Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hyqmet Hasko: Isuf Hoxha - “Frymë pranvere''

| E hene, 16.09.2013, 07:00 PM |


Përsiatje rreth përmbledhjes poetike “Frymë pranvere” të poetit nga Kosova Isuf Hoxha

Një poezi që mbjell farë dashurie dhe ëndërrimi

Nga Hyqmet HASKO

Në tentativën për të rrokur hapësira sa më të prekshme të botës dhe shpirtit mbarëkombëtar shqiptar, poezia e re shqipe ka fituar një pasurim të beftë, qoftë në tematikë dhe element përmbajtësorë, qoftë në strukturë, në stilistikën poetike dhe mjetet figurative të përdoura për shtrirjen dhe përcjelljen e mesazhit poetik.  Në këtë rrugëtim mbresëlënës, kjo poezi, me emrat e saj më të përveçëm dhe më komunikues, në të gjitha hapësirat e shkrimit dhe përcjelljes së fjalës poetike shqipe, ka pasuruar traditën me elemnetë të rinj, duke u bërë një interprete e shpirtit kolektiv të kombit shqiptar, në etjen e tij të gjatë për të qenë vetvetja, ëndërrim, blatim dhe realitet i sendërtuar i ëndrrës së kahershme për liri e dinjitet shoqëror. Të gjitha këto po përsiatja me vete, ndërsa lexoja me endje vëllimin me poezi “Frymë pranvere” të poetit nga Kosova Isuf Hoxha. Është një libër që duket i shkruar me një frymë, me ndjeshmëri të lartë dhe emocion të bukur, një kujtesë vetjake e shumëzuar me gjithçka të bukur a të trishtë që ka hasur poeti në rrugëtimin e tij të gjatë e të vështirë drejt finalizimit të aktit poetik.

Kur shfleton fletët e një libri të ri me poezi, gjëja e parë që të bie në sy tek ky libër është se çfarë përfaqëson ai në raport me pjesën tjetër të përvojës poetike të poetit, nga njëra anë dhe në raport me pjesën tjetër të prurjeve të shumta të poetëve të tjerë, që lëvrojnë arën e madhe e të pafund të poezisë shqipe, nga ana tjetër.

Tek Isuf Hoxha janë të dyja kurbat në ngritje: edhe kurba që shënon rritjen e tij në raport me veteveten e shpalosur në të tjera akte poetike, edhe kurba krahasimtare me të tjerët, sivëllezërit  e tij poetë, me të cilët ndryshon për faktin se Hoxha nuk i ngjan askujt tjetër, përvevçse vetevtes.

Në raportin e shpalosur mes ndjenjës dhe mendimit, mes gjendjes dehëse të pavetëdijes dhe synimeve racionale, për të përcjellë realitete konkrete dhe mesazhe konkrete, poeti gjen këndin e duhur të botëvështrimit, të cilin e mbështet me një gjuhë të përpunuar poetike, plot lirizëm të ngrohtë dhe figura të gjalla.

Vetë titulli “Frymë pranvere” parakupton tejkalimin e dimrave të egër me ciknë e suferinë, me dhimbje e trishtim, me luftë e mallkim, me gjithçka të errët e të kobshme që një “fat zezonë”, siç mund të thoshte shkrimtari ynë i shquar Ismail Kadare, iu pati rezervuar vëllezërve tanë të një gjuhe e një gjaku, matanë kufijve të diktuar nga obskurantizmi institucional i kontinentit të vjetër. E gjithë kjo londron e parakuptuar ose e nënkuptuar në vargjet e poetit, ku fryma dhe aroma e pranverës së shumëpritur, shija dhe aroma e lirisë, përbëjnë kumtin numër një të fjalës poetike të Hoxhës.    

Në libër aludohet për demonstratat e vitit ‘81 në Kosovë (simboli 81 në ballinë të librit këtë nënkupton), demonstrata  që ishin prologu i asaj dehjeje kolektive me aromën e lirisë, që do ta conte Kosovën, disa vite më vonë, drejt aktit të saj final historik, drejt  aktit madhor të Pavarësisë. Në atë dimër me ciknë e murlan, ku “dallëndyshet me krahë të ngrira” kërkonin një horizont dielli, u vranë shumë ëndrra njerëzore, por kryeëndrra mbeti dhe u bë apelativ jo vetëm për poetët, por për gjithë shoqërinë kosovare, në rrekjen e saj për të kapur kohën e humbur të ëndrrës.

Me shpejtësi e ngisja

Makinën e ëndrrës

Për në pikëtakim

Shpresa bëri kundravajtje…

Poeti është befasues në zhbirimet e tij të holla, në konkretësinë e figurës dhe fuqinë dehëse të imazhit. Ai nuk sajon, por ndërton me penën e tij të hollë, të ngjyer thellë në dashurinë dhe dhimbjen njerëzore struktura poetike befasuese, që të rrëmbejnë me forcën dhe magjinë e fjalës së bukur. 

Hoxha duket se nuk ka pikë sforcimi e shtirje kur merr penën për të shkruar; ai thjeshtë ndjen ritmin e zemrës së tij, pjesëton e shumëzon çastin në kohën e përditshmërisë, duke na dhënë me një muzikalitet aq të ëmbël e aq të dëlirë vizatime dhe gjendje sa reale e konkrete aq dehëse e trallisëse…

I vendosur në shtratin e tradicionalizmit poetik, në atë guvë burimore ku është folku, zërat e ngrohtë lirikë që vijnë nga etnopsikika poetike kolektive, Hoxha nuk mbetet rob i kësaj tradite, por me origjinalitetin e zërit të tij, me tonet aq të ndjeshme e kumbuese deri në dehje, me lirizimin dhe spontanitetin e tij, me strukturat moderniste dhe postmoderniste të koncepsionit poetik, e pasuron këtë traditë me imazhe dhe elemente të reja poetike.

Ajo që në të vërtetë përbën individualitetin e poetit është freskia e motiveve, marrja e “lëndës së parë” poetike  nga jeta e gjallë njerëzore, nga raportet e unit të tij me kohën dhe bashkëkohësin dhe jo nga skemat libreske, ndikimet dhe spostimet akrobatike, siç bëjnë një duzinë poetësh, që nuk shkruajnë veteveten, nuk janë vetvetja, por ndihen të kompleksuar nën hijen e të tjerëve.

Hoxha zbulon një botë të bukur, një botë të thyer, plot ngjyra dhe kontraste, një botë jo në kornizë por në lëvizje, që e shpie poetin drejt magjijimit dhe, pse jo, drejt zbulimit të kultit të lirisë personale dhe kolektive.

Hoxha vizaton shkujdesur, por me linja të qarta e të përvijuara ëmbël peizazhe të thyer të shpirtit njerëzor dhe të historisë, duke i zgjeruar rrathët e këndvështrimit poetik nga vargu në varg, nga strofa në strofë, nga poezia në poezi, me një pasuri trajtash, figurash dhe mjetesh shprehëse.

Hoxha është poet i kërkimit të thellësive jo i sipëfaqeve të lëmuara; ai është një bard i jehonave të unit të tij, të cilin e integron në epokën globale të përditshmërisë, me dhimbjet, trillin, mallin, idilin, vuajtjen, mungesat, zhvensdosjet fizike dhe shpirtërore, të kohëve dhe hapësirave, nën harpën e një muzikalitetii të tejndezur lirik.

Poeti e tejshtrin botëvështrimin e tij në hullinj të njohur përjetimesh, por mënyra se si ai vështron në këta hullinj është befasuese; duke sjellë ritme dhe melodi të hazdisura e trillere, që të rrëmbejnë e të bëjnë për vete.

Pjalmi i folkut duket sikur e josh poetin të shkund frymëzimin e tij mbi vargjet aq të ndjera dhe fine, shkruar me një elegancë të admirueshme dhe me një lirizëm aq të ngrohtë dhe spontan, por ky folk thyhet e bëhet disi “agresiv”, për shkak të teknikave moderne të vjershërimit, për shkak të disa elementeve si ironia e hollë e zhbiruese, që poeti i përdor si mekanizëm përforcues të aktit të tij mediativo-lirik.

Ky shpalim i poetit, sjell me vete një aromë të veçantë poetike, risinë e riciklimit të bukurisë, si një kumt ndjellës drejt harmonisë dhe përsosmërisë, në kufijt mes realitetit të rëndomtë që ushtron presion dhe ëndrrës së kulluar, si produkt i mirëfilltë poetik. Në këtë vijë poeti mbjellë farë buzëqeshjesh, dhimbjesh, malli, ëndërrimi, flirti, magjijimet e ditës dhe mëkatët e natës, një minbotë të pasur e të pastër, që është një ftesë për ta vizituar në çdo kohë…

Vargu i Hoxhës nuk kërcet, nuk kërkon të duket, por është i vetëmjaftueshëm për atë çfarë kumton dhe si e kumton, me një natyrshmëri dhe sponanitet për t’u admiruar.

Tipopogjia poetike ku vendoset dhe përvijon shfaqjen e fytyrës së tij Hoxha është ajo e trevës veriore shqiptare, nga ku iu kanë ardhur letrave tona poetët më në zë si Mekuli, Podrimja, Shkreli, për të vijuar me një duzinë poetësh të këtij brezi që shkruajnë një poezi vërtet kulitative.

Libra të tillë me poezi, si ky i poetit Isuf Hoxha, një poet vërtët sharmant dhe original, me tingujt dhe ngjyra krejt shqiptare, tregojnë për mundësitë e mëdha shprehëse dhe imazhinuese të poezisë së re shqipe, e cila tashmë e çliruar nga jashtësitë dhe dogmatizmi, në një tendencë të bukur për të kapur kohën e humbur, po sjell në rrugën e saj poetë të vërtetë, të rinj e të vjetër, të prirjeve e tendencave të ndryshme, tradicionalë, modernistë e postmodernistë, me përvojë ose fillestarë, që gjithësesi janë vetveteja dhe të gjithë së bashku i japin pulsin e duhur artit tonë poetik…