Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gani Mehmetaj: Mujsharët

| E enjte, 19.09.2013, 08:58 PM |


Mujsharët

Tregim  Gani MEHMETAJ

Nëpër rrugë e trotuare frynte fresku, që paralajmëronte mëngjesin. Brenda ngrehinës vapa shtohej, sikur ta kishte thithur gjithë nxehtësinë e ndërtesave për rreth. Korridoreve gjysmë të ndriçuara vraponin grupe të mbetura që s’dinin ku të fusnin kokën. Të djersirë, më frymëmarrje të shpejtuar turfullonin nga shqetësimi e frika.

- Në një kthesë, - tregon Genti, -  pash një shufër të çelikut të emaluar, ishte çmontuar nga shkallët ndihmëse gjatë dyndjes së turmës. Rrinte e kacavarur. Ia lëshova dorën të dashurës, e mora me shpejtësi shufrën e çelikut të emaluar. Ndenja e vetëmbrojtjes më  cyti ta mbërtheja me të dyja duart shkopin e hekurt, ta shkëpusja nga nën gojëza e shkallëve të shtylla vertikale që dukej si lavjerrës. E fshikullova ajrin me tërë forcën e duarve, duke e provuar peshën dhe forcën e çelikut të emaluar.

Unë me shkop të çelikut në dorë? Në atë moment nuk më binte ndër mend të habitesha më vetën, por më vonë në dhomën e ngushët bëja rekapitullim të ngjarjeve dhe mendoja: kurrë nuk isha zënë më të tjerët, asnjëherë s’kisha përdor shkop çeliku të emaluar apo  shkop druri për t’u mbrojtur nga dikush. Se si më  vinte, më dukej vetja si njeri parak me kokën e ngrehur, shkopin e çelikut të emaluar në dorë, dhëmbët e shtrënguar dhe qëndrimin luftarak. As më vonë asnjëherë nuk e kisha provuar forcën e goditjes më mjete të forta, por rrethanat, atmosfera e frikës, klithmat e njerëzve në largësi, që  rrëzoheshin nga plumbat e shkrepur me hamendje sikur më forcuan, më shndërruar për disa minuta, më bënë ndryshe: i gatshëm të jepja goditje e të merrja  goditje.

Përgatitesha t’u kundërvihesha mujsharëve, megjithëse arma e ime nuk ishte e barabartë me armët e tyre. E fshikullova disa herë ajrin e korridorit me shkopin e fortë, duke e ndjerë vetën të sigurt si kalorësi që i rri krah damës, por befas mu kujtua e dashura që s’bëzante. Ktheva kokën prapa, nuk ishte, pash në largësi: asnjë frymë njeriu! Tutje dëgjohej jehona e zërit të turmës që seç vraponte diku. Mu kujtua që më të dashurën isha në valën e turmës së mbetur prapa, kur e shpërqendrova vëmendjen aq kohë sa më duhej për ta shkëputur shkopin e çelikut. Fillova të bëhem nervoz me armën time që më la pa të dashur. Por nuk më shkoi nëpër mend asnjëherë ta hidhja armën e ftohët që kishte filluar të mi djersinte duart.

Pokahonta ime, më tregoi më vonë, kishte vazhduar tutje pa vullnetin e saj, e tërhequr nga turma, duke mos e marr vesh kur u ndala unë dhe nga shkonin të tjerët. Me të hetuar që nuk isha pranë saj, u ndal, ktheu kokën prapa, por nuk më pa, bëri para, duke shpresuar të më takonte korridoreve të gjata, por kur edhe pas disa hapave të vrapit në ethe, nuk vërejti gjë, ndërsa  mezi ngopej ajër. Në një të ndarë, u ndal për ta hapur celularin. Formoi me shpejtësi numrin. Pas pak u dëgjua zëri i përgjumur:

“Alo”, - tingëlloi i përgjumur zëri i gruas,  – kush është?

Vajza dënesi, dora i dridhet derisa e mbante celularin, hapi gojën të thotë diçka, por nuk e artikulon asnjë fjalë. Fryma i ziohej nga dënesa si fëmija kur e tajon nënën pas një kohe të gjatë.

“Alo, shpirt! Pse qanë?”, pyet e shqetësuar zëri përtej, duke pritur në ankth përgjigjën e së bijës.

Vajza e tronditur me lotët që i rridhnin faqeve sikur kërkonte prehjen duke e menduar nënën në shtratin e saj, veshur në pizhame. Nëna e mbanë shtrëngueshëm celularin në dorë dhe shikonte në boshllëkun e natës përtej dritares. Në anën tjetër të linjës, Biondja, endet duke dënesur, merr vetën.

“Mami, ata do të na vrasin”, - arrin të artikuloj në celularin ngjyrë vjollce kumtin që e tronditë të ëmën.

“Kush do t’u vras? Kush u kërcënon?” - Ka zë të thekshëm, ku ndjehet zemërimi, tmerri dhe pafuqia të bëjë diçka më konkrete.

Nëna e tronditur, ngrihet nga shtrati, ecë e shqetësuar nëpër dhomë, shikon e papërqendruar përtej dritares në terrin e natës, thua se e shikon atje të bijën që ia kërkon ndihmën, kurse ajo është e pafuqishme ta mbrojë.

“Mami ata janë bisha, do të na vrasin”, - e përsëritë vajza në vaje frikën që e ka mbërthyer.

“Shpirt, kush janë ata”,  - përpiqet t’i jep zemër e ta mbajë bisedën nëna.

“Nuk e di mami, nuk e di, i thuaj dikujt të na shpëtoj”.

“Ku je?”

Në vend të përgjigjes nga celulari i vjen klithma e së bijës, pastaj zhurma e hapave me rrapëllimë dhe tingulli i thatë i celularit që shkyçet. Gruaja lëshon celularin e saj në shtrat, si të qe kafshë e ngordhur. Sillet nëpër dhomë, kap faqet më të dyja duart.

“ Qyqja, ma morën vajzën”.

Mujshari me uniformë e mbërthen për flokësh Biondinën. E mbështet për muri. Me njërën dorë përpiqej ta zhvishte, kurse me dorën tjetër ende mbante për gryke kallashin që e ka mbështetur të këmba. Vajza e shqetësuar, nuk lëshon zë, sheh e tmerruar. Ai gulçon.

“He, lavire, të eksiton kjo gjë?”

Djersët e kanë mbuluar fytyrën e tij të shtrembëruar nga emocionet e tërbimi.

“Ku e ke mamin? Iku mami!” – pyet dhe përgjigjet mujshari, duke u përpjekur ta thyej kundërshtimin e saj me dorën e vrazhdë me të cilën ia fërkon fytyrën, ia shtrembëron  lëkurën e fytyrës dhe hundën.

Ajo nuk i përgjigjet, por as nuk merr guximin t’i kundërvihet. Trupin ia përshkon paraliza e tmerrit. Dhëmbët e përjargur i ngjiteshin në qafë. Mujshari e mbështet kallashin për muri , e mbërthen vajzën me të dyja duart. Ajo nuk kundërshton, as nuk qanë, sytë i ka të ngrirë, është tërësisht e paralizuar. Sytë e hapur tej mase i shprehin tmerr. Fytyra e burrit më kokë të rruar nuk shihet, meqë e ka puthitur në lëkurën e qafës së vajzës, por koka tullace i shkëlqen në dritën e zbehtë të neonit.

- Duke vrapuar në kërkim të së dashurës, që më humbi sysh, u stepa kur e pash në një gjendje të tillë në të ndarën e korridorit. Ajo mi kishte drejtuar sytë e tmerruar prapa shpinës së njeriut më uniformë, por isha i sigurt që nuk më shihte fare. Më goditi një vrushkull gjaku në tëmtha. Mu errësuan sytë. Duhet të kem dal fiqirit, sepse pa një pa dy u hapa më tërë fuqinë, e godita njeriun me uniformë në kokën tullace me shufër hekuri, një herë, dy herë..., derisa ai ra pa ndjenja.

Fytyra e përjargur dhe koka e përgjakur e neveriten të dashurën time, e cila shikonte e tmerruar trupin që po binte. Pati pështjellim lukthi. Ajo volli, mu duk sikur do t’i nxirrte zorrët jashtë. Gulçonte nga sikleti.

Nuk e di se si por pasi e mora vetën, me njërën dorë e tërhoqa të dashurën time, madje e shkundullova furishëm, ndërsa me dorën tjetër e mbaja fortë shkopin e çelikut të emaluar.

“Ikim”, - i pëshpërita më zë të tronditur. Asaj i dridheshin supet. E tërhoqa gati zvarrë, duke ia ndërprerë dënesën, nuk guxonim të vonoheshim, këtë e dija mirë.

Ajo e ktheu kokën edhe një herë nga kufoma e njeriut më uniformë dhe shpejtoi të ecurit. Prapa nesh, derisa e ktheva një herë kokën, hijet tona rriteshin si përbindësha.

“Mami ata janë bisha, do të na vrasin!”. I ktheheshin e riktheheshin në kokë fjalët e së bijës me klithmën e fundit para së të shuhej celulari.

Në kokë diçka i rrihte vazhdimisht si çekan: e godiste në tëmtha, i përvijonte nëpër tepe të kresë dhe i dilte dhembja në ballë. Klithma e së bijës, zhurma e hapave me rrapëllimë dhe tingulli i thatë i celularit që shkyçej i silleshin nëpër mendje gjatë gjithë rrugës. Nuk mendonte asgjë tjetër, mbytej nga imazhet e frikshme, ia përshkonte trurin droja paralizuese, imagjinonte paraqitjet më të tmerrshme në ato minuta që i dukeshin përjetësi.

Ajo ecte si e lojtar nëpër rrugën kryesore, kthente kokën majtas e djathtas, thua se e kërkonte ndihmën e dikujt. Për dreq askush nuk lëvizte, askujt nuk mund t’i drejtohej. Por ajo asnjëherë nuk iu kujtua të kërkonte ndihmën e dikujt, e kishte fiksuar vendin ku do të shkonte, dhe mësynte si e ndërkryer. Rruga i shpalohej e qetë pa asnjëri nëpër trotuare. Nata është në të thyer, por ende mbizotëruese. Ajo ecte e përhumbur rrugëve të qytetit.

Nuk i kujtohej kur doli nga shtëpia, nuk e mbanë në mend as ku ishte nisur, nuk e dinte  sa është ora. Yjet në qiellin e pastër ndrinin si xixëllonja. Por asaj nuk i bënte përshtypje nata e mrekullueshme me qetësinë e thellë të orëve të hershme të mëngjesit, as nuk e vërente që është mes nate. Atë e tmerronte dialogu i shkurtër më të bijën të cilin gjithë kohën e sillte nëpër kokë, duke i dhënë përmasa edhe të frikshme.

E hallakatur ecte mesit të rrugës. Zhurma e një veture dëgjohet nga larg, por ajo nuk e kishte mendjen aty, asaj nuk i bënte asnjë përshtypje asgjë. Fenerët e makinës fikeshin e ndizeshin për t’ia bërë me shenj gruas së hutuar që të largohej nga rruga. Por ajo me ecje të çrregullt vazhdonte të kalamendej sikur të ishte e vetmja në botë. E ka humbur shpejtësinë e fillimit të rrugëtimit, nuk e ka idenë ku do të shkoj, i doli nga mendja ku gjendej Stacioni i Policisë. Dritat e fenerëve të makinës ia verbojnë sytë, instinktivisht vë duart strehë para syve, por nuk largohet nga rruga. Makina i shmanget në të djathtë, frenon vrullshëm, duke e çjerrë qetësinë e natës me gomat që ulërijnë në asfalt si kafshë të tërbuara. Ngasësi nxjerrë kokën nga dritarja, e shikon më habi gruan e përhumbur që ecën në mes të rrugës automobilistike si somnambul, i bie borisë me nervoz dhe vazhdon tutje.

Qetësia sërish e mbërtheu qytetin. Gruaja lëvizte tutje asfaltit pa cak dhe pa busull.

(Fragment nga romani në dorëshkrim: “ Një ditë pas“)