E shtune, 20.04.2024, 01:45 PM (GMT+1)

Kulturë

Xhemaledin Salihu: Dasma shqiptare në Preshevë

E premte, 13.09.2013, 07:28 PM


NGA TRADITA JONË

DASMA SHQIPTARE NË PRESHEVË DHE RRETHINË SOT

Shkruan: Prof. Xhemaledin SALIHU

“POPUJT QË NUK KANË NJË TRADITË TË DASMËS, MUNDOHEN TA KRIJOJNË ATË, NDËRSA NE E KEMI KËTË TRADITË, POR NE SOT E PRISHIM TRADITËN TONË DASMORE.”

“Tek gjenaratat e reja duhet të rizgjohet përgjegjësia për dasmat e sotme dhe ndjenja e dashurisë për traditën e rivlerësimin e saj.”

Hyrje

Kohëve të fundit, edhepse familjet shqiptare në Luginë të Preshevës i ka kapluar gjendje e rëndë ekonomike dhe sociale, ato prapseprap organizojnë dasma dhe gazmende familjare të mëdha, në restorante luksoze dhe të mëdha, ku harxhohen shumë para dhe i tërë buxheti familjar. Bile, kjo gjendje familjare ekonomike ka arritur kulminacionin e varfërisë të skajshme, dasmat dhe gazmendet familjare nuk organizohen në raport me këtë gjendje të vështire familjare e shoqërore, por ato harxhojne aq shumë sa që familja shqiptare merr kredi, merr hua, vetëm e vetëm për ta përballuar fejesën e vajzës apo djalit, synetin, martesën e vajzës apo djalit apo edhe ndonjë gazmend tjetër familjar, që të mos koritet para komshive, para mëhallës, para dashamirëve e shokëve si dhe miqasisë.

Pra, familja shqiptare paguan kosto të mëdha për një dasëm apo gazmend tjetër fasmiljar. E gjithë dasma dhe gazmendi familjar ndodhin brenda një nate-mbrëmjeje.

Koston e dasmave dhe gazmendeve familjare e rrisin edhe më tepër familjet shqiptare të punësuara në botën e jashtme, të cilat harxhojnë shumë para në këto gazmende.

Këtë kosto dhe këto harxhime familja shqiptare e Preshevës nuk është në gjendje t’i mbajë edhe më, sepse ato dita-ditës edhe më shumë po varfërohen.

Dasma preshevare, përshkak të emigracionit të familjeve në botën e jashtme ndodhin brenda një dite dhe gjatë pushimeve verore edhe ato në muajin qershor, sidomos në korrik dhe gusht.

Pra, dasma e familjes shqiptare në Preshevë sot është shumë e shtrenjtë dhe u kushton familjeve me mijëra euro, si për rezervimin e restoranteve sa më luksoze, rezervimin e ushqimit sa më të mirë për krushqit ashtu edhe për qepjen e fustaneve sa më të shtrenjtë për nusen dhe gratë. Pas një ekspozimi revial, brenda një nate të dasmës, të  gjitha këto marrin fund brenda natës, brenda një defilimi të shtrenjtë të fustaneve të nuses dhe grave, të ushqimit dhe restoranteve. Pastaj disa familje shqiptare për dasmat harxhojnë dhe bëjnë shpenzime të mëdha në kontraktimin e orkestrave popullore me këngëtarë të njohur të estradës. Këtu nuk përfillen kriteret e vlerave, por vetëm të jenë emra të njohur të orkestrave dhe këngëtarëve. Bile disa familje, për ta ngritë rejtingun dhe për ta treguar pasurinë familjare angazhojnë edhe orkestra folklorike dhe grupe të daulleve dhe të surleve. Në këto dasma luhen edhe vallet e burrave, por si është më së keqi, pa ndonjë vlerë vallëzuese dhe ato valle skajmërisht bastardhohen, pos  në ndonjë dasmë apo gazmend familjar, ku qëllojnë valltarë të mirë dhe luajnë valle të vërteta dhe të mirëfillta burrash të Preshevës.

Angazhimi i veturave të shtrenjta, i pajtoneve edhe më tepër rritë koston e harxhimeve të dasmave të familjes edhe ashtu të varfër shqiptare. Por karshilluku para farefisnisë, para mëhallës, para shokëve edhe më i varfëron familjet shqiptare.

Kostoja e një dasme të sotme shqiptare është shumë e lartë dhe marramendëse dhe i kushton shumë familjes sa që rrezikohet edhe mirëqenia dhe ardhmëria e saj.

http://rtvpresheva.tv/lajme/ar/1238Ritet dhe traditat e dasmave shqiptare duhet t’i kultivojnë edhe  brezat e rinj. Por në fakt kjo nuk po ndodhë pasi në dasmat tona po përdoren dhe futen elemente të perëndimit apo edhe të lindjes, elemente të huaj që i tjetërsojnë ritet dhe traditën e kultivuar të dasmës shqiptare. Në dasmat e sotme shqiptare shumica e riteve janë të huaj, të huazuar apo të importuar nga vendet e perëndimit apo edhe të lindjes. Të gjitha traditat shqiptare kanë filluar të rrënohen si pasojë e kopjimit nga popujt e tjerë , ku populli ynë me këto sjellje po tenton të tregohet si i evropianizuar.

“Nuk është në traditën e shqiptarëve komercializimi i dasmës. Si rregull nuk çohej para në shtëpinë e atyre që martoheshin, por dhurata si për shembull dashi ose diçka simbolike si sheqer, etj.
Sipas mendimit tim, më mirë të bëhen dhurata simbolike sesa të detyrosh në një farë mënyre të ftuarit e tu të dorovisin para, edhe kur janë të varfër. Komercializimi i dasmave është bërë një gjë vullgare. Një rit tjetër interesant por edhe human i traditës shqiptare është ai i sponsorizimit siç do të shpreheshim sot, i pajës së nuses së varfër nga familjet e pasura” thotë psikologu Zuhdi Dervishi, në gazetën Shekulli.

“Shqiptarët kanë qenë të lidhur ngushtë me traditën, por kur erdhi demokracia, e cila si duket na pëlqeu të gjithëve, dalëngadalë fillojë të harrohet edhe tradita shqiptare, e cila me shekuj ka qenë e pranishme ndër ne dhe është mbrojtur me xhelozinë më të madhe. Por, gjithmonë vjen një kohë kur duhet të lihet anash diçka për ta pranuar një diçka tjetër të re”, thotë Dilaver Kryeziu, koreograf i njohur i Ansamblit Kombëtar “Shota” në Prishtinë, në Kosova sot, më 04.10.2008

Ajo çfarë ka karakterizuar dasmat në Preshevë e Bujanoc ishte hallallëku i vajzave nga familjarët e saj, më të afërmitë e nuses.. Rit që përcillej me këngë të vajzave gjatë natës së Kanagjeçit, kur nuses i vehej kana. Hallallëku ishe traditë dhe veçori e dasmave shqiptare vetëm të kësaj treve, andaj kjo traditë dhe ky rit duhet të ruhet edhe më tutje, por vetem me origjinalitetin e saj e jo me improvizime sikur  po ndodh, kohëve të fundit në dasmat tona, ku një grup vajza të paguara i vejnë kanën nuses dhe dasmoreve me para.

1. Ritet e Dasmës  preshevare, dikur

Ritet e Dasmës preshevare janë një traditë e kahershme e kultivuar me shekuj dhe ndër mote të shumta. Ato, po ashtu u bartën brez pas brezi, duke futur elemente të reja apo edhe duke hequr elemente të riteve në dasmën popullore, por gjithmonë duke ruajtur origjinalitetin dhe traditën shqiptare dhe kjo traditë mbeti në mendjen e çdo shqiptari në Preshevë me rrethinë. Bile, këto mbeten trashëgimi shpirtërore e popullit shqiptar në këto treva.

Ritet e dasmës preshevare, dikur ishin: 1.Fejesa e djalit, 2.Fejesa e vajzës, 3.Pritja e dorës së nuses në shtëpinë e djalit (fejesa e djalit), 4.Përgatitjet për dasmë, 5.Vadja, dërgimi i rrobave për nusen dhe niqahu, 6.Ndodhja e dasmës në Preshevë, 7.Dita e marrjes së nuses-shkuarja e krushqëve, 8.Nata e fundit (nata e hoxhës), duaja, dhëndri hyn në gjerdek, 9.Kulaçi i Nuses-rit i dasmës preshevare, 10.Vizita e parë e dhëndrit në shtëpinë e nuses, 11.Shkuarja babagjysh-vizita e babait të nuses në shtëpinë e dhëndrit

/ më shumë lexo:Xhemaledin Salihu, Ritet e dasmës shqiptare në Preshevë me rrethinë, me theks të veçantë vallet e burrave në dasmën preshevare, në librin : DASMA SHQIPTARE NË PRESHEVË DHE RRETHINË, DIKUR DHE SOT, PRESHEVË, SHTKK,  2013, F.46 /

2.Ritet e dasmës preshevare me rrethinë, sot

Disa rite dhe tradita e dasmës shqiptare në Preshevë dhe rrethinë dikur të ndërtohen, të shtrohen, të ndodhin dhe të aplikohen në dasmat e sotme preshevare.

2.1. Vadja, dërgimi i rrobave për nusen dhe niqahu

Pasi bëhen përgatitjet për dasmë, familja e djalit dhe e vajzës merren vesh për”vadën” ditën e fillimit të dasmës. Caktohet dita e dorëzimit të rrobave apo siç i thonë preshevarët: teshave (fustanet, dimitë, jeleku, etj) që familja e djalit i përgatit për nusen për t’i dërguar në familjen e vajzës. Rregullisht teshat e nuses dërgohen në mbrëmje, sigurisht ikja nga mësyshi i teshave. Teshat i dërgojnë grupi i burrave të moshuar, ndërsa edhe nga ana e familjes së vajzës në pritje ftohen të afërmit dhe dajallarët e vajzës, si dhe hoxha i katundit apo i mëhallës.

Niqahun duhet ta kryejë Hoxha me dëshmitarë, por duke i regjistruar shënimet në librin e ofiqarisë që duhet të formohet nga Hoxhallarët, e jo ato shënime të mbahen me fleta, të cilat më vonë tjetërsohen apo humbin. Më këtë krijohet Libri i Ofiqarisë apo Ofiqaria Fetare, sikur dikur që e ka mbajtur Hfz Lutfi Ahmedi i Preshevës apo edhe ndokush tjetër.

2.2. Dita e marrjes së nuses-shkuarja e krushqëve

Në Preshevë, kaherë në traditën popullore, dasmat dhe gazmendet familjare, por edhe kombëtare bëhen me daulle e zurle, ndërsa te gratë ato bëheshin me dajre. Madje, familjet e pasura në ditën e marrjes së nuses organizonin tubime dhe gazmende popullore, në pritje të ardhjes së nuses dhe krushqëve.

Sot, dasmat preshevare ndodhin dhe bëhen me makina luksoze, por edhe me mjete të tjera: helikopter etj. që rrisin koston e dasmës dhe janë vetëm pronë e familjeve shumë të pasura. Këtë trend nuk mund ta përcjellin edhe familjet tjera shqiptare që kanë një gjendje mesatare ekonomike. Andaj duhet që në dasma shqiptare, krushqit të shkojnë me makina, me modesti,me familjarë, me burra të moshuar dhe të kryhen po ato rite e dasmës preshevare, si dikur, psh. teslimi, që sipas mendimit tonë nuk e rritë koston e dasmës. Dikur në dasmat shqiptare krushq shkonin njerëz të urtë, të zgjuar, e të shpejtë në të menduar, për shkak të batutave që vinin nga ana e njerëzve të nuses.

Sirena e makinave mos të përdoret gjatë gjithë rrugës në të shkuar dhe duke ardhur nga shtëpia e nuses, por vetëm në të nisur, në të arritur afër shtëpisë së nuses, në të dalur nga shtëpia e nuses dhe në të arritur afër shtëpisë së djalit, për të paralajmëruar dasmorët, krushqit dhe familjarët se u mor nusja. Ndërsa ramja e sirenave gjatë gjithë rrugës është primitive, ndonjëherë i shqetëson banorët e atij vendbanimi dhe sjellë ndonjëherë edhe shqetësime se çfarë po ndodh në vendbanim.

3. Ndodhja e dasmes preshevare brenda një nate

Dasmat shqipare, dikur organizoheshin disa ditë, jemi të mendimit se koha e shkurtër e pushimeve të familjeve që punojnë jashtë dhe globalizimi në kohë kërkojnë që edhe dasmat preshevare të ndodhin brenda një nate, një mbrëmjeje argëtimi, ku ftohen dasmorët. Këtu duhet reduktuar me ftesën vetem të familjarëve, shokëve, komshive dhe miqëve e jo siç po ndodh në Preshevë apo gjetiu për një dasëm janë ftuar edhe 700 dasmorë.

“Panorama e sotme e dasmave tona është larg vlerave shqiptare që ato mbartnin më parë. Një dasmë e konceptuar si një “mbrëmje argëtimi” mund të jetë gjithçka, por jo dasëm shqiptare. Rituali i dasmës tradicionale shqiptare është një botë e pasur, sot e braktisur. Ne nuk festojmë si më parë. Festojmë keq!

Tradita e dasmave shqiptare është nga më të bukurat dhe më të veçantat. Por sot dasma jonë kthehet shpesh në një spektakël bajat vallesh, gatimesh dhe sjelljesh të huazuara.” thotë Arjan Sukniqi, koreograf i njohur i Shqipërisë për gazetën Shekulli.

A. Sukniqi vazhdon: Dasma është kthyer në një spektakël. Në një koncert që njerëzit e shtëpisë mundohen më tepër të kënaqin të tjerët sesa veten e tyre dhe çiftin. Ndërkohë që duhet të jetë e kundërta. Më parë dasma, bëhej nga i zoti i shtëpisë dhe të gjithë duhet t’i përshtateshin zakonit mikpritës të tij, i cili e bënte për të kënaqur veten dhe për të gëzuar çiftin e ri”

3.1.Pritja e dasmorëve

Para restorantit ku do të ndodh dasma, pritjen e dasmorëve duhet ta bëjnë familjarët e ngushtë të djalit, me në krye me zotin e dasmës, ashtu si bëhet mikpritja tradicionale shqiptare.

Preferojmë dhe propozojmë që dasmorët mos të sjellin dhurata, por ata që kanë vullnetin e mirë për të ndihmuar të zotin e dasmës të gjejnë forma të tjera të dërgimit të dhuratave në formë të paravë të gatshme.

3.2.Ardhja e nuses në sallën e dasmës

Në dasëm, ardhja e nuses mos të përcillet me pompozitet, por nusen dhe dhëndrin , ardhjen e tyre në sallë ta përcjellin prindërit e tyre, vëllëzërit, motrat, dajat, hallat, nipat, mbesat dhe shokët e shoqet e dhëndrit dhe nuses, duke kënduar orkestri popullor këngë adekuate për këtë rast, deri në vendin e caktuar për dhëndrin dhe nusen. Aty, pos prindërve mirë do të ishte të afrohen edhe shokët dhe shoqet e djalit dhe vajzës.

Nuk preferojmë vallëzimin e djalit dhe vajzës në rreth me dasmorët të tjerë, sidomos për të shpërblyer me para nusen dhe dhëndrin, sepse dasmorët janë të barabartë para zotit të dasmës dhe në dasëm ndër dasmorë ka grupe të ndryshme socio-ekonomike. Pastaj po ndodh shpesh që nuses t’i dhurojë para një më i largët i familjes dasmore se sa ata më të afërmit. Kështu lind xhelozia dhe mund të ketë edhe mosmarrëveshje.

Propozojmë që çifti me ceremoni të veçantë të kërcejnë valle që i dedikohen vetëm atyre. Valle më të preferuara do të ishin vallet karshi-karshi, ku vie në shprehje idilika, dashuria e çiftit e jo përsosmëria e tyre për valle.

Vallet më adekuate për këtë rast do të propozojmë këto: Vallen e Napolonit, Vallen e Shotës dhe Vallen preshevare “Tarazejbek”

3.2.1. Vallja e napolonit

“Vallja e napolonit është një krijimet folklotike më të kristalizuara të lirikës erotike të qytetit të Tiranës dhe përgjithësisht të zonës qytetare të Shqipërisë së Mesme… Mënyra si kërcehet ajo është karakteristike për një pjesë të mirë të valleve dyshe të përziera shqiptare.”/ Ramazan Bogdani, Vallet e qytetit të Tiranës, Gjurmime albanologjike,  Folklor dhe etnologji, nr.26-1996, Prishtinë, 1997, f.87/

Vallja është luajtur në të gjitha gazmendet familjare, kryesisht në dasma shqiptare. Ajo luhet nga nusja dhe dhëndri. Të pranishmit e rrethojne çiftin e ri, duke rrahuar duart dhe me vëmendje e ndjekin vallëzimin, vazhdon Bogdani.

Pastaj, po këtu Bogdani vazhdon: Napoloni kërcehet qark e qark, masanej me ndalesa, dhe në fund shpinë më shpinë. Çasti më kulmor, më shprehës, arrin me figurën e tretë, valltarët afrohen në qendër të sheshit, të restorantit, takojnë lehtë me supin e djathtë shpinë më shpinë njëri-tjetrin dhe kërcejnë rreth vetes.

Vallja e napolonit shoqërohet edhe me këngë: Kush e kërcen napolonin, bija e kapedanit, etj.

Me kaq duhet të mbaroje vallja e napolonit, por jo edhe të vehet karrika për dhëndrin dhe të kallet cigarja që nuk janë elemente tona, por të huaja. Ky element dhe vallëzimi i nuses rreth karrigës, ku është i ulur dhëndri është element i huaj, oriental dhe poshtërues për nusen si dhe trajtimi nuk është i barabartë i dhëndrit dhe i nuses, por shprehet një jo barazi në mes të gjinive. Lirisht mund ta quajme rit që ka ndodhur në haremet e sulltanëve.

3.2.2.Vallja e Shotës

“Nga mënyra e të ekzekutuarit, vallja paraqitet në disa variante: dy gra a vajza, një grua e një burrë/ose me dy çifte, dy burra etj. Varianti burrë – grua i kësaj valleje lirike përshkohet në një masë të konsiderueshme edhe nga elementi erotik. Luhet në të gjitha tubimet festive dhe më shumë gjatë ceremonialit të dasmës.”, shkruan Ramazan Bogdani në librin: Çështja e valles popullore shqiptare në Preshevë dhe rrethinë, Preshevë, 2011, f. 25.

Bogdani vazhdon: Vallja e Shotës nga një vajzë e një djalë përbën variantin më të kristalizuar dhe që lidhet drejtpërdrejt edhe me përmbajtjen erotike. Kërcimi ka atmosferë festive-optimiste, luhet me finesë e elegancë, por edhe me zhdërvjelltësi e ekspresivitet. Valltarët interpretues kërcejnë në vend përballë njëri-tjetrit, në largësi tre-katër metra dhe në rreth të madh njëri pas tjetrit, duke zhvendosur kryesisht nga e djathta dhe duke u ndërruar me njëri tjetrin.

3.2.3.Vallja “Tarazejbek”

Vallja është e lehtë qytetare, valle preshevare, e cila luhet nga një çift burrash apo gra, burrë e grua, djalë e vajzë, në rreth, karshi karshi, ballë për ballë. E kanë luajtur në Mëhallën e Doganëve. Vallja është festive, tek dhëndri dhe nusja motivon dashuri dhe erotike. Vallja shoqërohet me melodi të lehtë, mund të shoqërohet me melodinë, këngën preshevare: Gjyzelë, Gjyzelë, shumë e mirë… e me ndonjë tjetër.

Në dasmën e Preshevës me rrethinë, por edhe më gjërë, këto valle duhet të organizohen nga i zoti i dasmës apo më së miri nga orkestrat popullore në dasëm dhe nuk duhet lejuar futjen e elementeve të tjerë. Vallet e përmendura janë valle shqiptare dhe duhet të kultivohen në dasmat tona shqiptare.

3.3.Në dasëm të largohen urimet dhe pershendetjet

Në dasmat shqiptare preferojmë dhe propozojmë që mos të praktikohet dhe të hiqen urimet dhe përdhëndetjet, sepse, ato sjellin mosmarrëveshje edhe tek dasmorët. Për zotin e dasmës të gjithë dasmorët duhen të jenë të barabartë, andaj edhe urimet dhe përshëndetjet sjellin pabarazi në mesin e dasmorëve, shpesh dasmorët e grupit socio-ekonomik që nuk kanë mundësi financiare të urojnë dhe të përshëndesin ndihen të koritur, ndërsa ata që urojnë dhe përshëndesin ndihen të privilegjuar. Në dasmat tona jo rrallë herë ndodhin edhe mosnarrëveshje lidhur me urimet dhe përshëndetjet, sepse ndodh që vallen e merr për ta luajtur edhe ndonjë që nuk ka uruar apo përshëndetur. Për këtë duhet që i zoti i dasmës të mos lejojë urime dhe përshëndetje dhe bakshishe për orkestrin popullor, të cilin i zoti i dasmës e paguan aq sa goditet për krejt mbrëmjen e dasmës, për ti argëtuar dasmorët barabartë dhe pa dallime sociale-ekonomike.

“Hedhja e parave në dasëm si  rit nuk është tradicional shqiptar, por është krijuar nga grupet orkestrante që vijnë në dasmë për të fituar para. Kjo është një mënyrë tipike për të fituar para, madje mund të konsiderohet si një imponim me dhunë.

Ka qenë më përpara e kufizuar vetëm si histori sporadike e të pasurve. Të pasurit kishin si të vetmen mundësi për të shpalosur pasurinë dhe nivelin e tyre, prandaj dhe hidhnin lekë në valle. Ka qenë kryesisht një traditë e Shqipërisë së Mesme, ndërsa në jug dhe në very, jo. Edhe sot, kur hedhin lekë në dasmat e jugut është një stonaturë e paparë. Jugu nuk e ka pranuar deri vonë hedhjen e lekëve në valle gjatë dasmave, por kohët e fundit e ka pranuar”.thotë Arjan Sukniqi për gazetën Shekulli.

Ajo që na befasoi për të mirë dhe të mbarë në këtë dasmë, ishte thyerja e një shablloni të vjetër tradicional, nga ana e Zotit të dasmës – Vahid Nasufi , i cili për herë të parë në historinë e dasmave tona popullore , në ftesat e dërguara për pjesëmarrje të mysafirëve në dasmën e martesës së djalit të tij, pos fjalëve më të përzgjedhura që i kishte shprehur në ato ftesa, kishte bërë edhe një befasi të këndshme dhe të pa parë deri më sot , ku në një shtojcë speciale të shkruar me ngjyrë të kuqe, kishte shkruar kështu:
    “Ju lutemi, që të mos na sillni dhurata dhe të mos dërgoni “urime e përshëndetje” përmes ansamblit muzikor gjatë dasmës “!
Unë, ju kam ftuar në dasmën e martesës së djalit tim – Arlindit, për ta ndarë së bashku gëzimin tim jetësor familjar! Nuk ju kam ftuar për të iu gjobitur me të holla e  dhurata  të ndryshme , nga se gjatë tërë jetës sime kam punua për t’ ia siguruar jetën, kushtet dhe ekzistencën djalit tim. Kam punuar për t’ ia siguruar dasmën, shpenzimet e ahengut dhe të gjitha gjërat e nevojshme, pa e ngushtuar askënd tjetër!
Kam punua për t’ ia siguruar edhe grupin e këngëtarëve dhe orkestrinën për argëtimin sa më të mirë të mysafirëve tonë dasmorë, andaj nuk e shoh të arsyeshme që ta bllokojmë muzikën me të ashtuquajturat “urime e përshëndetje të dasmorëve tanë”, nga se jemi të vetëdijshëm se secili prej jush , jeni nisur nga shtëpitë e juaja, me dëshirat dhe urimet më të përzemërta për të na e uruar dasmën dhe martesën e djalit tonë! Prandaj, nuk ka nevojë që përmes mikrofonave të bëhen “urime”, duke shpenzuar para më kot dhe duke i vu në pozita të pa lakmueshme dasmorët të cilët nuk e kanë xhepin aq të rëndë, sa të shpenzojnë edhe për këso lloj  urimesh”!
Ai , nuk i lejoi mysafirët dasmorë që t’ i dhurojnë para nuses gjatë ceremonisë së vallëzimit  për krah bashkëshortit të saj.” shkruan Demir Krasniqi: Dasmat dhe ahengjet popullore sot, në gazetën Zemra shqitare, më 29 korrik 2009 

3.4.Vallet e reja dhe ato të vjetra në dasmën preshevare

Vallet e reja me orkestër popullor i luajnë të gjithë dasmorët që kanë dëshirë, vullnet për t’u argëtuar. Por dasma bëhet për familjarët e zotit të dasmës, në veçanti, përparësi kanë familjarët e ngushtë, vëllezërit, motrat, dajallarët, hallat, nipat dhe tezet e djalit dhe vajzës. Radhitja në valle : njerëzit e shtëpisë, daja, halla, tezet, komshijtë.

Për ta ruajtur traditën dhe për t’i përcjellur brez pas brezi edhe vallet e bukura të vjetra të Preshevës preferohet ose të goditen daullet ose me orkestër popullor të dasmës, të luhen edhe vallet e vjetra. Në valle duhet të kapen, si dikur në odat e burrave të dasmave vetëm 5-6 vallëtarë që i kërcejnë  bukur vallet e vjetra. Zgjedhjen e këtyre vallëtarëve duhet ta bëjë i zoti i dasmës apo ndonjë vallëtarë i vjetër apo që i din vallet, duke e zgjedhur ekipin e vet për valle. Të tjerët dasmorë që nuk janë vallëtarë të mirë ose të duartrokasin grupin e vallëtarëve që luajnë mirë ose të krijojnë grupe të tjera për të luajtur vallet e vjetra. Kjo sidomos vlen për të rinjtë që nuk i vallëzojnë mirë vallet, por dëshirojnë t’i mësojnë ato.

Vallet e Preshevës janë:

1. Vallja e Preshevës “Preshevka”  2. Vallja e Miratocit “Miratocka” 3. Vallja preshevare: “Ani jom e ligë, ani jom tue dekë” 4. Vallja e Marhamës  5. Vallja e Deli Agushit  6.Vallja me këndim : “Pembe, Pembe” 7. Vallja me këndim: Dimke, Dimke Popova 8.Vallja e Moravës dhe 9. Vallja: “Tarazejbek”

Orkestrat popullore, në dasmat shqiptare duhet t’i mësojnë meloditë e valleve të vjetra, për ta ruajtur traditën e pasur të trevës tonë me valle.

Valle burrash në dasmën preshevare

3.5.Sofra në dasëm-nata e pulave

Sofrat shqiptare shtrohen dikur vonë, pasi të largohen familjarët e nuses, dasmorët më të largët. Në sofër duhet të mbeten familjarët e djalit, por edhe të nuses, shokët dhe shoqet e djalit dhe nuses. Në sofër duhet të ulen të lartëpërmendurit, orkestra popullore apo vetëm këngëtari, nusja me dhëndrin në rreth. Kjo sofër duhët ta zëvëndësojë natën e fundit të beqarisë së djalit me shokë, kur dikur në dasma nëpër komshi merrnin pula dhe ishte rit i ndarjes së djalit nga shokët beqarë. Edhe në këtë sofër shtrohet mishi, mund të shtrohet mish pule, pija dhe këndohet sëbashku me orkestrin këngë të mirëfillta qytetare, të lehta, pa kërkesa të veçanta për këngëtarin. Në këtë sofër shqiptare plotësohen të gjitha dëshirat, motivet e djalit, vajzës, familjarëve dhe shokëve të djalit e vajzës, pa ndonjë kërkesë të veçantë për këngëtarin. Gjatë këtij riti ulet zëri i orkestrit popullor në minimum, për tu shijuar kënga e mirë, ndërsa dasmorët që nuk ulen përreth në sofër duartrokasin dhe motivojnë ata përreth sofrës. Kjo natë, kjo sofër e fundit e djalit dhe vajzës me shokë beqarë duhet të jetë shumë argëtuese, lirike, idilike dhe motivuese për dashuri të çiftit të posa martuar, që do të krijojnë familje si dhe në të ardhmenë do të lanë trashëgimtarë e do ta vazhdojnë llozën e familjes e fisit.

Sofrat gjakovare paraqesin një thesar të çmuar të trashëgimisë shpirtërore të popullit të Gjakovës, sepse rreth tyre është kultivuar tradita e muzikës së vjetër.
“Si formë atraktive dhe interesante e përditshmërisë, organizimi i sofrave muzikore ka ngel edhe në ditët e sotme. Sofrat, ashtu siç e kanë kuptimin e begatisë familjare, paraqesin edhe begatinë shpirtërore të krijuesit muzikor. Si të tilla paraqesin një pjesë të vlefshme të trashëgimisë së popullit,” thotë Kujtim Rrahmani, menaxher i OJQ “Arteza” që e organizoi këtë manifestim, njofton KosovaLive.

3.6. Nata e fundit  e dasmës dhe dhëndri në gjerdek

Në dasëm, në mbrëmjen e fundit dhe pas mbarimit të sofrës e ndoshta edhe e dasmës, po e njëjta grup me familjarët dhe shokët e djalit dhe vajzës e përcjellin dhëndrin për në gjerdek. Akti i ritit përmbushet sikur dikur në dasmat shqiptare,  duke e përcjellur dhëndrin dhe nusen deri te makina dhe më tutje deri në gjerdek, me urime dhe ramja të grushtave pë djalin. Kështu plotesohet edhe ky rit i vjetër i dasmës shqiptare.

Edhe sot në dasmat tona preshevare mund të organizohet dhe të ndodh riti i vjetër: Kulaçi i nuses, vizita e parë e dhëndrit në shtëpinë e nuses, vizita e babait të nuses në shtëpinë e dhëndrit. Këto rite të vjetra të dasmës shqiptare mund të kryhen duke shkuar në vizitë dhëndrri me moshatar të familjes, babagjyshi si i themi në Preshevë me moshatarë të vet apo vetëm familjet e ngushta të dhëndrit dhe nuses.

/më shumë lexo : Xhemaledin Salihu, Ritet e dasmës shqiptare në Preshevë me rrethinë, me theks të veçantë valet e burrave në dasmën preshevare, në librin : DASMA SHQIPTARE NË PRESHEVË DHE RRETHINË, DIKUR DHE SOT, PRESHEVË, SHTKK, 2013, F.557,58,59/

Përfundim

Duke pasur për bazë ato që i ceka më lart, mund të them lirisht që riti i dasmës shqiptare në Preshevë me rrethinë ndryshon dukshëm nga koha e kaluar e deri më sot. Derisa përpara respektohej tradita e vjetër, prej viteve të tetëdhjeta të shekullit XX e këndej, dasma dhe ritet e saj kanë ndryshuar dukshëm. Vallja popullore që ishte pjesë e pandarë e dasmës shqiptare, e traditës dhe e riteve të saja, e cila u lind dhe u zhvillua së bashku me këngën popullore shqiptare si dhe në dasmën e traditën e saj shqiptare, thuaja që është zhdukur fare. Ato, që gjatë historisë dhe zhvillimit të popullit shqiptar u rritën dhe u zhvilluan krahas zhvillimit dhe rritës shqiptare, rrezikohen të zhduken tërësisht. Ritet e dasmës shqiptare, kënga popullore e sidomos vallja e burrave, që ishin përcjellëse besnike e jetesës së popullit shqiptar, e vuajtjeve, hidhërimeve dhe e gëzimeve jetësore të popullit gjatë shekujve, e që duhet punë dhe betejë shekullore për t’i mbrojtur, evidentuar dhe regjistruar ose dalëngadalë do të treten e të harrohen.

REFERENCAT

1.Agron Xhagolli, Ramazan Bogdani, Letërsi folklorike, Prishtinë, 1996

2.Çështja e valles popullore shqiptare në Preshevë dhe rrethinë, Tribunë shkencore e mbajtur në Preshevë, më 24 dhjetor 2010, Preshevë, SHTKK, 2011

3.Hysen Ahmeti, Rite dhe këngë dasmash në fshatrat e Bujanocit,Gjilan, 2007

4.Zeqirja Dauti, Lojëra popullore nga Kosova Lindore, Gjilan, 2009

5.Dilaver kryeziu, A po zhduken vallet tradicionale shqiptare, Kosova sot, 04.10.2008

6.Zymer Neziri, A po zhduken vallet tradicionale shqiptare, Kosova sot, 04.10.2008

7.Demir Krasniq, Një dasmë sa një shtëpi, Gjilan, 2010

8.Xhemaledin Salihu, Valle dhe këngë popullore të vjetra, Preshevë, 2010

9.Drita Halimi-Statovci, Veshjet shqiptare të Kosovës, Prishtinë, 2009

10. E njëjta, Rizgjohet ndjenja e traditës, Ardhmëria.info, 08.08.2011

11.Ilir Sopiani, Martesat dikur dhe sot, Dituria Islame, nr.250, maj 2011

12.Pëllumb Gorica, Tradita e dasmës së vjetër në Sulovë të Elbasanit, 2011

13.Demir Krasniqi, Gjobat nëpër dasmat dhe gazmendet popullore, Zemra Shqiptare, 02.01.2010

14.Plisi i Bardhë, simbol me rëndësi kombëtare që duhet ruajtur dhe trashëguar ndër breza, Gazeta “Bytyçi”, 26 gusht 2011

15.Kadri Halimi, Studime etnologjike, Prishtinë, 1994

16.I njëjti, Trajtime dhe studime etnologjike, Prishtinë, 2000

17.Bisedë me Ferid Selimin, lidhur me disa rite të dasmës preshevare, dhjetor 2011

18.Gjurmime albanologjike, Folklor dhe etnologji, nr. 26-1966, Prishtinë, 1997

19.E njëjta, nr. 25-1995, Prishtinë, 1995

20. Dasma shqiptare në Preshevë dhe rrethinë, Tribunë shkencore e mbajtur në Preshevë më 24 e 25 dhjetor 2011, Preshevë, SHTKK, 2012

21. Demir Krasniqi: Dasmat dhe ahengjet popullore sot, në gazetën Zemra Shqiptare, më 29 korrik 2009 

/Autori është kryetar i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore i Luginës së Preshevës me seli në Preshevë/



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora