E enjte, 25.04.2024, 02:23 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Misri ''farë Sulova''

E enjte, 19.09.2013, 10:08 PM


MISRI “FARË SULOVA”

NGA PËLLUMB GORICA

Sulova është një krahinë, që zhvillimi ekonomik e shoqëror i saj në periudhat e kaluara ishte tepër i lidhur me bujqësinë dhe blektorinë. Por “në fillim të shekullit XX dhe shumë vite më pas bujqësia vazhdonte të ishte e prapambetur. Punohej në radhë të parë të parë për të siguruar bukën e misrit’’. (‘‘Enciklopedia Elbasani’’, faqe 82).

Misri është një bimë tradicionale, ndonëse më e re se bimët e tjera të lashta. Shumëkush mund të mendojë se bima misri është pak a shumë si të gjitha drithërat, ose të paktën është më të preferuarat pasi në fund të fundit, nuk bëhet fjalë thjeshtë për një ushqim të përditshëm, por nuk është kështu. Sa kujtime u ngacmojnë bashkohësve buka e misrit e kohët e vështira. Në do t’u përmendësh fjalën misër të moshuarëve në Sulovë e më gjërë ndjejnë dhimbje për kohën e urisë, ndërsa brezave të gjysmës së dytë  të shekullit  të kaluar, të zonave fshatare, do t’u sjellë dhimbje nga që nuk iu hoq për asnjë ditë në tavolinën e ngrënies së tyre.

Sulova përmendet për kultivimin e misrit me të njëjtin emër, misri “farë Sulova”në çdo vend të Shqipërisë, por edhe në Greqi, Turqi, Itali. Në “Enciklopedia Elbasani”, faqe 377 është shkruar: “Në Sulovë ka dëshmi për një kultivim të hershëm të misrit, sidomos në fillim të shekullit XVII. Është e njohur Sulova për kultivimi e misrit me të njëjtin emër me kapacitet të ulët prodhimi 20 kv për ha, por i parapëlqyer për cilësinë e bukës.” Në rrjedhat e kohës deri në çlirim të vendit arat me bimën e misrit në këtë krahinë shtriheshin në kodra, të copëtuara në ngastra të vogla. Ato toka mbajtën gjallë ndër shekuj breza të tërë. Punoheshin, vaditeshin e jepnin prodhime për atë popullsi të vogël që ishte, por ajo shtohej, shumohej e vëllazërohej. Me rritjen e popullsisë tokat nuk mjaftonin për të siguruar bukën për gjithë vitin mezi i ushqente. Here pas here, që faktikisht ka vazhduar me ritme të ngadalta deri në vitet 40’ të shekullit të kaluar, shpyllëzohej pylli, shkurret për të hapur toka të reja, apo siç thuhet në Sulovë, “u hap rrah”. Fatkeqësisht shumica e këtyre arave, që dikur mbajtën me bukë brezat në shekuj, janë kthyer sot në rrëpira nga erozioni. Ara të cilat në përgjithësi ishin copa toke, që kishin madhësi të ndryshme 2-3 dynym, të shpërndara e larg njëra-tjetrës, të rrethuara me gardhe, pemë të larta e shkurre, me vija uji pranë, pjesa më e madhe ishin në vende të sheshta në brinjë kodrash e buzë përrenjësh dhe në të shumtën e rasteve vaditeshin me ujët e burimeve dhe përrenjve. Me një kultivim primitiv në këto toka prodhoheshin bimë bujqësore, kryesisht drithëra buke grurë, misër, elb, thekër, që i përshtateshin klimës së krahinës dhe kërkesave të banorëve. Gjurmët e të cilave janë edhe sot në mikrotoponimet që, në të shumtën e rasteve mbajnë emrat e pronarëve të dikurshëm. Dhe këtë e jep shumë qartë eksporatorja angleze Misis Edith Durham në librin e saj “Brengë e Ballkanasve’’, faqe 293 e cila në vitet e para të shekullit XX, kaloi në krahinën e Sulovës. “…Gati një çerek i tokës është i punuar, por brenda disa pyjeve shihej se po hapeshin disa toka të reja të cilat ishin të shëndosha …” Tokat buzë përrenjve shpesh përmbyteshin dhe për këtë arsye mbeteshin të papunuara, të mbuluar me ferra, driza, zhuka. Këtë e tregojnë mikrotoponimet e vjetra: Zhavarja, Moçali, Zhuka, Verrishtja, Ligata etj. Megjithëse tokën e kanë pasur të pakët në kohra ajo punohej me mjete primitive, kazma e parmendë, me kujdes e në këto kushte të vështira vetëkuptohet prodhimet e rendimentet ishin të ulëta, prapëseprapë bujqit dinin t’i bënin prodhimtare dhe mundoheshin me vështirësi t’i përballonin sigurimin e bukës.

Pozita gjeografike me elementët klimaterikë si dhe vet gjendja ekonomike e popullsisë ishin faktorë që kushtëzonin kultivimin e bimës së misrit, teksa hyri në shekullin e XVII, ku gjeti përhapje dhe mundësi të përdorej për bukë.  Në Sulovë ruhet një histori gojore: “Farën e misrit e ka sjellë në Sulovë të futur në një bastun të zgavruar një vendas sulovar, që kishte shërbyer për shumë e shume vite si ushtarak i lartë në Misir, Egjypt i cili pas shumë viteve shërbim ishte kthyer i plakur në vendlindje”. Si rrugë të hyrjes së misrit dhe me kultivimin së pari në Sulovë ai mori emrin misri “farë Sulova’’. Sipas të moshuarve, misri “farë Sulova” është shtat shkurtër, kokërr të vogël, ngjyrë të bardhë dhe buka e dalë ka një shije të ëmbël. Ai tregtohej në pazaret e Elbasanit, Beratit, Rroskovecit etj edhe për pregatitjen e ballokumes. Misri “Sulova” ka cikël të shkurtër zhvillimi. Nga data e mbjelljes deri në pjekjen e tij të plotë duhen afërsisht 80 ditë. Është e vërtetë se nuk donte shërbime të shumta, punime, plehërime, ujitje, por me ato pak shërbime që i bëheshin fshatarët shpërbleheshin me prodhim dhe më tepër kishte rëndësi për fshatarin, kur në atë periudhë kur u fut, populli vuante nga krizat e bukës dhe, që ishin të shpeshta e merrnin jetë njerëzish. Në popull ka ngelur e gjallë shprehja: “Misri largoi vdekjet nga uria’’. Ai ishte i vetmi bimë që mbillej edhe me bashkëshoqërim me kultura të tjera veçanërisht fasule, fshesë, kungull, bostan, gjë që jepte mundësinë për një shfrytëzim më të mirë të tokës dhe për sigurimin nga e njëjta sipërfaqe prodhime të shumëllojshëm dhe sot dëgjohet thënia: “Arat e mbjellja me misër të japin jo vetëm bukë por edhe gjellë’’. Misri, duke pasur periudhë zhvillimi më të shkurtër, tradicionalisht ishte bukë jo vetëm për njerëzit, por edhe shfrytëzohej për kafshët.

Toka punohej me parmendë druri. Përgatitja e tokës si dhe gjetja e kohës me të mirë për mbjellje ishte njëra anë, ana tjetër po kaq e rëndësishme ishte zgjedhja e farës. Fara e misrit ndahej gjatë procesit të zhveshjes. Kallinjtë më të mirë ndahen për farë dhe nga ata merrej pjesa e mesme e kallirit. Prilli ishte periudha më e përshtatshme për mbjelljen e misrit. Për mbjelljen zbatoheshin zakone të dala nga përvoja si afate për punimin e mbjelljen nga e cila varej në një farë mase prodhimi i pritshëm. Kur hëna ishte e plotë nuk mbillej sepse farën e ha krimbi. Tjetër kur dheu bëhet grusht, e dora e futur ndjen të ftohtë mendohej se ishte ende herët etj. Koha e përshtatshme si shenjë paralajmëruese për fillimin e mbjelljes kur fiku çel tre gjethe. Bujku kishte edhe disa shenja të tjera me të cilat përcaktonte kohën e fillimit të mbjelljeve: Kur merimangat endnin fijet e tyre mbi tokë, që do të thoshte se ishte gati toka për të mbjellë, vendosja e të ndenjurave në tokë, po të ndjenin ftohtë nuk mbillej. Mbjellja bëhej në dy forma: mbjellje e shpërndarë dhe mbjellje me kokërr nëpër vije, ku fara hidhej në çdo vijë të tretë, d.m.th, dy vija ishin bosh e një plot. Farën e misrit nuk duhet as ta përfolje,  lëvdoje e  as ta mallkoje. Veç këtyre punëve rreth mbjelljes misri kishte edhe punë të tjera gjatë zhvillimit të bimës, si rrallim që të merrte frymë lirish ajo, prashitje. E nëse ndonjë arë kishte mundësi për ujitje në rast thatësie të madhe, kur bimët kishin nevojë për lagështi, duhej bërë edhe ujitja. Misri vilej kur piqej mirë. Vihej kapicë në arë, pastaj këputej e futej në koçek (magazina të vogla). Gjatë dimrit bëhej zhveshja e tij dhe çohej për bluarje në mulli. Prodhimi sigurisht ishte i vogël, por ishte i mirë si cilësi. Kush mbushte koçekun dhe siguronte gjysmën e vitit me bukë kishte gëzim të madh.

Në dekadat e fundit të shekullit XX me zhvillimin ekonomik e social të vendit, dhe përdorimin e farërave të zgjedhura hibride, që japin rendimente të larta, misri farë “Sulova” nuk u mboll më, por ka mbetur si kujtim i kohëve të shkuara.



(Vota: 6 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora