra në prush” për të krijuar sa më shumë “lluga” në mese ku jetojnë. Dikush thotë se, në Kinë po mbahej një përkujtim dhe festë për vjet për fantazmat. U bëhet nder dhe respekt, gjoja për t’ua plotësuar dëshirat post mortem. E me që ra fjala edhe për figura të padukshme, sajesa nga mendja e popullit  ballkanik, e më për së afërmi, duhet të fiksohemi nëpër trevat shqiptare. Madje, edhe ne të bëjmë diçka e mos t’i hidhërojmë. Sepse, ta shtinë tmerrin kur ulërijnë e nuk shihen as natën as ditën. Fantazmat që marrin shpirtra tinëzisht. Që ngulfasin fëmijë të pafaj. Pleq e plaka lënë të ngordhin urie. Këta janë murtaja e vendit që i rrënojnë të gjitha vrimat – hyrje dalje për shpëtimin e jetëve. Shfrenim nëpër hapësirën vendore si kuaj të lugetërve.

***

Në një farë mënyre edhe njeriu i meseve tona shëmbëllen në disa prej kafshëve dhe në fantazma. Dhe vërtet, njeriu qenka më kafshë se kafsha. Herë si mace, herë si qen, herë si skile, herë si luan, herë si neperkë, herë si urithi, herë si lepur...Si pa kokë. Si torzo. Si pa emër. Pa ngjashmëri njeriu. Te ndonjëri, veç në dy  këmbë shihet figura e njeriut. Fjalët i ka për ledhatime e prekje si të “lezetshme” e për miqësi. Veprimet i bën si kanibal. Veç  paçavure e Panlaver. Kështu bëhet fjalë edhe për do të “sinqerta”, të gjinisë femërore. Shumë dhelparake...! kjo ngjashmëri femre (numri i tyre po rritet çdo ditë) dhe jo veç ata të gjinisë mashkullore, janë si kameleonët (rrëshqanorët), që e marrin ngjyrën sipas ambientit. E herë si  lorëza, dikush e quan kukuvajkë. Gjithë natën ulërinë si për hënë si në errësirë. Tmerrin ta shtinë me zërin e vet...a është lugat apo shtrigë mashtruese?!

***

Ngjashmëria e një tipi tjetër të qenies njeri është edhe me një kafshë tjetër. Nuk e di, a duhet ta cilësojmë miun si shtëpiake apo kafshë të egër. Po, miu është mi si në shtëpi dhe gjetiu. Miu si mi...lëvizjen e ka të shkathtë. Vështirë është të bie në kurth. Miu i arave, i pyjeve, miu i duajve të drithit, i koshit të misrit, miu i pemëve...por, miu edhe i magjes (ku është gatuar buka), miu kulmit të shtëpisë, miu i nevojtores, i gjirizit. Por, miu edhe i zyrave e i tubimeve. Nën tavolinë e karrige. Miu nën k...të drejtorit e të kryetarit. Një lëvizje të pahetueshme për të tjerët ai e ndien, ikë shpejt në vrimë. Pret çastin e paqësimit për t’u vu në aksion. E, është vërtetuar se edhe kjo kafshë është e dëmshme. Me dhëmbët e vet gërryen të gjitha orenditë prej druri. Por, ka ndodhur, kur dikush ka fshehur pará nën dyshekë a jastëkë, dhe kur ka ra në to i ka grimcuar copë-copë. I ka lënë të gjithë “me gishta n’gojë” për një kohë të gjatë...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora