Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vangjush Saro: Nuk është mirë të shkruash me zor...

| E shtune, 14.09.2013, 09:09 PM |


Bisedë

Nuk është mirë të shkruash me zor...

Nga Vangjush Saro

Duke u kthyer nga plazhi (për të cilin do të shkruaj njëherë tjetër) m’u desh të ngas makinën një copë herë krejt ngadalë, ngase po shtrohej diku një pjesë e rrugës. Isha duke menduar fillimisht për një personazh të librit tim në proces, xha Dhorin, që vdes  duke mbledhur kanoçe, me brengën se djalin e ka ende në burg, diku në Itali…Ç’është kjo jetë, as më thoni! Pastaj u vura të mendoj për gjëra më të bukura: po kujtoja miqtë dhe mikeshat që i kam larg, një profil të dashur, rikthyer si e kam parë herët, të cilit megjithatë nuk i qasesh dot fort, sepse të ul përtokë me mënyrën se si ka pozuar dhe mendohet…Isha ngeshëm edhe për të parë. Punëtorë me uniforma, një mijë tabela, (O Zot, ç’vend me rregulla!) mjete pune gjithfarëlloj…E megjithatë, të shikoje se si e qëndisnin rrugën, ishte gjithashtu një kënaqësi.

Kështu më lindi ideja e këtij shkrimi. Është shumë e rëndësishme të mos shkruash me zor…pa e ndjerë atë që do të thuash, pa t’u mbushur gjoksi dhe zemra me ajrin e së panjohurës, pa qenë mendja mjaft e kthjellë për të drejtuar ndjenjat dhe përjetimet e tua. Në letërsi, një shkrimtar, sa më profesionist dhe me përvojë të jetë, aq më shumë dhe më mirë shkruan; duke kaluar edhe mbi luhatje a gjendje jo të mira shpirtërore (që do të reflektojnë patjetër në në atë çka ai do të thurrë). Por për një krijues të ri, për një njeri që po has një përvojë të re, ngutja nuk është ajo më e mira. Ani. Mos shkruaj me zor…

Kam thënë tani afër (mbase te “Magjia dhe të fshehtat e poezisë”) se jeta e gjithkujt është njëlloj krijimtarie, sado që disa njerëz janë më publikë, e disa më pak. Çdo punë ka vlerat e veta krijuese. Një violinist që shkon përtej partiturës. Një mësuese që ndjen se po e ndjekin dhe duhet edhe më tej të mbajë po atë frymë e suspans…Një kopshtar që brengoset dhe është gati të bërtasë për zverdhjen e një bime, diku, sadopak. Shoferi që i merr me ëmbëlsi kthesat dhe duke dëgjuar muzikë, guidon pastër, skanon mirë, shpirt i mbushur me shpresa…Një amvisë që e qëndis tryezën dhe shkon të bëjë një banjo përpara se ta gëzojë atë mjedis me praninë dhe bukurinë e saj. (E dini, besoj, që të gjitha femrat janë të bukura.) Mandej, ka aq shumë art edhe në mënyrën se si komunikon me të tjerët, që të mos u imponohesh, mos t’i lodhësh, mos t’iu tregosh epërsinë (ciladoqoftë ajo), por t’i grishësh me formatin tënd.

Jo, nuk është mirë të shkruash me zor. Vetë jam përpjekur dhe përpiqem ngaherë të mos e bëj këtë. Nuk është mirë të bësh çfarëdogjëje me zor…Qoftë edhe një shënim diku në fb. Qoftë edhe përgjigjen e një letre a replike një miku…Hapin që hedh në një shëtitje. Përndryshe, siç thotë Xhojsi i madhërishëm, “këndon fjalët që s’duhen...” Po. Gjithë ç’prodhohet jashtë kësaj qasjeje, mund të godasë në falsitet, shtirje, mërzi, pasukses, deri edhe sëmundje.

Shpresoj të mos ju kem mërzitur e të mos u jenë rendur këto pak radhë…