E premte, 29.03.2024, 10:49 AM (GMT)

Mendime

Vangjush Saro: “Letër” mikut tim Edi Paloka

E diele, 15.09.2013, 05:09 PM


“Letër” mikut tim Edi Paloka

Nga Vangjush Saro

I dashur Edi, të uroj shëndet dhe suksese, duke të kujtuar njëherësh se tashmë ke në dorë të kontribuosh edhe më shumë për vendin tënd dhe për fatet e partisë më të cilën je lidhur që nga pranimi i pluralizmit në Shqipëri. Në vitin 1994, atëherë të dy gazetarë në pushtetin e posazgjedhur dhe kur vendi ishte ende në prag të ndryshimeve, ne ishim për një muaj në Bukuresht, për përvojë, pranë gazetës “Evenimentul Zilei” (një nga gjigandët e Evropës Qendrore). Pas shumë kohe, kur rrugët tona kanë marrë tragën e vet, ti në karrierën politike dhe unë në atë letrare e publicistike, më erdhën ndër mend dy episode nga ajo “shkollë”, sado e shkurtër në kohë. Dhe kështu, këtë letër a bisedë me ty, vështroje si të duash, do ta përcjell pikërisht përmes këtyre dy episodeve. I pari, besoj të kujtohet, në selinë e partisë Rumania e Madhe, në atë konferencën për shtyp të atij Vadimit (s’di pse më tingëllon si Vladimir Iliç). Ai kishte hesape me gazetën dhe iu drejtua gazetarit që na shoqëronte të dilte jashtë. Si mundet?, tha ai. Unë jam këtu edhe me dy gazetarë të huaj. Kurse tjetri i tha pak a shumë: Ngri leckat, me gjithë ata derrat shqiptarë. Mban mend? Dhe ne ikëm të tre. Duke dalë, gazetari rumun tha pothuaj i gëzuar: “Nesër jemi në faqe të parë.” Kurse ti, në një moment më the mua: “Më zi se ne janë…” Dhe më pas, shkruajte një shënim ku bëje analogji me Çausheskun e të tjera…

A nuk mendon, Edi, që edhe pas 22 vjet pluralizëm, jemi ende zi e më zi, përderisa kemi po atë mentalitet dhe përdorim po ato forma (të qëmotshme) për të ndërtuar politikën dhe vendin? Dhe ndërkaq, duke e ditur pse-në (që po e them më poshtë) a nuk duhet më në fund të heqim dorë nga përjashtimet, dëbimet, ikjet, dhe të shtrohemi për të ndryshuar sadopak fatet e këtij vendi? Me fatet e tij, janë të lidhura fatet e qytetarëve të tij. Me këtë rast, po bie episodin e dytë të rëndësishëm nga ai muaj dhe ajo “shkollë”. Të kujtohet, besoj, vizita jonë te konvikti ku ishin strehuar shqiptarët që ishin sjellë aty pasi kishin hyrë në Ambasadën e Rumanisë. (Pas ngjarjes së stërgjatur të ambasadave.) Valter Ibrahimi, që atëherë ishte punonjës në ambasadën tonë në Bukuresht (nuk e di, është ambasador në Gjermani tani?) na ftoi të shkonim me të dhe me një zyrtar rumun për një takim me ata qytetarë azilkërkues. Mbase nuk i ke harruar ato pamje, me ankime të panumërta, atë sherr…Dhe kur unë të pyeta pse bërtisnin ashtu, ti m’u përgjigje: Ç’të themi! Ja kështu zjejnë kudo. I kam parë edhe në Itali. Dhe pastaj më the: “O Zot, kur do marrë fund kjo?”

Të siguroj, i dashur Edi, që shumë pak ka ndryshuar nga ajo kohë. Mos mendoni se ata që punojnë nëpër Greqi, Itali, Gjermani dhe Amerikë, nuk kanë më halle azili apo të tjera probleme identiteti. Por “si marrin rrugë” ato halle, që të mos themi prapë “O Zot, kur do marrë fund kjo?” Tani, ti ke në dorë të bësh shumë më tepër se sa dikur, si gazetar, për të ndryshuar sadopak mentalitetin mbizotërues të frikës, të ankthit, të përzënies, të krijimit të armiqësive false, sa për t’i prishur punë dikujt. Tani kemi prapë shansin t’iu japim një dorë qytetarëve shqiptarë, kudo që janë, azilkërkues apo emigrantë, për t’iu thënë se vendi i tyre po ndryshon, po qytetërohet, të tjerët do ta respektojnë, nuk do ta qeshin, s’ka më kthim prapa në rrugën e demokracisë. Po si? Duke braktisur Parlamentin dhe duke e kërkuar sherrin me qiri? Nuk ka më as ashtu, se dëgjoj, nuk ikin më dritat…Nuk them se ata që kini përballë janë të mirët e dynjasë. Nuk dua gjithashtu të qëmtoj në marrëdhëniet e tua me ish-ët e PD-së. Por a nuk është momenti të kërkohet nga vetja më shumë e të mos përdoren metodat e vjetra të sherrit për sherr, të prishjes së seancave vetëm për spektakël apo për t’i futur kundërshtarit shkop nëpër rrota. E di, edhe këta rrotat ashtu kanë bërë me ju…Me bilbilë e me ç’të mundnin. Por jo më. Edi, ajo epokë duhet të harrohet.

T’i shkruaj këtë radhë si një ish-koleg dhe mik, të cilin socialistët e kanë flakur dikur në rrugë për shkak të shkrimeve dhe mospërfshirjes. E megjithatë, nuk trokita te Kryetari i Parlamentit, (z. Gjinushi) me të cilin kisha punuar për një kohë të gjatë, për t’u qarë e për të kërkuar punë. Por po ashtu, kohë më vonë (viti 2009) më flakën edhe të tutë apo ata që ishin shumë pranë pushtetit tuaj. E megjithatë, nuk erdha të të thosha asgjë, asnjëherë; edhe pse isha i bindur që do më ndihmoje. Të drejtohem ty, sepse në gjithë këto vjet nuk ta dëgjova asnjëherë emrin për ndonjë aferë a për ndonjë përfshirje kund dhe le të thonë ç’t’iu vijë për mbarë, kjo është ajo gjëja që kërkon ky vend nga politikanët e tij, të jenë të “papërfshirë”. Atëherë, përse u dashka trazuar në lojëra që ushqejnë të tjerët...Të gjithë e duan pushtetin, ti je një nga ata që s’pate asnjë detyrë; pra, çfarë ka që iu duhet përmbushur oreksi pa sens një grushti mëtonjësish? Përse?

I dashur Edi, shkoi njëra epokë (me diktat), shkoi dhe epoka tjetër (hibrid). Jemi në ditën kur politika duhet t’i japë vërtet një shans këtij vendi. Ti je aty, ke shumë në dorë, tregoje veten, pa le se ç’thonë që mund të kesh vetëm grintën (që doemos e ke, ua kam shkruar dhe treguar unë). Shëndet dhe punë të mbarë, miku im! E di që asnjëherë nuk ka mëvetësi totale nga ç’na rrethon. Por të përpiqemi të bëjmë më të mirën, që dikur të mos na citojnë atë thënien e njohur të Pushkinit: “Të vjetrit vjetëruar keq, të rinjtë edhe më për dreq.”



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora