E premte, 19.04.2024, 02:44 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Nesër, Benedikti XVI, në një fjalim të posaçëm drejtuar të gjithë shqiptarëve

E enjte, 22.05.2008, 06:39 PM


Benedikti XVI
Nga Gazeta 55
     
Ati i Shenjtë Benedikti XVI i drejtoi dje grupit të shtegtarëve shqiptarë, ardhur në Romë me rastin e vizitës ‘ad Limina’ të ipeshkvijve të Shqipërisë, të pranishëm në audiencën e përgjithshme përkrah prelatëve të tyre një përshëndetje të veçantë. “Përshëndes besimtarët shqiptarë, të ardhur me rastin e Vizitës ‘ad Limina Apostolorum’ të Ipeshkvijve të Shqipërisë dhe i lutem Zotit t’i bëjë të frytshme përpjekjet e tyre që të gjithë ta njohin Jezusin Rruga, e Vërteta e Jeta. Ju falënderoj për praninë tuaj e ju jap zemër të ecni me besnikëri në rrugën e Krishtit e të Ungjillit të Tij, për të qenë kështu të krishterë të vërtetë në familje e në çdo ambient”. Kjo përshëndetje e përzemërt drejtuar ipeshkvijve, në ditën e tretë të vizitës së tyre ‘ad Limina’, si dhe përfaqësuesve të besimtarëve të tyre, pasoi takimin e djeshëm të Papës me grupin e parë të prelatëve, duke filluar nga kryeipeshkvi i Shkodër-Pultit, imzot Anxhelo Masafra. Dje Benedikti XVI u takua edhe me ipeshkvin e Lezhës, imzot Otavio Vitalen, me ipeshkvin e Sapës, Imzot Lucian Avgustinin dhe me ipeshkvin ndihmës të Shkodër-Pultit, aktualisht në pension, imzot Zef Simonin. Në ditën e tretë të vizitës së tyre ‘ad Limina’, pasi morën pjesë në audiencën e përgjithshme të Papës, ipeshkvijtë bashkëkremtuan Meshën në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës. Në përfundim të audiencës, gjatë përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve, Papa kujtoi se sot do të kremtohet solemniteti i Korpit dhe Gjakut të Krishtit: “Në orën 19, në tremen e Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran, do të kryesoj Meshën, pas së cilës edhe procesionin tradicional deri në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe. I ftoj të gjithë të marrin pjesë në këtë kremtim solemn, për të shprehur së bashku besimin në Krishtin e pranishëm në Eukaristi”. Ishte pra, një ftesë drejtuar edhe shtegtarëve shqiptarë të cilët, së bashku me ipeshkvijtë e tyre, më 22 maj, do ta kremtojnë pranë Atit të Shenjtë Solemnitetin e Korpit e të Gjakut të Krishtit. Të premten, më 23 maj, Papa do t’i presë në audiencë të gjithë prelatët e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë dhe do t’u drejtojë fjalimin e tij programatik, pas përshëndetjes nga ana e Kryetarit të ipeshkvijve, imzot Rrok Mirditës. Më pas prelatët do të vijojnë vizitat në Kongregatën për Kultin Hyjnor dhe në Këshillin Papnor për dialogun ndërfetar. Të shtunën, me 24 maj, Papa do të takohet me kryetarin e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Rrok Mirditën, kryeipeshkëv i Tiranë-Durrësit, me ndihmësin e tij, imzot Gjergj Frendon, me administratorin e Shqipërisë së Jugut, Imzot Hil Kabashin dhe me ipeshkvin e Rrëshenit, imzot Kristofor Palmierin. Të shtunën, me 24 maj, do të regjistrohen vizitat përfundimtare - në Kongregatën për Ipeshkvijtë dhe në Kongregatën për Ungjillëzimin e Popujve.
Papa në audiencën e përgjithshme kushtuar Romano Melodit, poet i fesë në shekujt V e VI/Në audiencën e djeshme të përgjithshme Benedikti XVI vuri theksin mbi bukurinë e kulturës së krishterë dhe mbi trashëgiminë e saj, gjithnjë të gjallë, sepse me rrënjë të thella në Fenë e Krishtit. U frymëzua për këtë reflektim nga figura e Romano Melodit, poet e diakon, që jetoi ndërmjet shekujve V e VI, të cilin e vuri në qëndër të audiencës. ‘Kultura e krishterë lindi nga lidhja e zemrës me të vërtetën, që është dashuri’: këto fjalë ishin në bazë të reflektimit të sotëm të Papës, i cili e vijoi katekizmin duke i njohur të pranishmit me jetën dhe veprën e Romano Melodit. I lindur në Siri në vitin 490, për të shkuar më pas në Kostandinopojë, Romano u quajt ‘Pindari i krishtierë’ për ndjenjat e larta të kompozimeve të tij në vargje. Ky poet i madh - vijoi Papa - na kujton gjithë thesarin e kulturës së krishterë, të lindur nga feja, të lindur nga takimi i zemrës njerëzore me Krishtin, Birin e Hyjit: “Nëse feja është e gjallë, edhe kjo trashëgimi kulturore nuk mund të vdesë. Ajo fiton gjithnjë freski të re. Ikonat i flasin edhe sot zemrës së besimtarit, nuk janë shprehje e së kaluarës. Katedralet nuk janë monumente mesjetare, por shtëpi jete, ku e ndjejmë veten si në shtëpi tonë, ku takohemi me Hyjin e me njëri-tjetrin. E muzika e madhe, gregoriane, Bah a Moxart, në Kishë nuk është art i së kaluarës, por është plotësisht e gjallë në jetën e liturgjisë së fesë sonë. Në se feja jeton, kultura e krishterë nuk bëhet e kaluar, por mbetet e gjallë dhe e pranishme”. Nëse feja është e gjallë – ritheksoi Ati i Shenjtë – edhe sot mund t’i përgjigjemi urdhërit, që vijon të përsëritet në Psalme: “Këndojini Zotit një këngë të re!”: “Krijimaria, risia, kënga e re, kultura e re e prania e të gjithë trashëgimisë kulturore në gjallërinë e fesë, nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën, por janë një realitet i vetëm, janë prani e bukurisë së Zotit, e gëzimit të Birit të Hyjit”. Duke u ndaluar posaçërisht tek figura e Romano Melodit, Papa shpjegoi se ngjarja kryesore e jetës së tij qe një ëndërr, në të cilën iu duk Nëna e Hyjit dhe i dhuroi frymëzimin poetik. Romano - vijoi Ati i Shenjtë - qe dëshmitar i shquar i ndjenjës fetare të epokës së tij. Në Kostandinopojë predikonte në një shenjtërore ndër rrethinat e qytetit të madh. Këtu diakoni i fliste bashkësisë, duke mbajtur homeli që ishin më shumë këngë e që njiheshin me emrin ‘kontákia’. Sipas traditës, mbajti një mijë kontákia, por ne na arritën vetëm 89. Romano fliste në një greqishte, që i afrohej koiné-së së Besëlidhjes së Re, sepse një gjuhë e tillë merrej vesh më mirë nga besimtarët. Një nga shembujt më domethënës prej homelive të Romanos, është dialogu dramatik ndërmjet Marisë e të Birit, në rrugën e Kryqit: “Ku po shkon, o Bir? Pse po e kryen kaq shpejt rrugën e jetës sate?/ Nuk do ta kisha besuar kurrë, o Bir, se do të të shikoj një ditë në këtë mjerim/ e as ndër mend s’do të më kishte shkuar se njerëzit e mbrapshtë do të tërboheshin kundër teje aq/ sa të venë dorë mbi ty, në kundërshtim me çdo drejtësi’/. E Jezusi përgjigjet: “Pse qan, o Nëna ime?... /Thua s’duhet të vuaj? S’duhet të vdes? E si mund ta shpëtoj ndryshe Adamin?”//. Kështu Biri i Marisë e ngushëllon Nënën, por gjithnjë duke kujtuar rolin e Tij në historinë e Shëlbimit. Komunikator i aftë - vërejti Papa - Romano Melodi mendon se homelitë e tij do të ishin fare pa vlerë, në se nuk do të jetonte ashtu si predikonte. Papa foli edhe për ‘humanitetin që rreh njëherësh me zemrën”, për ‘zjarrin e fesë’, ‘përvujtërinë e thellë”, ndjenja të cilat i përshkojnë tej e ndanë këngët e Romano Melodit. Në himnet e tij gjejmë terma kristologjike dhe mariologjike. Diakoni predikon një kristologji të thjeshtë, të kuptueshme për popullin dhe lufton gabimet e arianëve, që mohonin hyjninë e Krishtit, ndërsa na jep një përmbledhje të shkëlqyer të pneumatologjisë, apo të shkencës së shpirtrave, në përkim me Koncilin e Kostandinopojës. Duke predikuar në solemnitetin e Rrëshajëve - tha Papa - Romano nënvizon vazhdimësinë ndërmjet Krishtit të ngjitur në qiell dhe Apostujve, dmth Kishës. Ndërmjet tjerash, Predikatari i madh kërkon edhe që i krishteri ta praktikojë dashurinë, përmes veprave të bamirësisë. Në përfundim të audiencës, gjatë përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve, Papa kujtoi se nesër do të kremtohet solemniteti i Korpit dhe Gjakut të Krishtit: “Në orën 19, në tremen e Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran, do të kryesoj Meshën, pas së cilës edhe procesionin tradicional deri në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe. I ftoj të gjithë të marrin pjesë në këtë kremtim solemn, për të shprehur së bashku besimin në Krishtin e pranishëm në Eukaristi”.
Kardinali Kasper në Rusi, do i dorëzojë një mesazh të Benediktit XVI Patrikut Aleksej II/Kardinali Valter Kasper, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, nisi dje një udhëtim në Federatën Ruse, duke iu përgjigjur ftesës së Hirësisë së Tij, Kirill, metropolit i Smolenskut e i Kaliningradit, si dhe kryetar i departamentit për marrëdhëniet e jashtme kishtare të Patriarkanës së Moskës. Gjatë udhëtimit, që do të përfundojë më 30 maj, Hirësia e Tij do të shkojë në vende të ndryshme të Rusisë. Vizita do të nisë me kremtimin e festës së Korpit të Krishtit në katedralen katolike të Nënës së Hyjit në Moskë, me ftesën e kryeipeshkvit Paolo Peci. Sipas programit, do të takohet edhe me Patrikun e Moskës e të të gjithë Rusive, Aleksejn II, të cilit kardinali Kasper do t’i dorëzojë një mesazh dhe një dhuratë nga Benedikti XVI.Në vijim, gjithnjë me ftesë të metropolitit Kirill, kardinali Kasper do të marrë pjesë edhe në një kremtim me rastin e ditës së emrit të përfaqësuesit të lartë ortodoks, në Smolensk. Hirësia e Tij do të bëjë një shtegtim në Kazan, për të nderuar ikonën e Zojës, të cilën ai vetë, në emër të Gjon Palit II, e pati rikthyer në Rusi në vitin 2004. Parashikohet edhe një vizitë në manastirin e Divjevos, pranë Nizhni Novgorodit, ku do të nderojë shën Serafinin e Sarovit, posaçërisht i dashur nga populli rus. Qëllimi i udhëtimit - sipas një Komunikate të Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve - përveç takimit personal të kardinalit Kasper me bashkësinë katolike të Moskës dhe me përfaqësuesit e tjerë të ortodoksisë ruse, është edhe njohja e drejtëpërdrejtë e pasurive fetare e kulturore të traditës ruse.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora