E enjte, 28.03.2024, 02:18 PM (GMT)

Kulturë

Ilir Muharremi: Kosova Sot mes guximit dhe arsyes

E premte, 13.09.2013, 07:03 PM


Me rastin e 15-vjetorit të gazetës “Kosova sot”

Gazeta Kosova sot mes guximit dhe arsyes

Nga Dr. Ilir Muharremi

Gazeta e përditshme “Kosova sot” tash e pesëmbëdhjetë vite ka ruajtur identitetin e saj. Gjithnjë e fuqizuar nga bindja, guximi, baraspesha, drejtësia  të cilat i qëndronin stoikisht në kohët më të vështira, kohët e censurës së ashpër nga forcat militare serbe. Pamëshirshëm  dhe pashërueshëm përpiqeshin të ngulitnin propagandë dhe pengesë për vazhdimin e drejtësisë së lajmeve të thella. Kjo gazetë shpaloste të mirën dhe të keqën ashtu si ishte e frenonte fantazinë të cilën shumë media botërore e paraqesin me qëllime propagandistike për ndryshim të mendjes së publikut. Kjo gazetë ishte në dijeni se nuk duhet ndërtuar kështjella në erë, të cilat janë shumë të kushtueshme, ngaqë menjëherë jemi të detyruar  t’i përmbysim mes lotëve e psherëtimave. Ishte në dijeni për mos përkeqësim të gjendjes tonë shpirtërore, gjithnjë këmbët i mbante në tokë, sepse e dinte që iluzioni mbanë ndryshe realitetin. Madje, lirisht mund të them se kjo gazetë në kohët më të vështira radhitej e para si për nga plasim i lajmeve, po ashtu edhe nga shitja. Kjo traditë ende vazhdon dhe do të vazhdoj, ngaqë profesionalizmi i stafit dëshmon përjetësinë e kësaj gazete. Prandaj, gjithnjë duhet të shqyrtojmë gjërat që na takojnë, vetëm me syrin e arsyes, duke vepruar rrjedhimisht, pas një gjykimi të thellë, duke përdorur vetëm koncepte reale të cilat para se të plasohen publikisht analizohen, korrigjohen me një gjuhë të thellë të arsyes, e më pastaj plasohen në treg. Vërtet ishte errësirë, civilët kosovarë po dëboheshin nga shtëpitë e tyre, me qëllim për mos u kthyer më, të zhdukeshin krejtësisht, gjë e cila nuk mund të ndodh asnjëherë. Kjo  errësirë ndjelltë frikën dhe na bënte të dallojmë kudo forma të frikshme, dhe në mënyrë të ngjashme vepron papërcaktueshmëria e ideve. Intelekti vërtet ishte i lodhur krijonte pasigurinë dhe prekja e thelbit ishte e pamundur. Gazetarët e asaj kohe bashkë me stafin udhëheqës, të ngarkuar me ndjenjën e frikës, përpiqeshin të gjunjëzonin, ta ledhatonin frikën, të krijojnë lojë me qëllim për ta sfiduar. Andaj, çdo numër i guximshëm i asaj kohe i ngjante një mëngjesi ku ëndrrat dhe imazhet e frikshme zhduken. Thuhet se: “Kur nata është e trazuar, dita është e bardhë”. Mirëpo, duhet t’i kthehemi thënies së Horacit:  “Asgjë nuk është plotësisht e lumtur”.

Unë si analist dhe kritik kulturor lirisht mund të them se është e vetmja gazetë ditore e cila më jep hapësirë të shpreh publikisht mendimet e mija në lidhje me problemet aktuale të cilat shumë gazeta ditore i fshehin poshtë karriges. Kjo gazetë është e liruar nga animi politik, nuk i servilizohet asnjë lloje mashtrimi politik, përpiqet të luftoj çdo padrejtësi e cila i kanoset vendit e në veçanti kulturës. Stafi menaxhues është në dijeni se kultura është një përmbledhje e bindjeve, vlerave, besimeve, zakoneve normave të fituara nga shoqëria e më pas të trashëguara nga gjeneratat e reja. Kultura është sfera kryesore e një populli. Top lajmet , top temat hulumtuese ku janë zënë shumë plagjiatorë kulturor të cilët janë shpërblyer si fitues dhe kanë marr një buxhet të caktuar, janë plasuar në ballinën e kësaj gazete. Guximi real shpreh një vazhdim profesional, objektiv të ndjeshëm që fiton tregun. Shumë gazeta dhe mediume deklarojnë paanshmëri politike, por në esencë nuk është ashtu. Ato i servilizohen për përfitime materiale çdo pushteti aktual. Ndërsa, gazeta “Kosova sot” me mish e shpirt lufton me djersën e vetë si një mëngjes i freskët të cilin përpiqen ta turbullojnë retë e zeza. Kjo gazetë është si një ditë me përmbledhje të një jete, zgjimin dhe ngritjen e ka si një lindje të vogël.  Shopenhauer do të thoshte kështu: “Mëngjesi i freskët është një rini e shkurtër, të shkosh në shtrat dhe të flesh është gjithnjë një vdekje në miniaturë”. Por, Gëtja pohon: “Përfito nga gjendja e mirë shpirtërore, sepse vjen rrallëherë”. Ky medium gjithnjë përpiqet të ruaj gjendjen e mirë shpirtërore të punëtorëve dhe bashkëpunëtorëve duke i shpërblyer me hapësirë dhe vlera të ndryshme. Çdo faqe të saj që shfleton është një religjion në vete, një psikanalizë e thellë sublime , plot drama, aspak të maskuara, por të djersitura nga e vërteta e fshehtë e cila lulëzon dukshëm dhe qëndron stoikisht në thellësi të vendeve rurale, qyteteve etj. Kultura si diçka apriori e rëndësishme, në faqet e së shtunës të kësaj gazete shpalos një shkencë e cila në lindje e sipër është estetike. Kjo metodë eksperimentale, konsiston njëfarë lloji të atomizmit estetik neutral. Lajmet e kësaj faqe shpalosin vija të thjeshta bombastike që ekuilibrojnë dhe krijojnë simetrinë brenda ngjarjes. Temat i ngjajnë një vije valëvitëse , me kthesa gjarpërore, që prekin anën e së bukurës apo të graciozes. Format objektive të teksteve janë të drejtpërdrejta, të kapshme, të trajtuara thellësisht dhe të prekura maksimalisht mbi bazën e problemit, dhe ngjajnë me polifoninë dhe kompozicionin që ka raporte me vetën dhe më të tjerët (opinionin). Unë si kolumnistë, gjithnjë do të jem aktiv me psikologjinë time të krijimit, në radhë të parë, vepra e cila ndërtohet mbi bazën e së bukurës saktësisht shpreh natyrën subjektive, por njëkohësisht objektive, informative për lexuesin, i cili gjithnjë vije në plan të dytë krahasuar me planin e parë ku epiqendër është problemi. Në të vërtetë, çfarë kuptimi do të  kishte fjala sinqeritet i të shkruarit e përdorur si metaforë në një simfoni tekstesh, problemesh, hulumtimesh, kontradiktash, shpjegimesh, që aludojnë në saktësinë e burimeve dhe ndërtohen mbi faktet.

Në radhë të dytë, më pëlqen hapësira e kësaj gazete që i jepet artistëve. Aty mund të shprehen mendime, polemika, skepticizma të ndryshme që e preokupojnë kulturën tonë e cila çdo ditë e më shumë fundoset. Roli i veprës është gjithmonë një botë e menduar, në një farë mënyre të dallohet nga ajo që nuk ekziston me atë që ekziston. E ajo që ekziston të plasohet në formë sa më konkrete, e këtë formë konkrete, unë e gjejë në faqet e kulturës për të cilat jam kompetent si analist dhe kritik. Të bukurit mendohet se është madhështi e rrejshme e së vërtetës, ajo gjithmonë do të jetë madhështi e ireales. E bukura e tekstit na nxitë të hulumtojmë më gjerësisht në oazat e drejtësisë, të vëmë baraspeshën, më shkas të krijojmë komoditetin real dhe artistik.

Pesëmbëdhjetë vjet rrugëtim, sfidë, mundim, shkatërrim dhe fillim nga zeroja, kjo gazetë u bë piedestal, piramidë informatash, hapësirash të pandalshme, të pa kufizuara që asnjëherë nuk do shuajnë nevojën tonë pasionuese për lajmin e vërtetë dhe atë të parë. Uroj që ky jubile i rëndësishëm të shënon edhe shumë jubile të tjerë të ardhshëm mahnitës mbi bazën e arsyes profesionale.

Kjo është ballina e numrit të parë të gazetës KOSOVA SOT para 15 vitesh. ''Nisëm me një grup të rinjsh, entuziast dhe dashamirë të fjalës së lirë.''



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora