E merkure, 24.04.2024, 07:36 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Vritet pjesëtari i EULEX-it në Zveçan

E enjte, 19.09.2013, 08:50 PM



Vritet pjesëtari i EULEX-it në Zveçan, sulm kundër paqes dhe Marrëveshjes

Pamje nga vendi i ngjarjes ku ndodhi sulmi ndaj automjetit të EULEX-it, Zveçan, 19 shtator 2013

Mobilizohet Task Forca

(E plotësuar) - Një zyrtar i EULEX-it ka humbur jetën si pasojë e një sulmi me armë zjarri në rajonin e komunës së Zveçanit, kanë konfirmuar zyrtarë të EULEX-it.

Zëdhënësi i misionit evropian për sundimin e ligjit, Blerim Krasniqi, ka thene se incidenti ka ndodhur në rajonin e Zveçanit dhe si pasojë, një person ka humbur jetën.

“Sot në mëngjes, rreth orës 07:30, dy vetura të EULEX-it që i bartnin gjashtë pjesëtarë të tij për të bërë ndërrimin e rregullt në Portën 1, janë qëlluar me armë nga persona të panjohur në afërsi të Komunës së Zveçanit. Si pasojë e këtij incidenti, ka vdekur një pjesëtar i EULEX-it. Task Forca në Mitrovicë është aktivizuar menjëherë dhe hetimet për këtë vrasje janë duke vazhduar. Zona përreth është bllokuar. Me këtë rast do të bëhet çmos për t’i sjellë kryerësit e kësaj vepre përpara drejtësisë”, ka deklaruar Krasniqi.

Nga ana tjetër, komandanti i Policisë në jug të Mitrovicës, Ergin Mediq, bëri të ditur, po ashtu, se një automjet i EULEX-it, në të cilin kanë qenë tre persona, është sulmuar me armë zjarri. Ai ka thënë se deri më tash nuk dihet se nga ka ardhur sulmi.

“Një makinë e EULEX-it, e cila ka qenë në rrugën magjistrale Prishtinë-Leposaviq, te fshati Ballaban, komuna e Zveçanit, është sulmuar nga persona të armatosur. Me këtë rast është plagosur rëndë doganieri A.S. nga Lituania, i cili është dërguar menjëherë në spital në veri të Mitrovicës, ku ka ndërruar jetë. Në makinë kanë qenë edhe dy pjesëtarë të EULEX-it. Ata dy nuk janë plagosur", ka thënë Mediq.

“Në makinë ishte një koleg yni çek, bashkë me kolegun e Lituanisë. Kolegu çek, nuk ka shenja të dallueshme të plagëve, por ai është i shtrirë në njësinë tonë mjekësore. Nuk mund të konfirmoj nëse ai është i plagosur apo i lënduar. Nuk kemi parë gjë nga plagët, por njerëzit lëndohen nga aksidentet e makinës. Sa i përket pritës, s’di se si ndryshe mund të quhet ky sulm”, është shprehur shefi i EULEX-it Borchardt.

Kurse, drejtori i Qendrës Shëndetësore në Mitrovicë, Milan Ivilanoviq, ka thënë se zyrtari i plagosur i EULEX-it është sjellë në spital pa ndjenja, pak pas orët tetë dhe se mjekët u përpoqën që të vënë në jetë, por pa sukses.

Ivanoviq ka shpjeguar se i ndjeri ka pasur një plagë me armë zjarri në krahun dhe këmbën e djathtë.

EULEX-i e ka dënuar fuqishëm këtë akt të dhunës kundër pjesëtarëve të EULEX-it.

Ky mision, po ashtu, i ka bërë thirrje komunitetit lokal dhe kujtdo që mund të ketë qenë dëshmitar, apo që di ndonjë gjë lidhur me këtë incident, që të informojnë organet kompetente. Hetimet për incidentin sipas autoriteteve të rendit, janë duke vazhduar.

Blomeyer kërkon ndihmën e popullatës për zbardhjen e krimit

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Peter Blomeyer, e ka dënuar sulmin e sotëm mbi pjesëtarët e EULEX-it që ka ndodhur në veri, duke thënë se kryesit e kësaj vepre duhet të zbulohen dhe të sillen para drejtësisë sa më parë.

”Kjo çka ka ndodhur sot është një krim i tmerrshëm. Nuk duhet të harrojmë se pjesëtarët e EULEX-it janë duke punuar për të mirën e përgjithshme të popullatës këtu, dhe kjo na bën më shumë të pikëllohemi”, ka thënë për Kosovapress Blomeyer.

Ai ka ngushëlluar familjarët e viktimës, me të cilët tha se bashkëndjen dhembje, ndërkohë që ka kërkuar ndihmën e popullatës për zbardhjen sa më parë të këtij krimi dhe zbulimin e autorëve të tij.

Sipas tij, autorët e këtij krimi do të zbulohen shumë shpejtë.

MPJ e Shqipërisë dënon sulmin kundër EULEX-it

Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë dënon ashpër sulmin e armatosur kundër pjesëtarëve të EULEX-it, në komunën e Zveçanit në veri të Kosovës, ku humbi jetën një prej doganierëve të EULEX-it.

Përmes një deklarate të shpërndarë për mediet, MPJ nënvizon se “ky sulm kundër trupave të EULEX-it cenon rendin dhe ligjin në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.”

“Duke mbështetur plotësisht veprimtarinë e EULEX-it, për vendosjen e rendit dhe ligjit dhe kthimin në normalitet edhe të kësaj pjese të territorit të Kosovës, në bashkëpunim të plotë me autoritetet e Kosovës dhe KFOR-it, shprehim bindjen se autorët e këtij sulmi do të marrin dënimin e merituar nga drejtësia.”-vijon deklarata e MPJ-së.

MPJ i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit, qeverisë lituaneze dhe EULEX-it.

Britania dënon sulmin ndaj EULEX-it

Ministri David Lidington ka dënuar sulmin ndaj pjesëtarit të EULEX-it në Kosovë.

Britania e Madhe dënon sulmin ndaj një anëtari të EULEX-it, të Misionit për Sundimin e Ligjit në Kosovë. Dhuna nuk duhet të lejojë që të dëmtojë ndërtimin e Kosovës.

Minisitri i FCO për Evropë ka thënë: "Jam ndjerë thellësisht i pikëlluar kur kam dëgjuar për sulmin mbi anëtaret e EULEX-it, këtë mëngjës në afërsi të Zveçanit, duke rezultuar me vdekjen e një oficeri doganor të EULEX-it. Ngushëllimet e mija për familjen dhe kolegët e viktimës".

BE: Sulm ishte i planifikuar dhe i ekzekutuar nga qyqarët!

Shefi i këtij EULEX-it, Berndt Brochardt, së bashku me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian, Samuel Zbogar, gjatë një konference kanë dënuar vrasjen.
Bernd Borchardt, është shprehur të jetë i shokuar dhe ka thënë se ky rast bie nën kompetencën ekskluzive të prokurorisë speciale të Kosovës, e cila është aktivizuar menjëherë dhe se janë në vijim e sipër për hetimet rreth kësaj vrasjeje.

“Dënoj fuqimisht këtë akt qyqar e të dhunshëm kundër personelit tonë. Nëpunësi jonë i EULEX-it ishte polic i doganave me prejardhje nga Lituania, i përkushtuar për të siguruar stabilitetin në Kosovë dhe i kontribuonte normalizimit të raporteve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, tha Borchardt.

Ai ka bërë thirrje komunitetin lokal, që kushdo që ka mundur të jetë dëshmitarë apo din ndonjë gjë lidhur me këtë incident të lajmërohet dhe t’i ndihmojë në zbardhjen e rastit.
“Për momentin tani është duke u punuar në një ekip të përzier në hetime, që do të thotë praninë e zyrtarëve të Policisë së Kosovës dhe Policisë së EULEX-it, dhe ne presim ofertën për ndihmë nga kolegët policë nga pjesa politike e Beogradit. Unë dua t'ju sigurojë se do të bëjmë çmos për t’i sjellë kryesit e kësaj vepre para drejtësisë”, është shprehur Borchardt.

