Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Drita Lushi: Kur fjala peshon më shumë se guri

| E diele, 15.09.2013, 06:07 PM |


Kur fjala peshon më shumë se guri

“JAM GUR I VENDIT TIM”

- Vëllim poetik i Miradije Gashit-

NGA DRITA LUSHI

Kur një grua shkruan dhe ndihet,“Gur i vendit  tim“, natyrshëm të shtyn  kureshtja e dëshira, që të lexosh se ç’fshihet pas këtij titulli dhe libri.

E sigurisht, nuk ka si të mos  bëhesh pjesë e  gjendjes emocionale e poetike të autores, gjatë shfletimit dhe leximit të këtij vëllimi poetik.

Nuk ka si të mos ndihesh dhe ti, si vetëtimë apo si rrufé, kur ajo shkrepëtin  në këto vargje:

 

“Në vendim tim

jam gur e qëndresë

që thith nga qielli rrufé“

Poetja Miradije Gashi jeton larg vendit të saj Kosovës,së cilës  i dha nga ditët e veta e ajo e mëkoi me dashuri për trojet e tokën,e ndonëse  larg, kokën dhe vështrimin e ka përsëri nga Atdheu i të parëve, i burrave e patriotëve të vërtetë, e nuk mund të rrijë pa shkruar:

 

“Eh, ç’burra që qenë

dy zemra në gjoks, thonë - i patën,

një, si diellin, për atdhenë

tjetrën si zjarr në vatër!”

 

Autorja i qëndron besnike temës së Atdheut, e cila zë pjesën më të madhe të vëllimit poetik të saj.Kjo është e justifikuar duke qenë se ajo jeton karg tij, por edhe duke kaluar një kalvar vuajtjesh e peripecish në  kohën e pushtimit serb,të cilat e detyruan të emigronte.

E kështu natyrshëm, ajo derdh gjithë dashurinë e mirënjohjen për pishtarin e Flamurit shqiptar Ismail Qemalin kur thotë:

 

“Për Shqipëri, një jetë të tërë

që atdheu të frymojë i lirë,

ku nuk shkoi e ku s’u gjend

Plaku i Vlorës, zemërmirë!”

 

Shpesh poezitë e Miradijes,  të bëjnë të udhëtosh në kohë pas, së  bashku  me të, sepse ajo di të depërtoje bukur me vargun në fantazinë tonë, e vesh me ngjyra e ngrohtësi sa ne nuk mund te mos ndihemi komodë gjatë leximit të tyre.

 

“-Eh, po të isha bareshë,

ç’grigjë luleborash

do të kullotja shpateve, bjeshkëve

në vend të metaforave!?”

 

Në udhëtimin imagjinar me poezitë  e saj, sheh me sytë e mendjes e shpirtit, personazhet e saj poetike, që janë Atdheu,nëna, fëmija, heroi që jep jetën  për liri e befas ndalesh nga një lot, kur lexon “Letër Nënës“

Më shumë se trill poetik,kjo poezi ështe lindje prej dejesh.

 

“Të dua nënë, të dua sa askënd tjetër

ndaj sonte dua të ta shkruaj letër

e të të them

sa herë loti për ty rrugën ma preu”.

 

Autorja, anashkalon  moralizimet, që e vrasin poezinë, sepse ajo e di se poezia ka nevojë për ajër e frymëmarrje ashtu si dhe njerëzit.

Ajo qëndis  mendimin metaforik, si ujë i rrjedhshëm dhe natyral, e kështu ajo  depërton pastër në ndjenjat tona.

 

“Sonte, mund tëvij,

Në krahët e një kënge apo vargu“,

-shkruan autorja duke bërë vargun e poezinë  zog, që fluturon e që e lidhin me  njeriun, sepse veç kështu shprehet e bukura dhe ajo që dëshiron.

 

Apo:

“qé ditë vjeshte,

dhe retë qanin në heshtje”

 

Poezia e saj, hap pas hapi, arrin të ngrejë një folezë brenda nesh.

Ato vërtet janë larg moralizimeve, por veç anës poetike janë përfundime e konkluzione të jetës e viteve të jetuara të autores, vite me punë, përpjekje e pse jo dhe të mundimëshme

 

Në to gjejmë ndjenjat e një gruaje me ndjeshmëri fine, që brishtësinë e ruajnë jo vetëm në fjalë por edhe në zemr.

 

“S’të them dot: më fal!

se edhe pa fjalë

flet zemra e zjarrtë”

 

ajo vazhdon:

 

“Si një frymë vjen

dhe jetës, jetës m’i sjell

si gjithherë“

 

Nga to ke ç‘mëson, e s’të mungojne çastet e meditimit dhe nxjerrja e mësimeve të vlefshme për jetën .

 

KA ÇASTE

 

Ka çaste kur të zezën e jetës

e bën të bukur

DASHURIA.

 

Ka çaste

kur zënkën djegëse

e përndrit

MIQËSIA.

 

Doemos që ka çaste

që firojnë si vesa,

kur jetën e bën të mrekullueshme

edhe HARRESA!

 

Ajo vërshon poetikisht si lumë, e derdhet në fjalë që peshojnë sa vetë Atdheu.

 

“Në jetën e atdheut

me ngjyra gjaku pikturuan lirinë”

 

Si grua dhe si poete, ajo është një siameze në poezinë e saj, sepse poetja dhe gruaja shkojne ngjitur e binjakëzuar përmes vargut e ndjenjës.

 

“ TI

Je uji,

jam etja.

 

Je drita,

jam syri.

 

Je rruga,

jam hapi.

 

Je shenjti im

Ti,

jam Unë, jotja,

më së paku“

Struktura e poezisë së Miradijes nuk komplikohet dhe rëndohet me fjalë të tepërta apo të kërkojë metafora e shprehje te lodhëshme.

Ajo ka varg e poezi të shkurtër, por me peshë te madhe ndjesore .

Ka poezi, ku një varg i vetëm,mund të mbajë  gjithë peshën poetike.

 

Në poezitë e saj, zënë vend dhe njerëz e heronj të njohur, emra të përveçëm që  i japin poezive të saj, një dimension të gjerë, të një njeriu që nuk sheh vetëm një drejtim, por të një gruaje të gjithanshme, me veprimtari të zgjeruar të interesave të saj jetësore dhe poetike.

Këtu do veçoja poezinë mbi Vëllezërit Gërvalla:

 

LOT, DHEMBJE, DRITË

(Vëllezërve Gërvalla)

 

1.

 

“Nëse për dhembjen

vetiu rrjedhin lotët

deti i lotëve

do t'i lagë brigjet e mendimit.

 

E në shirat e shpresës

bëhen ngjyrë pene

e shkrimi.

 

Për portretin tuaj

atdheu i gjithi atëherë

bëhet pëlhurë

ku derdheni ju

me pirgje drite“

 

Vitet e saj në emigrim, natyrisht që  janë gjurmë mes grisë e diejve me ngjyra (fëmijëve e familjes),e kanë lënë “hapa“ origjinalë në poezinë e saj.

 

MËRGIMTARËT

 

“Vijnë me shpresë

kthehen

presin

durojnë

jetojnë

vdesin.

 

Shpresa

vdes e fundit - thonë

dhe mërgojnë nga jeta“

 

Ky ështëvellimi i parë poetik i Miradije Gashit.

Një sprovë e kaluar me sukses,në pritje të provave më të mëdha.

 

@ Drita Lushi.

Shtator, 2013.

Shqipëri.