E enjte, 25.04.2024, 12:00 AM (GMT+1)

Mendime

Elida Buçpapaj: Rama - Hajdari dhe Rugova

E shtune, 14.09.2013, 07:43 PM


KRYEMINISTRI EDI RAMA – AZEM HAJDARI DHE IBRAHIM RUGOVA

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama përfundoi vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë. Kosovën e ka patur gjithmonë në qendër të vemendjes. Kur i thonë, një e dy e në Kosovë edhe kur ishte lider i opozitës, që do të thotë se ka qënë në kontakt të përhershëm me Kosovën dhe ka patur disa idé shumë të mira integruese, në planin europian, për sa i përket unifikimit të sistemit arsimor në të gjitha trojet shqipfolëse, heqjes së barrierave doganore me Kosovën etj. Pra, përpara se të nisej në Bruksel, Edi Rama e filloi me Kosovën. Kosova prin për mbarë gjithnjë.

Gjatë vizitës, po t’i shohësh deklarimet që ka bërë përgjithësisht janë OK. Duke menduar se Edi Rama ua ka shkruar fjalimet disa kryeministrave të qeverisjes socialiste, fjalimet e veta duhet t’i qajë. Ca deklarime i bën si quote. Si ky për shembull : « Kufiri është e djeshme, e ardhmja s’ka kufi. Mbetem i juaji me besë! » Duket qartë se z. Rama i ka dhënë rëndësi konotacioneve identifikuese të shqiptarëve si komb, siç është besa, fjala e dhënë. Por në fjalimin që mbajti në Kuvendin e Kosovës iu shmang një konotacioni të tillë dhe nuk e përfshiu emrin e Ibrahim Rugovës, i cili është identifikues me Kosovën. Për reagim, krahu i LDK-së bojkotoi e shtypi sot ishte i mbushur me kritika, prej të cilave përfiton politika. Për politikën s’ka problem, por të mos përmendësh Rugovën këtë gjë nuk e gëlltisin dot shqiptarët e Kosovës, populli Rugovist, i cili është shumë i rëndësishëm.

Lind pyetja a bëri gabim apo jo z.Rama që nuk përmendi Rugovën në fjalën e tij përpara deputetëve të Parlamentit të Kosovës? Gjatë vizitës të tij të parë zyrtare si premier i shtetit amë, z. Rama bëri homazhe tek varri i liderit historik e prej atje tha një tjetër sentencë shumë kuptimplote se „Pa Rugovën Kosova nuk do të bëhej realitet“. Pikërisht ky përcaktim, që ka bërë me gojën e tij, tregon se z. Rama bëri gabim që nuk e përmendi Gandin e Kosovës në fjalimin e tij të parë në Kosovë si premier i Shqipërisë.

Për këtë devijim, të pajustifikuar në gjuhën protokollare, unë do të bëja përgjegjës këshilltarin e Ramës, Shkëlzen Maliqin, i cili e di shumë mirë se mungesa e emrit të Rugovës në fjalim dëmtonte imazhin e Ramës në Kosovë. Kur e vendosa si status në Facebook këtë, reaguan dhe më thanë se Edi Rama ka këshilltar ish-kryeministrin britanik Tony Blair. Që do të thotë një arsye më tepër që z.Rama ta përmendte Rugovën. Sepse sa herë që Tony Blair vjen në Kosovë, ai i referohet figurës të Rugovës si ikonë e pavarësisë dhe modelit të politikanit të emancipuar dhe europian.

E pra, z.Edi Rama nuk duhet t’i lejojë vetes shkitje të tilla shumë të evitueshme.

Më 12 shtator në Tiranë u zhvilluan ceremonitë e rivarrimit të Azem Hajdarit në Varrezat e Dëshmorëve. Dhe ishte ngjarje për shqiptarët nderimet që iu bënë Azem Hajdarit nga i gjithë spektri politik. Pesë ish-presidentë, deputetë të PD e PS, ministra të qeverisë të re, kryetari i ri i Kuvendit. Mungoi vetëm kryeministri i ri, për të cilin zonja Hajdari do të pohonte se Edi dhe Azemi ishin miq. Kush i tha z. Rama që të mos shkojë në ceremonialin për Azemin? Apo vendosi vetë?!

Të them të drejtën, të kritikosh një kryeministër kur nuk është ulur ende në kolltukun zyrtar nuk më duket fair, aq më tepër kur e di gjendjen ku ndodhet vendi. Lexova një fakt nga INSTAT, sipas të cilit një në shtatë shqiptarë jeton në varfëri, duke shpenzuar rreth 48 dollarë në muaj, ku po sipas të dhënave më të fundit të Institutit të Statistikave numri total i të varfërve në vitin 2012 arriti 402 033. Të mos përmendim pastaj nivelin e sigurisë të qytetarit, korrupsionin, rrezikun që i kanoset sistemit dhe shtetit ligjor. Që do të thotë se Edi Ramën e presin shumë punë. Fron Nazi ka shumë të drejtë kur thotë se për t’i tejkaluar këto, Edi Ramës i duhet të jetë një lloj Batmani.

Në këtë kontekst, kritika ime nuk është politike, si opozita që mezi pret që Edi Rama ta pësojë si Papandreu. Sepse, nëse futet Shqipëria në krizë, kjo krizë përkthehet një tmerr për shqiptarët. Unë rreshtohem bashkë me ata shqiptarë, të cilëve na intereson që Shqipëria dhe Kosova të jenë shtete normale të integruara në NATO dhe BE.

Në këtë kontekst, z. Rama e pret një punë e madhe, prej të cilit varet suksesi apo disfata. Dhe për hir të suksesit, i duhet të evitojë sa më shumë, gabime të panevojshme, të cilat varen direkt prej tij. Siç ishte rasti me Azem Hajdarin dhe me Ibrahim Rugovën.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora