E premte, 29.03.2024, 03:40 PM (GMT)

Shtesë » Lajme

Shtatë emigrantët, si mbijetuam në malet e Greqisë

E diele, 08.04.2007, 07:25 PM


Shtatë emigrantët fierakë që mbetën të izoluar për tri ditë në malet me borë në Grevena të Greqisë, janë kthyer pranë familjeve. Ata treguan sesi policia greke i ka trajtuar më mirë se uniformat blu shqiptare. Si e mbajtën shpirtin gjallë vetëm me kafe të bluar për tri ditë e tri net

Një pjesë e mirë e shtëpive në fshatin Kallm i Vogël të komunës Mbrostar e gdhinë mbrëmjen duke u gdhirë e shtuna. Arsyeja ka qenë, sepse të afërmit e tyre u kthyen shëndoshë e mirë, pas asaj peripecie që ata kaluan në malet me borë të Grevenasë në Greqi, ku mbetën të izoluar për disa ditë me radhë. Pasi takuam Vasilin, një burrë rreth të 60-ve, ai na tregoi me radhë të gjithë personat. I thirri ata dhe ashtu, duke pirë kafenë e mëngjesit, ne biseduam duke mbajtur në celuloid fytyrat e tyre dhe në bllokun e shënimeve rrëfimet për udhëtimin që për pak sa nuk u mori jetën.

Rrëfimi i Florit

Florian Grëmi është 18 vjeç. Ai është personi që kishte edhe numrin e telefonit celular grek me të cilin kontaktuam ditën e ngjarjes. Lidhur me ngjarjen Floriani tregon se grupi prej shtatë personash ishte nisur nga fshati të dielën e kaluar në orën gjashtë të mëngjesit. “Morëm një fugon për në Ballsh dhe që aty në Tepelenë, për të shkuar më pas në pikën e kalimit kufitar të Tri Urave. Me vete kishin rrobat e trupit, pak bukë dhe nga një plastmasë për t’u mbrojtur nga shiu apo i ftohti i natës. Grupin e udhëhoqa unë, pasi e kisha bërë një herë atë rrugë. Për tri ditë e katër net jemi endur maleve të fshatit grek Grevena, deri në momentin që një bashkëfshatari ynë, Kalem Buzi, u bë keq, nuk mundte të ecte më në këmbë. Të enjten në mëngjes na diktoi policia greke dhe na ndoqi për afër dy orë, por ne iu shmangëm, duke ecur në mal në lartësinë më të madhe të tij, duke përfituar kështu edhe nga koha e keqe dhe bora që binte. Këtë e bëmë që të mos binim në dorën e policisë, pasi kishim frikën e keqtrajtimit dhe kthimit në Shqipëri. Natën ndiznim zjarr për t’u ngrohur nëpër stane, digjnim çdo vjetërsirë që gjenim. Na mbaruan ushqimet. Për dy ditë e dy net e mbajtëm trupin gjallë vetëm me kafe të bluar që kishin me vete dhe pak sheqer”.

Dorëzimi

“Kur pamë se nuk mund të rrinim dot më në majë të malit, filluam që të ecnim për në fshatin Kranja, - vijon rrëfimin Flori. - Aty poshtë pamë disa xhipa policie, të cilët na morën dhe menjëherë në çuan në spitalin e fshatit. Ata që ishin më keq morën serume. Neve na vizituan, na dhanë për të ngrënë dhe më pas në policinë e fshatit dhamë gjeneralitetet dhe na nisën për në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Aty na prisnin policë shqiptarë, të cilët pasi na shoqëruan për në komisariat ku morën të dhënat, na nxorën në mes të rrugës, na hipën në një fugon dhe na kthyen për gjithë natën për në shtëpitë tona. Me vete nuk kishim asnjë lek, U kthyem me lekë borxh. Ky është një veprim i ulët prej policisë shqiptare. Më mirë na trajtoi policia greke, sesa kjo shqiptare”. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora