Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Adem Zaplluzha: Mëkati i Hijes

| E hene, 16.09.2013, 06:20 PM |


Adem Zaplluzha

MËKATI I HIJES

 

Shoqata e Shkrimtarëve “Fahri Fazliu”

Kastriot

2013

Redaktor:

Dilaver Goxhai:

Recensent:

Dritan Goxhai:

Lektor:

Shpëtim Golemi

 

PARATHËNIE

 

Poezitë e shkruara nga Adem Zaplluzha nuk mund të ishin shkruar kurrsesi pa atë perspektivën që vetë historia i dha jetës së tij dhe gjithë popullit tonë pas fitores së lirisë së Kosovës, ndaj dhe poezitë e tij kanë gjithë ndjesinë dhe peshën njerëzore të kësaj ngjarjeje të madhe. Dhe ajo ishte një ngjarje që e mbart veten në lartësinë e historisë e të poezisë. Kjo perspektivë i dha jetë edhe krijimtarisë së Adem Zaplluzhës, i cili ka arritur me nxjerrë nga botimi vëllimin e 82-të poetik të tij. Dhe kjo është shumë e shpjegueshme. Kjo prodhimtari e Adem Zaplluzhës tregon se ai poezinë nuk mund ta  lidhë pas asaj  që po mbaron e po vdes. “Duhet të dish se si t’i shkulësh bukuritë letrare gjer edhe nga vet gjiri i vdekjes – na thotë Lotrëmoni – por veçse këto bukuri s’do t’i përkasin vdekjes”. Tek poezitë e Zaplluzhës vdekja s’është veçse shkak rastësor.

Duke cituar Lotrëmonin, nuk di pse më shkoi mendimi tek dyshimi se mos vallë Adem Zaplluzha e ka parasysh këtë thënie të tij që edhe në këtë vëllim poetik vdekjen e ka tepër rastësore, madje edhe kur është i detyruar ta përmendi i kundërvë asaj gëzimin e jetës. Këto dy antiteza i shohim dukshëm edhe tek poezia, e cila i ka dhënë titullin edhe vet këtij vëllimi poetik: “Mëkati i Hijes”, kur thotë:

 

Secili prej nesh

Ecën deri te fundi i rrugës

Mos vallë na pëlqejnë ecjet funerale

Dhe muzika mortore

 

Dhe menjëherë i drejtohet erës, sinonimit të jetës, duke thënë:

 

Kur na bekon era

Mendojmë se jemi të pavdekshëm

I shkundim të gjitha gjethet

Nga  rrethi i unazës.

 

Por, po të lexojmë edhe poezinë tjetër “Dënesim dhe qeshim”, shohim se tek poeti nuk humbasin as kujtesa dhe as vetëdija. Prandaj mund të themi me plot gojën se poeti ynë nuk është nga ata poetë që bëjnë poezi me porosi, por është poet që përjetëson rrethanat dhe momentet jo vetëm ato historike, por edhe një rrethanë sado të

vogël. Këtu qëndron edhe sensi poetik i tij. E them këtë pasi poezia e Adem Zaplluzhës buron nga vet ndjenjat e tij me saktësinë e pasqyrimit, duke qenë besnik i ngjarjes, duke e transmetuar atë ndjenjë artistikisht tek lexuesi, në shumicën e poezive në mënyrë metaforike, duke e bërë poezi me vlerë.

 

Kur poeti thotë:

Nga këtu

Filluan ikjet e zogjve

Nuk di

Nëse ju kujtohet kënga e qyqes

Ishin të gjata rrugët e pikëllimeve

 

Ai na tregon ngjarjen e kohës së tij, kur nënat me “zogjtë” e tyre në duar (fëmijët) u detyruan të iknin nga Kosova si rrjedhojë e gjenocidit serb, në Marsin e vitit 1999, duke i krahasuar ato me qyqet, zogun e vetmisë.

 

Më kujtohet

Kur i lamë te pragu gëzimet

Dhe dolëm pa itinerar

Për të marrë botën në sy

Nuk na u desh shumë kohë

 

 

Dhe ashtu ndodhi, fillimisht populli ynë iku për të gjetur një strehë, për të futur kokën dhe për të shpëtuar fëmijët, ndaj dhe u duk sikur ishte vetëm duke mbetur në pikëllim, por poeti e konkretizon përsëri kur na thotë:

 

Ishte Marsi me shi lotësh

Data 27 viti 1999

U gëzoheshim si fëmijë

Zogjve të metaltë

Dhe ecnim binarëve pakufi

 

Ishin “zogjtë metalikë”, (avionët luftarakë të NATO-s), të cilëve populli shqiptar në Kosovë u gëzohej njësoj si fëmijëve të tyre:

 

Shikonim se si fluturonin

Mbi krahët e duraluminit

Dënesnim  e qeshnim

Me gëzimin

Në pikëllimin tonë.

 

Vetëm sikur me këto dy poezi të kufizohemi në këtë analizë, mund të themi me plot bindjen se Adem Zaplluzha e ka kaluar me kohë periudhën e sprovës. Dhe këtë e shohim te horizonti i poezisë së tij, i cili është zgjeruar mjaft, gjë që tregon se poeti ynë nuk mund të largohet kurrë nga fatkeqësitë e popullit të tij. Ky zë i tij mbizotëron në krijimtarinë e tij poetike, sepse ai përkon me dëshirën e përjetshme të popullit të tij për të jetuar, në kundërshtim me shkatërrimin dhe rrënimin.

Poeti ynë e di se paqja është e vetmia parullë, i vetmi mesazh që ai e përjeton, e vetmia e ardhme e mundshme, prandaj na thotë:

 

Zjarre këngësh të kënduara

E të pa kënduara

Hipin cikloneve

Dhe zbresin me mjeshtëri

Tej mjegullave

Vijnë

Si shpirtra  zgalemash

Dhe udhëtojnë deri në përjetësi. (Poetët)

 

Tamam për këtë realitet luftoi ai popull. Nuk mund të ketë për Ademin rrethana që nuk janë të lidhura mes tij dhe popullit të tij. Përmes poezive të këtij vëllimi poeti kërkon të na thotë:  as zogjtë, as zemrat tona s’kanë për të reshtur ndonjëherë së kënduari për ata që na sollën lirinë.

 

Ishte koha

Cikli i parë

 

TOKA E PREMTUAR

 

Sa herë që njerëzit

Takohen  me ndonjë arkivol

Në trungun e shimshirit

Hiqen

Ose shtohen

Copat e pikëllimeve prej mishi

 

Në disa raste

Ecim nëpër mjegull

Përtej hapave të erës

Dhe në fund të rrugës takohemi

Me ngjyrat e ligështuara

Të ylbereve

 

Nëse në rrugëtimin tonë

I kapërcejmë dhimbjet e morfologjisë

Nuk di

se çka na mbetet

Përtej sinorëve të shkulur

 

Sa herë që i biem not detit

Të dalim

Përtej trishtimit të ëndrrave

Ne çdoherë

Do të takohemi me dyndjet e zogjve

Ose kthimin e njerëzve

Në tokën e premtuar

 

LEGJENDA

 

Nëse shikojmë asgjësimin e erës

Jemi të gjykuar

Të vendnumërojmë

Deri në vdekje

 

Asnjë hap

Nuk mund ta tejkaloj

Përrallën e trilluar për një pemë

Me molla të arta

Dikur vonë kuptuam

Se nën atë mollë

Mbiu një Evë

 

Nga syri i majtë trishtueshëm

Pikonte dita

Kurse në syrin e djathtë

Hynte dhe delte nata

 

Ne disa herë u mashtruam

Kur e kapërcyem ylberin

Legjenda ishte e rrejshme

Sa që nga shpirti i saj pikonte

Një lloj drite

Që nuk kishte ngjashmëri

Me asnjë parafjalë

 

E  CA TË TJERË

 

Në ecejaket e mia

Takova disa lloj njerëzish

Disa mbjellin shkurre

E ca të tjerë

Fjalë

Që djegin më shumë se hithrat

 

Një mik i imi

Pak si më i largët se të tjerët

I përngjan

Qenit të tij të zgërlaqur

I përngjan

Sa që nuk mund t’i dallosh

Kur e përtypin ashtin

 

Kurse mikesha ime

Si një mace nën sofër

I pret

Dhe i gjuan fjalët

Deri te meteorët me bisht

 

Kurse një tjetër në lagje

Ka për qejf

T’i imitoi profetët

Me një kërrabë të vjetër

Për çdo ditë

E zgjon kambanën e kujtimeve

 

KURSE NGA DRITARET

 

Më duket se diku

Në zbrazëtirën e mendjes

I harruam lutjet

Dhe sërish filluam

Si çdo herë nga e para

 

Dita ishte e gjatë

I përngjante bishtit të kalit

Te portat e hapura

Dikush për fat

Kishte mbjellë një patkua

 

Frynte një erë e trullosur

E cila na i përkujtonte psalmet

Por ka kohë

Që kemi harruar të këndojmë

 

Trokitëm si të çmendur

Në mendjet tona

Asnjë derë nuk hapej

Por  nga dritaret me xhama të thyera

Si pa kokë

Dolën ikonat nga kornizat

Dhe kurrë më nuk u kthyen

 

Prishtinë, 19 shkurt 2013

 

DËNESIM DHE QESHIM

 

Nga këtu

Filluan ikjet e zogjve

Nuk di

Nëse ju kujtohet kënga e qyqes

Ishin të gjata rrugët e pikëllimeve

 

Më kujtohet

Kur i lamë te pragu gëzimet

Dhe dolëm pa itinerar

Për të marrë botën në sy

Nuk na u deshtë shumë kohë

 

Ishte Marsi me shi lotësh

Data 27 viti 1999

Ne gëzoheshim si fëmijë

Zogjve të metaltë

Dhe ecnim binarëve pakufi

 

Shikonim se si fluturonin

Mbi krahët e duraluminit

Dënesnim  e qeshnim

Me gëzimin

Dhe pikëllimin tonë

 

ISHTE KOHA

 

Nuk më kujtohet

A kemi qenë dikur profanë

Ose njerëz me më pak besim

Në ëndrrat e erës

 

Lutjet e mbrëmjeve

I kemi kënduar të nesërmen

Ose lënë

Për një kohë tjetër

 

Asnjëherë se lodhnim kokën

Për këto cikërrima të imta

Kishim ca punë të tjera

Ishte koha

E arnimit të lisave

 

Mbase kemi pas shumë pak kohë

Për të biseduar fshehurazi

Me psalmet e gjetheve

Sa herë  që frynin erërat

Thyheshin degët mbi kokat tona

 

Dimrat kishin një shije tjetër

Ishin të egër

U përngjanin arinjve të murrmë

Sa herë që na dhembte shpirti

Na mësonin se si duhet

T’i lëpijmë plagët

 

ERA

 

Këto vite qensh

Nuk di se si kaluan

Nën hijen e plepave

Kuiste nata

 

Më tutje

Te gëmushat një shtrojerë e thyer

Tok me psalmet e erës

Qante si kërthi

 

Ne pritëm një kohë të gjatë

Në mesnatë na zgjoi

Zëri i trishtë i një serenate

Te një çati e rrënuar

Dëneste errësira si ullukët e shiut

 

Kur pushuan të reshurat

Dolën  në bejleg kuajt e harlisur

Dikush i shtrëngonte mëgojëzat

Era s’mund të pinte ujë

Në kujtesën e rrapit të lënduar

 

KY KOR BRETKOSASH

 

Kur nuk patëm

Se kah të ja mbajmë

Ecëm mes zërave të shurdhtë

Të gjetheve

 

Binarët e trenit

Shtrydhnin ndryshkun

Në shuplakat e plagosura

Te mjegullat

Binte një shtrezë e zezë

 

Diku te gëmushat

Qante një fëmijë i lënë në harresë

Nënat e harlisura si pelat

Bashkëjetojnë

Me shiringat e trishtimit

 

Si era e dërmuar

vajton një nuse stërnishtave

Ky kor bretkosash

Nuk ka të ndalur

Sa trishtueshëm sonte

Vajton një qemane

 

ISHTE E HËNË

 

Ishte e hënë

Kurse ti nuk i dallon ditët

Ndonëse i përngjan etjes

Ti ke shumë uri

 

Sa herë që deshe

I zhveshe pemët deri në palcë

Kur të gjithë qanin

Ti këndoje më së miri

Elegjinë e një qemaneje

 

Kishe një forcë prej titani

Shkëmbin e stralltë e shtrydhje

Si lotin e nuses së virgjër

Dhe këndoje si përherë

Një serenatë prej shiu

 

Këndoje sa që uleshin zogjtë

Mbi degët e mjegullave

Dhe të dëgjonin syhapur

Deri në mëngjes

 

Ishte e hënë

Kurse ti me ditët e tua të humbura

U zhduke

Pas atyre të tejpërtejmes

 

TË LUTEM

 

Të lutem

Mbylli sonte të gjitha dritaret

Këto krakëllima të egra

Zhurmojnë në kokën time

 

Mbylli edhe portat

Askush nuk duhet të trokas.

Në degët e shthurura të lisave

Sonte kam ethe te verdha

 

Dua të jem vetëm

Askush përpos vetmisë sime

Nuk mund të qëndrojë pranë muranës

Një sisë pikon nga guri

Dhimbjen e ditës

 

Të lutem

Mbylli sonte portat e hapura

Dhe dritat që i vizaton ylberi

Mbyll çdo gjë çka mund të mbyllet

Lëre të hapur vetëm mendjen

Le të përgjoi deri në amshim

 

MËKATI I HIJES

 

Secili prej nesh

Ecën deri te fundi i rrugës

Ndoshta na pëlqejnë ecjet funerale

Dhe muzika mortore

 

I duam pa masë arkivolet

Me shijen e arrës

Por jo edhe hijen tonë te vrima

E frymëmarrjes

 

Kur na bekon era

Mendojmë se jemi të pavdekshëm

I shkundim të gjitha gjethet

Nga  rrethi i unazës

 

Më pastaj

Në frymën e fjalës kërkojmë gurin

E mëkatit të hijes

Dhe sinorët e ngulur nëpër arat tona

 

KUR ATDHEU

 

Ne shpeshherë vrapojmë

Nëpër ëndrrat tona

Kur shohim

Se kah na ikin zogjtë

Shndërrohemi në flutura të drunjta

 

Dalim prej përrallave

Dhe zhytemi në mëkatin e gurit

Asnjë shpend grabitqar

Nuk duket në hapësirë

 

Këto thirrje zogjsh

Pinë ujë në shuplakat e mjegullave

Vonë kuptuam për dyndjen e fluturave

Kur atdheu

Kishte mbetur qyqe në degë

 

Nga brendia e lisave

Më thirrën arkivolet

Te varret e bardha të nuseve

Hapej dhe mbyllej një legjendë

 

Kur erdhën dasmorët

Vallja kishte përfunduar diku te prrallat

Me disa hije të tejdukshme

Vetëm era lozte në telat e qemanes

 

QANIN EDHE NUSET

 

Nëpër syrin e tejdukshëm të shiut

Pikon një hënë e re

Si kuajt e egër të luadheve

Vrapojnë yjet nëpër qiell

 

Ti ëndërroje në korije

Shthurjet e baladave

Te rrënjët e një gëmushe

Qante me lot shiu kumria

 

Freskia trokiste nëpër degë

Asnjë derë nuk hapej

Në lëfytin e drunjtë të kujtesës

Ishin mbyllur të gjitha përrallat

 

Qante çezma e vjetër

Qanin edhe nuset

Asnjë ushtar nuk erdhi mbrëmë

Nga toka e largët e rërës

 

KY MERMER I FTOHTË

 

Një ditë

Të gjithë ne do të mbesim këtu

Do qëndrojmë si statuja në shi

Ky mermer i ftohtë

Do na e ngrijë gjakun

 

Era do vijë e do shkoi

Kur nëpër flokët e mjegullave

Fshihen shirat

Atë ditë

Pikëllimi i reve do të jetë

Sa një dunë prej dallge

 

Te moli si çdoherë

Dalin peshkatarët në pritje të anijeve

Kurse detit të pabesë

Nëpër dhomat e errëta të Titanikut

I paraqiten

Gjëmat

E përmbytura prej shpirtrave

 

DËGJOHET NJË GJËMË NËNASH

 

Njerëzit në fushëbetejë

U përngjajnë perëndive të egër

Si devetë e shkretëtirës

Ecin drejt të pamundurës

 

Në oazën e shterur

Merimanga e zezë e hap rrjetën

Hingëllimat s’ndalen te rrënjët e kaktusit

Përmes mëgojëzave

Fillon një përmbytje kuajsh

 

Dielli me ato pak rreze të ftohta

Nuk mund t’i ngroh dizgjinët

Kufomat i kafshojnë arkivolet

Kur hapen dhe mbyllen varret prej dunave

 

Dikur kah mesdita

Kur tytat e pushkëve i pështynë plumbat

Dëgjohen krakëllima çafkash

Dëgjohen gjëma nënash

 

FRYNË E FRYNË NJË PUHI NATE

 

Sa herë që më zë malli

Rend nëpër trishtimin e kujtimeve

Pranë xhadesë

Një breshkë përjeton pikëllimin e diellit

 

Fryn e fryn një puhi nate

Yjet si qershitë e këputura bien në tokë

Një tjetër hënë

Paska lind sonte në qiell

 

Ca shporta gjethesh

Mbushen në këtë çast prej dhimbjeve

Kush e ndali mbrëmë serenatën

Kur filloi të frynte një erë?

 

Fryn e fryn një puhi nate

Yjet rendin kah toka

E njerëzit kah qielli

Fryn e fryn një puhi nate

 

I SHKUNDËM MOLLËT

 

Sa herë ia nisëm këngës

E lëmë përgjysmë

Nuk deshëm

Ose nuk ditëm të këndojmë

 

Ndoshta

Nuk rendëm si duhet

Me hy në histori

Kot e vrapuam maratonën e saj

 

I shkundëm mollët

Para se të piqeshin degët

Na zuri dimri

Me kërpesh për dore

 

KAPMA DORËN

 

Kapma dorën

Nuk po më pëlqen kjo zbrazëtirë

Dita paska etje

Kurse etja trishtim

 

Kapma dorën

Kur je duke ecur me vetveten

Binarët e trenit nuk takohen askund

E as në qiell

 

Të lutem ti kapma dorën

Largoje hijen e mallkuar nga kambana

Nuk erdhe dje në këtë mes

Gati dymijë vjet ecim vertikalisht

 

Më shpëto nga kjo skëterrë

Është koha kur mëshirohen perënditë

Kapma dorën

Të dalim prej kësaj golgote

 

UNË NUK I BESOJ ERRËSIRËS

 

Çuditërisht

Paskam mbetur peng mes kësaj poeme.

Si mund të fluturoi flutura

Ngarkuar me arkivol të ngurtë

 

Nëse hesht lumi

Shpirti ndizet flakë

Unë nuk e pranoj errësirën

Besoj

Sinqerisht besoj

Në mospranimin tuaj

 

Nëse i ndezim qirinjtë

Nuk di

A mund të ecim vertikalisht

Kjo errësirë po më ngufat

Unë prapë se prapë

Nuk i besoj errësirës

 

SI TË LEH

 

Më lidhën ose jam vetëlidhur

Për këtë rrap

I kafshoj zinxhirët

Lëvorja e drurit

Qanë si një kërthi

 

Nga të katër anët fryn era

Bie një shi lehjesh

Më kanë lidhur për këtë dru

O nëna ime

Më kanë lidhur

Si me qenë i çmendur

 

Isha fajtor

Nuk munda ta ndalë qenin

Të mos leh

Të mos ua prishte gjumin milicëve

Nëna ime

Të mos ua ngacmonte ëndrrën

 

Andaj

Më lidhën për këtë dru

Të lehim në duet

O nëna ime

Të lehim

Çfarë të bëjmë

 

Më ke mësuar ta dua atdheun

Por kurrë nuk më mësove

Se si të leh

Nëna ime

Se si të leh

 

IK SE TË VRET NATA

 

Rri nën këtë rrap

Mendoj

Dhe ndjej

Zërin e prushtë të afshit

 

Te çezma

Nuk erdhën kojrrilat

Përpos fluturave

Askush nuk piu ujë

 

Ajo erdhi

Piu disa gllënjka

Dhe iku

Sikur të mos kishte qenë kurrë

Te unë mbeti heshtja

 

Në cicërimën e kësaj nate

Vetëm zëri i mekur  i një zogu

Kuiste

Kuiste shpirti im i dërmuar

 

Prita një kohë të gjatë

Më erdhën zërat e zogjve

Dhe thanë

Ik nga kjo heshtje

Ik se të vret nata

 

DISA QINDRA VJET

 

Po zbresim

Tej lumit

Po bien do shira mbi myshqe

Nata diku

I paska ndezur qirinjtë

 

Sa pak dritë

Në sytë e verbër të sterrës

Atje tej plepave

Mjaullin një mace

 

Më tutje

Në rrugët e “kafshuara” të fshatit

Kot i lehin qentë hënës

Që rri e bënë sehir

 

Do pisha të dyllta

Shtrydhin rrëshirën e ditës

Ne ecim rrugëve të zhveshura

Asnjë pulëbardhë te kiçi i mbijetesës

 

Dolën shtojzovallet te lisat

Një zë i bekuar i ftoi engjëjt

Disa qindra vjet

Nuk pushuan kambanat

 

SONTE HËNA

 

Nëse kalojmë këndej pari

Rrugët e lagjeve

Do i hapin portat

Kurse psalmet e bardha

Mbi pastelet e mureve

Do çelin ca lule prej lotëve

 

Nuk do të ketë më

Mbyllje dritaresh

Për udhëtarët e vonuar

Engjëjt i zgjojnë portat e fjetura

 

Ju lutem

Mos i prekni kornizat e fluturave

Në qiellin e zjarrtë  të kujtesës

Sonte hëna

Çel do zogj të kristaltë

 

Prej këtij vendi

Deri te ëndrrat e tejdukshme

Do bien shirat e prushta

Kur nga kujtesa e rrapeve

Ditët mbinë

Si aguliçet e verdha

 

Prishtinë, 20 shkurt 2013

 

Ky kor bretkosash

Cikli i dytë

 

NË SYRIN E KALTËR TË DIELLIT

 

Si fëmijë

I përngjante Zeusit

Prej qindra lodrave

Zgjodhi vetëm njërën

 

E donte dhe e rruante

Si kujtesën e gjyshërve

Mbasi kurrë nuk ishte fëmijë

Në syrin shqiponjë nuk pat vend loti

 

Eci përtej guximit

I donte malet si nusen në gjerdek

Në syrin e kaltër të diellit

Ëndërronte dritën

 

LUFTËTARI

 

Ia thoshte këngës

Sikur kish kënduar me shekuj

Hynte si fryma e mirë

Mes baladave

Dhe i zgjonte gurët

 

Ishte i tejdukshëm si ajri

Depërtonte mes gjetheve

Deri në shpirtin e rrapit

Në majat e mjegullave

Zogjve ua ndërtonte çerdhet

 

Për tu ngjizur me rrënjët

Pinte ujë

Nga damarët e dheut

Duke i shikuar meteorët

Ndriçonte më shumë se yjet

 

Herë i këndonte këngët

Majë krahut

E herë ia thoshte malësorçe

Kavallin e donte

Më shumë se frymëmarrjen

 

UNË DO VIJ

 

Jemi në rrugë

Do i lëmë fjalët peng

Dhe me siguri

Do shihemi kur çelin gjethet

 

Ju thashë se ika nga zymtësia

Ishte një vend i lagësht

Ku si kërpudhat e verdha

Rritej myku

 

Një dritare e vockël

Nga e cila pak dritë hynte në dhomë

Që të mos ndryshket

Kova e urinimit

 

Unë do të vij

Jam në rrugë

Dhe do të eci

Deri te burimi i dritës

 

Ti më prit

Ashtu siç më prite dyzetë vjet

Ashtu si pritën nënat dhe gjyshet tona

Unë do të vij

Kaherë jam nisur për te ti

 

AS MISH, AS PESHK

 

Sa herë jam kthyer

Tek ju

U kam zënë duke fjetur.

Sa mirë do të ishte

T’u përngjanit hënëzave!

 

Nuk ishit

As mish as peshk

Tanë ditën këndonit

Ndërsa mbrëmjeve

U dëgjoheshin vetëm pordhët

 

Nëpër hane nuk pushonte lahuta

Për një fjalë goje

Vritej vëllai

E të huajin e nderonit deri në përbuzje

 

Nën tymin e dehur

Thyheshin gotat për koke

Dhe thahej pastërmaja

E ngrihej dollia

Për vrasësit e vëllezërve

 

RRËFEJNË PLAKAT

 

I njoh disa përralla

Të veshura me fustan të kaltër

Në tepe të kresë

Mbanin kryqe dhe gjysmë hëna

 

Rrëfejnë plakat

Se si ndryshonte moti në çdo kohë

Tregonin për ushtarët e hekurt

Me shpirt prej derri

 

Si dhe për priftërinjtë e hoxhallarët

Që sa herë ndryshohej moti

I ndërronin çallmat

Dhe veladonët

 

Por tregojnë edhe për disa burra

Që për zot

Mbanin vetëm pushkën

Dhe hartën e atdheut

Si një gjerdan të shenjtë

 

KUR  KËNDON

 

Kur ti këndon

Mos harro se kënga e jote

Është një ritual lashtësie

Prandaj mblidhi të gjitha fjalët

Në një trastë të dhirtë

 

Kur këndon

Mbylli veshtë me dyllë si Uliksi

Dhe le të çmendet deti

Kur hënëzat e kafshojnë anijen

Para se të ankorohet në mol

 

Kur këndon

Hapi sytë e lëbyrtë të pritjes

Që sa më shumë

Ta dëgjojnë

Kujën e zezë të natës

 

Kur këndon

Mbylle mendjen me shtatë dry

Dhe vetëm kënga e jote

Le të jetoi

Në brigjet e thyera të kujtesës

 

ÇELË NJË BALADË

 

Në këtë kopsht të mëkatit

Rriten vetëm mollët

E mashtrimit.

Kush i pikturoi degët e pikëllimit

Kur në bahçe

Flinte syhapur një Evë

 

Ti kaloje si një hije

Nëpër tehun e fjalëve

Ku fishkej edhe bari i njomë

Kurse nga degët mëkatare

Pikonin mollët e sherrit

 

Një Evë që mijëra vjet

Rri e përgjumur

Gjethet e mollëve të egra

Çelin balada

Dhe ngjyrat e pemëve

Orë e çast ndërrojnë

 

PENGU

 

Sa herë që era ulej në prehrin e saj

Ajo i krihte flokët.

Një mollë sherri

U këputë nga degët

Dhe u rrokullis

Deri te përralla e Mama Dhisë

 

I tërë kopshti

I shkundi degët e kujtimeve

Një copë mjegulle

Rrinte varur në qiell

 

Dita kundronte

Ikjen e fluturave.

Para se të largohej shpresa e fundit

Do zogj fjalësh mbetën peng.

 

KUR JEMI TË LODHUR

 

Kur jemi të lodhur

E të mbushur prej pikëllimeve

Bëjmë një dush

Dhe pastaj qëndrojmë lakuriq

Para pasqyrës

Duke i terur flokët në erë

Të habitur

Shikojmë përreth divanit

Mos vallë po na kundron

Ndonjë mushkonjë e mërzitshme

 

Pa u tharë thinjat e flokëve

I lyejmë

Dhe të pispillosur,

Njësoj si ato të bordellove

Përshëndesim shitësin e gazetave

 

Kur jemi të lodhur,

Te “Dy plepat”

Si përherë

Rrufisim kafenë farmak

Dhe tërë ditën e ditës

Na merakosin punët e të tjerëve

 

MEGJITHATË

 

Sonte

pa dëshirën time

Rri i vetmuar

Te rrapi i kujtimeve

Vetëm gjethet e fishkura

Fëshfërijnë

Një melodi prej mjegulle

 

Nuk di

A thua është duke fryrë era

Ose po qan lumi

Një zë si i zënë ngushtë

Prej errësirës

I thërret në ndihmë

Hënëzat e Lumëbardhit

 

Përtej guralecëve jeshilë

Një vashë po luan

Me fustanin e saj

Stërkalat qeshin

E nuk ndalen kurrsesi

Megjithatë diçka po ndodh

Në bregun e kundërt të Drinit të Bardhë

 

UNË PASH ZOTËRI

 

Zotërinj,

Nëse nuk ju pëlqejnë gazetat

Lutem

Lexoni në sytë e mi

Trishtimin e kësaj dite

 

Më besoni

Para 48 orëve

Hëngra një copë bukë të qullur

Binte një shi i zi

Mbi dhëmballët e mia

Që kërcisnin si rrotat

E një qerreje të vjetër

 

Unë

Zotërinj

Pash

Se si qante xhadeja

Nën trokun e një motori të egër

Qanin edhe lisat

 

Kurse ju kënaqeshit

Duke dëgjuar në magnetofon

Zërin e shthurur të sirenave

 

Nëse humbin valët

Vendosni veshin në barkun tim

Afrohuni zotërinj afrohuni

Dhe dëgjoni kujdesshëm

Këtë trishtim prej muzike

Të padëgjuar deri më sot

 

TUBUAR CA NJERËZ

 

Ma jep atë copë stralli

Dua ta ndez dimrin

Kjo borë

Po m’i mërdhin dhëmbët

 

Nata alegorike

Në zilet e akullta të krongjijve

I bie fyellit të ngrirë

 

Diku te një çati e rrënuar

Dëgjohet një vaj

Si cijatje qensh

 

Nën hijen e një meteori

janë tubuar ca njerëz

Dhe ngrohin shpirtrat e ngrirë

Te një qiriri  gati në të sosur

 

VETVETJA E JONË

 

Nëse unë

Ndonjëherë

Nuk do të jem unë

Atëherë nuk do të di

Se kush do të jesh ti

 

Po që se i ndërrojmë vendet

Asnjë prej nesh

Nuk do të jetë më

Vetvetja e vetë

 

MËRGIMTARI

 

Në këtë dimër më mjaftojnë

Pak fjalë Njeriu

Dhe një lëvere kuajsh

T’i ngrohi këto eshtra të ngrira

 

Hape derën moj loke

Edhe nëna ime e thinjur

Diku në atdheun tim

Pret mysafirin e vonuar

 

Njëqind vjet udhëtova

Deri sa erdha në këtë konak.

Oh sa pak më duhet

Të jem i lumtur sonte

 

Prishtinë, 21 shkurt 2013

 

BOSHLLËKU

 

Po munde

Më prek me gishtat e tua skelet

Jam ajër i pakapshëm

Ose krijesë e tejdukshme

Prapë se prapë

Ka diçka njerëzore te kjo hije

 

Kur amalgama qesh me mua

Ai atje përballë siluetës

I kreh flokët e dendur të natës

Ti nëse ke durim

Shiko më me kujdes

Hijet që thyhen përtej urës

 

Përkrah çdo gjëje

që shihet në dukje të parë

Është një mashtrim

Ti mos hezito

Preki me kujdes

Ose futu në sytë e tua të zbrazët

Të pushosh pakëz

Në atë boshllëk të pangopur

 

NJË COPË TOKE

 

Sa qenkan holluar këto kërraba

Gati po i përngjajnë

Kashtës së thyer të Kumtrit

Nëpër sa duar kaloi era

Deri sa mbiu

Në majat e lisave

 

Këto ciflime të ecjeve

Vonë shumë vonë

Paskan mbërrit deri te ju

Nëpërmjet shpërnguljes së erërave

Arkivoli i kujt erdhi mbrëmë

Me aq etje të zhurmshme

 

Ky shi që po bie pa reshtur

Mbi flokët e mjegullave

Ndoshta nuk dihet

Se nga po vjen

Një copë toke ka ikur nga përralla

Ose bjeshkët lëvizën

Në anën e kundërt të dritës

 

MË PRITË TË LUTEM

 

Më pritë të lutem

Dhe shiko se si nga puthja e ime

Çelin disa zogj kristalesh

 

Këto mjegulla që po largohen

Nuk shkojnë përtej detit

Era sërish i sjell këtu

 

Më pritë të lutem

Këndej dynden vetëm njerëzit

Që u përngjajnë ikjes së zogjve

 

Këto puthje hijesh

Fundosen si çafkat te mjegullat

Dhe ikin premtimet tej hapësirave

 

MUZIKA

 

Diku në largësi

Një mal i zhveshur.

Në pragun e dhimbjes së tretë

Trishtueshëm cijatin lisat

 

Edhe kur ikëm

Trupat tanë i përngjanin shiut

Asnjëherë nuk i shtrimë duart

Për të kapur arkivolet

 

Kjo mëhallë e evgjitëve

I  paska mbyllur qepenat e këngëve

Kaluan shumë kohëra

Që muzika nuk vajtoi këndej pari

 

DELTINA

 

Në udhëkryqet e jetës

Ëndrrën e erës e zë gjumi

Diku në sfond

Lindin imazhet e ylberit

 

Ti mos kalo kah hijet e plepave

Pa u takuar me gjumin

Se të zë nata

Kur zgjohen kallkanët

 

Makthet janë diku në rrugë

Dhe saora

të kapin për dore

bijtë e përroit

 

Në mendimet e poçarit

Disa zogj të hekurt

I vrasin zogjtë që çelin

Njerëz prej dheu

 

Deltina qau gjatë tërë kohës

Fatin e brishtë

Të tokës gratçore

Asnjëherë nuk e mësuan milingonat

 

PA TITULL

 

Me mijëra vjet

Të disa kohërave tis

Te një urë

Ndoshta është edhe mur

Një sisë

I mëkon kujtimet e një legjende

 

Këtu vijnë hijet e bardha

Edhe ato tis

Për tu mëkuar

Nga ky qumështi i jetës

Te një sisë

 

Diku

Dikur në një kohë

Te një baladë

si legjendë

Kur thoshin se ishte

Një tjetër botë

Te një lis

Akoma pikon një sisë

 

QOKTHI

 

Ku të mbështetem?

Në secilin hap kërcasin eshtrat

Si një araba e palyer

 

Do eci edhe pak,

Kur të mbërrij në fund

Vendosni një arkivol përballë meje.

Dua që sonte

Të bisedoj me heshtjen

 

Ju ecni përpara

Tej atyre shkurreve

Ku përherë këndon qokthi

Ndoshta do të jetë kjo

Hera e fundit

E frymëmarrjes së trishtimit.

 

BOTA NË SHISHE

 

Të gjitha anët

Ndalen te lumi

Te një shishe e kristaltë

Mbyllur rri gjumi

 

Një qokth këndon

Atje diku

Askush nuk di se ku

E kah të çon ajo anë

 

Atje te krongjijtë e akullt ngrihen

Sytë e ariut polar

Kurse një luan

Hungëron në savanë

 

Diku shkretëtirë pa oazë

Nuk mbin më bar

Bota në shishe

Përjeton çapraz

 

NJË VASHË ME SYJESHILË

 

Sa herë kaloj

Nëpër lagjen e romëve

Një rome syjeshile

I ndërron dritat e neonit

Në mendjen time

Herë i kyç sytë

E herë i mbulon

Me flokët e saj prej ere

Nata këndej kalon

Vetëm një herë në vit

Kur kyçen dritat

 

Ndoshta ndodhë

Që askush nuk fle në mëhallë.

Një daulle

Si ajo e luftës

I zgjon romët e dehur

 

Nën epshin e errësirës

Çmendurisht

Lindin

Dhe vdesin

Dashnorët e dehur

 

NJË NUSE E RE

 

Nuk di ku isha

Kur kaloi këndej pari fëmijëria

Një njeri si struci rrinte në shi

I shikonte meteorët me bisht

 

Kallej një zjarr i paparë

Në baladat e  vjetra

Vetëm lahutari

Ua kishte gjetur fillin gjëmave

 

Në tymin e dendur të hanit

Një pushkë e uritur

Me padurim priste

Që t’i nguli dhëmbët në mish

 

U këndua edhe një këngë vaji

Gjëmim malesh ushtoi përroi

Një nuse e re

Ditën e tretë të martesës

Mbeti e ve

 

TË THASHË

 

Çfarë kërkon sonte

Në fytyrën time

Mos m’i prek rrudhat e ballit

Ato nuk janë të mia

 

Të lutem mos i lexo dhimbjet

Këtu te ne

Nuk kanë të sosur plagët

 

Sa herë që ndërruan kohërat

Në trishtimet tona

Ne mbollëm nga një varr

 

Mbollëm

Nëpër istikame dhe ikëm

Nuk patëm kohë

Për një tufë lule

Dhe një gur vari

 

Të thashë

Pusho njëherë

Akoma nuk ka ardhur koha

Për leximin e varreve

 

AMANETI

 

Më mbani për dore

Ose më afroni te kjo lëndinë

Kur të vijë koha

Dua të kem një varr

Pranë fisit tim

 

Nuk më pëlqejnë këto këngë

Të kafshuara

Këndomani këngën e Gjergjit

Sa shumë më ka marrë malli

Për hingëllimën e gjokut

 

Shikoni këtë shpatë

Dhe dizgjinët e mjegullave

Sa herë që ishte nevoja

Shkreptinte sa shtatë vetëtima

 

Lutem

Më mbani për dore

Kjo lëndinë pa emër

Dikur ishte me nam

Dua edhe mua

të më varrosni këtu

Me amanetin e lënë

Nga stërgjyshi im

 

QENI

 

Thanë se është qeni i lagjes

Por nuk e njoha

Qenka plakur shumë

Kush e di

Se sa vite qensh

Paskan kaluar

Mbi kurrizin e kësaj nate

 

Ullukët disi

Qëndrojnë në heshtje

Dhe paskajshëm të mrrolur

Pikon e pikon trishtimi

Nëpër kujtesën e rrugëve

Qeni i moshuar

E paska harruar edhe lehjen

 

Mbrëmë

Thanë se kishte ikur diku

Askush nuk dinte se ku

Por kjo ikje

Po i përngjan misterit

E kujt qenka kjo lëkurë

E mbetur te ky mur

 

Një fustan prej letre

Cikli i tretë

 

MARSI

 

Le të jenë të hapura dyert

Do të vij një ditë

Mos i mbyllni as mendimet

Se në të kundërt

Shndërroheni në harresë

 

Tani është dimër

Udhëtimet fillojnë në pranverë

Gjithmonë marsi ka qenë i tillë

Zgjohet herët

Dhe nuk fle tërë stinën

 

Ju lërini të hapura portat

Pranvera shumë shpejtë vjen

Atë ditë zgjohen gjethet

Ne përherë jemi endur

Prej pranvere në pranverë

 

LUMI

 

Nesër është ditë e hënë

Nëse nuk mund të më gjeni

Mes fjalëve të mjegullave

Më kërkoni

Në hingëllimën e kuajve

 

Mos trokitni në asnjë derë

Edhe ashtu

Njerëzit më nuk i hapin portat

Shiu i mbrëmshëm

Ishte i tëri me rrebesh

 

Shih

Se si e paskan ndarë qytetin

Një pjesë e gjysmës së lumit

Shkon tërmal

Kurse tjetra tatëpjetë

Kur do të pushojnë

Këto çmenduri ndarjesh

 

Prishtinë, 22 shkurt

 

PATA EDHE DITË MË TË MIRA

 

Këto duar presin shiun

Që rrinë varur te retë

Ndoshta presin edhe dikë

Ose diçka

që kurrë nuk do të vijë

 

Presin ashtu siç prita kot

Atë copë mjegulle

Mbi kujtimet e vetëtimave

 

Pata edhe ditë më të mira

Kur nga gjelbërimi

Mbinin të tjera frymëzime

Që ua shtonin afshin poezive

 

Ishte koha e pritjeve

Koha kur njerëzit ecnin duke qeshur

Tej brishtësisë së saj

 

Pata edhe ditë të tjera

Ecja vertikale

I përngjante rrapeve të lagjes

Ku flinin kumritë

Nëpër çerdhe pritjesh

 

NATA ËSHTË E GJATË

 

Nga këto ethe

Po teshtijnë reshjet

Çfarë të bëj me gjumin tim

Kur nuk më lë të fle

 

Nata është e gjatë

Zgjatet si ulërimë bishash

Ku ta  vë kokën e lodhur

Në gjumin e kujt të hy

 

Nata qenka e gjatë

Nuk paska të sosur

Në përrallën e kujt të fshihem

Me këto makthe të çmendura

 

Nata është e gjatë

Nga sytë e mi pikojnë lodhjet

Ku t’i pushojë këto eshtra

Ku të fle pak si njeri

 

KURSE NETËT QANIN

 

Unë bashkëjetova

Ose më drejtë

Jetova njëqind vjet

Me hijen e balsamosur

 

Herë frynte një erë e çmendur

E herë tufani i dalldisur

Ditët trembeshin nga të papriturat

Kurse netët ishin të frikshme

 

Binte një shi i zi

I ngarkuar me trishtime lotësh

Kur qante një fëmijë

Edhe lumi pranë shatërvanit dëneste

 

Ndalu i thash erës

Furtuna fryu edhe më shumë

Nga koka ime e lodhur

Fluturoi edhe shpresa e fundit

 

Rrugët mbuloheshin me shqotë

Kurse netët qanin

Një grumbull patash të egra

Braktisnin kënetën e pikëllimit

 

ME LOT MALLËNGJIMI

 

Rri e shikoj orën e vjetër

Që rri varur në stacion

Një zog shtegtar

Posa doli nga çerdhja e trishtimit

 

Thashë vet me vete

Filluan fluturimet

Po largohet diku

Edhe djaloshi i fundit i lagjes

 

Një vashë te një pemë

End një shami të përlotur

Këlthasin degët e thyera të shpirtit

Me lot mallëngjimi

Gulçon dhe bari i pranverës

 

EMRI

 

Ne të gjithë

Kemi nga dy emra

Njërin na e thonë në vesh

Kurse tjetrin

Në librat e lindjeve

 

Çuditërisht

Atë të veshit e fshehim

Xhelozish e ruajmë për kohën tjetër

Kurse këtë të regjistrave

Shpesh herë na e përflasin

 

Emri im i mirë

Dhe ai i fshehuri në kujtesë

Përherë rrinë zgjuar

Dhe syhapur

Pa iu tremb askujt

Presin maratonën finale

 

MBUSHE NJË GJYM

 

Mbushe një shishe me fjalë

Dhe hidhe tej shkëmbit

Ashtu

Siç i hidhnim dikur

Guralecët shpatuk

Mbi valëvitjen  e dallgëve

 

Nëse nuk e hapin njerëzit

Domosdo një ditë

Dhe njëherë

Do e hap deti

Si zarfet e kaltër

Që i hapnin ushtarët

Nëpër istikame

 

Mbushe edhe një gjym

Me verën e vreshtave të fshatit

Kur të na marrë malli

Për zogjtë shtegtarë

Do e pimë

Për shëndetin e atdheut

 

POETËT

 

Shumë e shumë zjarre

Të dukshmit

E të padukshmit

Nuk shihen kurrë

Herë si flaka e qiriut

E herë si një flakadan

Ndizen në shpirtrat e poetëve

 

Zjarre këngësh të kënduara

E të pa kënduara

Hipin cikloneve

Dhe zbresin me mjeshtëri

Tej mjegullave

Vijnë

Si shpirtra  zgalemash

Dhe udhëtojnë deri në përjetësi

 

TË THASHË

 

Të thashë

Se një ditë do të takohemi aty

Ku lindi ndarja

 

Po qe se ngjan ndryshe

Ti  rri te pemët

Dhe më prit si gjithmonë

 

Era do të kaloi fshehurazi

Nëpër kujtesë

Deri sa të gjethoi në mendimet e tua

 

Të thashë

Por ti s’u duke askund

Si mund të jetosh brenda vetvetes?

 

DETI

 

Ky deti yt i paanë

A thua ka vdekur

Apo vdekja i sillet rreth e rrotull

Si shakullinë prej bore

 

Diçka po ndodhë me ty

Në xhepat e kujt i harrove fjalët

Çfarë janë këto duar

Që u përngjajnë përqafimeve  të metalta

 

Sa shumë po i bien

E sa pak dëgjohet

Kjo daulle e shurdhët e erës

Një kavall në kujtesë po vdes si deti

 

Ti më prit atje

Ku me duart tona e vramë vetveten

Këtë det të madh të trishtimit

Po e përpin kjo grykë e erës

 

EDHE NJË HERË AQ  VETA

 

Ndoshta nuk i kujtohet askujt

Që kufomën time prej ere

E morri uji

Dhe nuk u duk më kurrë

 

Qe disa vjet me radhë

Vdesim nga dy

Ose tri herë në ditë

 

Pash edhe më keq

Në një anije fantazmë

Ngarkuar me kufoma

Për së gjalli

Më kishin vendosur si dekor

 

Diku në ballë të furtunës

Isha pre

E dasmës së hënëzave

Dhe deri në mëngjes

Më kafshuan

Të pabesët

 

Kur dolëm në breg

Asnjë arkivol i gjallë

Nuk ecte mbi këmbët e veta

 

U duhej dy

Ose katër e më shumë njerëz

Për copëtimin e dërrasave

Ndoshta

Edhe njëherë aq veta

Me nga dy dhëmb

Në kokë

 

ATA

 

Nën hijen e një molle

Ajo zonjë loz

Me thonjtë e saj artificialë

Si flutura e larme

Me telat e kitarës

 

Kurse Ai

Si kalë i Harlisur

I kashais mustakët në erë

Dhe fundoset

Në ngjyrat e degëve

 

PRANVERA

 

Porsa hedh shallin pranvera

Shoh se si dimri

Ikën pa kokë

Përtej maleve

 

Mbi dallgët xheloze të liqenit

Tok me peshqit

Luajnë dhe njerëzit

Tangon e përjetësisë

 

Një fëshfërimë gjethesh

Zhaurin në veshin e lisit

Paskan dalë zogjtë

Te Molla e Kuqe

 

ME NJË FUSTAN PREJ LETRE

 

Ajo kishte një fustan prej letre

Kalonte trotuareve

Si peri

Më duket se madhështinë e ecjes

E kishte huazuar nga era

 

Sa herë që i krihte flokët

I tundte

Gjymtyrët e ajrit

Herë i përngjante kukullave

E herë tërbohej

Si gurgullima e përroit

 

Ajo kalonte mbi shiringat

E përdorura

Dhe qeshte

Me të lehurat e qenve prapa krahëve

 

Syzeza flokë verdhë

Me një fustan të bardhë

Prej letre

Ecte e ecte

Tatëpjetës së përçartë

 

GËRTHITJA

 

Sot herët në mëngjes

U zgjova

Me disa imazhe heronjsh

Tej ëndrrës kacafyteshin

Ca statuja të mermerta

 

Një sfinks i gjunjëzuar

Te dunat e  rërave

Fërshëllente

Melodinë e lashtë të oazës

 

Mes kolonadave

Kanë dalë mbretërit e çmendur

Dhe gjysmë të zhveshur

Shëtisin

Nëpër tejpamësinë e luksit

 

Fryn një erë prej flame

Tunden

Shpatullat e rrapit plak

 

Kollitet e gërthet

Ky mal i vjetër

Nga një sëmundje e rëndë

I pështynë mushkëritë

Si gjethet e zverdhura

 

HERËN E TETË

 

Afër bredhave të rrëshirta

Dëgjohen britma djajsh

Përzier

Me ca sharje banale

 

Njëqind herë në ditë

Lëshohen

Në gjysmë shtize

Flamujt e turpit

 

Këtu koha gënjen

Më shumë se shitësit e pelave

Në vend të atit

Për pak lek

Shitet gomari

 

Shtatë herë në ditë

Te pishat e Deçanit

E zbresin hyjin nga froni

Dhe herën e tetë

Shiten

Kinse janë profet

 

QENI

 

Sa i mirë

Ky qen i gërmadhave

Me gjasa ka sy njeriu

Nëse fundosesh në to

Mund të notosh deri në amshim

 

Si një foshnje

Të shikon njerëzishëm

Sa herë që i lëviz këmbët

Të përcjell me brishtësi

Tej mase

I pëlqen gëzofi yt prej dhelpre

 

Ky qen i gërmadhave

Aspak

Nuk i përngjan njeriut

Po kalove kah stela te muranat

Të përcjell

Me një pamje prej fëmije

 

Prishtinë, 23 shkurt 2013

 

Biografia

 

Adem Zaplluzha u lind në Prizren, më o1. o2 1943.

Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, ndërsa Akademinë Pedagogjike në Prishtinë.

Një kohë punoi mësues nëpër fshatrat  Studençan të Therandës dhe Hoça e Qytetit, afër Prizrenit. Ndërkohë punësohet si përkthyes në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Me shkrime  filloi të merret  kryesisht me poezi që nga mosha e fëmijërisë. Rrugën letrare e nisi me vjershën e parë për fëmijë, të cilën e botoi në revistën ”Pionieri”, më 1957

Si i punësuar në Korporatën Energjetike të Kosovës, bashkë me shokët e punës dhe të penës, themeloi grupin letrar “Lulëkuqet e Kosovës”. Në kuadër të punës së këtij grupi u botua përmbledhja“Ngjyra e Kohës”, në të cilën u përfshi një numër i konsideruar i poezive të tij. Krahas krijimeve të publikuara në revistat për fëmijë, botoi edhe një sërë krijimesh letrare nëpër gazeta dhe revista, që dalin në Prishtinë,Shkup dhe Zagreb. Në vitin 2o1o i përkthehet një libër në gjuhën Rumune, nga përkthyesi i mirënjohur  Baki Ymeri,“Pema e Bekuar”, libër, i cili u mirëprit nga lexuesi Rumun.

Po atë vit, në një nga numrat e revistës “Shqiptari”,

në Rumani, në bashkëpunim me redaksinë revistës “Dituria”,në Boras të Suedisë, botohet një antologji, “Jehona e Shekujve”, autor Sokol Demaku, ku përfshihen edhe disa punime të Adem Zaplluzhës.

Është prezantuar në LEKSIKONIN SHKRIMT-ARËVE SHQIPTARË 15O1-1990, Nga Hasan Hasani, si dhe në LEKSIKONIN SHKRIMTARËT SHQIPTARË PËR FËMIJË,1872- 1995 Nga Odhise K. Grillo, dhe në librin Portrete Shkrimtarësh nga Demir Behlul,Prishtinë 2oo2.

Si dhe është përfaqësuar në Rumuni në një antologji të shkrimtarëve të Kosovës nga Monica Marushan KOSOVA LITERARA, (Kosova letrare, përkthyer nga Baki Ymeri, alias Alban Voka .2o11

Është anëtarë i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Jeton në Prishtinë.

 

BOTIME TË AUTORIT

 

1. “Puthje”, poezi, “Rilindja”, Prishtinë,1974.

2. “Ecjet e viteve të mëdha”, poezi, “Jeta e Re”, Prishtinë 1995.

3. “Çamarrokët e Thepores”, poezi për fëmijë, “Shkëndija”,Prishtinë 1996.

4. “Muret”, poezi, “Jeta e Re”, Prishtinë, 1997.

5. “Morfologjia e dhembjes”, poezi, “Faik Konica”, Prishtinë,2000

6. “Ai vjen nesër”, poezi, Qendra e Kulturës, Klubi letrar“Fahri Fazliu”, Kastriot, 2oo7

7. “Letër nga mërgimi”, poezi, Klubi letrar “Fahri Fazliu”Kastriot , 2007

8. “Letër nga mërgimi 2 “ poezi, “Qendra e Kulturës”, Klubi

letrar , “Fahri Fazliu”, Kastriot 2007

9. “Udhëndarja”, poezi, “Qendra e Kulturës”, Klubi letrar ,“Fahri Fazliu”, Kastriot , 2008

1o. “Thirrje e gjakut”, poezi,”Qendra e Kulturës”, Klubi letrar, “Fahri Fazliu”Kastriot 2008

11. “Asgjë sikur molla”, poezi, “Qendra e Kulturës”, Klubi

letrar “Fahri Fazliu”, Kastriot, 2009.

12. “Vesa në lotin tim”, poezi, “Qendra e Kulturës”, Klubi letrar “Fahri Fazliu”, 2009,

13. “Puthja e gozhduar”, poezi, “Qendra e Kulturës”, Klubi

letrar, “Fahri Fazliu”, Kastriot , 2oo9.

14. “Kashelasha në vargje”, poezi për fëmijë,” Qendra e kulturës, Kastriot, 2oo9.

15. “Pema e bekuar”, E përkthyer, Rumani, 2o1o.

16. “Bajraktarët e vatanit”, poezi satirike, Klubi letrar, ”Fahri Fazliu” Kastriot , 2010.

17. “Hijet e ndryshkura”, poezi,”Qendra e kulturës”, Kastriot,2010.

18.”Stuhi në Kutulishte”, poezi,”Qendra e kulturës”, Kastriot,2010.

19. “Posa ikte nata”, poezi, “Qendra e kulturës “, Kastriot,2010.

2o. “Loja e myshqeve”, poezi,”Qendra e kulturës”, Kastriot,2010.

21. ”Lumëbardhi dhe gjëma”, poezi,”Qendra e kulturës”,Kastriot, 2o1o

22. “Metafora e heshtjes”, poezi, “Qendra e kulturës”,Kastriot, 2o1o

23. ”Hyji në Prekaz”, poezi,”Qendra e Kulturës”, Kastriot,2010.

24. ”Sinorët e hinores”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot 2010

25. ”Don Kishoti dhe Rosinanti”, poezi, Shoqata  e Shkrimtarëve, Kastriot, 2010

26.”Zjarri i dashurisë”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2010

27. ”Kur likenet vallëzojnë”, poezi, Shoqata e shkrimtarëve-Kastriot, 2010

28. “Ditari në vargje”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 201O

29. “Tingujt që nuk përfundojnë”, poezi, Shoqata e shkrimtarëve –Kastriot, 2o1o.

3o.  “Shtegu i mallit”, poezi, Shoqata e shkrimtarëve-Kastriot, 2010

31. ”Korniza e thyer”’,Poezi, Shoqata e shkrimtarëve, -Kastriot, 2010

32. “Zgjimi i gjëmës”,Poezi, Shoqata e Shkrimtareve-Kastriot, 2010

33. “Vallja mistike”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2010

34. ”Merre kodin”,  Poezi për fëmijë, Shoqata e shkrimtarëve Kastriot,2011

35. “ Letër atdheut” poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2011

36. “ Tejdukshmëria e shiut”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o11

37. “ Përtej teje”,poezi, Shoqata e  Shkrimtarëve-Kastriot, 2011

38. “Sa afër e sa larg” , poezi, Shoqata e shkrimtarëve-

Kastriot, 2011

39. “Vallja e zanoreve”, Poezi , Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o11

40. “Ikja e eshtrave”, Poezi për të rritur, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o11

41.”Kalorësit e mjegullave”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve-Kastriot, 2012

42. “Hingëllimat e shiut”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot 2012

43. “Kur pemët i ndërrojnë këmishët”. Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot,  2o12

44. “Mirëmëngjes Imzot”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve – Kastriot, 2o12

45. “Kafshimi i mikut”, Poezi satirike, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2012

46. “Atje tej maleve”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve , Kastriot-2012

47. “Heshtja që del në shesh,” Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, Kastriot -2o12

48. “Portat e shpresës”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve, Kastriot-2012

49. “Në dhomën time gjysmë të errët”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o12

5o. “Kinse Lojë Shahu”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o12

51. “ Për çdo dekadë nga një baladë “, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve – Kastriot, 2o12

52. “Fusha e mëllenjave”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve- Kastriot, 2o12

53. “E kujt është kjo vetmi”, Poezi, Shoqate e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o12

54. “Mos pyet për adresën e lumit”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve – Kastriot, 2012

55. “ Stoli në parkun vjetër” Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2012

56. “Urori i stralltë”, poezi, Shoqata e shkrimtarëve –Kastriot, 2o12

57. “Po të mos ishte fjala”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve- Kastriot,2o12

58. “Thyerja e urave”, poezi, Shoqata e shkrimtarëve –Kastriot, 2o12

59. “ Trokëllimat në gjumin e dallgëve”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o12

60. “ Në flokët e dëborës”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve –Kastriot, 2012

61. “Një grusht nostalgji”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2o12

62. “ Kur filluan të flasin njerëzit”, poezi, Shoqata e shkrimtarëve- Kastriot, 2012

63. “Kur stinët kapërcejnë fshehurazi”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve – Kastriot,2012

64. “ Lisi në rrënjët e veta” , Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve –Kastriot 2o12

65. “Eca ecëm dhe do ecim”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve – Kastriot, 2o12

66. “Fëmijët e erës”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve-Kastriot 2012

67. “ Çast në fund të stinës”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot-2012

68. “Si të flas me drurët”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2012

69, “ Më pëlqejnë mendimet e tua”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot , 2012

70. ”Andej dhe këndej kohës”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot , 2012

71. “Zëri i heshtjes”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o12

72. “Kush i lexoi letrat prej erës”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2012

73. “ Fluturimi i korbave në netët pa hënë”, prozë poetike, Shoqata e Shkrimtarëve –Kastriot, 2012

74. “Koha e ime dhe koha e jote”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot , 2012

75.” Diku te një baladë”, Poezi, Shoqate e Shkrimtarëve –Kastriot, 2012

76. “ Sonte çdo gjë po i përngjan lotëve”,Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve –Kastriot, 2012

77 “ Ky def prej hëne”, Poezi, Shoqata e

Shkrimtarëve-“Fahri Fazliu-Kastriot, 2012

78 .“ Pyesni zogjtë në ikje”,Poezi, Shtëpia botuese “Fahri Fazliu”- Kastriot 2013

79. “ Fërfërimë gjethesh “ Poezi, shtëpia,botuese-Kastriot, 2013

80 . “ Refrene yjesh”, Poezi, shtëpia botuese “ Fahri Fazliu”- Kastriot 2013

81. “Te delta e mjellmave”, Poezi, shtëpia  botuese  “ Fahri Fazliu”- Kastriot ,

82.“Rinjohja”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve “Fahri Fazliu”- Kastriot, 2013

83.“Diku në fund të një fillimi”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve, “Fahri Fazliu”- Kastriot, 2013

84.“ Një zog prej uji”, Poezi, shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2013

85.“Mëkati i hijes”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2013

 

PËRMBAJTJA

 

Ishte koha

Cikli i parë.............................................................11

 

Toka e premtuar......................................................13

Legjenda..................................................................14

E ca të tjerë..............................................................15

Kurse nga dritaret....................................................16

Dënesim dhe qeshim...............................................17

Ishte koha................................................................18

Era...........................................................................20

Ky kor bretkosash...................................................21

Ishte e hënë.............................................................22

Të lutem..................................................................23

Mëkat i hijes............................................................24

Kur atdheu...............................................................25

Qanin edhe nuset.....................................................26

Ky mermer i ftohtë..................................................27

Dëgjohet një gjëmë nënash....................................28.

Fryn e fryn një puhi nate.........................................29

I shkundëm mollët...................................................30

Kapma dorën...........................................................31

Unë nuk i besoj errësirës.........................................32

Si të leh...................................................................33

Ik se të vret nata.....................................................35.

Disa qindra vjet.......................................................36

Sonte hëna...............................................................37

 

Ky kor bretkosash

Cikli i dytë..............................................................39

 

Në syrin e kaltër të diellit........................................41

Luftëtari...................................................................42

Unë do vij................................................................43

As mish as peshk.....................................................44

Rrëfejnë plakat........................................................45

Kur këndon..............................................................46

Çelë një baladë........................................................47

Pengu.......................................................................48

Kur jemi të lodhur...................................................49

Megjithatë...............................................................50

Unë pashë zotëri......................................................51

Tubuar ca njerëz......................................................53

Vetvetja e jonë .......................................................54

Mërgimtari..............................................................55

Boshllëku ...............................................................56

Një copë toke..........................................................57

Më pritë të lutem.....................................................58

Muzika ...................................................................59

Deltina.....................................................................60

Pa titull....................................................................61

Qokthi.....................................................................62

Bota në shishe.........................................................63

Një vashë me syjeshilë............................................64

Një nuse e re............................................................65

Të thashë.................................................................66

Amaneti...................................................................67

Qeni.........................................................................68

 

Një fustan prej letre

Cikli i tretë.............................................................69

 

Marsi.......................................................................71

Lumi........................................................................72

Pata edhe ditë më të mira........................................73

Nata ishte e gjatë.....................................................74

Kurse netët qanin....................................................75

Me lot mallëngjimi..................................................76

Emri.........................................................................77

Mbushe një gjym.....................................................78

Poetët ......................................................................79

Të thashë.................................................................80

Deti..........................................................................81

Edhe një herë aq veta..............................................82

Ata...........................................................................84

Pranvera..................................................................85

Me një fustan prej letre...........................................86

Gërthitja..................................................................87

Herën e tretë............................................................88

Qeni.........................................................................89

 

Katalogimi në botim – (CIP)

Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës

821.18-1

Zaplluzha, Adem

Mëkat i hijes/ Adem Zaplluzha. -  Kastriot : Shoqata e Shkrimtarëve “Fahri Fazliu”, 2013. – 102 f. ; 21 cm.

Parathënie : f. 5-9. – Biografia : f. 90-91

ISBN 978-9951-538-97-8