Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kongresi USA, deklaratë për Azem Hajdarin

| E merkure, 11.09.2013, 05:53 PM |


Kongresi USA, deklaratë për Azem Hajdarin Anëtari i Kongresit amerikan, Eliot Engel paraqiti në Dhomën e Përfaqësuesve një deklaratë për të nderuar Azem Hajdarin, udhëheqësin e lëvizjes për demokraci në Shqipëri në 15-vjetorin e vrasjes.

“Përmes fjalëve dhe veprave, Azem Hajdari tregoi se liria nuk dhurohet, por fitohet me përpjekje, vendosmëri dhe besim”, thuhet në deklaratë.

Azem Hajdari, i cili u vu në krye të lëvizjes studentore që përshpejtoi rënien e komunizmit në Shqipëri, u vra më 12 shtator 1998. Ai kishte mundur t'i mbijetonte një atentati të mëparshëm në vitin 1997 brenda Parlamentit shqiptar, ku mori plagë të rënda.

Gjatë konfliktit në Kosovë, thuhet në deklaratën e kongresmenit Engel, Azemi mbështeti gjithashtu lëvizjen e Kosovës për liri e pavarësi, duke i kushtuar asaj kohë dhe energji.

Në deklaratën e tij, Eliot Engel, anëtar i Dhomës së Përfaquesve dhe numri i dy i komisionit për marrëdhëniet me jashtë të kësaj Dhome, thotë se Azem Hajdari ishte një mbrojtës i fuqishëm i vlerave demokratike dhe hero për shumë shqiptarë.

Zoti Engel u kërkon kolegëve të tij, anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve, të përkujtojnë Azem Hajdarin për kontributin historik në ndërtimin e demokracisë në Shqipëri.

Më 12 shtator, shqiptarë nga i gjithë vendi, nga Kosova dhe vende të tjera do të mblidhen për ceremoninë e rivarrimit të Azem Hajdarit, i cili do të prehet në varrezat e dëshmorëve në Tiranë.

Top Channel