Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Cikël i ri poetik nga Neki Lulaj

| E merkure, 18.09.2013, 07:33 PM |


Neki Lulaj

POETËT
 
Poetët janë si gurra bjeshkësh
Si shtretërit e lumenjve
Plot ujë lundrojnë
E nuk shtjerren kurrë
 
Poetët janë si pranvera plot gjelbrim
Vargjet e muzat e tyre
Njomësojnë çdo shpirt
Si lulet e bukura me vesë në ditë
 
Poetët janë si zogjtë e bekuar
Si kanarinat gojë ëmbla
Që festë e gëzim
E kanë çdo  stinë
 
Poetët janë si gacat e bungut
Që ndizen gjatë në oxhak
Ngrohin me dashuri të pakufishme
Dimrat me dëborë e murlan thatak
 
Poetët janë ambasadorë të kulturës
Që e lidhin metaforën
Me trungun e lisit
Dhe i bashkojnë trojet e fisin
 
Poetët i mbajnë vravashkat në shpirt
Edhe pas grillave të qelive
Muzat i mbajnë  pengë
Ushqejnë vargjet nusërojnë poezitë
 
Poetët kanë shpirt të bardhë
Bardhësinë e shofin çdokund
Ata janë fjalëpakë
Janë si ne si ti si unë...
 
SHTIGJET E JETËS
 
Gjatë u enda shtigjeve
Të jetës
Leqenjve të mendimeve ngarkuar
Me frymën nën krahëror ngulçuar
Mbi Gogolin e këtij shekulli
Në shpinën e Djallit
E pyes vetëveten ku janë
Emrat e gjithë atyre
Që askush më nuk po i përmend
Si e pse
Pse kaq shpejt u harroka robëria
Pse për dëshmorë nuk mendon njerëzia
 
E ku jenë emrat
E atytre që duhet të jenë
Mbuluar me shkurre
E në zallishta
Ata që dje e çanë gjoksin
Për lirinë tonë
 
TEJMATANË ATLANTIKUT
 
Tërthor Oqeanit Atlantik
Ne tokën e premtuar të nxehtë
Erdha të jua kërkoj gjurmët të çmallem
Atje ku me ImZot bëtë punë e jetë
 
Mbi dyert e pavdekësisë rruhet thesari
Shëndrit si ar mikpritja e traditës sonë
Këtu u mplak  ImZot Fan Noli
Agimi e muzgu e zuri 
Me shqipen dykrenore në gojë
 
Sa qirinj u ndezën gjatë lundrimit të largët
Përcjellur plotë mundime e krajata
Sa trungje të ullirit lëshuan fryte të ëmbla
Për miqtë e bekuar nga Vatra 
 
Sa bilbila fluturuan nga kafazi
Për të kërkuar dritën e shpëtimit
Në cilën shpellë u gropos floriri
Sa gjatë u luajt drama për fatin shqiptar
 
POETI PA VARR
(Kushtuar poetit patriot, Hafzi Nela)

Lëkura feudale
Kruhej nga zgjebja
Nga kolera
E tiranisë së lidhur
Në zinxhirë me gjemba
Është çartur si ujku
Nga uria e nëpërkës
 
Po fryjnë erërat
Me kokërriza të akullta
Edhe mbi bunker
Pritet të çelë pranvera
E në vatrat bujare
Bukë e krypë e zemër
Me portën e hapur
Na pret Hafzi  Nela
 
MË THUAJ
 
Pa më thuaj të lutem 
Mbi re a ka kufi
Atje lart në Univers
Cila shqipe këndon në vetmi
 
Nën qerpikun e hënës
Cili sy mbyllet në qetësi
Cila zemër troket e përlotur
Çamja ime ku je ti
 
A ri ajo e vetmuar
Siç rimë unë e ti
Të djegur e të përvëluar
Për një besë për një dashuri
 
Kur t’i ndërtojmë urat
A bashkohemi në të dy
Sa ditë do bëjmë dasmë
Krushk do te jetë 
Krejt shqiptaria
 
E kur do bëhesh ti nuse
Çamja ime e bukur hyri
Do vijnë të gjitha vatrat
Për martesë e lumturi
 
TE GURI I SOKOLIT
 
Frymëmarrjen duke e gulçuar
Po ecë  shpatit me nxitim
Një freski bjeshke më ka pushtuar
Lugjet e verdha në shpirtin tim
Syri kullot stanin e vjetër
Në lëndinën plotë blerim
 
I le pasë gjurmët e jetës
Ecë ta zë hien në perëndim
Ajo po ik…
E më pret atje
Në themelet e kullës së gjyshit tim
E sa më pushton nostalgjia
Mbi ato themelet e mia
Gurë e mure të rrënuara
Ka ritur shtatin myshku e largësia
 
Këtu dikurë mbaheshin kuvende
Burrat me plisa tirq e jataganë
Ca nga Shkodra, Buletini e Mirdita
Dimrat i kalonin odat në prita…
 
Eh burrat e kombit tim kreshnik
Atje mbi trapazan i varnin hutat
E pinin duhan kaçak nga llullat...