Ai ka thënë, po ashtu, se përgjatë muajve të kaluar kanë shtuar praninë e pjesëtarëve të tyre dhe sa i përket shifrave të planifikuara kanë filluar me shtimin e pranisë, fillimisht në dy portat në veri. Një shtim mund të bëhet, sipas Borchardt, nëse për këtë ka ndonjë marrëveshje në dialog, por që nuk kanë ndonjë qëllim që të dërgojnë më shumë njerëz atje, por që do të rishikojnë edhe një herë aspektet e sigurisë për personelin e tyre.

Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, e ka dënuar rastin duke thënë se ky sulm tregon që nuk është në interesin e secilit të ketë normalitet të gjendjes në Kosovë, e në veçanti në veri.
Zhbogar, po ashtu, ka thënë se janë të përkushtuar për të vazhduar dialogun me Serbinë dhe se janë të përkushtuar për të krijuar kushte për një jetë normale në Kosovë.

“Sulmi ndaj EULEX-it, është sulm ndaj Bashkimit Evropian, mbi vlerat e Bashkimit Evropian dhe gjithçka për të cilat angazhohet BE-ja, duke përfshirë paqen, sigurinë, rendin dhe ligjin. Nuk duhet lënë hapësirë dhunës, procesi politik nuk duhet të pengohet nga dhuna.

Kjo vdekje tragjike duhet t’i bashkojë të gjithë në Kosovë, serbët dhe shqiptarët, në veri dhe në jug, si dhe Serbinë me Kosovën. Ne duhet të presim që hetimet të zbulojnë kryesit e kësaj vrasjeje, që ata të sillen para drejtësisë. Por, është e qartë nga vetë akti se ka ende interesa që nuk e duan normalizimin e situatës në veri të Kosovës dhe në Kosovë në përgjithësi”, ka thënë Zhbogar.

Rasmussen dënon vrasjen e pjesëtarit të EULEX-it

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ka dënuar sulmin ndaj EULEX-it, i cili ka çuar në vdekjen e një pjesëtari lituanez të misionit evropian.

“Shpreh ngushëllimet e mia të thella për familjen dhe të dashurit e pjesëtarit të ndjerë të EULEX-it, për të gjithë anëtarët e misionit të EULEX-it, si dhe për popullin dhe Qeverinë e Lituanisë. Të plagosurve u dëshiroj shërim të shpejtë”, ka thënë Rasmussen.

Në deklaratën dërguar mediave, Rasmussen po ashtu ka thënë se KFOR-i do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të përmbushur mandatin e tij: për të kontribuar për një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe për lirinë e lëvizjes në Kosovë.

Pacolli: Akt qyqar dhe i patolerueshëm

Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka shprehur indinjatën e thellë dhe e ka dënuar sulmin e armatosur kundër pjesëtarëve të EULEX-it që ndodhi sot në Komunën e Zveçanit ku si pasoj e kësaj humbi jetën një pjesëtar i EULEX-it.

“Një akt i tillë për mua është një akt plotësisht i patolerushëm i forcave që e kanë për qëllim destabilizimin e vendit tonë dhe prishjen e rendit. Po ashtu dëshiroj të shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes të së ndjerit dhe gjithë pjesëtarëve të EULEX-it”, thuhet në deklaratën e Pacollit.

Ashton: Të sillen para drejtësisë sulmuesit e EULEX-it

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka thënë se është thellësisht e pikëlluar me vdekjen e pjesëtarit lituanez të EULEX-it në veri të Kosovës.

“Shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjen dhe miqtë e viktimës. E dënoj në termat më të fuqishëm të mundshëm sulmin që ka çuar në vdekjen e një pjesëtari të stafit. Autorët duhet të sillen para drejtësisë”, ka thënë Ashton në një deklaratë për media.

Sipas saj, Bashkimi Evropian është i vendosur që të vazhdojë angazhimin në Kosovë dhe punën e tij në kontekst të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“U bëj thirrje të gjitha palëve që të dyfishojnë përpjekjet për të zbatuar marrëveshjet e arritura, për të normalizuar marrëdhëniet dhe për të pëmirësuar jetët e njerëzve në veri të Kosovës”, ka thënë Ashton.

Lëvizja e pjesëtarëve të EULEX-it në veri të Mitrovicës deri me tani është bërë me vetura te blinduara, ndërsa para pak ditësh ata kanë filluar të lëvizin me vetura të thjeshta.
Task Forca anti krim është mobilizuar dhe po bënë çmos për të identifikuar autorët e këtij rasti të rendë.
Vendi i ngjarjes tani është i rrethuar në një perimetër të gjerë dhe aty ndodhet edhe KFOR-i me njësitet përkatëse.

Zarif: Sulmi ndaj EULEX-it, sulm ndaj paqes

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Farid Zarif, ka dënuar në termat më të fuqishme sulmin fatal kundër EULEX-it, në afërsi të Komunës së Zveçanit, i cili ka rezultuar me vrasjen e një pjesëtari të misionit evropian.
“Ky akt i neveritshëm i dhunës është sulm direkt ndaj parimeve të paqes, drejtësisë dhe cvilizimit, të cilave u shërbejnë misionet ndërkombëtare në Kosovë. Çdo sulm kundër përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar është sulm ndaj bashkësisë ndërkombëtare në tërësi”, thuhet në deklaratën e Zarifit, dërguar mediave.
Po sipas saj, Kombet e Bashkuara në Kosovë i ofrojnë mbështetje të plotë EULEX-it dhe autoriteteve lokale për të sjellë para drejtësisë përgjegjësit e sulmit.

Krasniqi: Nevojë e ngutshme e forcimit të sigurisë

Me rastin e sulmit ndaj pjesëtarëve të EULEX-it në Zveçan, ku nga plagët e marra vdiq zyrtari me inicialet A.S. nga Lituania, kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi dha këtë deklaratë:”

Me trishtim e mora lajmin e hidhur për vrasjen e zyrtarit të EULEX-it në mëngjesin e sotëm në Zveçan.
Në emër të Kuvendit dhe timin, zotit Bernd Borchardt, shef i Misionit EULEX, i shpreh ngushëllimet e sinqerta, kurse nëpërmjet tij ngushëlloj edhe familjarët e të ndjerit në Lituaninë mike.
Duke dënuar këtë akt kriminal, kërkoj që vrasësit të kapen dhe të sillen para organeve të drejtësisë.
Ky sulm qyqar mori jetën e një zyrtari të pafajshëm, që po i kontribuonte interesit të të gjithë qytetarëve tanë dhe sigurisë e rendit, ligjshmërisë dhe zhvillimit institucional të Kosovës. Ai nxjerr para nesh edhe njëherë nevojën e ngutshme të forcimit të sigurisë, të lëvizjes së lirë dhe funksionimit normal të institucioneve të Kosovës”, theksohet në deklaratën e kryekuvendarit Krasniqi.

Kryeministri Thaçi dënon ashpër vrasjen e pjesëtarit të EULEX-it

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dënon ashpër sulmin e armatosur kundër pjesëtarëve të Misionit të EULEX-it, që ndodhi sot në afërsi të Komunës së Zveçanit, ku si pasojë e këtij incidenti ka vdekur një pjesëtar i EULEX-it. “Ky sulm kundër pjesëtarëve të EULEX-it është një akt i shëmtuar dhe qyqar kundër sundimit të rendit dhe ligjit edhe në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës dhe si i tillë është i dënueshëm nga qytetarët dhe institucionet e Kosovës”, thuhet në komunikatën e Kryeministrisë. Qeveria në bashkëpunim me EULEX-in, KFOR-in dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë është e vendosur që të vazhdojë t’i kryejë obligimet e veta kushtetuese dhe ligjore për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, me theks të veçantë edhe në pjesën veriore të vendit. “Kërkojmë nga organet kompetente që menjëherë të ndërmarrin të gjitha masat e domosdoshme që kryerësit e këtij akti që ndodhi sot në Komunën e Zveçanit të nxirren para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar”, thuhet në njoftim.
Kryeministri Hashim Thaçi iu shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit dhe gjithë pjesëtarëve të EULEX-it

LDK: Aktet e tilla kriminale janë sulme ndaj evropianëve

Lidhja Demokratike e Kosovës e dënon ashpër sulmin e sotëm ndaj pjesëtarëve të EULEX-it në Zveçan, gjatë të cilit humbi jetën një pjesëtar lituanez i këtij misioni dhe u plagosën dy të tjerë. LDK-ja konsideron se aktet e tilla kriminale janë sulme ndaj të koncepteve evropiane, për të cilat angazhohen me të gjitha forcat qytetarët e Republikës së Kosovës. LDK-ja kërkon që rasti të hetohet dhe të zbardhet sa më parë që të jetë e mundur dhe që kryerësit e kësaj vepre tepër të rëndë të dalin para organeve të drejtësisë. LDK-ja çmon ndihmën që ka dhënë dhe po jep EULEX-si në vendin tonë dhe e konsideron atë si një vlerë evropiane në Kosovë.

PSHDK sulm terrorist, kundër EULEX-it dhe të ardhmes së Kosovës

Ky sulm terrorist, kundër personelit të EULEX-it, në këtë kohë kur po bëhen përpjekje maksimale për integrimin e veriut dhe shuarjen e strukturave paralele, nëpërmjet procesit të negociatave me ndërmjetësimin e BE-së dhe me përfshirjen e dy qeverive, është një sinjal i keq për të ardhmen e Republikës së Kosovës. Ky sulm qyqar, pikërisht në këtë kohë, është një goditje e rëndë ndaj institucioneve tona, përpjekje për të penguar procesin e implementimit të dialogut dhe dëshmi se krimi i organizuar është prezent dhe i organizuar në atë pjesë. Ne ju kërkojmë të gjitha instancave të sigurisë në Kosovë, që të mos zmbrapsën nga ky akt terrorist, por të veprojnë me tërë forcën e ligjit, për të shkatërruar krimin e organizuar dhe për të ndëshkuar atë, në atë pjesë të vendit dhe në tërë territorin e Kosovës. PSHDK-ja, me këtë rast, i shpreh ngushëllime EULEX-it për humbjen e personit dhe njëherësh kërkon që përgjegjësit e këtij akti terrorist, të gjinden dhe të dalin sa më parë para drejtësisë.

******

Sot në mëngjes, rreth orës 07:30, dy vetura të EULEX-it që i bartnin gjashtë pjesëtarë të tij për të bërë ndërrimin e rregullt në Portën 1 janë qëlluar me armë nga persona të panjohur në afërsi të Komunës së Zveçanit, thuhet në njoftimin e EULEX-it.

Si pasojë e këtij incidenti ka vdekur një pjesëtar i EULEX-it i cili quhet Audrius Senavicius. Task Forca Mitrovica është aktivizuar menjëherë dhe hetimet për këtë vrasje janë duke vazhduar. Zona përreth është bllokuar. Me këtë rast do të bëhet çmos për t’i sjellë kryerësit e kësaj vepre përpara drejtësisë, deklaron EULEX-i.

“EULEX-i e dënon fuqishëm këtë akt qyqar të dhunës kundër pjesëtarit të tij. Ne i bëjmë apel komunitetit lokal dhe kujtdo që mund të ketë qenë dëshmitarë, apo që din ndonjë gjë lidhur me këtë incident që të paraqiten dhe të na kontaktojnë në numrat e telefonit 00381 38 78 5555 ose 00381 38 78 5556”, thuhet në reagimin këtij misioni, i cili i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes së të ndjerit.
Pas incidentit në Zveqan në veri të Kosovës që rezultoi me vdekjen e një pjesëtari të EULEX-it, shefi i EULEX-it, Bernd Borchardt dhe shefi i Zyrës së BE-së, Samuel Zbogar, do t’u drejtohen mediave.

********

Një pjesëtar i EULEX-it është vrarë sot në mëngjes në territorin e komunës së Zveçanit, bën të ditur Beta e Beogradit. Janë plagosur edhe dy policë, të cilëve u është ofruar ndihma mjekësore.

Në automjetin e EULEX-it është shtënë me rafal e polici është goditur në kokë dhe bark. Merret vesh se polici i vrarë, A.S. është nga Lituania.

Në vendngjarje kanë dalë KFOR-i dhe njësitë speciale të EULEX-it.
Ngjarjen e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Avni Zahiti, pa dhënë detaje shtesë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora