Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Imzot Dodë Gjergji priti delegacione

| E premte, 13.09.2013, 06:47 PM |


Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Komiteti Internacional i Kryqit të Kuq, vizitojnë  Ipeshkvin e Kosovës, Imzot Dodë Gjergji

Sot, në Rezidencën e Ipeshkvisë së Kosovës në Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, priti në vizitë një delegacion të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe përfaqësuesit e Komitetit Internacional të Kryqit të Kuq.

Ipeshkvi u informua për punën dhe proceset e këtyre dy organizmave që merren me zbardhjen  e personave të zhdukur.

Përfaqësuesit e dy organizatave, z. Prenk Gjetaj nga Komisioni Qeveritar dhe Agim Gashi nga Komiteti Internacional i Kryqit të Kuq, pasi falënderuan Ipeshkvinë për kontributin e dhënë gjatë dhe pas Luftës, për punën e saj në shërimin e plagëve të luftës, ata kërkuan nga Kisha Katolike ndihmë dhe bashkëpunim të mëtutjeshëm në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Ipeshkvi, Imzot Dodë Gjergji, pasi i falënderoi për angazhimin e tyre të rëndësishëm, theksoi angazhimin e vazhdueshëm të Kishës Katolike edhe nëpërmjet organizmave të saj, siç është Caritasi, dhe strukturave të tjera, që kanë qenë gjithnjë të kyçur në shërimin e plagëve që lufta ka lënë në shoqërinë kosovare.

Imzot Dodë Gjergji, u premtoi delegacioneve se Kisha Katolike do të vazhdojë edhe në të ardhmen të jetë një bashkëpunëtore aktive në forma të ndryshme.

Prishtinë, 13 shtator 2013 - Zyra Ipeshkvnore