Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Baki Ymeri: Rumania, Kosova dhe viriliteti

| E merkure, 11.09.2013, 07:06 PM |


Rumania, Kosova dhe

VIRILITETI LEGJENDAR I KOMBIT SHQIPTAR

Nga Baki Ymeri

Prill, 2013. Në kuadrin e artikullit “Parlamenti European na kërkon ta njohim Kosovën” (ziare.ro), kryeministri Victor Ponta ka deklaruar se “Rumania duhet të shkojë pranë familjes europjane në rastin e Kosovës.” Shumica e komentatorëve rrëshqasin si thiu në akull me qëndrime absurde si pasojë e mosnjohjes së realitetit. Njëri ndër ta, Dava, thekson gjoja se “Kosova qenka një shtet mysliman i implantuar në Europë nga amerikanët, duke sfiduar luftën shekullore të popujve europianë për pengimin e otomanëve... Rumania nuk mund ta njohë këtë shtet, veçse nëse nuk e shkel historinë nën këmbë.” Megjithatë, për fatmirimin tonë, na dalin edhe disa komentues me qëndrime të shëndosha. Qui Bono thekson:

Rumania ka interesa të përbashkëta me partnerët e saj nga BE dhe NATO. Kosova ka qenë një rast i pa precedent në Europë, kurse njohja e pavarësisës së saj ishte e vetmja zgjidhje për mbrojtjen e kosovarëve nga rrebeshi i nacionalizmit primitiv serb (i shpërndarë nga Millosheviqi).” Romanian Brotherhood përmend shifrën prej 350.000 rumunëve të diskriminuar të Timokut: “Sa i përket agresionit serb në Luginë të Timokut, Rumania mund ta shfrytëzojë Kosovën si element presioni, sepse Serbia është agresive dhe rumunët e atjEshëm nuk kanë të drejtat e serbëve të Rumanisë. Duhet një reciprocitet i qartë për eliminimin e akteve oficiele serbe të ndarjes së tyre në vllehë dhe rumunë, edhepse është fjala për të njëjtin minoritet etno/linguistik... Timoku ka qenë i pushtuar nga Serbia në fillim të shek. 19, pas zbrapsjes osmane. Serbët janë shpërngulur atje dhe si çdo invadator ka frikë permanente nga një violencë e mundshme e rumunëve autoktonë.”

http://www.ziare.com/international/kosovo/parlamentul-european-ne-cere-sa-recunoastem-kosovo-ce-spune-ponta-1230969

Rumania dhe njohja e shtetit të Kosovës

29 gusht, 2013. Del në dritë intervista e gazetarit Ion Longin Popescu-t me një dashamire të madhe të Shqipërisë, Mona Agrigoroaiei (specialiste e re për çështjet ballkanike), që e botoi gazeta rumune Cotidianul.ro, e lexuar nga 4.238 vetë, dhe e komentuar pro dhe contra nga 127 vetë. Intervista që bëri bujë këto ditë, mban titullin “Rumania dhe njohja e shtetit të Kosovës”. Shumica e komentatorëve dëshmojnë se nuk na njohin si duhet, dhe pse nuk na njohin, faji nuk është vetëm i palës rumune, por edhe i asaj shqiptare. Jemi në prag të zgjedhjeve dhe nuk është koha të përmendim emra qeveritarësh, biznismenësh apo personulitetesh shqiptare që kanë dëshmuar se janë të papjekur për të bashkëvepruar me palën rumune për afirmimin e Kosovës në veri të Danubit. Në këtë kontekst, në aspektin pozitiv, përveç shtypit, merita të veçanta ka drejtori i BKUK, Ministria e Diasporës, ajo e Kulturës dhe një numër i konsideruar krijuesish nga Kosova që kanë bashkëvepruar me Bukureshtin qysh para disa vitesh. Po kalojmë nga objekti në subjekt:

Interesant duket George me komentin e tij, duke theksuar se “Rumanishtja me shqipen kanë bashkëpërkime të panumërta linguistike, se shqiptarët kanë qenë të krishterë, më vonë duke u islamizuar, njësoj si boshnjakët. Grupimet më të fuqishme kosovare janë ato të konfesionit katolik. Fakti se nuk e kemi njohur Kosovën është një nga gabimet e panumërta diplomatike të kryera nga qeveritarët rumunë nën sundimin e Basescut.” Abrudeanu shkruan se bullgarët kanë qenë bashkëkohanikë të trakasve, se serbët në Mesjetë ishin katolikë (?), se shqiptarët kanë pësuar më shumë dhe për atë mbetën nën fenë e okupatorit osman. Një komentator tjetër ia mvesh fajin për masakrat në Kosovë nacionalizmit dhe pseudoortodoksisë serbe, kurse Gabi thekson se Millosheviqi nuk ishte ortodoks por ateist, njësoj si pro-shqiptari Milo Djukaniviq nga Mali i Zi, Zoran Milanoviqi nga Kroacia apo Enver Hoxha nga Shqipëria. Një farë Yun-i nuk don të dëgjojë për shqiptarët gjoja se shqiptari Gheorghe Basta e paska vrarë në Mesjetë vojvodën e famshëm Mihai Viteazul.

Dhe del në shesh Popa Turku me komentin e tij: “Pa marrë parasysh gënjeshtrat që kalojnë nëpër shtyp apo histori, Gjergj Basta nuk ishte shqiptar por djall, siç ishin Hitleri, Millosheviqi apo Ben Ladeni. Mihai Trimi pat pranuar në kohën e tij 15 mijë shqiptarë që iknin nga zullumi osman, duke i vendosur në trojet e Vllahisë (1995). Shqiptarët janë krenaria e Ballkanit. Mbrojtësit më besnikë të Tudor Vladimirescut ishin shqiptarë. Rumunët që e shfletojnë historinë, e dinë se Vasile Lupu apo dinastia e Gjikajve ishin shqiptarë, madje edhe Vladimir Gjika i shenjtë, i persekutuar nga komunistët e Çausheskut derisa vdiq në burg. Më kot leh dikush gjoja se në Kosovë mbretëroka korrupcioni, papunësia dhe varfëria. Krejt rumunët që kanë vizituar Kosovën janë kthyer me përshtypje të mira prej atje. Vetëm ata që s’e njohin realitetin kanë mbetur me komplekse proserbe, domethënë proruse. Zoti Ju ndihmoftë!” Pse e titulluam këtë shkrim “Viriliteti legjendar i kombit shqiptar”? Sepse njëri nga komentatorët trumbeton gjoja se shqiptarët bëkan nga 8-12 fëmijë, ndërsa një komentator tjetër i përgjigjet se edhe babai i poetit të famshëm rumun Mihai Eminescu pat bërë 11 fëmijë, duke i uruar që edhe rumunët të veprojnë njësoj si shqiptarët, për të zëvendësuar mortalitetin me natalitet.

Decebal catre popor lanson një koment me karakter racist: “Kurrë nuk mund të jenë rumunët vëllezër me myslimanët që na kanë kalëruar pesë shekuj. Intervista respective nuk është tjetër veçse një kushtrim për urrejtje dhe shovinizëm. Nuk e ndjej veten fis me asnjë shqiptar, dhe sidomos me autoren e kësaj interviste.” Arnaucoiu e fshikullon Decebalin duke ia bërë të ditur se ky emër vjen nga shqipja Dakë-ballë, duke e pyetur: “Pse i ngatërron gjërat me fe dhe ksenofobi konfesionale? Mos ke gjë kundër boshnjakëve trako-ilirë që e përqafuan fenë e pushtuesit osman? Mos ke gjë kundër turqve të Dobruxhes që jetojnë në harmoni perfekte me popullatën rumune? Dhe çka nëse Millosheviqi ishte ortodoks derisa e tmerroi botën me racizëm, masakra dhe urrejtje interkonfesionale? Më mirë shqiptar me emër turku dhe gjak të krishterë se sa maskara.” Eminescu e uron zsh. Mona Agrigoroiaie për këtë intervistë “që na e qartësoi mëndjen me informata lidhur me rumunët e Timokut dhe shqiptarët e Kosovës.

Më tej, Eminescu thekson faktin se në Bukuresht botohen rregullisht revistat Shqiptari dhe Kosova, Burebista përmend tradhëtinë mesjetare të dhespotit serb Gjergj Brankoviq kundër vojvodës rumune Iancu de Hunedoara, i cili u nis me 3 mijë ushtarë për të luftuar në Fushë të Kosovës kundër armatës osmane (1448), kurse Eminescu shton: “Jo krejt shqiptarët e përqafuan fenë e turkut për të shpëtuar shpirtin nga uragani sllav. Shqiptarët na konsiderojnë si jevgjitër pse nuk e njohim Kosovën kurse maskarenjtë tanë i konsiderojnë shqiptarët si myslimanë. Ju garantoj se Kryeministri Ponta dhe ministri i Jashtëm, përmes Parlamentit, pas disa muajsh do ta njohin Kosovën për ta ndihmuar Serbinë që të hyjë në BE. Të jesh antikosovar në Rumani don të thotë të jesh kundër rumunëve të Basarabisë dhe Luginës së Timokut. Dijetari i famshëm Hashdeu, ka thënë më 1901 se shqiptarët nuk janë fis me ne rumunët, por vëllezërit tanë të të njëjtit gjak.”

ORIGJINALI:

http://www.cotidianul.ro/romania-si-recunoasterea-statului-kosovo-221261/